Ndërsa kundroj këtë të sotme tek perëndon
nuk mendoj dhe aq për të nesërmen
Mund të jetë kanistër paqeje
apo tufë busullash matufe,
secila për të na treguar një rrugë
si të arrijmë në prehrin e nënës utopi.
Nuk bën asnjë dallim tashi,
nuk më vjen të dëgjoj
Hënën që tingëllon shpresë
në hijen e një agimi
ndoshta kobzi ndoshta jo
Prandaj do t’i bëj llogaritë me të nesërmen
jo përpara së nesërmes
jo për tjetër veç për t’i kursyer energjitë
se kushedi çfarë do të ndodhë nesër!
Epo lëre tashi, ti e di
se unë thjesht e ëndërroj të nesërmen,
e ëndërroj gjithmonë si dua vetë
pa vramendje e pa siklete
Dhe ëndërroj vetëm se do të jetë dashuri
ajo që ne ende nuk e njohim
dashuri që e mbars këtë të sotme kokcëmadhe
që ta bëjë t’i rlindë që të gjitha…
të nesërmet!
Oh, sa do më pëlqente të ishte nesër tashi
ndërkaq është gjithmonë vetëm e vetëm
e sotme…
Komentet