Për librin me poezi “Piskamë e heshtur”, botoi Nacional, Tirane
“Tahir Bezhani është një poet shprehës, që vizaton me dorë të lirë, poet i historisë së vjetër e të re. Në këtë kuptim ai është pasardhës dhe bashkohës i të mëdhenjëve Din Mehmeti e Ali Podrimja, por di të veçohet si çdo poet i mirë që vrullet e veta i përcjell përmes një verbi origjinal”.
Kam pasur rastin të lexoj disa libra me poezi të poetit gjakovar, Tahir Bezhani, duke u befasuar nga një poezi që gurgullon pastërtisht, ose shëtit si një nimfë e hutuar në oazën e mrekullueshme trojeve të Gjakovës nuse. Tahir Bezhani është nga Smolica e Rekës së Keqe, i dënuar nga regjimi serb, autor i disa librave monografik, po më së shumti poet, prej nga portreti i tij vizatohet në rritje nga një vëllim në tjetrin përmes kërkimit, inspirimit dhe detonimit. Sa herë flasim për poezinë gjakovare ndërmendemi për dy ikonat e saj, Din Mehmeti dhe Ali Podrimja, të cilët “kënduan edhe kur ishte ndalua” siç shprehet poeti elokuent Esat Mekuli. Por edhe duke menduar Gjakovën, këtë qytet të magjishëm dhe lavdiplotë vetvetiu futesh në mendimin se impulse enigmatikë të këtij qyteti rrisin vazhdimisht poet, dhe, një ndër ta, është edhe Tahir Bezhani. Pasi lexon librat e tij rri e mendon për të gjetur tiparin dallues, si mund ta përkufizosh me pak fjalë portretin e tij, mënyrën e strukturimit të vjershës, shqetësimin poetik, për të hetuar njëkohësisht tonet e ndërthurura, të cilat ecin në një paralele ekzistente në marrëdhënie me një botë të caktuar përjetimesh, reflektimesh ,hovesh, në një interaksion impulsesh të shpirtit njerëzor. Tahir Bezhani është poet shprehës, që vizaton me dorë të lirë, poet i truallit të historisë së vjetër e të re. Në këtë kuptim ai është pasardhës dhe bashkohës i të mëdhenjve Din Mehmeti e Ali Podrimja, por di të veçohet si çdo poet i mirë që vrullet e veta i përcjell përmes një verbi origjinal. Poezitë e veta i ka botuar pas vitit 2000,kohë kur Kosova është gjendur e lirë pas një nate të gjatë robërie, kur u desh të kuptohet se shtegu i lirisë nuk paska qenë aq larg. Por Bezhani ka shkruar që kur ishte nxënës, ka bashkëpunuar me gazetën Rilindja ,duke e pritur daljen në publik me libra me fillimin e lirisë. I prirur gjithnjë drejt një komunikimi të sinqertë me kohën, njerëzit, sendet përreth, kujtesën dhe harresën, ai i ka ditur të mbajë një drejtpeshë emocionale për të përcjell ndjesinë e tij ku ndihet besimi, vullneti drejt ardhmërisë. “Prit, këngë, mos u nxito, jashtë është mjegull ,errësirë….” “Nga zemra e pëlcitur, këngë e kuqe, këngë e bardhë….” Në zjarrishtën time, këngë e mall….” Një fyell prej ashti ka ligjëruar luftërave të përgjakura….” Mos Hesht poet kur fryjnë stuhitë brenda lëkurës tënde…”
Bezhani e thekson fort identitetin historik të njeriut të Kosovës si identitet i mbruajtur nga grimcat e dheut të vet, plazma e gatuar me dëshira të mëdha për të njohur “vetveten” siç thotë Naimi i madh. Gjithnjë më ka emocionuar figura e fyellit prej ashti. Nëse do ta perceptonim kohën e Kosovës ,brenda saj kohën e individit, do të shohim se ajo është koha e ndërtimit të epokave heroike, e martirëve, ashti i të cilëve u bë fyell dhe lule…
Bezhani është poet konkret me detaje që rrokin e mbartin domethënie kontekstuale pa i shpëtuar misionit të poetit dhe rravgimit të ndërgjegjes së kohës, sepse vetëm kështu e kanë parë veten dhe s’mund ta shihnin ndryshe. Kjo degë e pikëlluar e poezisë shqipe ka ditur të ruaj blerimin përmes trimërisë. Kënga dhe koha ecin si dy përmasa të njëjta në poezinë e këtij autori, duke thirre për shfrim ndjenja të një sublimiteti aktiv. Prej tyre dalin dhimbjet si një tufë pëllumba të gjakosur nga predha në pyll prej tyre del një ofshamë, sepse poeti i vërtetë ,kur e shikon popullin e tij të shënuar në syrin e ciklonit, nuk mund të hiqet mënjanë, asesi nuk mund ta mbajë fjalën e ndryeme. “ Mos hesht edhe nëse bjeshkët rrënohen mbi ty”, porosit poeti.
Mjaft poezi na japin një këndellje malli, ato iu drejtohen njerëzve që s’e panë Kosovën të lirë, duke ikur buzëplasur e zemërcoptuar nga kjo botë. Shfrimet lirike vijëzohen nga një sizmikë e lehtë elegjiake sepse: Dashuria është vuajtje, vuajtja është dashuri, prandaj e dua vuajtjen”, duke i nënkuptuar ethet e vuajtjes si ethe të krijimit poetik. Duke ndalur e vazhduar më tutje në poezinë e Bezhanit, do të vëmë re individin e shqetësuar , të Kosovës e më gjerë, individ që shpaloset nëpër dehjen e një kohe të re, të kohës së lirisë së arsyetuar, por edhe të prirur për të gjetur ekuilibrat e brishta të jetës me tendencë njohëje.
Si poet refleksiv, ai dallohet për spontanitet të kënaqshëm, i frymëzuar nga çdo gjë që e rrethon, në tentativë të përhershme, për t’ia hequr një mantel errësire, gjërave të dukshme e të padukshme. “ Errësira më shpon e ku të futem s’kam, e si të mbyll plagën që rreth meje rrjedh, bukuri e zezë”. Nëse do t’i komentonim këto vargje, do të na shkonte mendja se poeti e quan të nevojshme të largohet nga errësira, po ajo frushullon si një ajër i pa thithur, po tepër i domosdoshëm për të kuptuar për të kuptuar vlerën e dritës. Transparence e verbit poetik në pamje të parë jep një dekoracion, qëndisja e të cilit nuk synon simetrinë e imazheve të sakta, po në të vërtetë, poeti synon thellësinë nëpërmjet një apo dy detajesh që mbartin vlerë shumështresore. Këtë e vë re edhe poeti Din Mehmeti duke u shprehur se poezitë e Bezhanit janë poezi të thellësisë e jo të jashtësisë. Në ilustrim shohim poezinë “Në teatër”, ku citojmë:” Mbrëmë në teatër Makbethin, në fund duartrokiti vetëm elita”. Shihet se e thjeshta i ka arritur kuptimet e mundshme të shprehjes, pa i vënë një barrë të rëndë objektit poetik siç bëjnë rëndom shumë poet, përkundrazi, ai e zhvesh poezinë nga minierat dhe stolitë e jashtme, duke synuar thelbe kumtuese përmes së thjeshtës çka nënkupton një trukim të lehtë, më pak makijazh dhimbje. Citojmë:” Netëve të gjata sa shekulli, qëndroj si shkëmbi, duke përkundur durimin”. Poeti e ndërfutë unin e tij thellësive të misterit historik për ta pahitur poezinë e tij me këto imazhe, se kështu ia thotë shpirti të identifikohet, po edhe natyrshëm ndjehet mirë.
Në elementin sugjestiv, që vjen nga dy ndërtime të të shprehurit: rrëfimtar e sintetik, ai shkon nga rrëfimi në sintezë e anasjelltas, duke iu larguar rrumbullakësisë me ritme perfektë, veçmas ritmi rrjedh i lirë siç rrjedh Ereniku në Gjakovën antike, duke u folur me valët e veta urave të lashta të cilat asnjëherë nuk folën për pasqyrimin e bukurisë së tyre.
Dimensionet e kthjellëta të poezisë së Bezhanit, shprehin ngjyra lëvizëse që komplimentohen përmes një gjuhe të zgjedhur, por jo të lëmuar, veçmas të rrjedhshme. Sot Kosova nuk është më; ”balli dhe emri im i shkelur” siç thotë poeti grandioz Ali Podrimja tek poema “Hija e tokës” as njeriu kosovarë nuk është më Asim Qerimi në pemën tribunale. Poem kosovar të Mitrush Kutelit, tani çdo gjymtyrë e mpirë nga robëria ka marrë limfën e lirisë; lirika po shtrihet si frymë e ngrohtë në poezinë e këtij trolli dhe ky është një fakt lumturisht i gëzueshëm.
Figuracioni i Bezhanit synon nga metafora që është e kapshme dhe e kthjellët, ndërtuar me bazë krahass/imin e nënkuptuar, foljen, duke u shtrirë në ato pjesë të trupit të poezisë që frymojnë thelbe kuptimore ,po herë ajo e shtrinë në gjithë trupin e poezisë e shkrirë me mesazh. Poezia e Bezhanit gurgullon e ngjit mjaft pasazhe që mbeten në mendje, sepse poezia e tij vjen nga një jetë e trazuar, nga truall i begatë me histori e qytetërim.
Qazim Shehu