Dr. Zef Zefaj (Mjeshter i madh)
E njohim të gjithë Dr. Zef Zefaj, gjinekologun e përkushtuar birin e Lezhës, i cili, jo vetëm se për dekada ka shërbyer pranë Shtëpisë së Lindjes Lezhë, por është ai që me aftësitë e tija të jashtëzakonshme dhe me humanzimin e spikatur, ka hedhur themelet e këtij institucioni të rëndësishëm mjekësor, i cili për nder të tij dhe kontributit të vyer, sot mban emrin: Materniteti Dr. Zef Zefaj, Lezhë.
Që kur u diplomua dhe bëri betimin e Hipokratit dhe deri sa doli në pension Dr. Zefi vuri mendjen dhe energjitë e tij në shërbim të jetës së atyre qindra grave lehona dhe fëmijëve që lindën në atë Shtëpi Lindjeje, që dalëngadalë arriti të bëhej e njohur dhe të gëzonte famë e respekt në qyetin e Lazhës, në Qark dhe në mbarë Shqipërinë. Ndjen emocion cilido që dëgjon se, në maternitetin e Lezhës, sa kohë që Zefi ishte aty në shërbim, nën asistencën dhe kujdesin e tij mjekësor kanë lindur 43 mijë fëmijë, 43 mijë jetë njerëzish që sot gjallojnë në shkolla, qendra pune, zyra, institucione, punëtorë të thjeshtë në vendlindje apo në emigracion, sikurse dhe shumë të tjerë intelektualë dhe njerëz të fushave të ndryshme të jetës. Doemos që është një lumturi kjo për gjithkënd që e dëgjon, por vecanërisht për një mjek gjinekolog si Dr. Zefi, i cili, kur i bënë ndonjë vlerësim, me thjeshtësinë dhe buzagazin e tij karaktersitik të thotë: “Këtë detyrë kam dhe do ta kryej sa kohë që kam jetë. E ndjej ankthin e nënës dhe të të afërmve të saj për lindjen që do të vijë pak caste më vonë, ndjej merakun dhe shqetësimin e bashkë me to dhe rrahjet e zemrës së vogëlushit dhe të nënës, por edhe të miat. Ato rahin njëkohësisht, dhe, pastaj, shpërblehen me të qarat e fëmijës në lindje, që lumturojnë nënën dhe të afërmit e saj, por më lumturojnë edhe mua. Nuk ka mrekulli dhe bukuri më të madhe se sa buzqeshja e nënës kur sheh fëmijën e porsalindur, atë fëmijë të cilin e ka mbajtur ngrohtë për nëntë muaj në barkun e saj, duke e ushqyer cdo cast me frymë, me gjakun dhe me frymëmarrjen e saj…”
“Nga çdo shtatëzani e nisur,
duhet të lindë një fëmijë i shëndetshëm”
Duke qenë një personalitet shumëplanësh, por dhe i urtë, i ndershëm, professional, i palodhur dhe me kontribute të vyera Dr.Zefi është bërë një emër i shquar, atë e përmendin me nderim e respekt qindra dhe mijëra njerëz, qofshin këta pacientë të tij apo të afërm dhe miq të tyre. Ne në Lezhë ndihemi krenar që kemi mes nesh një profesionist kaq të shkëlqyer, një doktor të shquar dhe me njohur të thella shkencore bashëkohore. Përvoja e tij ka shërbyer shumë, por do të shërbejë edhe në të ardhmen për edukimin dhe përgatitjen e mjekëve të rinj, të specialistëve dhe studentëve të gjinekologjisë. Dr. Zefi nuk ka punuar thjesht për emrin e tij, por duke qenë vazhdimisht një mjek i zoti profesionalisht dhe i përkushtuar, ai ka punuar për zhvillimin dhe forcimin e mjekësisë në vendin tonë, e si rrjedhojë dhe për shëndetin e pacientëve dhe të të gjithë atyre që paraqiten në spitalin gjeneokologji të Lezhës, në Qark po edhe në rrethet ku ai ka shërbyer me devotshmëri të plotë. Dhe, kështu, gjatë 50 viteve të punës vetëmohuese si obstetër, Dr.Zef Zefaj e ka kryer me dinjitet të plotë detyrën dhe profesionin e tij të shenjtë, kudo ku ka qenë nevoja, kudo ku kërkohej prania dhe puna e tij, gjithnjë i gatshëm, gjithnjë shembullor, aktiv dhe energjik. Mjafton të kujtojmë faktin se krahas detyrës si mjek dhe shef në maternitet Dr. Zefi dhe ekipi i tij shëndetësor ka kryer qindra lindje edhe jasht mjedisit spitalor, në kushte të vështira të terrenit, në zona malore dhe në fshatra të thellë të Qarkut të Lezhës, por edhe në qytetet dhe rrethet Kurbin, Mirditë, Krujë, Pukë… Motoja e Dr. Zefit ka qenë dhe është “Deri sa të kem forca, do të vazhdoj të qëndroj e të punoj si mbrojtës i shëndetit të nënës dhe fëmijës, do të jap gjithçka për të shtuar dhe shpëtuar jetë”. Gjatë gjithë jetës kështu kam vepruar, por dhe jam ndjerë i shpërblyer me një fjalë të mirë, me një falenderim nga zemra dhe, shpejt, sakrifica, pagjumësia, lodhja dhe stresin sikur dikush m`i ka larguar si me dorë dhe, unë, magjishëm jam ndjerë i freskët, i gatshëm për të pritur një lindje tjeter, një jetë që vjen…Dhe në vazhdim ai nënvizon: “Nga çdo shtatëzani e nisur, duhet të lindë një fëmijë i shëndetshëm”, duke përmbushur kështu me dinjitet të lartë këtë detyrë, që rrjedh nga betimi i Hipokratit ku ndër të tjera mjeku betohet: “Nuk do t`i aplikoj asnjë gruaje një mjet që shkakton abortin”.
Tradita familjare ka ngjizur dhe edukuar
te Zef Zefaj dashuri të vecantë për mjekësinë
Doktor Zefi lindi në fshatin Tresh të Lezhës në gusht të vitit 1946. Sic pohon ai vet, gjyshërit e tij kanë ardhur nga Mirdita këtu e 300 vite më parë. Nëna e Zefit, Mrika, ishte bijë e një familje mjekësh popullorë të Bulgjerit të Rubikut, të cilët me mundësitë dhe kushtet që ofronte koha, u shërbenin njerëzve me përkushtim të plotë dhe me dijet e tyre mjekësore popullore. Zefi mbeti jetim që në moshën 4 vjeç, kur babai i tij u vra pabesisht nga bandat që iu sulën në vitet e para të clirimit Shqipërisë, duke mbetur dëshmor i tdheut. Arsimin fillor, shtatëvjecar dhe të mesëm Zefi i kreu në qytetin e Lezhës, duke u dalluar ndër nxënësit më të mirë, sidomos në gjimnazin “H. Lezha”, ku ai pati nderin të ishte nxënës në maturat e para të këtij gjimnazi të njohur. Që në fëmijëri, dukej se te Zefi tradita familjare kishte ngjizur dhe edukuar dashuri të vecantë për mjekësinë, dashuri kjo e cila u shëndrua në vendosmëri për t`u bërë edhe ai mjek, por, ndryshe nga të parët e tij, ai u bë mjek i arsimuar dhe me dije të thella shkencore. I filloi studimet në vitin 1964 në Fakultetin e Mjekësisë në Univerësitetin Shtetëror të Tiranës dhe i përfundoi ato në vitin 1969 në degën e mjekësisë së përgjithshme. Gjatë gjithë viteve të shkollës Zefi u shqua në studime të thelluara, në leksione dhe literaturë, në përvoja shqiptare dhe botërore. Por u edukua edhe me atë cilësi pa të cilën, sado i zoti nuk mund të bëhesh kurrë mjek, pra me dashurinë për njeriun, me humanzimin dhe shpirtin e madh të sakrificës. Studimet dhe përkushtimi i tij u kurrorëzuan me sukses të plotë në marrjen e diplomës dhe, menjëherë, filloi po me atë vrull dhe pasion specializimin në maternitetin e Tiranës si obstetër – gjinekolog për rrethin e Lezhës. Specializmin e mbaroi në vitin 1972 dhe prej asaj kohe e deri sa doli në pension ai punoi shef i pavijonit dhe i shërbimit të obstetrikë-gjinekologjisë për rrethin e Lezhës.
Kurdoherë Dr. Zefi ka qenë pjesëmarrës aktiv në jetën dhe veprimtarinë sociale dhe kulturore si në universitet, ashtu dhe jetën aktive e të përditëshme kur ushtronte suksesshëm profesionin e mjekut. Për Dr.Zefin janë të pashlyeshme punët në shumë vepra që u ndërtuan me punë vullnetare, që nga tarracat e bregdetit dhe në ndërtimin e disa prej hekurudhave të vendit. Kujtimet e atyre viteve, kur të gjithë studentët e fakultetit dhe pedagogët e tyre qëndronin në çadra, jetonin, punonin dhe ushqeheshin bashkë, Dr. Zefi i sjellë ndërmend me nostalgji, ndërkohë që ai përmend me nderim të thellë pedagogët e tij të paharruar: Ilir Gjylbegu, Kujtim Spahivogli, Teuta Jovani, Simon Çepeli, Ferdinand Paparisto, Rexhep Bregu, Përparim Tepelena etj. I kujton dhe i velërson ata si njerëz me karakter të fortë dhe me cilësi të larta humane, modele dhe shembuj frymëzues për një brez të tërë mjekësh, duke edukuar dhe rrënjosur thellë te studentët ndjenjën e dashurisë për professionin e mjekut, por dhe përkushtimin dhe devotshmërinë për t`i shërbyer popullit.
Dr.Zef Zefaj është i martuar me Rexhinën, një farmaciste e njohur në qytet dhe e zonja, e cila i qëndron pranë bashkëshortit të saj. Ia di vlerën, ndaj e nderon. Edhe ai ndihet mirë kur e ka pranë, ndihet më i fortë, më i clodhur, më i freksët dhe energjik.
Kanë dy djem: Rezarin dhe Arbërin, të shkolluar në universitetet europiane.
Një mjek është i madh kur u shërben njerëzve
E takoj Zefin dhe ndjej kënaqësi se megjithë moshën ai ndihet i ri dhe energjik, modest, me humor të hollë dhe i vëmendshëm ndaj bashkëbiseduesit, i gatshëm të të dëgjojë dhe të marrë pjesë edhe në diskutimin tënd, por edhe në hallin për të cilin ti ke nevojë. Edhe kur ti flet në përgjithësi për humanizmin e për mjekësinë, ai do ta cojë bisedën te puna dhe jeta spitalore, te shkenca mjekësore, tek arritjet bashkëkohore, te përkushtimi për jetën e njerëzve, që janë në thelb motiv i jetës dhe i tërë veprimtarisë së tij. Ai që e ka takuar një
herë, ndjen dëshirën ta takoj përsëri, të flasë dhe të bashkëbisedojë, t`i shpreh mirënjohjen, madje dikush edhe t`i thotë se, ai, Dr. Zefi e ka pritur në lindje, e ka mjekuar dhe është kujdesur, e ka ndjekur ecurinë e shëndetit të tij dhe të nënës, teksa vështrimi i mjekut preket sytë i njomëzohen kur ndjen te bashkëbiseduesi respekt të sinqertë e mirënjohje. I vjen mirë, ndihet krenar që ka i shërbyer njeriut, jetës, të ardhmes…Dhe, ashtu, në bisdedë Zefi të përmend edhe betimin e Hiporatit, që ai dhe të gjithë mjekët e kanë mësuar përmendësh në shkollë, e kanë pasur gjithnjë udhërrëfyes të profesionit të tyre. Edhe kur gjatë bisedës dikush i kujton këtij njeriu sakrificat që ai ka bërë dhe bënë duke shkuar kudo dhe në cdo kohë atje ku është halli, ku është nevoja për të, ku një grua lehonë kërkon asistencën e tij atje në malin e Rensit, në Kashnjet, në Fishtë, në Balldre, ai menjëherë nisej atje, i papërtuar, i palodhur…
E di që Dr.Zefi lexon shumë, madje ka dhe një bibiotekë të pasur me libra sa mjekësorë, aq edhe artistikë, historikë e filozofikë, por në bisedë i kujtoj doktor Betynin dhe librin biografik “Mjeku i tre kontinenteve”. Doktor Zefi buzqesh:
-Po thotë,- Doktor Betynin e bëri të madhe përkushtimi i tij i plotë ndaj njerëzve, duke filluar nga Lufta e Spanjës ku ai u shërbente në mënyrë vullnetare luftëtarëve internacionalistë kundër fashizmit e ku, ai, atje, në fushat e betejave aplikoi për herë të parë transfuzionin masiv të gjakut….Ai ishte me të vërtetë një mjek i madh dhe një humanist i madh sepse u shërbente njerëzve…
-Një rrugë e ndritshme, një përvojë e jashtëzakonshme është jeta dhe vepra e doktor Betynit, apo jo?
-Po, shumë mjekë gjinekolog, edhe tek ne, ecin në atë rrugë të ndritshme dhe, të gjithë janë të nderuar sepse janë të përkushtuar, kanë shpirt të madh…
Ai flet e flet për të tjerët, për kolegët e tij te palodhur, ndërsa është njëri prej tyre, madje, në krye të tyre, ai, mjeku ynë i shtrenjtë, zemërbukuri ynë: Dr. Zef Zefaj.
Përballim i detyrave
kërkon përkushtim e vendosëmri
Zefi kujton në bisedë vecanërisht periudhën e pas viteve ’70, kur shërbimi ndaj nënës dhe fëmijës mori përmasa të reja dhe atij iu desh të vihej në krye të një punë të jashtëzakonshme për të kryer detyrat gjithnjë e më të mëdha, duke udhëhequr me shmbullin e tij sektorin që i ishte besuar. Atëherë pati një rritje dhe zhvillim të menjëhershëm, kujton Zefi. Brenda 5 viteve deri në vitin 1975, numri i materniteve të Lezhës u rrit nga 3 që ishte në 16, kurse numrii mamive u rrit nga 8 në 88. Gjatë kësaj kohe edhe detyrat tona si drejtues ishin shumëfishuar, kërkohej më shumë rregull e displinë e, mbi të gjitha, dije të thella shkencore dhe përkushtim ndaj të sëmurëve apo atyre që kishin nevojë për asistencën tonë.
Për atë periudhë pune Dr. Zefi sjellë ndërmend dhe shpreh respekt të vecantë për kolegun e tij të nderuar Llesh Mataj, i cili aso kohe kryente detyrën e Shefit të Shërbimit Pediatrik. Natyrisht që detyrat e mëdha kërkonin edhe më shumë përgatije profesionale dhe shkencore, por edhe aplikim të përvojave bashkëkohore. Kështu që, Dr.Zefi jo vetëm që studionte shumë vetë, por ishte pjesëmarrës aktiv në shumë veprimtari dhe sesione shkencore, ku dëgjonte të tjerët, por mbante edhe vetë shumë tema që priteshin me interesim nga kolegët dhe organet e institucionet e shëndetësisë. Në vitin 1970, në bashkëpunim me Dr. Apollon Gjebrenë, botoi temën e parë në revistën “Shëndetësia Popullore”, e cila u prit mjaft mirë nga rrethet shkencore të mjekësisë, ndërsa nga viti 1973 deri në vitin 1990, në 12 sesione shkencore të Spitalit Lezhë, ka mbajtur tema të shumta shkencore e të karakterit professional, disa prej të cilave të botuara në revistat “Shëndetësia Popullore” apo “Nëna dhe Fëmija”. Puna plot passion dhe përvoja e madhe në gjinekologji, bëri që në vitin 2005, Dr. Zefi të botojë me bashkautorë librin “Pyetje dhe Përgjigje në Gjinekologji”, ndërsa më vonë botoi një libër të dytë mbi problemet gjinekologjike. Këta libra me vlerë jo vetëm kanë qenë dhe janë një ndihmesë e shkencës mjekësore, por kanë pasur dhe kanë vlera të përdorimit praktik të përditshëm për nënat vecanërisht, por edhe për familjet shqiptare.
Materniteti i Lezhës
një shkollë kombëtare gjinekologjike
Edhe gjatë viteve studentore, por edhe më pas, në mënyrëtë vazhdueshme Dr. Zefi mori pjesë aktive në rrethet shkencore të mjekësisë dhe në praktikat që organizonte fakulteti apo institucionet shëndeësore në Shqipëri. Kur nisi punë në maternitet ai gjeti një bilanc negativ të vdekshmërisë foshnjore. Vetëm në vitin 1972 kishin gjetur vdekjen 44 fëmijë për 1000 lindje, kurse, me punën vetëmohuese dhe profesionalizmin shkencor, ekipi i drejtuar nga Dr.Zef Zefaj arritën ta ulin vdekshmërinë foshnjore nga 44 në 15 vdekje për 1000 lindje. Dr. Zefi nuk mund të harrojë kurrë ato periudha të vështira kur blegtoria u tufëzua nga sistemi i mëparshëm dhe mungesa e lëndëve ushqimore, sidomos për nënat dhe fëmijët mungonte, prandaj i duhej të luftonte me burokratët e ngritur në pushtet për të kërkuar krijimin e kushteve minimale dhe lehtësuese, sidomos për gratë shtatzëna. Mund të themi se, me dhjetëra herë, për një abort, dështim apo lindje, Dr. Zefi dhe bashkëpunëtorët e tij kanë marrë rrugën në këmbë dhe me vështirësi, duke sakrifikuar natën dhe ditën, në shi dhe në diell, me rrugë e pa rrugë në zonat e thella malore të Qarkut të Lezhës. Puna e kualifikuar dhe vetëmohuese e gjinekologut të ri dha shpejt rezultate, pasi nisën ndryshime të shpejta dhe funksionale. Kështu, pësoi ndryshime dhe materniteti i Lezhës, nga një ambient me 4 dhoma, në një spital të mirëfilltë me mbi 60 krevate të sëmurësh, i cili në vitet 96 – 98, u mor në provim si spital “Mik i Fëmijëve” dhe e fitoi këtë titull si i 192 – ti në Europë dhe i pari në Shqipëri. Vlen të theksohet, se iniciativa e tyre për ta përpunuar fëmijën e porsalindur në barkun e nënës, për ta lënë fëmijën 24 orë pranë nënës, për të asistuar edhe babai në lindje, për ta ushqyer atë vetëm me gji, bëri që
materniteti i Lezhës të jetë një shkollë kombëtare gjinekologjike për këtë novacion, duke i imponuar Kuvendit të Shqipërisë, që në atë kohë të miratonte një ligj, duke u bazuar në eksperiencën pozitive të këtij ekipi pune. Rezultatet e asaj pune të madhe e vetëmohuese, janë referuar në konferenca dhe seminare kombëtare e ndërkombëtare nga Dr. Zefi dhe bashkëpunëtorët e tij.
Eksperienca bashkëkohore europiane
Nisur nga eksperienca që fitoi në spitalin rajonal të Lezhës, në vitin 1993, Dr. Zefi u dërgua për eksperiencë pune në Tunizi, bashkë me një grup mjekësh, ku si qëllim kryesor ishte të implementoheshin edhe në Shqipëri metodat shkencore të planifikimit familjar. Në vitin 1995, bashkë me disa mjekë specialistë, ai bashkëpunoi për hartimin e ligjit “Mbi Abortin”. Eksperiencë e paharruar shkencore ishte edhe ajo e specializimit të kryer në Kantonin Frankofon të Vodit në Zvicër në bashkëpunim me Caritasin zviceran dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Dr.Zefi është trajnuar vazhdimisht në seminare të ndryshme dhe ka mbaruar kursin e kualifikimit si “Menaxhues i Lartë i Shërbimit Shëndetësor”. Gjithashtu, ka kryer kualifikime dhe specializime në sektorin e Obstetrikë-Gjinekologjisë, në sektorin e Planifikimit Familjar, ku ka qenë për 10 vjet drejtues i politikave të planifikimit familjar të zonës së veriut. sikurse dhe kualifikime të shkurtra në Yverdon (Zvicër), Tuniz (Tunizi), Stamboll (Turqi), Moskë (Rusi).
Dr. Zef Zefaj (Mjeshter i madh)
Në vitin 1995, pas eksperiencës së fituar në shumë vende të Evropës, për herë të parë u praktikuan në maternitet metodat të reja “Roomenigen” në lindje, ku u kërkua edhe asistenca familjare, u vlerësua praktika e vendeve të zhvilluara që lidhej me lindjen e fëmijës në prezencë të nënës dhe ushqyerjen e tij vetëm me ushqim natyrorë, duke e bërë të panevojshëm biberonin. Ato kohë Lezha bë modeli i një koncepti të ri dhe për këtë arsye, Materniteti i Lezhës në vitin 1998 u shpall “Spitali-Mik i Fëmijëve”, i pari spital në Shqipëri. Pas kësaj eksperience në mbrojtjen e shëndetit të nënës dhe fëmijës, materniteti i Lezhës u bë shkollë kombëtare dhe vendi ku merrej eksperiencë nga shumë institucione shëndetësore në Shqipëri. Arritjet e tij u përhapën edhe në maternitetet e tjera të vendit. Niveli tekniko-profesional e shkencor i punonjësve të maternitetit të Lezhës është krahasuar shpesh me klinikën universitare të Maternitetit të Tiranës. Dhe, në krye të të gjithë kësaj veprimtarie mjekësore me karakter të thellë shkencor bashkëkohor, ka qëndruar gjithnjë me shembullin e tij Dr. Zefi, i cili, bashkërisht me kolegët në maternitet, futën dhe zbatuan të gjitha metodat shkencore në punën e përgjithshme dhe në operacione të ndryshme gjinekologjike. Rreth 4000 lindje të gjitha të suksesshme kanë kaluar në dorën e Dr. Zefit. Sot, raporti i vdekshmërisë foshnjore me lindjet është 10 / 1000 dhe që nga viti 1994 nuk kanë pasur asnjë vdekje të nënave. Çdo vit Dr. Zefi realizonte rreth 400-450 operacione dhe në maternitetin e Lezhës lindin rreth 1400 fëmijë në vit.
Për këtë mjek të shquar “Nëna dhe fëmija janë kapitali më i cmuar”. Edhe tani që Dr. Zefi gëzon pensionin dhe dikush e mendon se ai është diku duke u qetësuar apo është me pushime, mbase edhe se është i lodhur, ai, sapo dëgjon apo ndjen që dikush ka nevojë për të, i gjendet pranë me tërë seriozitetin dhe përkushtimin e profesionit, por sidomos duke vënë në dispozicion shpirtin e tij të madh. Një mjek nuk mund të bëj dot asnjë cast pushim, një mjek nuk mund të shkëputet asnjëherë nga profesioni, nga humanizmi dhe nga betimi që ka bërë sapo është ulur në bankat e fakultetit të mjekësisë dhe ku ka artikuluar me zë të lartë dhe vendosmëri betimin e shenjtë të Hipokratit. Prandaj, ai vazhdon të punojë me intensitet dhe pa u lodhur në klinikën e tij private, duke përcjellë në mënyrë të vazhdueshme eksperiencën e fituar te kolegët e rinj, që duan të punojnë me përkushtim e të kualifikohen në profesionin e mjekut. Dhe, Dr. Zefi, e transmeton përvojën e tij me shumë dashuri. Jeta vazhdon dhe do të vazhdojë, kurse mjekët si gardian të saj janë gjithnjë në gadishmëri…Nuk e dëgjon? Një ambulancë po vjen, sinjali i saj shkakton alarmin, dikush ka nevojë…Një jetë e re është duke ardhur…
Ka ndodhur që, ndonjë pacient, nisur nga ideja se në Tiranë ka mjekë më të mirë, shkon për vizitë atje, por, sapo takohet me kolegët e Zefit, ata e pyesin:
-Nga vjen?
-Nga Lezha.
-Te doktor Zefi, je vizituar?
Vlerësime
Vlerësimi më i madh për një mjek si Dr. Zefi është shpëtimi i një jete, lindja e fëmijëve të shëndetshëm, shërimi dhe përmirësimi i gjendjes shëndetësore të
nënës dhe zhvillimi i jetës plot shëndet e gjallëri. Ndaj dhe, sot, Dr. Zefi është një model i gjallë e cilësor i dashurisë njerëzore, një burrë me zemër të gjerë, që rrezaton mirësi, dashuri, përkushtim e fisnikëri, gjithmonë në mbrojtje të jetës që sapo nis, në mbrojtje të vazhdueshme të shëndetit të nënës dhe të fëmijës.
Për merita të shquara në punë, Dr. Zef Zefaj, është nderuar me urdhra e medalje të ndryshme pune. Përmendim: Urdhrin “Për Shërbime Shëndetësore” të klasit të parë, dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë. Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”, me të cilin e ka nderuar Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Ndërkaq, një vlerësim tjetër i merituar për Dr. Zefin është fakti se spitalit gjinekologjik të Lezhës me rastin e 50-Vjetorit të ngritjes së tij, iu dha emri “Dr. Zef Zefaj”, një meritë dhe një kënaqësi e vecantë kjo për vet Zefin, për kolegët dhe institucionin e shëndetësisë, por dhe një kënaqësi e gëzim për të gjithë banorët e Lezhës dhe të Qarkut, të cilët ia njohin punën, vetmohimin, përkushtimin këtij mjeku të madh që ia ka shërbyer dhe vazhdon t`i shërbej jetës. -“Do ta kaloj jetën dhe profesionin tim në pastërti dhe dlirësi”,-thotë ai
duke përmendur si një përkushtim të plotë të tij këtë shprehje që tingëllon aq fuqishëm në betimin e Hiopkratit…
Figura e Dr.Zefit është e njohur dhe e respektuar jo vetëm në Lezhë, por në të gjithë Veriun e Shqipërisë e më gjerë. Mund të themi se ai është shndërruar tashmë në një ikonë të mjekësisë shqiptare, një ndër figurat më të dashura publike dhe të admiruara jo vetëm për Lezhën, por dhe për krahinat e deri fshatrat më të thella të saj. Në këtë 73 – Vjetor ai ka marrë urime të panumurta vecanërisht nga nënat që kanë lindur në asistencën e tij, nga familjarët, madje edhe nga vet personat, dikur fëmijë, që doktori i tyre, ka ndodhur që u ka shpëtuar jetën me aftësinë, zotësinë dhe përkushtimin e tij. Vlerësimin për Dr.Zefin në radhë të parë e kanë bërë dhe e bëjnë cdo ditë vet pacientët dhe banorët e qytetit dhe të Qarkut të Lezhës, e kanë bërë kolegët, institucioni i shëndetësisë dhe Këshilli Bashkiak që e pagëzuan me emrin “Zef Zefaj” spitalin gjineokologjik të qytetit. E, në vazhdim, themi se në këtë vit të 73 – Vjetorit të lindjes së këtij mjeku dhe humanisti të madh shpresojme se Bashkia e qytetit do t`i akordojë se shpejti titullin e lartë “Qytetar Nderi”. Kjo është në të mirë edhe t ëkomunitetit dashamirës lezhian.
Dr Zefin pata fatin ta njohe ne vitin 1983-4 ne kliniken ne Tirane ku e dergoja per vizite dhe kurim gjenkologjik gruan time. Madje krijova edhe miqesi Tek dr Zefi gjeta profesionalizem kulture miresjellje respekt dhe humanizem. I uroj jete tegjate dhe shendet.
Me respekt inxh. Islam Laçaj
Si jeni