Takimi mes dy zyrtarëve të lartë është mbajtur në kohën kur Prokuroria e Tiranës po kryen hetime në lidhje me pajisjen përgjuese “IMSI Catcher” dhe për këtë hetim ka pezulluar nga detyra drejtorin e Policisë, Haki Çako, shefin e FLO, Artion Duka, dhe shefin e IT në Forcën Operacionale, Ention Xhelilaj.
Mësohet se SHISH ka ofruar mbështetje në hetimin e Prokurorisë. Organi i akuzës ndërkohë ka dyshime se pajisje përgjuese janë futur e kanë vepruar në Shqipëri edhe më parë. Nga burimet mësohet se pyetja e një drejtuesi të lartë të policisë ka zbardhur raste të tjera të futjes së pajisjes në vend pa autorizimin e Prokurorisë.
Pyetja që i është bërë zyrtarit ka qenë: “A keni dijeni nëse ka ardhur tjetër pajisje ‘IMSI Catcher’ në territorin e Republikës së Shqipërisë për të kryer përgjime për vitin 2015- 2016?”.
Zyrtari i policisë ka dhënë përgjigjen: “Në dijeninë time, në vitin 2015 është ofruar ndihme nga Policia italiane për ngjarjen e vendosjes së tritolit në farmacinë në pronësi të babait të ministrit të Brendshëm. Unë e kam parë këtë pajisje dhe ajo ndryshonte në formë nga pajisja që ka ardhur për trajnim. Ajo pajisje ishte nga prodhues tjetër, por nuk ndryshonte në funksione”.
Komentet