Zvicra do të luajë të shtunën me Serbinë në Ligën e Kombeve. Pas dueleve në Botërorin 2018 dhe 2022, sytë janë te kapiteni i “helvetëve”, Granit Xhaka.
“Mendova se nuk ishte e drejtë”, thotë Taulant Xhaka për “Blick” për momentin kur u hodh shorti. Familja e tij ka vënë në dukje me shqetësim se pas, dueleve të nxehta në Botërorin 2018 në Rusi dhe 2022 në Katar, tani është ndeshja e parë në Serbi për kapitenin e Zvicrës.
Taulant Xhaka ishte në fushë, në Beograd, në vitin 2014, kur ndodhi ajo ngjarje e turpshme gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri. “Unë e di se sa presion dhe emocione duhet të durosh në këtë ndeshje.”
Ndaj dhe vëllai i madh e ka marrë telefonin menjëherë pas shortit, siç tregon ai për “Blick”.
“I sugjerova Granitit që të fliste me trajnerin Murat Yakin dhe ndoshta ta anashkalonte këtë ndeshje, por të gjithë e njohin vëllanë tim, ai dëshiron të luajë çdo ndeshje për Zvicrën”, tha Taulant Xhaka.
33-vjeçari kryesisht shpreson që të mos jetë një ditë emocionale dhe kaotike si në duelet e mëparshme.
“Nuk është e lehtë të mbash veten nën kontroll për 90 minuta. Graniti duhet të qëndrojë i qetë, të luajë futboll, të fitojë dhe të injorojë provokimet. Është e lehtë të thuhet, por në fund gjithçka ka të bëjë me këtë: të luash një ndeshje futbolli dhe të fitosh”.
Federata Zvicerane e Futbollit dëshiron të flitet sa më pak për këtë temë.
“Këto janë histori të vjetra. Është një ndeshje si çdo tjetër”, thotë drejtori i përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami. Mendimi është i ngjashëm kur pyeten futbollistët e tjerë të Zvicrës.
“Unë pres një ndeshje normale futbolli dhe mendoj se të dyja palët kanë mësuar nga e kaluara”, thotë Admir Mehmedi.
Kapiteni i GC, Amir Abrashi, i cili aktualisht është në Kombëtaren Shqiptare dhe ishte në aksion përkrah Taulant Xhakës në vitin 2014, në Serbi, shprehet. “Nuk do të jetë aq e nxehtë sa ka qenë në të kaluarën. Përveç kësaj, aty është vetëm Graniti, në dy duelet e fundit të Zvicrës me Serbinë gjithçka u rrotullua rreth Xherdan Shaqirit”.
Por si e shohin në Serbi Granit Xhakën? “Ne e perceptojmë Granit Xhakën si një provokator, referuar sjelljes së tij në ndeshjet e fundit”, thotë gazetari serb, Velkjo Ivanović, nga Sportal.rs.