Prej dy ditësh, portalet kanë qarkulluar në formë virale një lajm mbi të ardhmen e Taulant Xhakës në Kombëtare. Ajo shishe e përplasur për shkak të nervozizmit pas ndërrimit në ndeshjen kundër Zvicrës është komentuar shumë dhe është aluduar që ka sjellë edhe përplasje mes mesfushorit dhe stafit teknik të Kombëtares. Për këtë çështje ka reaguar një ditë më parë edhe vetë babai menaxher i futbollistit, Ragipi.
Mesfushori i Bazelit është larguar nga Shqipëria pas festës dhe ceremonialit me të cilin u prit Kombëtarja. Ai është drejtuar për në Zvicër pranë familjes së tij. Për 25- vjeçarin është aluduar se mund të largohet nga Kombëtarja, për shkak të zënkës që ka pasur me trajnerin De Biazi pas atij momenti nervozizmi, pas zëvendësimit në takimin kundër Zvicrës.
Gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me mesfushorin kuqezi për këtë çështje dhe ka marrë një reagim prej tij. “Nuk është e vërtetë që do të largohem nga Kombëtarja. Nuk e di se kush i trillon këto gjëra. Do të qëndroj me Shqipërinë”, ka deklaruar Xhaka për “Panorama Sport”. Me këtë fjali të thënë, futbollisti i Bazelit u ka vënë kapak të gjitha aludimeve në rrjetet sociale për një largim të mundshëm të tij.
Ndërkohë, një ditë më parë, vetë Ragip Xhaka është kontaktuar nga mediat kosovare në lidhje me këta zëra që kanë qarkulluar. “Unë mendoj se Taulanti është lojtari kyç në mesfushën e Kombëtares dhe është i vetmi që ka dhënë gjithç- ka për këtë ekip. Kuptohet se nuk e ka pritur aspak mirë vendimin e trajnerit për ta zëvendë- suar në ndeshjen me Zvicrën, pasi ai ka pasur dëshirë që të luante gjatë gjithë ndeshjes kundër vëllait të tij.
Por nuk është e vërtetë se do të largohet nga Kombëtarja dhe se është përleshur me trajnerin. Nuk do ta braktisë Kombëtaren”, është shprehur Ragip Xhaka. Mesfushori ka debutuar me Shqipërinë në fitoren e arritur në Portugali, në takimin e parë të kualifikueseve për në “Euro 2016”. Taulant Xhaka numëron 13 ndeshje me fanellën e Kombëtares.
OLSI TUJANI
Komentet