Finlanda u anëtarësua si vendi i 31-të i NATO-s dhe si rezultat, kufiri midis Rusisë dhe vendeve të aleancës është dyfishuar me 1340 kilometra.
Për më tepër, Finlanda ka një nga ushtritë më të gatshme luftarake në Europë vlerësojnë ekspertët.
Armatimi i ushtrisë finlandeze veçanërisht artileria është ndër më të mëdhatë në Europë sa i takon kapaciteteve. Llogariten rreth 1500 armë, ku përfshihen mbi 700 mortaja të thjeshta, 700 mortaja të kalibrit të madh dhe sisteme armësh si dhe rreth 100 sisteme raketash. Kapaciteti i artilerisë së Finlandës tejkalon Poloninë, Gjermaninë, Norvegjinë dhe Suedinë së bashku, sipas Qendrës Ndërkombëtare “Woodrow Wilson” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Presidenti rus Vladimir Putin filloi luftën kundër Ukrainës me qëllimin e qartë për të pasur më pak anëtarë të NATO-s pranë kufijve të Rusisë”,- tha dje Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë ceremonisë së pranimit zyrtar të Finlandës në Aleancë.
Përpara se të niste lufta në Ukrainë, gjasat që Finlanda të anëtarësohej në NATO ishin jashtëzakonisht të ulta. Populli finlandez nuk ishte fans i idesë për anëtarësim. Finlanda mbeti neutrale gjatë Luftës së Ftohtë dhe pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 1995.
Megjithatë, finlandezët ende kujtojnë ngjarjet e viteve 1939-1940 kur ish-Bashkimi Sovjetik sulmoi Finlandën dhe pushtoi një pjesë të territorit të saj.
Kjo është arsyeja dhe arsyeja që finlandezët “nuk ndaluan asnjëherë përgatitjen për një luftë të mundshme”, thotë Minna Alander, studiuese pranë Institutit Finlandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Ndryshe nga shumica dërrmuese e vendeve të tjera perëndimore, rekrutimi ushtarak i Finlandës është në kuota të larta dhe shpenzimet e mbrojtjes janë në nivele të konsiderueshme edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik . Gjatë vitit 2021, Finlanda shpenzoi 2.2% e PBB-së për mbrojtjen.
Me një popullsi prej 5.5 milionë banorësh, Forcat e Armatosura finlandeze numërojnë 280,000 trupa aktivë dhe 870,000 të tjerë janë rezervistë.