Unë kujtova se të dy do te takoheshin kokë më kokë, e shumta me stafe pa statuse politike, për t’u parë sy më sy dhe shkëmbyer kodet e dhëna dhe të marra… në një sfidë personale e secilit, si përgjegjësi personale e seicilit para karrierës së vet.
Por, të shoqëruar me deputetë e me delegacione, sikur më bie kurioziteti… Përsëri takimi do të ketë elementët e spektaklit nga të pranishmit aty.
Ngjarjet me dëshmitarë nuk japin shpresë të jenë edhe aq historike sikurse na u paraqit.
Mos bëni kështu ju gazetarë sikur do të takohej delegacioni i Al-Fatahut me atë të Izraelit!!! Ata gjithë ditën takohen në Kuvend.
Gati – gati si një takim në Kuvend mes grupeve parlamentare duket.
Risia e vetme është që nuk janë zoti Berisha dhe zoti Meta.
Apo është rezultat i idesë se Kuvendi është kot, deputetët ndjekin shefat dhe shtojnë koston e dialogut duke shtuar numrin e atyre që flasin!
Nuk e kuptoj përse u tha si takim midis të dyve, kur në fakt është takim mes mazhorancës dhe opozitës me delegacionet përkatëse.
Gazetarët që shtyheshin nga truprojat. Po kur nuk u lejon të bëjnë pyetje para takimit, përse i fton. Apo që t’i shtysh…!!!
Jo, për t’i përdorur për të kaluar ritin e fillimit të takimit që është i sikletshëm. Keni venë re kur takoni ndonjë të sikletshëm? Nuk di si ta nisësh! Flet kot! Filloi vera, hë? Vapë! E po ja e ka kohën!
Nejse, pak rëndësi shkalla e pjesëmarrjes, ndonëse për analizën komunikative,
– zgjerimi i personave në bisedë, i hedh ujë mprehtësisë të bisedës,
– shtimi i dëshmitarëve në një bisedë shton aspektin teatral të saj,
– ngjarja bëhet si produkt kolektiv pa autor
– pjesëmarrja e personave që janë marrë me teknalitetet e drejtësisë zbeh tehun politik të ngjarjes
– kurse ulja ballëpërballë tregon se jemi akoma te hedhja e urave, jo te hapja e shtigjeve të dhive
Barazimi formal tre me tre i palëve pjesëmarrëse nuk fsheh dot shpërpjestimin faktik, sepse ndërsa njera palë vjen edhe me kryetarin e grupit parlamentar, pala tjetër nuk e ka atë, por paraqitet me aleatin e vet. Veç nëse vendin e zotit Ruçi si kryetar grupi i PS në Kuvend e ka zënë zoti Vasili i LSI.
Gjithashtu më bëri përshtypje se si shumë ujë pinin pa ikur ende gazetarët nga salla. Pirja e ujit para bisedimeve nuk është fort pozitive sepse tregon, dehidratim, tharje goje, çka dëshmon emocione paraprake përballë tjetrit.
Tjetër është kur pi ujë pasi ke folur.
Komentet