Takimi konsultativ i partive politike në Kosovë nuk ka sjellë ndonjë rezultat që të shkohet përpara për krijimin e institucioneve të reja.
Në takim, përveç subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, kanë qenë të pranishme të gjithë përfaqësuesit e partive politike.
Takim është zhvilluar me akuza e kundërakuza ndërmjet kryesuesi të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci përfaqësuesve të PAN-it dhe zyrtarëve të koalicionit ndërmjet LDK-së, AKR-së dhe Alternativës.
Përfaqësuesi i koalicionit PAN, Enver Hoxhaj, që ka qenë edhe iniciues i këtij takimi, ka kritikuar kryesuesin Adem Mikullovci se pse pa një marrëveshjen ka thirrur për vazhdimin e seancës konstituive.
Hoxhaj që në fillim ka treguar se PAN nuk do të marr pjesë në seancën e nesërme.
“Është e qartë se fuqia politike për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të cilit i takon koalicionit PAN është në anën tonë dhe kjo ka të bëjë më legjitimitetin qytetarë, dhe ne këtë të drejtë do ta ushtrojmë. Ne do të sillemi në kuadër të këtyre dy parametrave, edhe të fuqisë tonë politike edhe të të drejtës për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendi. Kandidati për kryetar të Kuvendit të Kosovës do të jetë Kadri Veseli, dhe zgjedhje e tij është e pandalshme. Mirëpo në kundërshtim me pajtimin që ne e kemi pasur që këtë të mërkurën në ora 10, të shihemi dhe të reflektojmë se si të shkojmë përpara, dua të njoftoj se ne nuk do të marrin pjesë në seancën konstituive, përderisa nuk respektohet vullneti i subjekteve politike“, ka thënë Hoxhaj.
Nga ana tjetër, Avdullah Hoti, përfaqësues i koalicionit LAA, i ka bërë thirrje PAN-it që të marrë pjesë në seancën e thirrur për nesër, në mënyrë që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se është obligim para qytetarëve të vendit që të krijohen institucionet e reja të Kosovës.
“Ju jeni pakicë është e pamundur që të krijoni Qeverinë në tri seanca, nuk e di ku na dërgon kjo rrugë dhe ky qëndrim që jeni duke mbajtur. Që të jeni të përgjegjshëm politikisht, kjo nënkupton që ju nesër të paraqitni në seancë dhe të propozoni kandidatin për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Ose të dilni para seancës së Kuvendit dhe të thoni se nuk e kemi shumicën e nevojshme për konstituimin e institucioneve të vendit”, ka thënë Hoti.
Kurse, përfaqësuesi i Listës Serbe, Goran Rakiq ka thënë se deputetët e subjektit të tij e mbështesim krijimin e institucioneve dhe nuk do të bllokues të proceseve.
Përfaqësuesit e koalicionit PAN kanë kërkuar që seanca e nesërme të shtyhet dhe për në javën e ardhshme, që paraprakisht, sipas tyre jetë edhe një takim konsultativ. Një propozim i tillë është kundërshtuar nga LAA, duke thënë se koalicioni PAN po tregon papërgjegjësi dhe joseriozitet.
Vetëvendosje kanë thënë se nuk marrin pjesë në takim, pasi e kanë konsideruar të panevojshëm. Glauk Konjufca, nga Vetëvendosje, para mediave ka thënë se kërkesa për shtyrje të seancë “është në funksion të qëllimeve te koalicionit PAN-it” , dhe siç ka thënë ai “për të blerë kohë”.
Kryesuesi i seancës konstituive ka thënë se seanca e thirrur për nëse nuk mund të shtyhet. Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është thirrur për të enjten në ora 10.00.
Komentet