Tajlanda ka hequr vizat për shtetasit e Kosovës, ka bërë të ditur ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se “kjo arritje reflekton përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të zgjeruar mundësitë ndërkombëtare dhe për të forcuar lidhjet diplomatike me shtetet anembanë botës”.
Vendimi për vizat është fuqizuar menjëherë.
Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme është thënë se qytetarët e Kosovës do të mund të qëndrojnë pa viza në Tajlandë deri në 60 ditë brenda vitit, për qëllime turizmi apo biznesi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përhapjes së lajmit, duke thënë se pasaporta e Kosovës po vazhdon të forcohet secilën herë e më shumë.
Deri tani, kosovarët kanë mundur të udhëtojnë pa viza në 50 shtete të botës, ndërsa mund të pajisen me viza sapo të mbërrijnë në 39 vende tjera.