Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të martën se tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja mbeten në fuqi, me gjithë trysninë e shtuar ndaj qeverisë për anulimin e tyre.
Ai i bëri këto komente pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës e cila u mbajt pak pas një takimi që ai dhe kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, zhvilluan me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, për të diskutuar situatën e krijuar pas vendimit të qeverisë për tarifat.
Kryetari i parlamentit shkroi në facebook për takimin, duke theksuar se vendimet e institucioneve të Kosovës, për procese të rëndësishme, “do të jenë në interes të qytetarëve dhe në bashkërendim të plotë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë. Kosova, shkroi ai, është e vendosur që përjetësisht ta ruajë miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë“, shkroi ai.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se dëshiron t’i dëgjojë sugjerimet dhe thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për shfuqizimin e tarifës.
“Edhe ne kemi dëshirë që të heqim taksën, me të vërtetë kemi dëshirë me heqë dhe e synojmë heqjen e taksës edhe për shkak se është sugjerim i aleatëve tanë, i Amerikës, por edhe pse e ndërlidhim heqjen e taksës me një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës e Serbisë për njohje. Pra edhe ne kemi dëshirë dhe synojmë që sa më shpejt ta heqim. E kishim heqë sot ju siguroj sikur të arrinim një marrëveshje pra gjithëpërfshirëse për njohje reciproke“, tha kryeministri Haradinaj.
Në nëntor të vitit të kaluar, qeveria e Kosovës vendosi një tarifë prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia si kundërpërgjigje ndaj siç u tha fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.
Bashkimi Evropian, reagoi duke kërkuar heqjen e këtyre tarifave madje dërgoi dy herë brenda një periudhë të shkurtër në Prishtinë, komisionarin Johannes Hahn, për të diskutuar këtë çështje.
“Komisionari Hahn është ofruar për ndihmë dhe ne i kemi thënë që mundet të na ndihmojë duke përgatitur kapitullin e tregtisë së lirë. Kapitulli i tregtisë së lirë nënkupton krejt marrëdhëniet Kosovë-Serbi në ekonomi. Edhe sikur të merremi vesh për një ngjarje si, për shembull si një ngjarje si Rambouillet, apo ndonjë tjetër ku të mblidhen dhe u mbyllet dera dhe deri sa të gjendet zgjidhja nuk i lëshojnë të dalin edhe atëherë kur të biem dakord, ajo nënkupton të mos ketë pengesa tjera, nuk bën të suspendohet tarifa e pastaj ai të mos i pranojë tabelat. Pra nuk ka më marrëdhënie ku vetëm Kosova e hap derën, ka ndryshuar gjendja shumë, mirëpo nuk jemi ende aty, por tarifat janë në fuqi dhe ju e dini, tarifat suspendohen apo anulohen vetëm me vendim të qeverisë dhe nuk ka si të ndodh ndryshe“, tha kryeministri Haradinaj.
Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën me heqjen e tarifave dhe Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara e shohin heqjen e saj si hapje rruge për vazhdimin e bisedimeve.
Kërkesa e Shteteve të Bashkuara ka bërë që të shtohen zërat për ndryshimin e vendimit të qeverisë, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, në konferenca, takime e në rrjetet sociale po shkëmbejnë qëndrime kundërshtuese me njëri tjetrin.
“Nuk ka veprim më strategjik se sa kultivimi dhe fuqizimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës me raport të posaçëm nuk ka. Shteti i Kosovës cenohet vetëm atëherë kur ne lëndojmë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kushdo që të jetë ai, qoftë udhëheqës institucional, qoftë udhëheqës opozitar, deputet apo ministër dhe këtë të drejtë morale, as politike, as kombëtare, demokratike, kushtetuese, nuk e ka njeri i gjallë në Kosovë. Raportet me SHBA-të janë më të rëndësishme se sa çdo interes momental”, tha të hënën, presidenti Thaçi.
“Më vjen keq që disa në Kosovë po mundohen që të prijnë para temave, i shoh që janë ligë, disa parti politike kanë filluar që të na japin sugjerime të ndryshme. Më mirë është që të mendojnë për fëmijët e vet, të ardhmen e fëmijëve të tyre, njëzet vjet nuk kanë dhanë shumë sukses të qasjes të pabarabartë dhe ne nuk e bëjmë këtë kundër Serbisë e veç për vete, por është në të mirën e rajonit dhe në të mirën e të gjithëve që jetojmë në Kosovë, më në fund të mbyllen çështjet e hapura Kosovë-Serbi. Por që të mbyllen po kërkohet që secili t’i ketë të qarta pozicionet e veta. Kosova pra nuk është më ajo Kosovë që i kanë thënë çfarë të bëj, harroni këtë. Duhet të kuptojnë që ka ndryshuar Kosova, është një Kosovë tjetër është sovrane, merr vendime, pra vendimi i tarifës nuk është marr në konsultim me askënd, është vetëm i Kosovës dhe mund të mbetet përgjithmonë. Jemi të interesuat që ta heqim por nuk largimi i saj nuk është siç kanë menduar që ndodhin disa punë diku tjetër“, tha kryeministri Haradinaj.
Dallimet ne qasje rreth tarifave bashkë më trysninë ndërkombëtare, sipas vëzhguesve, po e lëkundin koalicionin qeverisës që edhe ashtu nuk e ka shumicën në parlament.
Komentet