Deputeti i PDIU, Tahir Muhedini, gjatë një interviste për gazetën SOT, ka komentuar raportin e partisë që mbron çështjen çame me Partinë Socialiste dhe qeverinë “Rama”. Muhedini ka zbardhur një pjesë të marrëveshjes mes PDIU dhe kryeminsitrit Edi Rama, ku parashikohet ngritja e një ministrie të re për Diasporën, e cila do të drejtohej nga PDIU. Duke iu referuar peshës në Parlament dhe elektorat, Muhedini ka theksuar se PDIU i takon të përfaqësohet në kabinetin “Rama”, por ai shtoi se PDIU i takon edhe zëvendësministra. Deputeti i PDIU, Tahir Muhedini, theksoi se kryeministri Edi Rama nuk e ka zbatuar marrëveshjen. Muhedini deklaroi se gjatë dy viteve të fundit nuk është bërë asgjë për çështjen çame. Ai paralajmëroi një fushatë të re për këtë çështje, ndërsa nuk do të kursehen as kritikat ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama. Ndërkaq, deputeti i PDIU u shpreh pro testit të drogës. Muhedini deklaroi se, të droguarit nuk duhet që të komandojnë dhe të bëjnë ligje. Ai e konsideroi një domosdoshmëri urgjente testin e drogës.
-Thirrja e shefit të kabinetit të ministrit Bushati për të kryer ushtrinë në Greqi, ka shkaktuar polemika dhe debate. Cili është qëndrimi juaj?
Unë nuk shoh që është bërë ndonjë “hata” e madhe politikisht për këtë ngjarje. Kjo është një zgjidhje e Bushatit. Pra, më mirë se ç’e ka menduar z. Bushati përzgjedhjen e tij, nuk mund ta shohim ne. Mendoj se nuk ka nevojë të politizohet ky problem.
-Sipas jush, deri ku shtrihen rrënjët greke në degët e qeverisë “Rama” dhe a ka funksionarë të tjerë të ngjashëm me Pirro Vengun?
Unë nuk kam ndonjë dijeni për persona të tjerë. Pyetja që shtrohet është: a lejohet një person që ka dy shtetësi, të bëhet funksionar në administratën e shtetit, apo jo? I ngelet si përgjegjësi Ramës, a lejohen këta persona të hyjnë në administratë apo jo. Edhe rasti i Vengut, mesa informacion kam, ka marrë kartë sigurie dhe kjo do të thotë se për çdo gjë i ngelet në përgjegjësi ministrit Bushati që ka bërë përzgjedhjen. Pra, nuk ka një kriter ligjor. Dhe sipas mendimit tim është mirë të caktohen kriteret, të vendoset me pika kush bëhet shef kabineti, kush bëhet ministër, kush mund të bëhet deputet, etj. Deri më tani mungojnë këto kritere ligjore dhe ndaj janë të çorientuar të gjithë. Këto gjëra mungojnë në aktet ligjore të shtetit shqiptar, prandaj bëhet gjithë kjo zallamahi e madhe dhe përgjegjësia, sipas mendimit tim, është e kryeministrit. Kryetari i partisë cakton listat me emrat e deputetëve që ndoshta nuk duhet të jenë. Nuk ka faj asnjë deputet kur ti i thua “hajde bëhu deputet”, ai është i lirë të zgjidhet.
-Cili është pozicioni politik i PDIU në raport me mazhorancën?
Partia jonë është Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, është parti e qendrës së djathtë. Unë personalisht që flas, flas nga një pozicion politik i djathtë. Kjo do të thotë që ne mund të bashkëpunojmë me të majtën dhe me të djathtën, gjithmonë nëse mazhorancat e kanë në program çështjen çame. LSI që është në mazhorancë, si forcë politike ka folur shumë për çështjen çame, si Meta, si Haxhinasto, si Panariti.
-Në ç’fazë është sot çështja çame?
Nëse do të flasim sot se çfarë është bërë në këto dy vjet, unë mund të theksoj se nuk është bërë asgjë nga qeveria dhe kryeministri, që kishin marrë përsipër të raportonin çdo 6 muaj mbi ecurinë e problemit çam. Por, mund të themi që është aty ku ishte. Dua të bëj një autokritikë për veten time; kam qenë pasiv në këto dy vjet për atë që kam hyrë në Parlament. Unë jam votuar dhe besuar për të diskutuar çështjen kombëtare, çështjen çame. Ndoshta kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen. Do jem aktiv në Parlament për këtë çështje, dhe do të jem kritik karshi qeverisë, që këto dy vjet ka bërë inekzistente çështjen çame.
-Si qëndron e vërteta e marrëveshjes mes PDIU dhe qeverisë “Rama” për një portofol ministror?
Ne kemi pasur kërkesë të hapet një ministri për Diasporën. Kjo është marrëveshja, për më shumë rreth bisedimeve mes dy kryetarëve, unë nuk kam dijeni. Kërkesa jonë është se na takon një ministri. Ne jemi 5 deputetë. Na takojnë zëvendësministra, na takon të përfaqësohemi në qeverisje.
-A po i përmbahet Rama marrëveshjes parazgjedhore me PDIU?
Jo, nuk i është përmbajtur marrëveshjes. Ne kemi bërë një marrëveshje me mazhorancën. Ka hyrë viti i tretë dhe ne kemi marrë vetëm një zëvendësministër të Jashtëm. Marrëveshja dhe kontrata jonë ka qenë tjetër për tjetër. Kontrata jonë ka të bëjë me çështjen çame dhe me pjesëmarrjen në qeverisje. Nuk është bërë kontratë që të marrim një zëvendësministër të Jashtëm dhe ne jemi të përfaqësuar. Nuk është kjo kontrata.
-A ka një qëndrim PDIU për çështjen e dekriminalizimit dhe reformën në drejtësi?
PDIU ka qenë gjithmonë pjesëmarrëse në vendimmarrje, siç ishte reforma territoriale, siç është tani reforma në drejtësi. Ne mendojmë që reforma në drejtësi të jetë pak më e hapur. Nuk duhet bërë thjeshtë nga mazhoranca, por duhet të bëhet pjesë edhe opozita, se kjo reformë nuk bëhet se i shërben vetëm mazhorancës sot. Unë them që duhet gjetur një mirëkuptim, të ulen të gjithë në tavolinë dhe të jenë të gjithë bashkëpunues, që ato ligje që dalin të dalin me konsensus të të gjitha forcave politike, sidomos të PD.
-Ju po thoni që kjo reformë është e njëanshme?
Unë mendoj se nëse opozita nuk do të marrë pjesë, do të ketë gjithmonë probleme. Edhe reforma territoriale që u votua vetëm nga mazhoranca, krijoi problemet e veta. PD thoshte që u bë kjo reformë që t’i shërbejë PS. Nesër mund të ngrihet pretendimi edhe për këtë reformë.
-Po sa i përket dekriminalizimit, çfarë qëndrimi keni?
Dekriminalizimi nuk e kuptoj pse po zgjatet. Duhet bërë sa më shpejt dhe nëse ka deputetë që kanë problem, është ajo që unë thashë pak më parë, nëse ne do të kishim një shtet që do të funksiononte me ligje dhe të viheshin piketat se kush duhet të jetë deputet e kush ministër etj., nuk do të ishin në këtë gjendje sot. Unë mendoj se kjo i shërben shoqërisë tonë. Ka shumë intelektualë, ka shumë njerëz me vlera që nuk i afrohen politikës. Dekriminalizimi dhe korrupsioni sot janë problem. Ne kemi njerëz të korruptuar për të cilët flitet çdo ditë dhe nuk ka asnjë masë. Në këtë kontekst, unë them nuk ka çfarë pritet më, dekriminalizimi është urgjencë. Me këto që dëgjon populli, kaq milionë u vodhën këtu, kaq milionë aty, thonë njerëzit këtu “Kuvendi është vend hajdutësh”. Prandaj duhet të hyjë me urgjencë, të dalin njerëzit para ligjit. Ai që vjedh të mbajë edhe përgjegjësinë e vet, njësoj siç veprohet me qytetarët e thjeshtë. Një person që vjedh një thes me miell futet në burg, ndërsa ky që vjedh miliona, të vijojë të vjedhë. Ne kemi një fat të madh, kemi një mik të madh si SHBA, që gjithmonë jep kontributin, që Shqipëria të bëhet shtet ligjor, nuk do të kemi këto probleme që diskutojmë sot. Nëse do të rregullohet çdo gjë me ligj, edhe ai që shpif do të dalë para ligjit, edhe ai që vjedh do të dalë para ligjit.
-Çfarë mendimi keni për testin e drogës? Opozita këmbëngul në këtë pikë, ndërsa mazhoranca nuk e pranon. Çfarë mendimi keni ju, duhet të pranohet testi i drogës apo jo?
Gjithçka që dëmton ligjin dhe shtetin duhet të rregullohet. Kur ne dëgjojmë se x familje ka një pjesëtar që merr drogë, themi sa keq, çfarë fatkeqësie, se ai mund ta shesë edhe shtëpinë për të blerë drogën. Por, ka diferencë nga një qytetar i thjeshtë që merr drogë dhe një politikan. Unë mendoj të bëhet testi i drogës. Si mund të komandojë dhe të zbatojë ligjin një i droguar? Ndaj në mënyrë sa më urgjente të bëhet. Unë jam që çdo gjë e rregullon shtetin, të bëhet. Sot të vjen turp të jesh deputet. Qytetarët thonë ja ky hajdut, ata vjedhin, edhe në rrugë e dëgjon këtë. Prandaj, unë gjykoj se ka ardhur koha për t’i dhënë fund këtyre problemeve. Dhe për këtë duhet t’i jemi falënderues SHBA-ve.
-Çfarë mendimi keni për aksionin kundër informalitetit që ka ndërmarrë qeveria dhe masat penalizuese?
Unë mendoj se kjo punë nuk bëhet me aksione. Që tek fjala “aksion”, nuk më pëlqen fare. Aksion për të pastruar plehrat, aksion për të bërë këtë, aksion për atë…shteti nuk bëhet me aksione, bëhet me ligje. Ne jemi të ndërgjegjshëm që informaliteti ka qenë për arsye se edhe administrata jonë ka qenë e korruptuar. Para shtetit, para ligjeve, të gjithë duhet të jenë të barabartë. Kjo është kryesorja, por jo kaq masa shtrënguese. Nuk ka kaq komoditet biznesi jonë. Me këto masa represive, me këtë ashpërsi, unë them që po vazhdoi kështu do të mbyllen gjithë bizneset. Biznesi i vogël do të falimentojë, dhe po ashtu edhe biznesi i madh, se janë të lidhur. Ky shtet mbahet me taksa, biznesi është prioritari i taksave. Prandaj, them që duhet të kuptohet se këto masa shtrënguese, përveçse dëmtojnë biznesin, asgjë të mirë nuk ka shoqëria jonë. Nëse flitet që në 25 vjet nuk është rregulluar informaliteti, nuk mund të bëhet tani brenda ditës me aksione. Po ashtu, ky lloj informaliteti nuk duhet të jetë selektiv. Edhe kjo është e rëndësishme.
-Ka një akuzë nga Partia Demokratike se qeveria shtrëngon vetëm bizneset e vogla…
Unë flas në parim. Kryeministri ka veshë dhe dëgjon, takon dhe popullin. Biznesi sot është në gjendjen më të keqe të mundshme, si biznesi i vogël ashtu dhe i madhi. Shteti duhet të shtrojë rrugën, që edhe biznesi i vogël të punojë dhe biznesi i madh të jetë i qetë që të punojë. Ka edhe një çështje tjetër problematike; detyrimi që çdo njeri që shet të mbajë kasë fiskale. Po të udhëtosh nga një qytet në tjetrin, sheh shumë njerëz që dalin për të shitur një produkt apo dy-tre gjëra që mund t’i kenë në bahçe, i nxjerrin në rrugë për t’i shitur, për të mbajtur familjen. Pyetja ime është, a duhet të mbajë edhe ky person kasë fiskale dhe të regjistrojnë “xhiron”?! A do të mbijetojë ai? Unë mendoj se kjo administratë duhet t’i shikojë gjërat më me qetësi.
-Rama ka ardhur me një program tjetër për taksat. Ata që kanë më pak do të paguajnë më pak, atë që kanë më shumë do të paguajnë më shumë…A po i mban premtimet?
Rama nuk u përmbahet premtimeve. Ai duhet t’u përmbahet atyre që ka thënë për të ardhur në pushtet. Po t’i shohim premtimet me të cilat erdhi Rama në pushtet, do të shohim se nuk i është përmbajtur, nuk i ka zbatuar. Këtu është esenca që kur ti premton duhet ta zbatosh, jo e kundërta.
-Çfarë mendimi keni për çështjen CEZ? Ka një akuzë nga KLSH ndaj ministri Gjiknuri për një vjedhje mbi 479 milionë euro.
Nëse ministri ka marrë 479 milionë euro, le të ngrihet një komision dhe ai të dalë para drejtësisë. Nuk mund të bëhet kjo punë duke folur në ajër dhe asnjë nuk mban përgjegjësi. Gjithë kjo zhurmë që u bë, duhet të dalë pasoja dhe jo të bëjmë presion për ta fshehur. Duhet të ngrihet një komision dhe të vërë para përgjegjësisë atë që ka vjedhur nga arka e shtetit. Nëse e nisën ta mbarojnë, do të jetë turp i madh që ta nisin dhe ta lënë në mes të rrugës, mos të dalë përgjegjësia.
-Qeveria nga ana e saj, ka paralajmëruar se është duke u përgatitur një dosje për këtë çështje…
Kryeministri mund të bëjë dosje, por më e rëndësishmja është mos të ndikojë tek organet e pavarura, as tek prokuroria e as tek gjykatat. Kjo do të jetë gjëja më pozitive.
-Cili është qëndrimi i PDIU për drejtësinë? Ka një retorikë të ashpër ndaj sistemit aktual. Kryeminsitri e quan korporatë, bandë, çetë etj.
Unë mendoj që kjo gjuhë kaq e ashpër me të cilën flet Rama nuk i shkon për shtat as kryeministrit që e përdor këtë fjalë dhe as drejtësisë. Në këtë mënyrë e dëmtojmë këtë drejtësi që kemi. Nëse ka gjykatës të korruptuar, prokurorë të korruptuar, le t’i ndërtojë mekanizmat shteti dhe ata le të dalin para drejtësisë me emër. Por ka edhe prokurorë dhe gjyqtarë shumë të respektuar dhe shumë të nderuar. Rama i ka futur të gjithë në një thes. Unë mendoj se si do të punojë sot kjo drejtësi e korruptuar për gjithë këto çështje që duket se janë nëpër këmbë?! Ndaj, kjo gjuhë nuk i shkon fare kryeministrit. Por, i shkon që me të gjithë mekanizmat e vet, kush është ky prokuror hajdut, ky është gjyqtar hajdut, ta çojë para ligjit. Këtë duhet të bëjë Rama, jo t’i fusë të gjithë në një thes si të korruptuar. Politika duhet të lërë të qetë institucionet e pavarura të punojnë. Edhe unë mund të them që ai është korruptuar, ai tjetri po ashtu, por si të flas kështu? Unë nuk kam fakte, të flas në hava? Ligji këtu zbatohet për qytetarin, ai që nuk arrin të paguajë dritat, ai që vjedh një thes me miell do të marrë dënimin, kurse për këta që duan të bëhen pashallarë, nuk ka asnjë lloj dënimi. Këtë të rregullojë Rama dhe shteti. Këtu, një hajdut mund ta bësh ministër, se nuk ka ligj që e ndalon. Erneta Shevroja
Komentet