Nga Aleksandër Ndoja
Revolta diskutohet dhe sot. Si nisi protesta, ngritja e flamurit pa yll dhe ekzekutimi i të burgosurve?! Cila ishte jehona nëpër botë dhe frika e pushtetit komunist?! Gjendja e sotme e godinave, ku për ironi tre familje banojnë në qelitë e dikurshme. Por edhe katër varret në mes të oborrit, në mes të cilëve edhe varri i një të afërmi të diktatorit. Gjet Kadeli, ish-i dënuar në burgun e tmerrshëm të Spaçit, rrëfen gjithë historinë e një burgu, që bëri historinë. Kundërshtarët e shpallur të regjimit të kohës, kishin arritur në shifra rekord. Ingranazhet e diktaturës, kishin punuar me kapacitet të plotë, në “prodhimin” e kundërshtarëve, aq sa në vitin 1964, do të ndërtohej një nga burgjet më të tmerrshëm të kohës, me një kapacitet prej 700 vendesh. Burgu i Spaçit, i cili për 27 vjet me radhë “edukoi” nëpërmjet kërbaçit dhe galerive të panumërta, nga ku dolën qindra mijëra tonelata mineral bakri, do të shënonte rekordin në zgjedhjen e bërë nga ideatorët e ndërtimit të burgjeve.
Vetëm pak metra katrorë, bazamenti i ndërtimit të burgut dhe nga katër anët, faqe malesh të larta, aq sa me sy të lirë, kur hedh vështrimin lart, majat e maleve, duket sikur takohen. Dhe kur shmangesh në të majtë të urës së Repsit, rruga e ngushtë që gjarpëron në lugina dhe faqe malesh, të ofron ndjesinë e një vendi, ku do të takosh dhimbjen njerëzore.
Dhe pse je në një vend që, natyra e krijuar, ndoshta vetëm për kafshë të egra, në kodrina të thepisura, të shfaqen ndërtesa disa katëshe të betonuara, në parametra të fortifikatave. Ndoshta, ideatorët dhe konstruktorët, e kanë menduar diktaturën të përjetshme dhe po aq të përjetshëm burgjet, për kundërshtarët politikë.
Disa ndërtesa janë shndërruar në gërmadha, e ndërsa të tjerat, që janë në këmbë në këto vite, nuk kanë dyer e as dritare. Urrejtja pos diktaturë për diktaturën, edhe atje mes malesh të larta, ka qenë në efikasitet të plotë. Ndonëse të burgosurit nuk do ta donin kurrë ta kujtonin atë vend, një muze, pikërisht aty do të duhej, si në shumë vende ish-komuniste të Lindjes, do t’i shërbente shumë historisë.
E ndërsa ndërtesat të ofrojnë pamje gërmadhash, gjithçka aty, shndërrohet në imagjinatë. Ndërtesat janë së bashku, të dënuar dhe të lirë, fajtorë dhe të pafajshëm, viktima dhe xhelatë. Në fakt, të gjithë të dënuar. Të gjithë hynin qindra metra nëntokën për të nxjerrë prej andej mineralin.
Të burgosurit pas punësim ktheheshin në kapanone, ndërsa ata që ishin të lirë përshkonin kilometra të tëra për t’u kthyer në familje. E ndërsa ata që ishin të lirë nuk guxonin të kundërshtonin politikën pasi përfundonin si bashkëvuajtësit e tyre në galeri, të burgosurit e kishin këtë të drejtën pasi nuk kishin çfarë të humbisnin. Dhe të burgosurit në çdo kohë ishin mbi 600 të tillë, me mijëra familje, vuanin peshën e persekucionit.
Bashkëkohësit, por edhe bashkëvuajtësit, kur sjellin në kujtesë grimca nga kalvari i mundimit, të flasin edhe për marrëdhënie shpesh të acarta, mes policëve dhe të burgosurve. Një i ri nga Fani, pasi gjithë natën lihet i lidhur në oborr, të nesërmen e gjejnë të vdekur. Por, edhe pse me qindra gra, fëmijë dhe të afërm të burgosurve, për vite të tëra ishin të detyruar të përshkonin rrugën pambarim, shpesh në këmbë për tek burgu, tortura për ta nuk kishte të sosur.
Shpesh, ishin të detyruar që të afërmit, t’i shikonin në distancë, por pa mundur t’i takonin. Faktet ofrojnë atë se Mirdita dhe mirditasit, nuk janë ndjerë asnjëherë mire, kur e mendonin se në territorin e tyre, ndodhej një “Spaç”, që identifikohej me tmerrin. Malet e egra, por minerali në përmasa të pallogaritshme, ishte shkaku që Mirdita, të bëhej bartëse e një dhimbje të tillë.
Ndonëse reprezalje ishte e madhe, në ato pak metra katrorë, do të merrte udhë dhe kundërshtim i hapur, deri në revoltë masive, që koha do ta pagëzonte, me emrin: “Revolta e Spaçit”, 1973, por vetëm një dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor, i firmosur nga Ramiz Alia, në vitin 1991, do të bënte që qindra të burgosurit, të kapërcenin portën e ndaluar, për 26 vjet, të përshkonin me këmbë, apo me makina, rrugën e gjatë mes malesh, duke vështruar pas me frikën, se mos xhelati po i ndiqte ende…!
Rrëfimi i Gjet Kadelit: “Revolta e Spaçit dhe ngritja e flamurit pa yllin komunist”!
“Në ora 23.30….disa orë pas fillimit të revoltës, Radio-Vatikani, do të transmetonte në hapësirë se; në borën 26 vjeçare në Shqipëri, çelën lulet e para. Po në fakt, çfarë ishte ajo ngjarje, që tronditi seriozisht pushtetin komunist në pranverën e vitit 1973?
-Në orën 05.30 në mëngjes, ikën nga birucat Pal Zefi (nga Shijaku), pasi ishte i dënuar 30 ditë e qëndronte i izoluar, dhe kishte kaluar afatin ligjor nga 30 ditë, në 31 ditë. Operativi i Sigurimit të kampit, ishte oficer roje dhe ky ishte shkaku i të gjithë pasojave të asaj dite.
Ai iku nga biruca dhe erdhi këtu në kamp. U lajmërua menjëherë oficeri i rojës, nga polici i brendshëm. Oficeri i rojës, u fut në kamp me disa policë. Në këtë kohë, turni i parë i të burgosurve, po përgatitej të shkonte në punë. Pal Zefi, kishte këtu edhe të vëllain të burgosur, Gjokën.
Oficeri i rojës, erdhi me e marrë me forcë Palin, me e ridërgu në birucë, pasi ai nuk pranonte të shkonte vullnetarisht. Ata, përdorën edhe dhunë ndaj Palit. Në këtë kohë, të burgosurit e tjerë, kanë ndërhyrë me e shpëtu Palin, pasi po dhunohej nga policët, në prani të tyre. I pari që ka ndërhyrë, ka qenë Pavllo Popa, me banim në Vrakë në Shkodër, me origjinë malazeze.
Në këtë moment, kanë ndërhyrë edhe të burgosur të tjerë dhe Palin, e kanë shpëtuar nga biruca. Policët dhe operativët, dolën të rrahur nga kampi, pasi të burgosurit, ishin shumë dhe të vendosur. Kjo ishte hera e pare, që ndodhte një rast i tillë, si rezultat i mllefit të akumuluar ndaj regjimit. Më pas, në kamp vjen GJ.Z, ish Operativ në këtë kamp, por në këtë kohë, ishte shef i Sigurimit të Mirditës. Futet brenda me disa policë dhe e marrin Pal Zefin, lart. Menjëherë rifilloi reagimi.
Në ora 21.00, këtu poshtë ndizet një zjarr i madh. Unë isha i shtrirë në krevat, pasi isha me temperaturë të lartë. Zjarri u bë aq i madh, sa më ndriçoi në dhomë. Zjarri që u ndez nga të burgosurit, ishte fillimi politik i veprimeve në kamp. Një i burgosur 64 vjeçar, me emrin Jemin Gjoka nga Kukësi dhe Dod Bardhi dhe 2-3 të tjerë, po shkatërronin stendat prej druri të emulacionit socialist dhe po i hidhnin në zjarr.
Unë ngrihem nga krevati dhe për 15 minuta, ngrohem te zjarri. Më pas largohem nga zjarri dhe ngjitem tek shkallët e tarracës. Vjen Bedri Çoku dhe më pyet; a je mirë me shëndet, – i them jam mire, se paskësh pas nevojë me u nxeh në zjarrm. Më vendos dorën në supe, duke më thënë se; për këtë ngjarje, do ta marrë vesh edhe babai jot në Amerikë.
I them se do ta marrë vesh edhe babai im në Amerikë, por këto janë veprime ordinere, ndërsa ne jemi të dënuar politikë dhe kësaj revolte, duhet t’i japim karakter politik. Po si, më thotë Bedriu…??
Po ja, ne duhet me patjetër të ngremë flamurin pa yll. Po ku ta marrim…?! E bëjmë vetë i them i them, shko te biblioteka na merr një beze të kuqe. Nëse nuk ka, do të prishim një jorgan të kuq, që ma kishte sjellë nëna ato ditë. Në fakt, Bedri Çoku e solli bezen e kuqe. I them të lajmërojë Mersin Vlashin, për të skicuar shkabën dy krenare, pasi nuk dilte boja për ta mbushur atë.
Mersini ishte nga Lisi i Matit, i dënuar dy herë dhe ka bërë 36 vjet burg. Kemi ngjitur flamurin në një shkop me thumba që i ngulnim me takat e pantoflave. Pastaj, në trekëndëshin e korridorit të tretë, kemi vendosur flamurin, por shtiza ishte e shkurtër. Menjëherë Bedri Çoku, ka bërë thirrje të brohorasim për flamurin. Aty janë dëgjuar urra-të nga të gjithë të burgosurit në shesh”.
Zoti Kadeli, si vepruan policët e burgut?
Policia e pa që në kamp u ngrit flamuri, ndërkohë aty kishin mbërritur; Kasem Kaçi, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Republikës dhe Sulë Manoku, drejtor i Përgjithshëm i Kampeve -Burgjeve. Ata dhanë urdhër që; rojet e brendshme; të dalin nga burgu. Kjo situatë vazhdoi gjithë natën. Të nesërmen; kanë ardhur forcat ushtarake të Burrelit.
Ata kanë ardhur me 27 makina, 26 të mbushura me ushtarë dhe një me lëndë kimike helmuese. Ditën e tretë, vjen një grup policësh me mbi 100 veta duke kënduar: “Jemi boksierë dhe sampista”. Të gjithë të burgosurit, i kanë lidhur me hekura, dy e nga dy.
Shahin Skura, komisar i burgut, ka lexuar listën e “kurbanëve” të kësaj revolte. Nga këto, 80 veta, kemi marrë ridënime, ndërsa 4, (Pal Zefi, Hajri Pashaj, Dervish Bejko, Skënder Daja), janë ekzekutuar me gjyq të menjëhershëm. Situatën nën kontroll, e kishte marrë vetë Feçor Shehu, në atë kohë, Zv/ministër i Brendshëm.
Ndonëse ishin planifikuar të vriteshin 3 persona me anë të një gjyqi special, që u zhvillua atë natë, Hajri Pashaj, bashkëfshatar i Feçor Shehut, iu shtua listës së pushkatuarve, ndonëse, nuk kishte qenë prototip i protestës.
Shkak për t’u futur në listën e të pushkatuarve, ishte se Hajriu, iu drejtua ashpër Feçor Shehut, duke i thënë se; një ditë do të përgjigjesh për këtë masakër. Megjithëse ky konfrontim përfundoi në favor të pushtetit, themelet e tij; u tronditën jo pak. Më vonë; do të shënoheshin revolta të tjera më të vogla, por dhe shteti do të përgjigjej me pushkatime të tjera; duke mbajtur gjallë klimën e terrorit.
Mendoni se shumë të burgosur janë varrosur pa adresë, pa ditur se ku?
Ende ka varre të pa marra nga familjarët. Në kodrën përballë ndodhet një varr i pahapur, anash tij, varre të hapura nga familjarët, për të marrë eshtrat e, për t’i kthyer në vendin nga u nisën të gjallë, por me pranga në duar.
Varri përballë burgut, i ish-të afërmit të Enver Hoxhës, që vuajti në Spaç!
Ndërsa te varrezat e Shpalit, jashtë rrethimit të varrezave, ndodhen edhe tre varre të tjerë. Ndonëse për të gjallët, dënimi ka marrë fund, 4 të vdekur, varret e të cilëve dihen, ende nuk e kanë marrë “lajmin”, se janë të lirë dhe përsëri vazhdojnë të vuajnë dënimin, si të ishte viti 1985!
Një ish-gardian burgu, konfidencialisht sqaron se; i vdekuri përballë burgut, është një gjirokastrit dhe burime të sigurta thonë se ishte një i afërm i diktatorit Enver Hoxha. Por sa ishte gjallë kurrë nuk e pranoi se ishte i afërm i tij. Dhe nëse ndokush e pyeste se çfarë e keni komandantin, ai përgjigjej prerë dhe ashpër: “asgjëkafshë”-asgjëkafshë…
Ndërsa tre të tjerë, që gjenden në Shpal, mendohet të jenë nga Tropoja. Njëri është identifikuar nga familja, me mbiemër Goca, dhe pritet që varri i tij, të merret dhe të çohet në Tropojë. Burimi sqaron se; çdo të vdekuri; në varr i futej një shishe e mbyllur hermetikisht, brenda së cilës; futej një letër ku me bojë “tush”, i shkruhej emri dhe adresa. Në të gjitha varret e hapura pas 90-ës, është gjetur një shishe e tillë.
Këta, ishin të vdekur në mënyrë natyrale nga sëmundje, ndërsa 4 të pushkatuarit e revoltës; Pal Zefi nga Shijaku, Skënder Daja nga Fieri, Dervish Bejko nga Devolli dhe Hajri Pashaj nga Mallakastra, ekzekutimi i tyre është bërë jashtë territorit të burgut, varret e atyre, askush nuk i di deri më sot, me gjithë insistimet e herëpashershme, të familjarëve.
Burgu i Spaçit
Burgu i Spaçit, ishte një burg politik i sigurisë së lartë, që ishte aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Burgu gjendet në fshatin Spaç. Në vitin 1973, në Burgun e Spaçit pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jo-komunist.
Një rebelim i ngjashëm, u krye edhe në Burgun e Qafë Barit në vitin 1984, ku shpërthyen të njëjtat dufe, e u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj, me dhunë e gjak.
Në burgun e Spaçit kanë vuajtur dënimet politike, disa intelektualë të famshëm. Kohët e fundit ka pasur plane, që; Burgu i Spaçit, të kthehej në një muzeum, por deri më sot, asnjë hap i mëtejshëm nuk është bërë në këtë drejtim.
Burgu i Spaçit, është një monument i trashëgimisë kulturore në Spaç rrethi i Mirditës, në qarkun e Lezhës, Shqipëri Ky monument, është i llojit “Arkitekture”, i miratuar me numër: “656/DT 05.12.2007“.
Ky burg, është hapur në vitin 1968 dhe ka funksionuar deri në vitin 1988, e sipas të dhënave, ka pasur mbi 1000 të burgosur. I ndërtuar për shfrytëzimin e Minierës së Spaçit, ku nxirrej bakër dhe pirit. Janë rreth 7 godina, që janë pjesë e burgut, por më tej, ka edhe godina të tjera, që kanë shërbyer si kampe për të burgosurit, por edhe ambientet që shërbenin si mjedis pune, për njerëz të zonës.
Ka qenë një kompleks minierash, ku punonin jo vetëm të dënuarit. Aktualisht, është në një gjendje tërësisht të shkatërruar. Ka një arkitekture tipike te periudhës komuniste me forma të rregullta. /Memorie.al/