Maria Zakharova të enjten tha se negociatat e paqes në Astana mund të jenë një pikë kthese për zgjidhjen e krizës siriane
MOSKË – Përfaqësuesit e Turqisë, Rusisë dhe Iranit të premten mbajtën një takim në Moskë për të dakorduar kornizën e takimit të ardhshëm për Sirinë që do të mbahet në Astana.
Në kumtesën e Ministrisë së Jashtme Ruse theksohet se zyrtarët e tre shteteve u takuan në suaza të planit për përgatitjen e takimit për Sirinë.
Thuhet se pjesëmarrësit e takimit kanë ripërsëritur qëndrimin se takimi do të mund të vendosë një armëpushim stabël në Siri dhe të kontribuojë për vazhdimin e luftës kundër organizatave terroriste dhe zgjidhjen politike të çështjes së Sirisë.
Takimi i planifikuar i zyrtarëve të Turqisë, Rusisë dhe Iranit në Astana të Kazakistanit, do të mbahet më 23 janar.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova të enjten tha se negociatat e paqes në Astana mund të jenë një pikë kthese për zgjidhjen e krizës siriane.
Gjatë një konference për mediat në Moskë, ajo tha se përkundër disa problemeve ende ka gjasa të arrihet një armëpushim në Siri. Ajo theksoi se përfaqësuesit e Rusisë, Turqisë dhe Iranit bëjnë të gjitha përpjekjet në mënyrë që të krijojnë kushtet e nevojshme për negociata midis regjimit sirian dhe opozitës.
Zyrtarët turq nga ana e tyre thanë se përgatitjet për takimin janë përshpejtuar sepse ka pasur një rënie në shkeljen e armëpushimit. Pala turke vazhdon kontaktet me opozitën, por shkeljet e armëpushimit nga ana e regjimit komplikojnë procesin.
Megjithatë, palët turke dhe ruse janë duke bërë përpjekje në mënyrë që negociatat në Astana të japin rezultatet sa më të mira.
Zyrtarët e Turqisë theksuan se një grup i veçantë që mbështet nga Irani shkel marrëveshjen që në mënyrë plotësuese shkakton reagimin e opozitës.
Komentet