Mjeku i shkëlqyer dhe miku i shqiptarëve Doktor Henry Holland është udhëtari anglez që e vizitoi Ali Pashë Tepelenën gjatë turneut të tij më shpesh se çdo udhëtar tjetër dhe u miqësua me të. Ai erdhi dhe i vizitoi disa nga trojet shqiptare në moshën 24-vjeçare, kur miku dhe vërsniku i tij George Gordon Byron sapo kishte botuar në Londër dy këngët e para të poemës Shtegtimet e Çajld Haroldit që e bënë menjëherë të famshëm. Edhe vepra madhore me 551 faqe e Doktor Hollandit “Udhëtime në Ishujt Jonianë, Shqipëri, Thesali, Maqedoni, etj. (1812-1813)” pati sukses të menjëhershëm kur u botua më 1815. Në këtë vepër ai bën një përshkrim të hollësishëm të biografisë së Ali Pashës dhe jep përshtypjet e tij për vezirin shqiptar. Gjithashtu ai bën një përshkrim të hollësishëm të historisë së Shqipërisë, origjinës ilire të shqiptarëve dhe gjuhës shqipe, si dhe gjeografisë së vendit, veçanërisht të trojeve shqiptare që vizitoi nga Janina në Tepelenë.
Sir Henry Holland, M.D., lindi më 27 tetor 1788, në qytetin e vogël Knutsford të Anglisë qëndrore dhe ishte i biri i një mjeku shumë të respektuar në atë qytet. Ishte kushëri i parë i romanciers viktoriane Elizabeth Gaskell, autores së romanit Meri Barton, ishte kushëri dhe mik i ngushtë i Çarlz Darvinit, mik i Lord Bajronit, i romancieres Meri Shelli dhe i romancierit Valter Skot; ishte konsulent mjekësor i 6 kryeministrave dhe mjek personal i dy mbretëreshave të Britanisë së Madhe: i Mbretëreshës Karolain (1820-1821) dhe i Mbretëreshës Viktoria e bashkëshortit të saj Princit Albert për 36 vjet (1837-1873), etj. Pas një arsimimi të shrregullt parauniversitar publik e privat dhe pasi u muar për pak kohë me tregti, më në fund vendosi t’i kushtohet mjeksisë. Në moshën 18-vjeare, me 6 tetor 1806 ai shkoi në Universitetin e Edinburgut dhe për 5 vjet ndoqi studimet e rregullta për mjekësi. Më 12 shtator 1811 u diplomua Doktor në Mjeksi (D.M.I. de Islandiæ Morbis). Pasi përfundoi specializimin mjeksor, në fillim të vitit 1812 ai ndërmori një udhëtim prej 18 muajsh në Mesdhe gjatë të cilit vizitoi Portugalinë, Gibraltarin, Sardenjën, Siçilinë, Ishujt Jonianë, Shqipërinë dhe Greqinë. Kur u kthye nga ky udhëtim i gjatë, ai u ul menjëherë në tryezë dhe i hodhi në letër përshtypjet e freskëta të udhëtimit. Ndërkohë iu përkushtua profesionit si mjek publik. Ai ishte shumë popullor me pacientët e tij, por qysh në fillim ai vendosi një regjim të veçantë që e ndoqi gjatë gjithë jetës: dhjetë muaj në vit ushtronte profesionin e mjekut dhe dy muaj, në vjeshtë, ia kushtonte udhëtimeve nëpër botë. Ai ishte udhëtar i palodhur që shëtiti jashtë vendit të tij çdo vit për 65 vjet, që kur ishte 20 vjeç deri sa vdiq në moshën 85 vjeç. Ai vizitoi çdo vend evropjan që nga Islanda deri në jug të Europës, disa prej tyre më shumë se një herë, dhe bëri turne nëpër tre kontinente të tjerë. Udhëtimin e fundit e bëri pak ditë para se të vdiste: Po kthehej nga një turne në Rusi me të birin të premten, me 24 dhjetor 1873, mori pjesë në gjyqin e famshëm të marshallit Bazaine në Versajë dhe hëngri drekë po atë ditë në ambasadën britanike në Paris, u kthye në Londër të nesërmen (të shtunën) dhe vdiq në shtëpinë e tij në Brook-Street të Londrës, të hënën, me 27 tetor 1873.
Në librin e tij Doktor Henry Holland-i përveç një biografie të hollësishme të Ali Pashës, ka dhënë disa përshkrime magjepsëse të takimeve të tij me vezirin shqiptar dhe të bisedave me të, që nga intervista e tij e parë (kap. VII), vizitat e shpeshta mjeksore tek Aliu (kap. IX), intervista me Aliun para nisjes së doktorit në lundrimin e tij të dytë në Shqipëri (kap. XXI), dhe deri tek intervista e fundit me Pashain para kthimit të tij në Angli (kap. XXV). Ai ka bërë edhe një portretizim të gjallë e të plotë të Ali Pashës, pa e idealizuar atë, duke vënë në dukje despotizmin e ambicjet, por edhe vlerat e virtytet e tij. Portreti, i cili ka thuajse efekte vizuale, nis me përshkrimin e pamjes së jashtme:
“Tërë vëmendja jonë në këtë çast ishte përqëndruar mbi vetë personin e Ali Pashës, figura e të cilit formonte pjesën më të rëndësishme të tablosë që ishte para nesh. Ai ishte i ulur këmbëkryq (këmbë-turqisht), me këmbët të kryqëzuara nën vete, në një divan pranë zjarrit (ngjitur me vatrën), pak më i ngritur se të tjerët dhe me më shumë zbukurime. Në kokë mbante një kësulë të rrumbullakët e të lartë, me ngjyrë blu të thellë e të rrethuar me një fjongo të artë. Veshja e tij e jashtme ishte prej një cope të verdhë, gjithashtu plot me qëndisma, dy veshje të brendshme me vija me ngjyra të ndryshme dhe që binin poshtë lirshëm nga qafa deri te këmbët, por që kufizoheshin vetëm në brez nga një rrip i qëndisur, në të cilin ishin ngjeshur një kobure dhe një kamë, të punuara bukur e hollë. Dorezat e këtyre armëve ishin të veshura me diamante e perla, kurse në kokat e secilës ishin inkasuar smeralde të mëdhenj e të bukur. Në gishtërinj Veziri mbante shumë unaza me diamante të mëdhenj, dhe koka e çibukut të tij të gjatë e elastik ishte gjithashtu e stolisur me lloje të ndryshme xhevahiresh.”
Pastaj përshkrimi kalon te tiparet dhe karakteri:
“Mirëpo ishte shprehja e fytyrës së Ali Pashës ajo që kësaj herë na tërhoqi vëmendjen tonë më shumë se veshja e tij. Është e vështirë të përshkruash tipare, qoftë me hollësitë e tyre apo me efektin e përgjithshëm, që të zbulosh ndonjë përshtypje të qartë për mendjen e lexuesit. Nëse do të provoja të bëja një përshkrim të tipareve të Aliut do të thoja se fytyrën e kishte të madhe e të plotë; ballin veçanërisht të gjërë e të hapur, si dhe të mbuluar me rrudha të thella; syrin – përshkues, megjithatë jo shprehës të egërsisë; hundën – të hijshme e të formuar mirë; gojën dhe pjesën e poshtme të fytyrës të fshehur, me përjashtim kur fliste, nga mustaqet dhe një mjekër e gjatë që i binte valë-valë mbi gjoks. Ngjyra e lëkurës ishte disi më e hapët sesa ajo që zakonisht e kanë turqit, dhe pamja e tij e përgjithshme nuk tregonte më shumë se mosha që kishte, gjashtëdhjetë ose gjashtëdhjet-e-pesë vjeç, me përjashtim të mjekrës së tij që ishte ndoshta më e bardhë se ç’është zakonisht në këtë periudhë të jetës. Qafën e kishte të shkurtër e të trashë, figurën – të bëshme e të ngathët; shtati i tij m’u dha mundësia më vonë të sigurohesha se ishte pesë këmbë e nëntë inç (rreth 175 centimetra). Karakteri dhe shprehja e përgjithshme e fytyrës janë të shkëlqyera, dhe veçanërisht balli është një tipar madhështor dhe i dallueshëm. Shumë nga talenti i njeriut mund të përcaktohet nga pamja e tij e jashtme; mirëpo cilësitë morale nuk mund të përcaktohen edhe aq në këtë mënyrë; dhe sa për vëzhgimin e rastësishëm të një të huaji, duke u nisur nga përvoja ime, asgjë nuk mund të duket përveç asaj që është e hapur, e qetë dhe joshëse. Lord Bajroni e përshkruan atë në këtë mënyrë:
‘————– burrë luftrash dhe trazirash;
Megjithatë në tiparet e tij nuk mund t’i shquash,
Ndërsa mirësia hedh shkëlqimin e saj të butë
Përgjatë asaj fytyre të moshuar të përnderuar.
Veprat që fshihen nën të dhe e njollosin me turp.’
Më vonë m’u dha mundësia të vështroja nën këtë anë të jashtme të shprehjes; ishte zjarri i një furre që digjej fuqishëm nën një sipërfaqe të lëmuar e të lustruar.” (kap. VII, f. 124-126)
Në Kapitullin IX të veprës së tij Hollandi tregon se gjatë vizitave të tij të shpeshta tek Aliu si mjek, përveç konsultave mbi shëndetin dhe trajtimin mjeksor të sëmundjeve, ata bisedonin edhe për çështje të tjera, kryesisht për politikë:
“Biseda jonë shpesh i referohej politikës së ditës, për të cilën unë konstatova që ai ishte i informuar mirë dhe me saktësi. Pikërisht në këtë kohë Bonaparti po ndiqte fushatën e tij të paharrueshme në Rusi; në të gjitha ngjarjet e kësaj fushate Ali Pasha tregonte interes të madh që natyrisht lidhej me marrëdhëniet që kishte ai me këto dy fuqi të mëdha. Ishte e qartë se ishte në favorin e tij që të dyja palët t’i konsumonin energjitë e tyre reciprokisht, pa fituar asnjëra epërsi. Në kushte paqeje, ata kontrollonin njëra tjetrën në lidhje me Turqinë; kur ishin në luftë, nëse njëra ishte shumë me e suksesshme, kjo përbënte rrezik të mundshëm për të”. (f. 184)
Përveç përshkrimit të bisedave, këtu Hollandi e plotëson gjithnjë e më shumë portretin e Aliut me cilësi të tjera:
“Kanë thënë se Ali Pasha nuk ishte në gjendje as të lexonte, as të shkruante. Unë mund të dëshmoj nga vëzhgimet e mia personale se ai mund të lexojë dhe unë besoj si në gjuhën romaike (greqishten e re), ashtu edhe në gjuhën turke. Ndonëse nuk mbaj mend ta kem parë duke shkruar, megjithatë unë nuk mund të dyshoj në aftësinë e tij edhe për të shkruar, nga informacionet që kam marrë.” (f.183)
Më tej Hollandi vëren në lidhje me karakterin e Aliut:
“Një nga rrethanat më të dukshme dhe që binte menjëherë në sy në bisedën me këtë njeri ishte njëfarë çlirimi nga paragjykimet turke. Ky çlirim padyshim kishte të bënte me origjinën e tij dhe me rrethanat e jetës së tij të hershme, si dhe me të kuptuarit dhe gjykimin e tij të shëndoshë. Rrallë kam njohur ndonjë turk që ta pranonte superioritetin e europjanëve, bile dhe në rastet kur të metat kombëtare nga ana e tij ishin më se të dukshme. Këtë temperament nuk e kam vërejtur kurrë tek Ali Pasha, por përkundrazi, kam parë një koncesion dhe ndjenjë inferioriteti me një kërkim konstant për informacion, i cili mund t’i jepte mundësi për t’i përmirësuar mangësitë me të cilat ballafaqohej. Duhet pranuar se interesimi i tij për të mësuar më shumë nuk kishte të bënte thuajse fare me parimet e qeverisjes, arsimit ose institucioneve të tjera morale, si dhe ishte shpesh i drejtuar nga përvijimi i thjeshtë i pushtetit kombëtar, ose nga arti i luftës dhe shpikjet ushtarake. Por ai bënte edhe shumë pyetje që kishin të bënin me përmirësimet e mbrendshme të territorit të tij, me ndërtimin e rrugëve dhe urave, zbulimin e minierave, përmirësimet në bujqësi, si dhe me çështje të tjera të cilat, në një vend si Shqipëria, kanë rëndësi jo të vogël për interesat e ardhshme të popullit”. (f.183-184).
Doktor Hollandi e ka takuar Ali Pashën me dhjetra herë. Si rrjedhojë, edhe përshkrimi që i ka bërë pamjes së jashtme, tipareve dhe karakterit të Ali Pashës është më i sakti dhe më i hollësishmi. Aliu gjithnjë e priti me ngrohtësi dhe e bëri mik doktorin 25-vjeçar. I propozoi që të bëhej mjek i tij personal me një pagë shumë të lartë, por Hollandi nuk pranoi; pastaj i propozoi që të paktën të qëndronte një vit në Janinë duke ia plotësuar të gjitha kushtet që mund të kërkonte, por përsëri Hollandi refuzoi në mënyrë të prerë. Megjithatë, Aliu nuk u zëmrua dhe mbetën miq. Vizita e fundit e Dr. Henry Holland-it tek Ali Pasha është përshkruar me tone të ngrohta miqësore të dyanshme:
“E takova Ali Pashën për herë të fundit mbrëmjen e 7 prillit; Nisja ime, me gjithë protestat e shumta këmbëngulëse nga ana e tij, ishte fiksuar për mëngjesin e të nesërmes. Kësaj radhe e gjeta duke mbajtur njëfarë këshilli me katër nga ministrat e tij kryesorë, të cilët ishin ulur në dysheme përpara tij, dhe të cilët, kur hyra unë, u tërhoqën në një apartament ngjitur. Veziri më priti me dashamirësi të veçantë. Më tha se kishte besim se unë nuk do ta harroja dhe se shpresonte që do të kthehesha në Janinë në një periudhë të ardhme. Dëshironte që unë t’i shkruaja letër kurdo që të më jepej mundësia dhe t’i jepja këshilla të tjera të mëtejshme që mund të më binin ndërmend në lidhje me shëndetin e tij. Ai u interesua për familjen time dhe më tha që t’u bëja të fala nga ana e tij. Duke mos dashur që ta zgjasja më tej këtë bisedë, u ngrita shpejt për t’u larguar, sigurisht jo pa ndjenjën e keqardhjes që po largohesha nga ky njeri, i cili, sido që të ishin zakonet e tij si sundimtar despotik i një populli gjysëm të qytetëruar, më kishte interesuar jashtëzakonisht për talentet e tij, për bisedat e tij, dhe për kortezinë e dashamirësinë konstante me të cilën më kishte trajtuar gjatë disa vizitave në sarajin e tij. Duhet ta pranojmë se kjo ishte një ndjenjë që e kishte burimin në shkaqet që përmendëm, pavarësisht se shumë gjëra mund të jenë në kundërshtim me ato që buronjnë nga cilësitë morale të mendjes. Kur u ngrita nga kolltuku për t’i dhënë lamtumirën, edhe Veziri u ngrit dhe, duke më shoqëruar deri në mes të sallonit, më puthi në dy faqet duke më uruar lamtumirën. Pasi u përshëndetëm kështu, u largova për herë të fundit nga Sarai i Ali Pashës.” (Kapitulli XXV, f. 528-529) Ky është ndoshta përshkrimi më magjepsës e më miqësor i takimit të një udhëtari të huaj me Ali Pashë Tepelenën.
Kapitulli VI prej 23 faqesh mban titullin ‘SHQIPËRIA’ dhe i kushtohet tërësisht Shqipërisë dhe shqiptarëve. Faqja e parë e këtij kapitulli – faqja 97, paraqet interes të veçantë për një plotësim të mëtejshëm të portretit të Ali Pashë Tepelenës nga ana e personalitetit të shquar anglez Sir Henry Holland: “Përpara se të vazhdoj më tej me përshkrimin e qëndrimit tim në Janinë, do t’i kërkoj lexuesit që vëmendja e tij të ndalet te një skicë e shkurtër mbi jetën dhe sundimin e tanishëm të njeriut të jashtëzakonshëm, i cili qeveris këtë pjesë të Turqisë Europjane; dhe i cili, gjatë njëzet viteve konfuzioni dhe luftimesh që i kanë trazuar kombet e Europës, ka qenë duke e zgjeruar gradualisht territorin e tij dhe duke i dhënë stabilitet e pavarësi pushtetit të tij. Informacioni im, në të vërtetë, nuk më jep mundësi që t’i shtoj historisë së Ali Pashës të gjitha hollësitë që mund të dëshirohen nga ata që duan të gjurmojnë shkaqet dhe mjetet e ngritjes politike. Ka shumë pak të dhëna të shkruara për këto ngjarje, dhe thuajse të vetmet burime tani për tani janë historitë e këngët nga të cilat mund të marrim njohuri për jetën e herëshme dhe fatin e tij. Hakmarrja e tij ka ngulitur vërtet kujtime melankolike për disa incidente të historisë së tij të shkuar, por lidhja e ngjarjeve që kanë ndodhur është e errët, gjithashtu politika e tij ka çuar ndoshta në fshehjen e shumë prej mjeteve që e kanë ndihmuar më tepër përparimin e tij. E vetmja rrëfenjë, me aq sa di unë, e cila është kompozuar për historinë e tij, është një poemë me tetë këngë e shkruar nga një shqiptar në vargje romaike (të greqishtes së sotme) naïve e vulgare. Kjo poemë, e cila pretendon për stil epik, është ende në dorëshkrim, por ka marrë miratimin dhe lejen e Vezirit; gjithashtu janë dhënë udhëzime për botimin e saj në shtypin e Vienës.[1] Do të jetë një dokumentim i çuditshëm i trazirave të mbrendshme që në këto kohët e fundit kanë ndikuar në mbretërinë e lashtë të Pirros dhe vendin e Skënderbeut.”
Pastaj autori kalon në çështje të tjera që kanë të bëjnë me Shqipërinë. Fillimisht ai jep disa të dhëna mbi gjeografinë dhe prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre.
Me qenë se në kohën kur Doktor Hollandi e vizitoi pashallëkun e Janinës trojet shqiptare ishin pjesë integrale e Perandorisë Osmane, ai e kishte të vështirë të përcaktonte saktë shtrirjen topografike të Shqipërisë. Për këtë ai thotë se “Shqipëria, si vend nuk mund të përcaktohet nga një vijë kufiri e rreptë (strikte); mirëpo ato që përcaktojnë konturimin e saj janë gjuha dhe karakteristika të tjera të popullatës,” si dhe “shpërndarja e popullsisë”. (f. 99). Më tej ai shpjegon se “popullata e Shqipërisë, siç ndodhë përgjithësisht në rajone kodrinore e malore, dhe siç ishte fatmirësisht rasti në këtë vend qysh në kohën e lashtë, është e copëzuar në disa fise; kjo ndarje, nga mënyra e saktë me të cilën përcaktohet nga banorët vendas, mund të themi se ka ekzistuar prej një kohe shumë të gjatë. Gegët, labët, liutzidët (?), toskët dhe çamët, si dhe fiset e tjera më të vogla ose vartëse, kanë të gjitha tiparet e tyre dalluese, të cilat janë të mirënjohura nga çdo shqiptar, i cili i dallon menjëherë si nga larmia e dialekteve ashtu dhe nga vendbanimi i tyre.” Për shtrirjen gjeografike të vendbanimit të tyre autori anglez shkruan: “Qytetet e tjera kryesore të Shqipërisë, përveç Janinës dhe Artës, janë Scutari (Shkodra), Durazzo (Durrësi), Berati, Avlona (Vlora), Ochrida (Ohri), Kastoria (Kosturi), Argyro-Kastra (Gjirokastra), Delvina, Përmeti, Paramithia, etj. Ndonëse unë shpesh e kam quajtur Ali Pashën Vezir të Shqipërisë, duhet të kihet parasysh se jo e gjithë sipërfaqja që përshkruhet nën këtë emër (Shqipëri) është vënë nën pushtetin e tij. Qyteti i Durrësit, së bashku me tërë Pashallëkun e Shkodrës, u takojnë autoriteteve të tjera. Berati dhe Gjirokastra, si dhe vende të tjera që sapo i përmenda, i janë bashkangjitur vetëm kohët e fundit territorit të tij, duke formuar kështu një shtesë të një rëndësie shumë të madhe politike”. (f.99-100)
Më tej Doktor Hollandi shkruan për origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe: “Zbulimi, sepse i tillë thuajse mund tëe quhet, i një populli në rajonet malore të Ilirikumit dhe Maqedonisë, dhe në disa pjesë të Epirit, i cili dallohet nga gjuha, veshja, dhe zakonet kombtare, natyrisht ka nxitur vëmendjen për origjinën nga kanë ardhur. Ekzistenca e shumë fjalëve latine në gjuhë, së bashku me emrin e këtij populli, i ka drejtuar disa nga idea se një fis që shtegtoi nga Alba e Italisë themeloi qytetin e Albanopolisit në Illirikum, vendin nga duket se ka filluar historia dhe përpërimi i shqiptarëve. Nga vështirësia për ta provuar këtë dhe nga se në gjuhën e tyre ka shumë fjalë me rrënjë ta panjohur, I ka bërë disa, (ndonëse unë mendoj se këta janë shumë të pakët), të hamendësojnë se ata mund ta kenë prejardhjen, përmes ca kanaleve të errëta të emigrimit, nga albanët e Azisë, të cilët përmenden nga Taciti dhe shkrimtarë të tjerë, që duket se kanë banuar në krahinën e sotme të Shirvanit (Masci, një shkrimtar napolitan, më duket se kishte një ide të këtij lloji, por unë nuk kam pasur rastin ta shoh veprën e tij. Kam dëgjuar një analogji që i referohet emrit të Toskidëve, njërit prej fiseve shqiptare, dhe Toxidaeve, një populli të Mingrelia-s të përmendur nga Chardin-i. Një lidhje e tillë e turbullt e këtij vendi as që mund të arsyetohet. Justin-i (xlii.3.) flet për albanët e Lindjes që kanë ardhur nga Italia me Herkulin.). Megjithatë, fjalë të origjinës greke dhe gotike gjithashtu ekzistojnë në gjuhën shqipe. Dhe nga disa prej këtyre shtesave që i janë bërë një baze të panjohur diku tjetër, mund të arrijmë në përfundimin, me shumë arsye, se shqiptarët e kanë prejardhjen drejtpërsëdrejti nga popullsia origjinale e vendit ku banojnë ata tani, dhe se ne kemi në këtë popull një mbetje të ilirianëve të lashtë, të ruajtur deri në këto kohë më të vona nga karakteri malor i vendit të tyre si dhe nga zakonet e pavarura e luftarake për të cilat ata janë shquar gjithmonë. Ne dimë mjaftueshëm nga autorët e lashtë se gjuha ilirishte dallohej nga greqishtja qysh nga një periudhë shumë e hershme dhe se njerëzit ishin të veçantë në karakter dhe në zakone. Nëse nuk kemi një mbetje të kësaj gjuhe në shqipen, duhet të hamendësohet se ajo ka humbur krejtësisht; duke presupozuar se ajo është baza e gjuhës së sotme, është e lehtë të marrim në konsideratë ndryshimet dhe shtesat, të cilat koha dhe përzierja me popuj të tjerë kanë sjellë në të.” (f. 100-101). Këtu Hollandi ka vënë në fund të faqes shënimin: “Në temën thuajse të panjohur të gjuhës shqipe, unë nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të kërkoj nga lexuesi që t’i referohet veprës së Majorit Leake, tashmë të përmendur, ku ai do të gjejë një gramatikë së bashku me fjalorin e gjuhës, të hartuara me kujdes e saktësi të veçantë.” (f.100-101).
Dhe më poshtë Doktor Hollandi thekson: “Majori Leake, në shënimet e tij mbi Greqinë, i është përmbajtur kësaj ideje mbi prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe unë mendoj se ai e ka provuar plotësisht të vërtetën e opinioneve të tij. Ne nuk kemi asnjë të dhënë nga historia për zhdukje të ilirëve, as për hyrjen e ndonjë fisi të ri, i cili të jetë rritur brenda komunitetit të sotëm të shqiptarëve. Historianët bizantinëtë cilëve ne u detyrohemi kryesisht për përshkrimin e përparimit të këtij populli, I nxjerrin ata menjëherë si banorë të një pjese të rajonit ku jetojnë ata tani – terreni malor në kufijtë e Ilirikumit dhe Maqedonisë, dhe i karakterizojnë ata me një përshkrim që i përket njëlloj si gjendjes së tyre të sotme ashtu dhe asaj të ilirëve të lashtë. Atëhere, përfundimisht, unë duhet ta konsideroj këtë çështje historike të origjinës së shqiptarëve thuajse të zgjidhur; dhe të zgjidhur në atë mënyrë që të ofrojë interes të mëtejshëm për studimin e hollësishëm të një populli i cili e ka prejardhjen nga kohra të largëta, me më pak ndryshime ndoshta në zakonet e jetës dhe gjëndjes së tyre sesa thuajse çdo komunitet tjetër në Europë. Kjo duket se e kundërshton idenë se albanët e ardhur ishin ilirët e lashtë. Përmendja e hershme e emrit nga Ptolemeu, i cili i referohet një populli në Iliri, është sigurisht shumë në favor të këtij opinioni.” (f. 101).
Në kapitullin VI, pasi mbështet në mënyrë definitive interpretimin e mikut të tij Leake mbi origjinën ilire të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, Doktor Hollandi jep të dhëna mbi historinë mesjetare të Shqipërisë dhe çmon trimërinë e cilësitë luftarake të shqiptarëve, të cilat u dëshmuan nga bota perëndimore sidomos gjatë pushtimit osman. Në faqen 102 të këtij kapitulli, ndër të tjera, ai shkruan: “Qëndresa e tyre ndaj pushtuesve turq, të cilët shpejt pastaj u derdhën në Greqi, ka qenë fisnikëruar nga historia e Gjergj Kastriotit të famshëm, i njohur zakonisht me emrin Skënderbeg. Ai, me trimërinë e tij të vendosur luftoi me sukses për një kohë të gjatë kundër këtyre pushtuesve të vendit të tij. Rrethanat, të cilat erdhën si pasojë afatgjatë e kësaj qëndrese, i kanë penguar turqit që të ruajnë autoritetin e tyre të përhershëm në këtë vend. Në të vërtetë, ndikimi i tyre është shtrirë vetëm deri aty sa të kthejnë një pjesë të madhe të popullit shqiptar në fenë muslimane, por vetëm sa për emër. Mirëpo ky ndikim mbi një komunitet të ashpër, të pamësuar dhe ambicioz nuk është tregues i një pushteti të madh mbi ta. Është gjithashtu e vërtetë se shqiptarët janë përdorur për qëllimet ushtarake të sundimtarëve të ndryshëm turq. Mirëpo trimëria e zotsia e tyre luftarake ka bërë që ata të fitojnë pushtet për vete; kështu ata kanë nxjerrë, si tani, burra të cilët, në saje të trimërive të bashkatdhetarëve të tyre, kanë fituar epërsi si mbi grekët ashtu edhe mbi turqit, dhe e kanë bërë veten që t’ua kenë frikën mu në zemrën e perandorisë.” Këtu Doktor Hollandi vendos një footnote (shpjegim në fund të faqes 102), ku jep si një shembull të trimërisë së shqiptarëve historinë interesante të shqiptarit Halil Patrona, të cilën ai e kishte lexuar në një libër udhëtimesh të një lordi anglez, botuar në Londër më 1799: “The revolution effected at Constantinople in 1730, by the agency of an Albanian called Ghalil, or Patrona, is well known from the accurate narrative of Lord Sandwich, This Albanian, for a considerable time was absolute master of Constantinople.” (“Revolucioni që u bë në Konstandinopojë më 1730, i organizuar nga një shqiptar i quajtur Ghalil ose Patrona, është i mirënjohur nga përshkrimi i saktë i Lordit Sandwich.[2] Ky shqiptar u bë zot absolut i Konstandinopojës për një kohë të konsiderueshme”). Në historinë e Turqisë së sotme kjo ngjarje njihet si ‘Revolta e Halil Patronas’.
Po kush ishte ky Halil Patrona që pushtoi Stambollin, tronditi Anadollin dhe rrëzoi një sulltan nga froni?
Halil Patrona, të cilin e përmend Doktor Hollandi në veprën e tij, ishte një ish-marinar shqiptar që kishte lindur në një familje të thjeshtë shqiptare në fshatin e vogël Krupishtë[3] të vilajetit të Monastirit rreth vitit 1690. Ai u bë jeniçer dhe pasi mori pjesë në revoltën e jeniçerëve në Nish dhe udhëhoqi një tjetër në Vidin më 1620, u vendos me banim të përhershëm në Stamboll. Punoi për disa kohë si shitës ambulant dhe kujdestar i një hamami që frekuentohej nga jeniçerë, miq të Halilit. Ai njihej si Arnaut Halil Horpeshteliu, sipas vendlidjes dhe etnicitetit, por bashkatdhetarët e tij shqiptarë e thërrisnin ‘Patrona’ që do të thotë ‘nën-admiral’. Më 28 shtator 1730 ai udhëhoqi një revoltë popullore që e detyroi Sulltan Ahmetin III të ekzekutonte katër pashallarë të lartë, 3 nga të cilët ishin dhëndurët e tij, të zbriste vetë nga froni dhe të hipte në fron si pasardhës nipin e tij, Sulltan Mahmutin I. Për rreth 2 muaj Halil Patrona zotëroi pushtet absolut në Stamboll, deri më 25 nëntor, kur Mahmuti I e vrau me tradhti atë bashkë me 25 shoqërues të tij. Revolta e udhëhequr nga shqiptari Halil Patrona, trimëria e tij dhe vrasja e tij me tradhti bëri bujë në të gjithë Europën. Për të u bënë shumë shkrime në të gjitha gjuhët kryesore europjane, u bënë piktura dhe u botuan romane e tregime (bile u bë edhe një film ).
Historiani dhe linguisti anglez Robert Nisbet Bain (1854-1909), poliglot i shkëlqyer i mbi 20 gjuhëve, përktheu nga hungarishtja në anglisht romanin historik të romancierit të famshëm hungarez Mor Jokai mbi jetën e Ali Pashë Tepelenës “Luani i Janinës” dhe tregimin për shqiptarin që pushtoi Stambollin për 8 javë dhe rrëzoi nga froni Sulltan Ahmetin III, të titulluar “Halil Patrona” ose “Trëndafili i bardhë”.
Piktori franko-flamand Jean Baptiste Vanmour jetoi në Stamboll për 37 vjet (1699-1737) dhe vdiq e u varros atje. Ai ishte dëshmitar okular i ngjarjeve të stuhishme të Stambollit në shtator-nëntor 1730. Ai bëri portretin e Halil Patronës dhe tablonë e skenës së vrasjes së tij tradhtisht e pabesisht nga Sulltan Mahmudi I. Këto dy piktura të Vanmour-it, së bashku me 4 piktura të tjera të tij me temë shqiptare (grua nga bregdeti shqiptar, luftëtar shqiptar, bari shqiptar, marinar shqiptar[4]), gjënden të ekspozuara në muzeun e famshëm Rijks Museum të Amsterdamit.
Dy tablotë e J.B. Vanmour-it:
- Shqiptari Halil Patrona udhëheq me sukses revoltën popullore në Stamboll. _____2. Sulltan Mahmuti I vret tradhtisht Halilin dhe 25 shoqëruesit e tij besnikë. (Rijks Museum Amsterdam)
Shënim. Ky shkrim mbi udhëtarin e mjekun anglez Sir Henry Holland është marrë nga libri “ALI PASHA DHE SHQIPTARËT NË KULTURËN E ANGLOSFERËS”, i cili botohet nga autori Refik Kadija me rastin e 200-vjetorit të vdekjes së Ali Pashë Tepelenës.
[1]Bëhet fjalë për poemën “Alipashiada” të Haxhi Shehretit.
[2]John Montagu, Konti IV i Sandwich-it (1718-1792), “A Voyage Performed by the Late Earl of Sandwich Round the Mediterranean in the Years 1738 and 1739”, London: Printed for T. Cadell jun. and W. Davies, 1799. (539 faqe) [“Lundrim rretheqark Mesdheut në vitet 1738-1739”]. Historia e Halil Patronas shtjellohet në 60 faqe (f. 225-284).
[3]Fshati Krupishtë tani bën pjesë në komunën e Karbincit të Maqedonisë Veriore.
[4] Portreti i marinarit shqiptar është përdorur në disa shkrime gabimisht si portret i Halil Patronas.
Komentet