VOAL

VOAL

TABELAT/ Ka edhe kështu! Votojnë 5900 persona, fituesja shpallet me 7666 vota

July 1, 2019

Komentet

Berisha me shqiptarët në Londër: Ju keni mision të luani një rol përcaktues në zgjedhjet e ardhshme në fitoren e opozitës

Ditën e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori pjesë në një bashkëbisedim live me shqiptarë dhe aktivistë të diasporës në Londër.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Floriana Garo, anëtare e kryesisë së PD, Alfred Lela, drejtor i komunikimit në PD si edhe Besart Xhaferri, kryetar i FRPD.

Ky takim shërbeu si një dëshmi e angazhimit të opozitës dhe mbështetjes së saj të fuqishme për shqiptarët kudo nëpër botë. Qytetarë të të gjitha moshave mirëpritën liderin opozitar, Sali Berisha i cili dha një mesazh të fuqishëm mbi sfidat aktuale dhe vizionin e tij për një Shqipëri më të drejtë dhe demokratike.

Entuziazmi i vazhdueshëm dhe thirrjet e mbështetësve reflektonin besimin në udhëheqjen e tij dhe dëshirën për ndryshim.

Gjatë fjalës së tij, Kryetari i PD, Berisha bëri thirrje të fuqishme drejtuar shqiptarëve, veçanërisht atyre që jetojnë jashtë vendit, për t’u angazhuar në zgjedhjet e ardhshme me qëllim që të mbështesin opozitën dhe të punojnë për ndryshimin e regjimit aktual, të cilësuar si një “narkoshtet”.

 

Berisha e cilësoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama, si një diktaturë që shkel të drejtat demokratike dhe përdor taktika të frikësimit dhe korrupsionit për të ruajtur pushtetin.

Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se Shqipëria ka më shumë të burgosur politikë sesa vende të njohura për represion si Bjellorusia dhe Rusia, duke vënë në dukje se edhe liderë të partive opozitare janë arrestuar për shkak të qëndrimeve të tyre kundërshtuese. Akuzat përfshijnë përpjekjet e qeverisë për të dobësuar opozitën, duke përdorur mjetet e shtetit për të shtypur çdo kundërshtim.

Sipas Berishës, një pjesë e rëndësishme e këtij mesazhi është përkushtimi për të sensibilizuar dhe mobilizuar diasporën shqiptare. Statistikat e përmendura flasin për një numër të madh emigrantësh shqiptarë, rreth 1.9 milionë të larguar nga vendi, me një thirrje të drejtpërdrejtë që ata të votojnë dhe të kontribuojnë për “shpëtimin e Shqipërisë”. Ky veprim përshkruhet si një betejë për të ruajtur votën e lirë dhe për të sfiduar regjimin aktual.

Gjithashtu, Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe varfërinë, që vjen si rezultat i keqmenaxhimit dhe korrupsionit, duke akuzuar qeverinë për përdorimin e fondeve të vendit për qëllime të dyshimta dhe duke e lidhur këtë fenomen me rritjen e ndërtimeve të larta të njohura si “kulla të drogës”. Në të njëjtën kohë, Berisha ritheksoi rritjen e varfërisë dhe përkeqësimin e kushteve të jetesës për shumicën e popullsisë.

Berisha gjatë takimit të mbajtur me shqiptarët në Londër akuzoi për ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës dhe për vendosjen e sanksioneve ndaj saj, duke e krahasuar Ramën me figura të tjera rajonale që shihen si kundërshtarë të interesave të Kosovës. Këto veprime, sipas Berishës dëshmojnë për një qëndrim të rrezikshëm dhe të papranueshëm ndaj interesave kombëtare.

Fjala e kryetarit të PD për shqiptarët u mbyll me një apel për veprim dhe me falënderime të sinqerta për mbështetësit e opozitës, duke i motivuar ata të qëndrojnë të angazhuar dhe të luftojnë për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

Berisha në takimin me shqiptarët në Londër tha:

“Ju keni mision të luani një rol përcaktues në zgjedhjet e ardhshme, në fitoren e opozitës arkivimit të narkoshtetit. E një shteti që nuk njeh asnjë parim përveç vjedhjes dhe frikësimit të shqiptarëve.

Kjo është një diktaturë, miqtë e mi, është vendi me të burgosur politikë më shumë se Bjellorusia dhe Rusia. Në Shqipëri lider të partive kryesore opozitare janë të arrestuar.

Ne, të gjithë sëbashku do t’i japim Edi Ramës përgjigjen që meriton. Ky është një armik i egër i kombit dhe unë ju them ju, se në histori asnjë pushtues, asnjë diktaturë nuk ka dëbuar nga Shqipëria shqiptarët se sa regjimi i Edi Ramës. Me program, me qëllim, vetëm e vetëm që të mbeten sa më pak kundërshtarë të tij në Shqipëri.

Vetëm në hapësirën e Shengenit para një muaji u njoftua se kanë ikur para një muaji 1.9 milionë shqiptarë.

Duhet t’i gjejmë kudo që janë të votojnë për vendin e tyre, për shpëtimin e Shqipërisë.

Betejë me votën e lirë të shqiptarëve kudo që janë.

Edi Rama do vijë në Londër, me vëzë dhe domate. Edi Rama është bërë për Kosovën, një armik po kaq i egër sa Vuçiç, është bërë vëlla me Vuçiçin, argat i Vuçiçit. Ka vendosur sanksione ndaj Kosovës, i pari që vendosi sanksione ndaj Kosovës. A mund të imagjinoni ju, u përpoq të rrëzojë qeverinë e Kosovës.

Sot, është trefishuar mjerimi, varfëria e skajshme, sepse paratë grabiten dhe plaçkiten.” bw

Fitorja e Trumpit- Salianji letër nga qelia me mesazhin e Presidentit të zgjedhur: Lufto-Fito!

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka shkruar nga qelia një letër në lidhje me fitoren e Donald Trump si president i SHBA-ve. Sipas Salianjit, Trump nuk mundi thjesht një kundërshtare të partisë tjetër, por fitoi mbi superstrukturën që po konsolidohej në demokracinë më të fuqishme të botës.

 

Ervin Salianji citon mesazhin e Donald Trump, i cili ka thënë Lufto, lufto, lufto-Fito, fito, fito.

“Nuk ka dyshim se me vendimet, me aktet, me dekretet që do të ndërmarrë, Presidenti i 47 do të përcaktojë një kurs të ri në botë. Ama, fushata, dhe ajo çfarë vendosi qytetari amerikan, përkundër gjithë atmosferës propoganduese që ishte krijuar, përkundër gjithë imponimit me industritë më të forta të opinionit, e ka përmbysur jo pak gjendjen dhe ka krijuar një rend të ri. Një rend që nuk ka dyshim se do të rrezatojë dhe do të ndikojë dhe në vende të tjera”, shkruan ne leter ish deputeti demokrat.

Në fund të letrës, Ervin Salianji shkruan se ne nuk kemi nevojë ta bëjmë Shqipërinë të madhe dhe një herë, por ‘na duhet vetëm ta bëjmë vend normal, ta ruajmë, ta shpëtojmë nga autokrati malinj dhe ta heqim nga kthetrat e krimit’!

Letra e Ervin Salianjit

Letër nga qelia 6

Lufto, lufto, lufto – Fito, fito, fito

Edhe pse po bëhen ditë nga votimi dhe publikimi i rezultatit duket sikur Donald Trump i fiton zgjedhjet sërish çdo orë që kalon. Kjo jo vetëm prej legjitimitetit të madh që ka korrur, prej diferencës së thellë, po dhe prej emërimeve! Triumfi i tij ishte i jashtëzakonshëm kur përballë kishte një kandidate energjike, më të re, të mbështetur masivisht dhe me një fushatë të energjizuar me grumbullim fondesh  si asnjëherë dhe me mbështetje masive të një konglomerati elitash e vipash vanitozë, strukture propagande të mirëoganizuar influencimi me lobingje e sondazhe, çka  e rriste orientimin  e publikut ndaj saj.

Trump nuk mundi thjesht një kundërshtare të partisë tjetër, por fitoi mbi superstrukturën që po konsolidohej në demokracinë më të fuqishme të botës.

E kotë ta them se sa simpati ka krijuar Presidenti i zgjedhur në Shqipëri. Në burgun e Fierit nuk kemi shumë mundësi të ndjekim shtypin, gazetat dhe revistat e mëdha të botës që me siguri i kanë bërë analizat e duhura asaj çfarë ndodhi.

Megjithatë, besoj të gjithëve por dhe mua këtu më ka mbetur, mesazhi kryesor i Trump; LUFTO, LUFTO, LUFTO – FITO, FITO, FITO!

Nuk ka dyshim se me vendimet, me aktet, me dekretet që do të ndërmarrë, Presidenti i 47 do të përcaktojë një kurs të ri në botë. Ama, fushata, dhe ajo çfarë vendosi qytetari amerikan, përkundër gjithë atmosferës propoganduese që ishte krijuar, përkundër gjithë imponimit me industritë më të forta të opinionit, e ka përmbysur jo pak gjendjen dhe ka krijuar një rend të ri. Një rend që nuk ka dyshim se do të rrezatojë dhe do të ndikojë dhe në vende të tjera.

Sidomos aty ku demokracia, liritë dhe të drejtat bazike po vihen në dyshim nga qeveri e udhëheqës autoritaristë,

Ka ngjashmëri të realiteteve politike e zgjedhore të SHBA me ne këtu.

Njësoj edhe në Tiranë, industria e propagandës dhe e manipulimit të realitetit, e ndikimit në opinion përmes mediave e sondazheve, tenton të paracaktojë rezultatet dhe ka një axhendë armiqësore, agresive ndaj opozitës.

Njësoj, përndjekje gjyqësore ndaj kundërshtarit.

Goditje dhe tentative për asgjesim me mjete ekstrapolitike.

Kuptohet, veçantia jonë është ndoshta unike në botë, sepse Opozitës këtu i duhet të përballet pos të gjitha këtyre, edhe me bandat dhe me krimin e organizuar që janë aleati i vyer i qeverisë.

Ngadhënjimi i Trump tregoi se asgjë nuk është e pamundur.

Dhe është kaq e thjeshtë në fakt, ai e ka thënë me një fjali; Lufto, lufto, lufto – Fito, fito, fito.

Padyshim se lufta me rilindjen dhe gjithë konglomeratin e saj nuk është e lehtë dhe ka kosto.

Unë tani nuk jam aty ku duhet të jem, por i izoluar në një qeli të ngushtë dhe shkruaj këtë letër në një fletore që më pas e merr avokati im dhe bëhet publike, për shkak se lufta ime mërziti kryeministrin, prishi qetësinë e tij,  dëmtoi karrierën e Ministrit të Brendshëm dhe i prishi terezine grupeve të krimit të organizuar!

Pra kaq mjafton që të jesh në burg, jo vetëm pa prova, por me prova të falsifikuara dhe manipuluara, pa proces juridik të rregullt, pa kryer veprën për të cilën akuzohem. Thjesht e vetëm se denoncova faktin se vëllai i Ministrit të Brendshëm, ishte i denuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge dhe vijonte aktivitetin i lirë në Shqipëri me mbrojtjen e qeverisë!

Kjo nuk duhet të shkurajojë askend. Jam i bindur që nëse secili aty ku është, në rolin, në vendin e tij, në jetën e tij; lufton, lufton, lufton, ne do ja dalim. Edi Rama nuk na burgos dot të gjithëve. Ai është në të vërtetë një frikacak që duke e ditur mirë fundin që e pret, tenton të shesë si trimëri dënimin e kundërshtarit dhe shfaq gëzim malinj për këdo që burgos.

Ne e kemi edhe më të thjeshtë. Nuk kemi nevojë ta bëjmë Shqipërinë të madhe dhe një herë. Na duhet vetëm ta bëjmë vend normal, ta ruajmë, ta shpëtojmë nga autokrati malinj dhe ta heqim nga kthetrat e krimit!  Panorama

Tiranë, kongresi studentor: papunësia dhe emigracioni janë pengesa kryesore

Kongresi studentor në Tiranë

 

VOA

Organizata rinore të studentëve nga Shqipëria, Kosova dhe rajoni po zhvillojnë në Tiranë një kongres, për të diskutuar problemet dhe sfidat, që ata ndeshin aktualisht. Përfaqësues të këtyre organizatave pohuan për Zërin e Amerikës se papunësia, emigracioni dhe shkollimi i dobët janë pengesa kryesore në jetën e tyre.

Kongresi studentor i organizatave nga Shqipëria, Kosova dhe rajoni diskutoi mbi sfidat e të rinjve në Ballkanin Perëndimor, ku sipas folësve kryesorë mbizotërojnë emigrimi për shkak të papunësisë.

Organizata Qëndresa Qytetare, vlerësoi se administrata shtetërore dhe universitetet e Shqipërisë, për shkak të menaxhimit klientelist e pa meritokraci të tyre, nuk arrijnë që të përgatitin të rinj me aftësi të larta profesionale sipas kërkesave të tregut.

Drejtuesi i organizatës Qëndresa Qytetare, Migen Qiraxhi thotë për Zërin e Amerikës se largimin e të rinjve po e ndjejnë të gjithë sektorët e jetës publike dhe private në Shqipëri, ndaj qeveria nevojitet të ndërmarrë politikat e duhura për të frenuar largimin e të rinjve dhe angazhimin profesional të tyre brenda vendit të tyre.

“Fatkeqësia në vendin tonë është se duket që qeverisësit nuk e konsiderojnë problem largimin e qytetarëve dhe të rinjve nga vendi, duke e justifikuar me lëvizjen e lirë. Lëvizja e lirë është e nevojshme dhe e domosdoshme, por ne vlerësojmë që krijimi i kushteve dhe mundësive në vendin tonë, që qytetarët ta konsiderojnë si shtëpi të sigurtë, me arsim dhe kujdes shëndetësor, do t’u jepte mundësi gjithë qytetarëve që të mos e brakstisin. Unë mendoj që askush nuk e ka luksin që të ndahet nga familja, nga prona, nga kombi, por e gjithë kjo po ndodh me një tension shumë të madh social, i cili i bie vendit si barrë, një dramë që po e përjetojmë çdo ditë”, tha zoti Qiraxhi.

Nga ana tjetër Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka 8 vite që punon për integritetin akademik dhe kundër plagjiaturave në universitetet publike të Kosovës, si dhe aktivizmin studentor.

Dibran Hoxha, përfaqësues i organizatës, thotë për Zërin e Amerikës së Kosova përballet me migrim të rinisë, çka duket në uljen e numrit të studentëve atje, si dhe me një mosinteresim të studentëve për tu angazhuar në zgjidhjen e shqetësimeve kryesore, siç është cilësia e ulët e studimeve në universitete si dhe qasja e dobët me tregun e punës.

“Universitetet tona publike dhe kolegjet private pranojnë një numër të madh të studentëve pa patur një lloj strategjie as edhe kombëtare se si do të qasen këta të rinj në tregun e punës. Kjo bie si barrë në kurrizin e studentëve, të cilët shpenzojnë shumë mjete financiare për të kryer studimet e tyre. Në masë të madhe, sidomos studentët në kolegjet private nuk marrin studimet aq cilësore, dhe në fund pas diplomimit mbeten pa u qasur në tregun e punës. Kjo është sfida më e madhe me të cilën përballen studentë e të rinj në Kosovë”, tha zoti Hoxha.

Papunësia në Shqipëri dhe në Kosovë është më e lartë në radhët e të rinjve, ndërsa studimet kanë vërejtur mungesë të vendeve të lira të punës nga një anë si dhe vështirësi për t’u punësuar në ato profesione, për të cilat janë kualifikuar të rinjtë.

Në këtë takim të organizatave rinore të rajonit u theksua se universitetet nuk arrijnë ta bëjnë sa më efektive nga ana profesionale kohën që të rinjtë e të rejat shpenzojnë në auditoret akademike, sepse këto nuk adresjojnë kërkesat e kohës, ndaj të rinjtë lënë vendin e tyre dhe studiojnë e integrohën në vende të tjera.

SMS-të e Berberit për Benet Becin: 500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë për ne me dy klasë shkollë

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për ish kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, kanë zënë në grackë edhe kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci për implikim në afera gjatë kohës që mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të KESH.

Gjatë hetimeve për Berberin, prokurorët e SPAK mes të tjerash kanë sekuestruar edhe telefonin e bashkëshortes së tij A. Ruko.

Por ndonëse ishin nisur për të gjetur prova të mëtejshme në ngarkim të Berberit, në telefonin e zonjës Ruko, prokurorët kanë gjetur dhe disa komunikime mes ish kreut të rrugëve dhe ish drejtorit të KESH. Njëri prej tyre, më flagranti lidhet me një tender me vlerë 832 mijë euro të zhvilluar nga KESH për kontraktimin e një studimi për strategjinë e sektorit energjetik. Bashkëshortja e zotit Berberi ishte caktuar kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të tenderit.

Studimi, i cili do të kryhej në bashkëpunim me profesorë të Harvardit duket se kishte para për të ndarë edhe për dy ish zyrtarët, të cilët donin jo pak por mbi 40 për qind të fondit. Në një nga SMS-të e gjetura nga prokurorët e SPAK, duke ju referuar tenderit për studimin, Evis Berberi i shkruan Benet Becit: “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë.”

Por SMS-ja kompromentuese e Berberit për Becin nuk është prova e vetme. Më vonë ka rezultuar se prokurimi është kryer pikërisht ashtu.

Tenderi
Tenderi me objekt “Zhvillimi i Strategjisë për Sektorin Energjetik” u shpall nga KESH në 13 janar të vitit 2020 me fond limit të paracaktuar prej 69.5 milionë lekësh ose 695 mijë euro pa tatim mbi vlerën e shtuar. Bashkë me TVSH-në vlera e fondit limit ishte 834 mijë euro.

Në garë pati vetëm një ofertë, që ishte ajo e kompanisë Consulting & Management Albania SHPK në pronësi të biznesmenit Ervis Myftari, e cila ofroi ta kryente shërbimin me vlerën 69.35 milionë lekë pa tvsh ose sa 99.8 për qind e fondit limit.

Një ditë pas tenderit, KESH shpalli fituese pikërisht kompaninë e Ervis Myftarit, e cila me sa duket ishte instrumenti që do të ndante paratë sipas formulës 500 mijë për profesorët dhe 330 mijë për ata me dy klasë shkollë.

Image

Consulting & Management Albania është një kompani konsulence, e cila merr tendera publikë kryesisht në Albcontrol si dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Kjo kompani nuk kishte asnjë eksperiencë për studime energjetike dhe tenderi i vetëm që ka marrë në KESH është pikërisht ai për Zhvillimin e Strategjisë së Sektorit Energjetik.

Pronari i kësaj kompanie, zoti Myftari aktualisht zotëron dhe 8 kompani të tjera, të cilat janë të gjitha me status të pezulluar.

KLSH kapi korrupsionin me tenderin

Në vitin 2022, audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit mbërritën në zyrat e KESH për të audituar kompaninë. Mes gjetjeve që audituesit konstatuan në KESH ishte dhe ajo e tenderit 834 mijë euro për Zhvillimin Strategjik të Sektorit Energjetik.

Në raportin e auditimit, inspektorët e KLSH shkruajnë se tenderi ka një sërë parregullsish serioze, pasi së pari nuk ishte detyrë e KESH të bënte strategjinë e sektorit energjetik të vendit dhe së dyti, Shqipëria e kishte sakaq strategjinë e sektorit, e cila ishte kryer nga ministria e Energjisë në bashkëpunim me donatorët. Për më tepër, audituesit e KLSH konstatojnë se studimi i kryer nga kompania CMA dhe profesorët e Harvardit kishte vetëm informacione publike, lehtësisht të aksesueshme.

Image

Gjetjet e KLSH per tenderin 834 mije euro

“Të gjitha kërkesat e parashtruara nga ana e Grupit të Punës si detyrë për Konsulentin ose janë informacione të cilat kanë qenë lehtësisht të aksesueshme pa qenë nevoja për prokurimin e marrjes së tyre ose kanë qenë të saktësuara në VKM nr. 480 datë 31.07.2018 ‘Për miratimin e strategjisë kombëtare të energjisë për periudhën 2018–2030’,” thuhet në raportin e auditimit.

KLSH e ka klasifikuar procedurën si një punë të sajuar thjesht për të shpenzuar para dhe gjithë shpenzimin si dëm të pastër ekonomik.
“Rezulton se vlera prej 83,220,000 lekë me TVSH përbën përdorim pa efektivitet eficiencë dhe ekonomicitet për fondet e shoqërisë,” thuhet në raportin e KLSH. sn

Panik para Bashkisë së Tiranës, polici humb ndjenjat gjatë protestës së opozitës, qytetarët i vijnë në ndihmë

Ndërkohë që po mbahej protesta e opozitës para Bashkisë Tiranë, një nga efektivët është ndjerë keq dhe ka humbur ndjenjat.

Në momentin që polici është ndjerë keq ka qenë drejtuesi politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi ai që po mbante fjalën.

Ai ka kërkuar ndihmën e një ambulance ndërsa ka udhëzuar protestuesit e tjerë të të mos i qendrojnë mbi kokë e t’i lënë hapësirë të marrë frymë.

“Jepini ujë të lutem”, dëgjohet të thotë Këlliçi. bw

Reforma- Diskutohet shtyrja e moshës për pensionin social përtej moshës 70 vjeçare! Çfarë parashikon ndryshimi i ligjit të sigurimeve

Qeveria është përfshirë në diskutime që synojnë ndryshime në kriteret e skemës publike të pensioneve, një nga të cilat është shtyrja e kufirit të moshës për përfitimin e pensionit social.

 

Aktualisht personat që nuk plotësojnë kriteret përfitojnë në moshën 70 vjeç pension social, i cili ka arritur mbi 9 mijë lekë në muaj, por ndryshimet e fundit synojnë që pagesa të jepet përtej 70 vjeç.

Burimet nga grupi që po negocion ndryshimet në ligjin e sigurimeve pohuan se kjo masë synon të nxisë më tej pagesën e sigurimeve në personat në moshë pune.

Në vitin 2023 gati 40 për qind e personave që u deklaruan në punë nga Anketa e Forcës së Punës së INSTAT nuk paguajnë sigurime. Shumica janë të vetëpunësuar në biznesin e familjes pa pagë. Kjo kategori e cila merr të ardhura nga puna dhe nuk paguan sigurime është një kontingjent që nuk plotëson kushtet për pension në pleqëri.

Aktualisht burrat dalin në pension 65 vjeç dhe gratë rreth 62 vjeç, ndërsa personat që nuk plotësojnë kushtet për asnjë pension nga skema e detyrueshme kur bëjnë 70 vjeç përfitojnë pension social.

Në vitin 2023 skema publike e pensioneve shpenzoi 188 milionë lekë për pagesën e pensioneve sociale, e cila u përfitua nga rreth 2300 persona.

Ekspertë të sigurimeve pohojnë se numri i personave që do të përfitojnë pension social do të rritet ndjeshëm në vitet në vijim pasi po del në pension brezi i tranzicionit që nuk ka kontribuar në skemë për shkak të papunësisë ose punës në të zezë.

Ideja për të shtyrë moshën e përfitimit të pensionit social përtej 70 vjeç me gjasë 75 vjeç do të bëjë jo efektive këtë politike pasi jetëgjatësia e burrave aktualisht është rreth 76 vjeç. Koha e gëzimit të pensionit social do të jetë shumë e ulët si për burrat dhe për gratë.

Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë kur kanë jo më pak se 15 vjet periudha sigurimi dhe jo më shumë se 38 vjet periudha sigurimi dhe të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike.

Për arsye se nuk plotësojnë kriteret për pension të plotë më shumë se gjysma e pensionistëve marrin pension të pjesshëm. Pensionistët me pagesa të pjesshme lehtësojnë skemën publike të pensioneve nga rritja e shpenzimeve, por nga ana tjetër po krijohet një problem i madh social me qëndrueshmërinë financiare të moshës së tretë.

Problematikat e tranzicionit dhe informaliteti i lartë në tregun e punës po bën që pensionet e reja të dalin në vlera më të ulëta, vit pas viti./Monitor

Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin e Princ Lekës me 1.6 vite burg. Nuk shpëton as Elia Zaharia dhe babai i saj

Më 25 mars të këtij viti, Princ Leka, ish-bashkëshortja Elia Zaharia dhe babai i saj Gjergj Zaharia u përfshinë në një konflikt të dhunshëm në Oborrin Mbretëror. Palët bënë kallëzime për njëri-tjetrin.

Sot Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për episodin që u bë viral pasi Princ Leka kishte filmuar përplasjen me Elian dhe ish-vjehrrin e tij.

BalkanWeb mëson se organi i akuzës kërkon dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për Princ Lekën.

Prokuroria nuk ka kursyer Elia Zaharinë e cila dënohet me 6 muaj burg dhe 1 vit për babanë e saj. Gjithashtu, Prokuroria kërkon që dënimi t’iu konvertohet në shërbim prove, nëse të tre shpallen fajtor nga Gjykata.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës do të jepet në datën 13 dhjetor nga gjyqtarja Migena Laska.

Të tre akuzohen për veprën penale “dhunë në familje”. Princ Leka, Elia Zaharia dhe Gjergj Zaharia janë gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Nis sot Panairi i Librit 2024: Të lexosh do të thotë të jetosh, të zbulosh, të rritesh

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit njoftoi rikthimin e Panairit të 27-të të Librit, njërës prej ngjarjeve madhore të librit në Shqipëri.
Panairi, i cili nis sot, ashtu si edhe në edicionet e mëparshme, do të zhvillohet në hapësirat e Pallatit të Kongreseve. Motoja e panairit të këtij viti është “Të lexosh do të thotë: të jetosh, të zbulosh, të rritesh”.
Nën mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, kjo festë e librit që çelet nesër, do të vijojë deri më 17 nëntor, për t’u dhënë mundësi lexuesve të njihen me plot botime të reja.
Edicioni i 27-të i panairit përveç titujve të rinj për lexuesit sjell edhe takime me autorë e përkthyes, tryeza diskutimi mbi përkthimin, workshop-e, seminare, etj.
Pjesë e aktiviteteve të panairit do të jetë edhe “Sofaja e Librit”, që mirëpret shkrimtarë të ndryshëm.
Panairi do të finalizohet me ndarjen e çmimeve letrare. Nacional

Drejt dështimit- Pas largimit të emigrantëve, nga kampi i Gjadrit largohen edhe policët italianë

Forcat e policisë italiane të pranishme në ambientet e kampeve të emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës mësohet se janë përfshirë në një proces ndryshimi.

Sipas “La Repubblica”, nga 220 njësitë aktuale, numri do të shkojë në 170 persona për të garantuar menaxhimin e turneve dhe mbuluar shërbimet e nevojshme.

Ky mund të konsiderohet si një reduktim i ndjeshëm i kontigjentit të pranishëm në Shqipëri, i cili kur ishte plotësisht operacional dhe supozohej të ishte 295 njësi (personel), por në vend të kësaj nuk i kaloi kurrë 220 persona, duke përfshirë policë, karabinierë, financierë dhe policë të burgjeve.

Image

Duket se Roma zyrtare po has vështirësi për marrëveshjen për emigrantët, në lidhje me dërgimin e tyre në qendrën e pritjes dhe më tej, të izolimit në Shëngjin dhe Gjadër.

Të dy grupet që u dërguan në muajt tetor dhe nëntor u rikthyen pas vendimeve të Gjykatës italiane dhe problemeve me paditë e hapura deri në gjykatat europiane. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni gjithsesi shprehet e vendosur t’i shkojë deri në fund paktit qeveritar me kryeministrin Edi Rama.

Po ashtu mediat italiane shkruajnë se për qeverinë Meloni mënyra sesi po shkojnë procedurat dhe përplasja me drejtësinë për listën e vendeve të sigurta, është ‘më mirë’ që të përmbyllet me një përplasje midis Romës dhe Brukselit. Reagimi i parë i qeverisë Meloni pas rastit të fundit të emigrantëve që u dërguan në Shqipëri dhe që “u detyruan” nga një vendim gjykate të kthehen në Itali, ishte i menjëhershëm teksa u shprhën të bindur se gjykatësit janë gabim. sn

“Pensionet të ulëta në mbi 30 vjet”- Ekspertja: Arsyeja kryesore nuk është informaliteti, por korrupsioni dhe emigracioni

Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj, e ftuar në emisionin Open në News 24 deklaroi se pensionet janë të ulëta në mbi 30 vjet demokraci.

Nunaj tha se arsyeja kryesore se përse pensionet janë të ulëta nuk është informaliteti. Ajo tha se arsyeja kryesore se përse pensionet janë të ulëta është korrupsioni i lartë dhe emigracioni. Sa i përket informalitetit, Nunaj deklaroi se ky është një problem, që duhet ta zgjidhte vetë shteti.

Teuta Nunaj: Pensionet janë të ulëta në mbi 30 vjet. Edhe biznesi duhet të jetë i zëshëm. Informaliteti është prezent, por e thënë nga një drejtues shteti është paksa absurde, sepse është shteti që duhet të ulë informalitetin.

Informaliteti është arsye dytësore për mendimin tim. Arsyeja kryesore janë korrupsioni, keqmenaxhimi i fondeve. Një tjetër arsye është edhe emigracioni. bw

Kush është ‘Olsi’ që SPAK-u s’po e gjen dot? Si u favorizua kunati i Altin Hajrit për të dalë nga burgu kur u kap me armë

Arrestimi në Tiranë në muajin Janar 2021 i Julian Gjoshit, kunatit të Altin Hajrit, i shpallur në kërkim për vrasjen e Jan Prengës në ambientet e kompleksit ‘Golden’ në Shijak, ka mobilizuar Hajrin që të kërkojë ndihmë tek zyrtari i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja.

Mes Çyrbes dhe Altin Hajrit, ka një mori bisedash në aplikacionin ‘Sky’, ku Hajri kërkon që Çyrbja ta ndihmojë me qëllim lirimin e kunatit, pasi siç i shkruan ai në ‘Sky’, ‘…e mytën kalamajt, daja…’.

Në mesazhet e dërguara del dhe ndihma që ka dhënë një personazh i quajtur ‘Ols’, i cili dyshohet se është funksionar i Drejtësisë, mik i Jurgis Çyrbes, por pa dalë se kush është konkretisht.

Julian Gjoshi, ishte arrestuar në mbrëmjen e 18 Janarit 2021 për akuzën e ‘Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve’, si dhe ‘Drejtim mjetit në gjendje të dehur’. Bashkë me të ishte në makinë dhe një person tjetër, i quajtur Edvin Barçi i thirrur me nofkën ‘Boli’.

Më poshtë është fotoja e pistoletës ‘Bereta’ që policia e sekuestroi në makinën e Julian Gjoshit mbrëmjen e 18 janarit në Tiranë. Julian Gjoshi qëndroi vetëm 11 muaj në paraburgim dhe më pas doli në 23 dhjetor 2021, vetëm 7 ditë para Vitit të Ri.

Por teksa Gjoshi, mbahej i arrestuar në ambientet e Policisë së Tiranës dhe pritej të dilte para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë, kunati i tij bisedon në aplikacionin ‘Sky’ duke e njoftuar për arrestimin e kunatit.

Altin Hajri i shkruan në ‘Sky’ Jurgis Çyrbes si më poshtë vijon:

 ‘…kan kap kunotin tim me pistoletë… Mos bëjmë naj gjë. Është kunati me gjith atë ‘bolin’ që rrin aty ke unë. Paktën ta maj një dali nji, shif naj ‘arrest shpia’. Sa lek dun veç ta qisim. Me fol direkt, se dun kap tani. Se mos bëjnë provën. Japim 10 mijë euro veç të na e prishi atë mrrokllën (Pistoletën)…’.

Më tej Altin Hajri, vijon t’i shkruajë Jurgis Çyrbes duke i thënë:

‘…se arma qeka veç për gishtat…se po se marove ti s’kam kujt me i thën, me veç prish gjëlponën. Kërkoje vëlla, sa lek të dojn veç du t’ja maroj se më mytën kalamajt daja…. Jepi 20 mijë euro sa dojn ai, veç ta mbarojë…. Më 21 del në gjyq. Faleminderit dhe prej teje, të fala bëj Mikut tat Olsit…’.

Personazhi ‘Ols’, duket se ka luajtur një rol të veçantë për lehtësimin e pozitës juridike dhe masës së sigurisë për të arrestuarin Julian Gjoshi. Kjo pasi në 21 janar 2021, ashtu siç shkruan Hajri në ‘Sky’, Julian Gjoshi ka dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.

Gazetari Elton Qyno, shkruan se gjykata e Tiranës ka marrë në 21 janar 2021, ku gjyqtari A.B me kërkesë të prokurorit të Tiranës, H. M, ka caktuar për Julian Gjoshin ‘arrest me burg’ me afat 21 ditë.

Prokurori H. M, megjithëse ishte koshient se arma ishte luftarake dhe pa leje, ndryshoi qëndrim gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore për Julian Gjoshin, ku nga qëndrimi fillestar ‘arrest në burg’ pa afat që kërkoi para gjyqtarit A.M, ndryshoi në një qëndrim të dytë në ‘arrest në burg’ me afat 21 ditë.

Ky ndryshim qëndrimesh, për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit Julian Gjoshi, u argumentua nga prokurori me arsyen deri në daljen e rezultatit të aktit të ekspertimit balistik të pistoletës së sekuestruar nga policia.

Nisur nga kjo situatë gjyqtari i Tiranës A.M, ka pranuar kërkesën e prokurorit të çështjes, duke caktuar masën e sigurisë ‘arrest në burg’ me afat 21 ditë, për kunatin e Altin Hajrit, Julian Gjoshi.

Në komunikimet në vijim në aplikacionin ‘Sky’, Altin Hajri i shkruan Jurgis Çyrbes që të falënderojë personat që e ndihmuan për mbylljen e problemit të kunatit të tij, Julian Gjoshi, moment gjatë të cilit i ka kërkuar që ta ndihmonte lidhur me problemin që kishte me organet ligj zbatuese.

Altin Hajri i shkruan Jurgis Çyrbes sikur të ishte një rrobaqepës jo si një person në kërkim nga policia, ku pasi e falënderon për ndihmën e madhe që i ka dhënë për kunatin e arrestuar, kërkon nga Çyrbja masat trupore për një person, mikun e tij të quajtur ‘Ols’, i cili sipas bisedës ka dhënë një ndihmë të çmuar në zgjidhjen e këtij rasti të arrestimit të kunatit me armë pa lejë.

‘…Ok shum mirë ke bë, meri masat me stil t’ja mar, ja dy Kustume…’-i shkruan Jurgis Çyrbes, personi në kërkim Altin Hajri.

Ndër të tjera personi në kërkim Hajri i shkruan, Jurgis Çyrbjas, si më poshtë vijon:

‘…ma kanë dhonë fjalën, veç po presin një letër porosi dhe jam ‘ok’ vëlla. Ka mundësi ai se është burri mirë ky tani, që është Ministër vlla. E ka shum shok me than shife vet aman, se më prishin shumë punë, se po i rregulloj ishalla këtë muaj që vjen. Dhe Ols, e ka bo punën e vet vëlla, thuaj faleminderit shum thuj…. Mos harro se e ka bo punën e vet se i kishte thonë avokatit, është porosia shefit. Për Ols vëlla, plus ka qën ke avokati vet 2 herë, e ka bo punën e vetë. A kupton ça po të them. Për atë mikun tat që pate shku ti po të them takoje, thuj falemindërit dhe më bjerë masat t’i boj nja dy kustume që t’ja çosh. Po për zotin është porosia shefit, kishte thënë avokati i kishte thon dum avokat po për zotin e mall e ka bë të vetën. Më tha avokati, e ka bo si burrat ai tha se ai nuk përzihet tha, se avokati e ka robin e vet ai, rrofsh vëlla. Shif aman të bojnë ca ndryshime këtu ke lagja dhe ja dy vene tjera që ti marim 100 për 100. Ok shum mirë ke bë, meri masat me stil t’ja mar, ja dy Kustume…’.

Por në datën 2 shkurt 2021, përmes aktit balistik Nr. 1159 të kryer nga Instituti i Policisë Shkencore, është konkluduar se arma pistoletë që ju kap të arrestuarit Julian Gjoshi, ishte në gjëndje teknike e rregullt dhe kryente qitje normale.

Dhjetë fishekët e sekuestruar hyjnë në kategorinë e plumbave standard luftarak të kalibrit 9 mm. Ndërkohë gëzhojat e regjistruara në sistemin ‘Arsenal’, ka rezultuar se nuk u identifikuan të qitura nga pistoleta e sekuestruar tip ‘Berata’ me numër serial Pj12535.

Nisur nga ky konkluzion shkencor, sërish prokurori i Tiranës H.M, në datën 9 shkurt 2021 ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë ‘arrest në burg’ për të arrestuarin Julian Gjoshi, kunatin e Altin Hajrit.

Ndërkohë që një ditë më pas në datën 10 shkurt, gjyqtari i Tiranës A.M, ka pranuar kërkesën e prokurorit duke lënë në burg Julian Gjoshin. Ky vendim në 19 Prill 2021 është lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit Tiranë.

Nuk ka kaluar shumë kohë dhe në muajin qershor 2021 çështja hetimore  kundër Julian Gjoshit është dërguar në gjykatë për akuzën e ‘Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve’ dhe ‘Drejtimit të mjetit në gjendje të dehur’.

Dosja është marrë në shqyrtim nga gjyqtarja Shefkie Demiraj. Julian Gjoshi ka hyrë në këtë proces me gjykim të shkurtuar dhe prokurori i Tiranës H.M, në pretencën e tij ka kërkuar para deklarimin fajtor dhe dënimin përfundimtar të Julian Gjoshit me 4 vjet burgim për dy akuzat e mësipërme.

Në 23 dhjetor 2021, gjyqtarja Shefkie Demiraj, vendosi të pranojë pretencën e prokurorit, duke dënuar me 4 vjet burg Julian Gjoshin, kunatin e Altin Hajrit.

Por në ndryshim nga prokurori, gjyqtarja Demiraj vendosi të aplikojë nenin 59 të Kodit Penal, duke urdhëruar pezullimin e vuajtjes së dënimit me burg, duke e liruar nga qelia Julian Gjoshin dhe vënë atë në shërbim prove me kushtin që gjatë një periudhe 3 vjeçare ai të mos kryejë asnjë vepër penale.

Por rezulton e provuar se këtë kusht të vendosur nga gjykata e Tiranës, Julian Gjoshi, nuk e ka respektuar pasi në 25 prill 23 është përfshirë në një aksident rrugor duke goditur me mjetin e tij ‘Land Rover’, shtetasen Stejsi Çela. Kjo çështje tashmë është pushuar nga prokuroria e Tiranës. sn

Koeficientët e rinj, si do të ndikojnë te skema për përllogaritjen e pensionit! Rritet masa e përfitimit për mijëra të moshuar (Formula)

Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të aplikojë pagat e reja për efekt të llogaritjes së pensioneve për qytetarët që dalin rishtaz në pension.

 

Aktualizimi i pagave para ‘94 do të bëhet me koeficientin 13.5 për qind, ndryshe nga një vit më parë, duke u reflektuar në këtë mënyrë në nivelin e pagave për 83 profesione. Për dy vitet e fundit, pra për 2023 dhe 2024, nuk aplikohet formula e indeksimit, por pagat referohen aq sa janë, pra të paindeksuara. Vendimi është marrë në mes të vitit dhe ka marrë miratim edhe në Këshillin e Ministrave. Çdo vit, afro 20 mijë qytetarë që dalin në pension përfitojnë nga aktualizimi i pagave me qëllim rritjen e masës së përfitimit.

“Ky projektvendim do të krijojë mundësinë e rivlerësimit të pagës mesatare mbi të cilën llogaritet shuma mujore fillestare e pensionit, për të gjithë personat që do të marrin pension nga data 01 korrik 2024 e në vazhdim. Koeficienti, parashikohet të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për mbi 20 mijë persona, duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura”, – bën me dije ISSH.

KUSH PERFITON

Ashtu si çdo vit, krahas indeksimit të pensioneve, qeveria harton edhe koeficientët e rinj, mbi bazën e të cilëve llogaritet masa e pensionit për ata që sapo dalin në pension dhe jo për të gjithë pensionistët. Kjo sjell automatikisht ndryshim të formulës për llogaritjen e vlerës që përfitojnë të moshuarit. Kështu, bazuar në tabelën me koeficientet e rinj (sipas tabelës përbri shkrimit) një person që në vitin 1994 është trajtuar me një pagë prej 7 mijë lekësh, kjo shumë do të shumëzohet me koeficientin 10.799 dhe për llogaritjen e pensionit do të merret parasysh paga prej 75 mijë e 593 lekësh.

Zakonisht, për caktimin e masës së pensionit merret në konsideratë paga me të cilën janë paguar kontributet ndër vite, por për shkak se pagat gjatë kohës së ish-kooperativave bujqësore, por edhe në vitet në vijim kanë qenë të ulëta, qeveria cakton çdo vit koeficiente të rinj për të marrë një pension sa më real për periudhën që pensionistët jetojnë.

FORMULA

Për llogaritjen e pensionit përdoret formula:

PP (Pensioni i Pleqërisë) = PS (Pension Social)* (shumëzuar) vjetërsi kontributive të realizuara/ vjetërsi kontributive që kërkohet + 1/100* (shumëzuar) vite sigurimi* BV (baza e vlerësuar). Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit.

Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit, si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994.

/Gazeta Panorama


Send this to a friend