Në foto: Fragment nga një video autentike e emisionit ‘STOP’
I dashur Shef Edi!
Jam Saimir Tahiri dhe dua të hap zemrën me ty.
Shef, periudha e korrjes së jeshiles mbaroi me sukses dhe këto kohë kam qenë më i ngeshëm se ç’duhet.
Gjatë ditës vjen Hakiu dhe më numëron kapanonet dhe magazinat ku kemi vendosur thasët, por bëhet tepër i lodhshëm se më lexon një për një dhe numrat e matrikullimit.
Ai nuk e kupton dot që unë kam besim, por dhe sikur të mos kisha besim, unë s’di të numëroj aq shumë kapanone pa makinë llogaritëse.
Çunave u jap porositë që herët në sabah, shumë herët …që pa dalë Joleza nga shpia e asaj shoqes.
Në orën 12 të drekës e gjej veten krejt bosh, s’di ça të bëj, ku të shkoj, s’di ça kënge të dëgjoj.
Nejse, kam blerë një motor.
Por pikërisht kur mendoja se e gjeta sërish veten Lali Eri më bëri gjëmën.
Ditën kur më në fund unë kisha ça të bëja, Lali Eri bllokoi qendrën e qytetit, bllokoi akset ku unë i jepja më shumë gaz dhe dëgjoja atë tingullin e mprehtë të motorrit: “ëëënnn ëëënnnn ëëënnnnnnnn”; atë tingull magjik që më ngjason aq shumë dhe me tështimën e Tan Didit. <3
Vij vërdallë kot, bredh si romantik nëpër Tiranë, shëtis në këmbë lart e poshtë.
Rrugës nëpër trotuare më ndodh që nuhas dhe ndonjë aromë trifletshi dhe them gjithnjë me vete se sa i prekshëm është impakti i reformave tona historike.
Një natë, pasi kisha nuhatur aromën në trotuar, m’u morën pak mendtë dhe mu bë sikur përpara më doli Fantomasi.
Menjëherë mora pozicion karateje dhe i thashë: “Tartaruge-Ninxha gjithmonë në aksion uahaaa”
Por personi përballë reagoi menjëherë dhe më tha:
-Ndalu Saimir, jam Fevziu.
E takova Blendin dhe vendosëm të shkonim tek ‘Padam’ të pinim një gotë të dy. Aty u hapa me të dhe i tregova problemin tim më madhor, faktin e tmerrshëm që unë kisha boshllëqe të tmerrshme kohore.
Fevziu u tregua si një mik për mua, si një vlla.
-Saimir, ne në Klan kemi disa emisione ku ti mund të kontribuosh dhe të merresh gjatë pasditeve, – më tha.
Papritur, përpara meje u shfaq një oqean i tërë, një botë e mrekullueshme që më thëthiti sa hap e mbyll sytë.
Kam nisur të kontribuoj dhe e kam ndihmuar me ca video të policisë. I çova videot për atë emisionin që e ka emrin si tabela që mban Hakiu në dorë, me prezantuesin e emisionit biem dhe adash nga nëna.
Më pas u kujtova që policia ka shumë video dhe i kërkova Fevzos që të më lidhë dhe me Vera Grabockën dhe Alketa Vejsiun për të parë mundësitë e bashkëpunimit.
Jqj Shef, imagjino pak dhe një bashkëpunim me Floriana Garon?
Jam i lumtur dhe lutem çdo natë që Sandri të më plotësojë dëshirën për të filluar regjizor në Klan.
Vetëm pak fat dhe mbështetja e Sandrit më duhet Shef; që më në fund dhe unë të jem i lumtur si Pandi. Dua të jem dhe unë njeri që bën gjëra.
Me respekt dhe nën efekt, pas këpucës tënde, Saimiri.
*E-mail i mbërritur në redaksi nga adresa: [email protected]
(HashtagAlbania)
Komentet