Shkenca më e re, më e aktualizuar, thotë se njerëzit nuk janë unikë në zotërimin e substrateve neurologjike që gjenerojnë vetëdijen. Ndoshta arritja më e madhe shkencore e njeriut deri sot është pikërisht “vetëdijësimi” ynë se dhe insektet, peshqit, zvarranikët dhe kafshët tjera janë të “vetëdijshme”, apo e posedojnë një formë të vetëdijes fenomenale, si shkallë bazike. Tani për tani njeriu ka shumë më tepër gjëra të përbashkëta me insektet e “vetëdijshme”, madje dhe me mushkonjat gjakpirëse, sesa me sistemet e super-avacuar të Big Data dhe të AI (Inteligjencës Artificiale). Meqë, për fat të mirë, tani për tani AI s’është as afër “vetëdijësimit” të rrezikshëm… *** Deklarata mbi Vetëdijen e Kafshëve u nënshkrua më 19 Prill 2024, në New York. Një grup biologësh dhe filozofësh të shquar u takuan, biseduan, kuvenduan, u morën vesh dhe deklaruan se, sipas tyre ekziston “mundësia realiste” që insektet, oktapodët, peshqit dhe kafshë të tjera ta përjetojnë vetëdijen. Deklarata fokusohet në llojin më themelor të vetëdijes, të njohur si “vetëdije fenomenale”. Mbase s’është dhe aq “shkencore” (në thelb), por më shumë si arritje grandioze filozofike dhe etike. Duhet cekur dhe kjo, akoma pa ia filluar, qëkur siguria absolute për “vetëdijen” e kafshëve aktualisht nuk është e mundur me gjithë plotësinë, e vështirë t’jesh 100% i sigurt. Madje shkenca e sotme (sado e avancuar, me kohëlinjën mbi 400-vjeçare të zhvillimit) s’e ka “idenë” si funksionon as vetëdija e njeriut. Ka shumë probleme në këtë drejtim dhe bota shkencore-filozofike sikur ecën binarisht, në binarë – njëra këmbë andej, tjetra këndej : ) Gjithsesi (përkundër mangësive evidente) një mundësi realiste e ndjeshmërisë së kafshëve është e mjaftueshme për t’u “garantuar” konsiderata serioze morale (dmth. nga ne, nga shkencëtarët, nga filozofët e moralistët, nga ana e njeriut) – thonë eskpertët. Deklarata i pranon provat shkencore në rritje e sipër se një gamë e gjerë kafshësh, duke i përfshirë gjithë vertebrorët dhe shumë jovertebrorë, ka të ngjarë t’jenë specie të vetëdijshme, të afta që në mënyrë subjektive ta “përjetojnë” botën (dmth. pothuaj njësoj siç e përjeton dhe njeriu – subjektivisht). Mirëpo s’ishte kjo hera e parë që nga shkencëtarët të deklarohej “vetëdija e kafshëve”, kësaj i printe deklarata pararendëse e Kembrixhit. Një dekadë më herët, në v. 2012 “Deklarata e Kembrixhit mbi Vetëdijen Animalistike” thoshte se një sërë kafshësh, duke i përfshirë por pa u kufizuar në gjitarët dhe zogjtë, e kanë “aftësinë për t’shfaqur sjellje të qëllimshme, dhe se njerëzit nuk janë unikë në zotërimin e substrateve neurologjike që gjenerojnë vetëdijen”. Tani, deklarata e re e përqafon zyrtarisht këtë pikëpamje të deklaratës pararendëse. Dhe dmth. i bie se është “aktualizim” i përpjekjeve më të fundit për një “pajtim” të gjerë shkencor mbi vetëdijen e kafshëve. Deklarata e re sikur e “zgjeron” sadopak qëllimin e deklaratës së dikurshme, madje thuhet se është formuluar me kujdes e me takt – “jo shkencë me diktat, përkundrazi, mirëpo kërkohet seriozitet i mirëfilltë, duhet marrë seriozisht vetëdija e kafshëve, dhe duhet përparuar etikat adekuate të njeriut”. Ndër të tjera, deklarata e re thotë: “dëshmitë empirike tregojnë se ka të paktën një mundësi realiste të përvojës së vetëdijshme tek gjithë vërtebrorët-kurrizorët (duke i përfshirë dhe speciet e zvarranikëve, amfibëve dhe peshqve) dhe shumë jovertebrorë (duke i përfshirë, minimalisht speciet e ndryshme, por madje dhe insektet). *** Shenja të “çuditshme” sa i përket “gjendjes së vetëdijshme” tek kafshët ka kohë që janë hetuar, dhe natyrisht janë sfiduese për biologët, për shkencëtarët, për ekspertët e fushave përkatëse, për filozofët e për moralistët. Ka me dekada ekziston një pajtueshmëri e gjerë mes shkencëtarëve që kafshët e “ngjashme” me njeriun – psh. majmunët – kanë përvojë të vetëdijes (anise “vetëdija” e tyre ndryshon nga e jona, s’do jetë aq komplekse). Mirëpo kohët e fundit studiuesit e ndryshëm kanë filluar ta pranojnë se vetëdija fenomenale mund t’jetë reale dhe në mesin e specieve që janë shumë të ndryshme nga njeriu, duke i përfshirë dhe jovërtebrorët (me sistem nervor krejtësisht të ndryshëm, dhe shumë më të thjeshtë). Nëse një krijesë është “fenomenalisht” e vetëdijshme, atëherë mendohet se kjo krijesë e ka aftësinë të përjetojë dhe ndjenja të tilla si dhimbja e kënaqësia – por jo domosdoshmërisht do jetë zhvilluar ndonjë “gjendje mendore më komplekse” (siç është psh. vetëdija e njeriut). Studimet thonë se oktapodët ndjejnë dhimbje. Janë hetuar sjellje mjaft komplekse që i shfaqin ato krijesa, si psh. zgjidhja e problemeve, përdorimi i mjeteve, ndjenja-prirja për “lojë” – sjellje këto që mund të interpretohen si shenja të vetëdijes. Oktapodët angazhohen vëmendshëm me gjërat, me ne njerëzit, dhe me objektet, gjë që për studiusit e bën të vështirë t’mos mendojnë se në kokat e oktapodëve “bluhet” diç. … Read More