Tarasi, kishte ardhur t’i kërkonte ata të dy, Vjosën dhe Besnikun… Me me nuhatje, i kishte gjetur. Besnikun e kish futur në torbë, se ai e kishte atë shëmbëllim bindjeje dhe përkimi… siç ngjante nga pamja. Sherri që s’pranonte trekëndëshin ishte Vjosa, personazh i panjohur, që s’i merrej vesh domethënia, e kjo ishte aventura e natës dhe e sofrës, të cilën nga do që ta rrotulloje, nuk i gjendej drita.
…Vijim
******
Tri kokat që faleshin rreth asaj sofre, gjëllinin për fatin e tyre, në luftën që kish filluar. Ata dukeshin sikur ishin bashkuar, por ishte e pavërtetë, ishin po aq të ndarë. Duke lëvizur sërish duart në sekanten e rrethit të sofrës, Enver Hoxha goditi me gisht mbi dru, si të kishte marrë një vendim…
“… ky Mehmet Shehu duhet ta dijë, se mua nuk ma shtyp dot, pasionin tim…”, po tirte ai, në vete. Kishte arritur puna tek s’mbante më, duhej provë në atë që po ndodhte, se kundërshtarët e grupeve komuniste, sidomos ata të “Grupit të të Rinjve” kishin sulmuar, si nuk ia priste mendja. Vlora komuniste, rrezikohej nga kthetra të panjohura si Fraksioni, ndaj Tarasi, s’kish alternativë tjetër, veç kahjes që kishte zgjedhur, kësilloj vendosi që të niset vet në luftë, drejt Vlorës. Askush nuk e besonte se ai do ta ndërmerrte atë aksion të jashtëzakonshëm për shpartallimin e Fraksionit. Delegatja, e cila kish kohë që rrinte pas tij, edhe asaj mbrëmjeje, ishte në kanape e po rrokulliste një lëmsh fijesh, duke lozur, si të ishte fëmijë.
Ai po e ndiqte, ndërkohë që mendja ishte tek e nesërmja që e priste për udhë. Ata ndodheshin në shtëpinë e Fahrijes… këtë emërtim përdornin, e kurrë nuk ia zinin emërin në gojë Bahri Omarit që e njihte e gjithë Shqipëria. Tarasi iu afrua edhe më shumë, duke ndjekur rrotullimën e fatit të lëmshit me të cilin po lozte e dashura e tij, komuniste. Kush mund të ishte pengesa që do ta mbërthente atë lëmsh e ta bllokonte!?
“Ai muti, s’është dukur!”, tha për Bahriun. Mbërthyen sytë tek njëri tjetri. “S’e kemi me atë…”, tha ajo…”… por me tanët që po bëhen përbindësha dhe po na hanë…harrove që ti po nisesh nesër për në grykën e ujkut…”. Delegati e kish zgjuar nga kjo përhumbje e dyshimtë. Ai ishte përgatitur për t’u nisur e për t’u përballuar me mbrapshtitë që po ndodhnin, ndër komunistët e Vlorës. Këtu ai fshihej në një shtëpi të gënjeshtërt të kunatit që kishte qënë themelues i Ballit Kombëtar, kurse vet nd?n? nj? pseudonim, Tarasi, shiste cigare, i mbulonte ata flokë të bukur nën një berretë të modës së fundit, kreshpëronte një palë mustaqe të zeza si korbi, dhe kërcente mbi këpucë angleze, zgjaste dorën me përdëllim, ndaj buqetës së gishtave, të vashës së zgjedhur, në kohë të bulëzimit dhe ardhjes së farës komuniste.
“Moj delegate!”, e kapërxeu mendimin duke e lënë lëmshin në hullinë e zgjedhur… “Moj…si e kemi harruar fare atë Spanjollin që na u poftis në Labinot, ai që bashkë me ty, më sulmoi…m’u kujtua se atij, ia kemi vënë një detyrë dhe ai nuk e ka zbatuar…apo jo?”, pyeti. “Si t’u kujtua! Ti po shkon për tjetërkënd! Ne po na marrin partinë nga dora! Po na e morën në Vlorë, humbi Tirana! Kurse ti kërkon të na largosh atë që na duhet më shumë!”, tha.
“Po ç’ka që më harliset para syve të mi?”, e ngau me vemendje fjalën. “Atë kalin e egër që hingëllin e që duket se nuk mbahet dot, ti duhet t’i gjesh gjuhën e ta afrosh butë e butë e plot tigani, në krahun tonë!”, këshilloi. “Mirë…mirë…por ai Spanjolli, duhet ta kish hequr qafe Xhepin! Po ç’të thom, ku i njohim dot njerëzit dhe shpirtrat e ligët, sidomos të atij njeriu që kapardisej si maçoku në thekërr…”
“Po të jetë kështu, më mirë mos e tako fare, se prish punë! Ky trishtim dhe kjo humbje shprese nuk më duket mbroth. Ne jemi komunistë e ti je shefi politik!”, e mbushi gojën plotë, Delegatja. Kurse ai, në të tijën e kishte një ngasje tjetër, atë të fatit që ishte nisur dhe se kjo e gjitha, ishte një aventurë komuniste. I shikoi pjesët e rekujzitës, mustaqet, çantën e shpinës, letrën e njoftimit fallco, stilografin vjenez që ia kishte vjedhur Bahriut, syzet e trasha… Fahrija bëri shenjë që do të thoshte se Bahri Omari, po vinte me shkopin e tij të fisnikut. Këta të dy, Tarasi dhe Delegatja, si të ishin përgatitur për një teatër Kukullash, dolën nga një hyrje e fshehtë
FRAKSIONI KOMUNIST I VLORËS
“Partia e ka Vlorën në duar të sigurta!”, e ndërtoi Tarasi fjalinë që do të shkruante, duke menduar në çast Hysni Kapon që drejtonte Qarkorin Komunist, e megjithatë ndjeu një ftohtësi dridhëse, kur solli në mendje Xhepin. Po përgatitej që të nisej për herë të parë në luftë, sepse ndaj fashizmit nuk kishte kryer asnjë akt tjetër veç disa trakteve në demonstratë. Epika e Vlorës (Ja do mbetet Vlora jonë ja do bëhet shkrumb e hi!) e rrëfente një udhë të dyshimit që shfaqej, nëse do ta kishte në dorë Qarkorin apo jo, dhe a do ta kishte të mundur pa mbështetjen e Vlorës? Kishte lindur Fraksioni, në krye të të cilit pritej të ishte Xhepi.
S’i kishte ndodhur më parë që prej vetes së tij t’i dilte një thirrmë e egër mbështjellë me urrejtje ndaj dy kundërshtarëve të tij që në krijimin e Partisë, Anastas Lulos dhe Sadik Premtes. Po pleksej brenda vetes si mbërthyer në tela me gjëmba, tek sillte në krahë të logjikës së tij ideologjike (që e kishte të pakët!), se si do të ndeshej me përçarës dhe sabotues të cilët kërkonin, t’ia merrnin drejtimin e Partisë nga dora. Ai po ndërtonte fraza të tjera që s’ishin dukur më parë as kur mallkonte fashistët: “dënim si agjentë të fashizmit si dinakë të rrezikshëm, aq shpirtligët dhe intrigantë, por… do të më shihni ju të dy, që jeni si dy qenë që kërcënoni Partinë! Gota tanimë është e mbushur plot dhe ajo ka filluar që të derdhet…”. “Duhet spastrim për të shkatëruuar dhe shpërthyer rrymën fraksioniste!
… Nuk e priste që në çastin kur do të nisej për në Vlorë, të vinte, si me porosi Dushani, për të cilin ai nuk kish asnjë lloj dijenie. Tarasi iu afrua dhe e kapi afërsisht mbi togzën e rripit të pantallonave, sa atij i dhëmbi. “Ne nuk e kemi lënë këtu, por, vetëm pasi të kthehem nga Vlora. Ti, Dushan e ke nakatosur edhe më shumë, dhe tani më dërgoni mua, kur duhet të më jepnit llogari bashkë me Muzhikun dhe Besnikun për rrezikun e Fraksionit”, tha Tarasi gjysëm me të qeshur, teksa autobuzi dha shenjë me burinë ulëritëse. “Erdha, se këtu më pruri Delegatja, ajo të zbuloi ty dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Mirë bëri, se unë kisha porosi të veçantë, për Spanjollin, atë duhet ta kesh në shenjë, në vëzhgim, se ai nuk iu ngjan juve, as përvojave tona që varen në ca lisa të goditur nga rrufetë, pra e kam me shumë rëndësi, ngarkojini detyra dhe shikoni se si, hëna komunsite do të jetë më e mirë”, tha Dushani.
Tarasi u çmerit, teksa po dëgjonte. Dyshoi se ai duhet të kishte diçka tjetër, që e mundonte, ndofta lidhur me Xhepin dhe fraksionin në përgjithësi. Dushani ia filloi sërish të vijonte, degën e këputur të asaj që donte të realizohej në eleminimin fizik të komunistëve trockistë. “Se unë nuk besoj asnjë nga Vlora që ta bëjë këtë vepër, se Xhepi i ka afruar, pothuajse të gjithë te gardhet e para komuniste, e ata janë kushërinj komunistë në luginën e lumit të Vlorës. Prandaj, ashtu siç e thamë edhe në Labinot, Spanjolli është njeriu i duhur, që i’ua ka sjellë fati ta shfrytëzoni, se me sa pashë, ai është një komunist kokëngjeshur edhe pse pakëz dogmatik…”, u zvarg ai ashtu i padurueshëm.
“Ore si shumë po më flet për Spanjollin, kurse unë po shkoj tek Besniku, Hysni Kapua!” Tarasi e kishte bezdi instruksionin e tij, por ishte i detyruar që ta mbante mirë me të. Sakaq në krahun tjetër të kasollës së Caracave, u duk Hysejni (Gogo Nushi). I gjeti duke folur dhe i dha një torbë të kuqe Tarasit, i cili e kuptoi se ajo ishte porosi për Besnikun, që e kishte harruar gjatë ditëve që ishte në Tiranë.
“Ju lagohuni të dy, se unë jam mirë dhe shpresoj se do të mbërrijë pa problem”. Kur ai hyri në autobus, ata dalluan nga pas një xhaketë doku të zezë dhe pantallona të fishkura, ngjyrë kaki. Kapela ia mbulonte flokët e tij të bukur.
Enver Hoxha, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviqi
Enver Hoxha, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviqi
NË VLORË…
Teksa po kujtonte se ishte përcjellë që nga mëngjesi tek Ura e Beshirit, e ndjeu rrotull një erë frike, se mos dallohej, ndofta e ndiqnin nga pas, e kjo do të qe fatale. Ishte hera e parë që ai po nisej në një udhë të rrezikshme, sidomos për gjendjen pas operacionit ndëshkimor që ishte kryer përgjatë lumit të Vlorës. Sikur ta kishe porositur, i rrëshqiti para sysh, si mbi litarin e pelivanit, Besniku. As u vu re se si u panë, se si ndoqën njëritjetrin, gjersa iu drejtuan qendrës së pazarit. Kur u gjendën përkrahë, Besniku i foli. “Do ngjitemi në këmbë rrugës që të çon në Kaninë. Aty do na presin dy kushërinj të mi me kafshë dhe do nisemi në Tërbaç. Shpejt, se mua më njohin këtu në Vlorë, sa më parë të largohemi!
“Tarasi po vinte vet në Vlorë si i dërguar i Konsultës së Aktivit të Partisë. Ato ditë ishte kthyer në Tiranë Liri Gega, që ishte dërguar me punë në Vlorë. Tarasi e kish thirrur, duke i tërhoqur vërejtjen pse ishte larguar nga zona në situatën më të rëndë, dhe duke i dhënë porosi të hollësishme.…Deri në Hysoverdh udha ishte e hapur se ishte zona e çliruar. Prej aty u nisën drejt Vaut të Shushicës, duke e zgjedhur rrugën me kujdes, që t’i shmangeshin ndonjë ndeshjeje me forcat e kavalerisë italiane. Gruaja me çitjane po ndizte një zjarr dhe zjarri u duk në sytë e të ardhurit që ishte në krye. “Si jeni, more çuna?”, tha ajo duke fshirë duart me futën e saj të gjatë. U kuptuan se ishin të lodhur e të pangrënë. “Doni gjëkafshë?”, tha.
“Bukë kemi në trastë, a na jep një copë djathë?”, tha Tarasi. “Po iu bëj djathë të tiganisur. Jemi në luftë biro, pushka do të hajë dhe po nuk pati bukë s’ka plumba…”, u mundua të thosh. Erdhi era gjalp. Nga Kropishti dukej lugina e Drashovicës. Tarasit iu kujtuan raportimet që i ishin bërë se si e kishin filluar luftën djemtë komunistë të Vlorës, atij po i shkonin ca drita dhe shtjella tymi nga gropa në gropë dhe nga maja në majë…ja në këto rrugë, në të cilat ai po kalonte për herë të parë. Ishin aksionet që i kish zgjuar e para Vlora dhe Lumi i Vlorës. Ndërmendi se si kishte kaluar operacioni ndëshkimor, në këto hapësira ku ai po kërkonte tjetër gjë… në vend që të vëzhgonte dhe të fryëmëzonte kryengritjen antifashiste. Gjormi, Vrizi, Gjërpënjtë e Gjormit që krijuan njësitin e parë, dhe frymëzim kishin pasur Xhepin, të cilëin ai kishte ardhur me qëllimin për ta eleminuar.
“Pse ndalove?”, pyeti Ymeri. Ai nuk iu gjegj. Diçka nuk shkonte e ai nuk kish gjunjë të ngjitej më tej. Pastaj shushuriu një gjethe në çukën e mretit të sapoçelur. I erdhi ajo rrymë e kundërshtisë së lindur në strehën e panjohur, të njeriut për të bërë pyetjen asgjësuese: “A do të pranonin djemtë e Vlorës që të shkëputeshin nga sinori komunist që kish mbjellë Xhepi?”. Të gjithë ligjërimet që kishte përgatitur për shkatërrimin e Fraksionit të cilat do t’i shprehte në fshatra të ndryshëm mund të bënin efektin e kundërt, ata mund të mos e pranonin.
E pse vallë? Po mund të thoshnin: “Se, ne akoma nuk e kemi shkrepur kundër armikut, kur ju vini e ndizni një zjarr për të djegur kasollen e sapo ndërtuar komuniste! Kjo nuk kundërshtohej dot. “Se mos po vjen për të bërë takim me nacionalistë që të kullohen ujrat e bashkëpunimit dhe ti vjen, që të marrësh vendime për të vrarë komunistët…?”.
“A lëvizim?”, tha Ymer Veshi dhe i bëri shënjë nënës së tij e cila rrinte gjithnjë në pararojë, për t’i hapur rrugën e sigurt Tarasit që vinte për herë të parë. I vinin njëra pas tjetrës si goditje… celula e parë komuniste në Vlorë, kish pasur në radhët e saj edhe djemë që tani ishin vënë në liste që të eleminoheshin. Që në mars të vitit 1942 u krijua njësiti i parë territorial me 13 djemë nga Gjormi, katër nga Tragjasi dhe një nga Vajza.
“Pse po më dyndeni kështu?”. Po acarohej me veten, për këtë dështim të madh që mund t’i ndodhte. Duheshin gjetur fajtorët. “Sa mirë që më shkoi rruga gjer këtu, po m’u hodh në erë, Ura e Drashovicës!”. Atij ia kishin rrëfyer një e nga një aksionet te të cilat ai nuk kishte asnjë ide, e as qarkore frymëzuese, për djegien e depove ushtarake në Mavrovë, të cilat u kryen nga Vangjo me shokë… shtatë ditë e shtatë netë, kur u përballën me njësitë ushtarake italiane.
Në Vlorë, tek Ujët e Ftohtë, u hapën depot për të marrë armët që u përndanë deri në majën e Qorres dhe të Këndrevicës. “Kjo është ura e Drashovicës?”, pyeti Tarasi. Ymeri tundi kokën. I ushtoi në vesh ai aksion që si# ia kishin rrëfyer, kish marrë dhenë e kish tronditur, jo vetëm Vlorën, por edhe gjithë Shqipërinë që të mos hynte asnjë këmbë italiani në Lumin e Vlorës. “Po, Qafa e Pëllumbit ku bje?”, pyeti prapë. “Pastaj, Ura e Kotës, e Pashalimanit dhe Mali i Bardhë…”. Të gjitha këto kishin pasur edhe fryëzimin e Xhepit të Vangjos, Difit, komandanti dhe komisari i “Çetës Plakë” të Vlorës. Këto aksione kryengritëse në format e para guerriliere, i kishin bërë fraksionistët…
Një gumzhimë shtypëse, po e ndjente gati në pambarim. Lumi i Vlorës sapo e kish marrë goditjen e rëndë, kur trupa xhandarëmërie shqiptare të Selim Kaloshit e Halil Alisë kishin kryer masakra ndëshkuese fshat më fshat kur pushtuesi fashist ngrinte shqiptarin kundër shqiptarit, për të treguar se pushtimi ishte i shumfishtë dhe ndjenja kombëtare kishte humbur, goja e Ballit Kombëtar ishte hapur edhe në shumë. Ai vendosi të ulej dhe bëri me shenjë nga Ymeri.
“Ti je prishur në fytyrë!”, i tha e ëma e Ymerit. Gjithë ai shtat i gjatë, e i bukur, ata sy që shkëndijonin, fjalët që i luante me hijeshi dhe argument, befas kishin rënë dhe ai po kërkonte që të shplodhej përballë Urës së Drashovicës. Kundërshtitë që u dukën që në fillim, ishin ato që lidheshin me pozicionin e Besnikut. Kjo kishte krijuar në fillim stepjen dhe tërheqjen e djemëve të Gjormit e që u përhap edhe më gjerë. As Muzhiku e as Besniku nuk e kishin kapur situatën, se nuk dëgjonte njeri. Kur i kishin marrë përgjigjet e informacioneve, Tarasi ishte këshilluar në fillim me Miladinin dhe Dushanin dhe ky i fundit kishte shpërthyer: “Shtypini pa mëshirë”.
…Përmes asaj nate fashiste, sipër strehës së Hysejnit, në Tiranë, kësaj radhe iu shtohej edhe ” …pa mëshirë!”. Kjo ishte një direktivë e parë që po i pushtonte, si prej një inspirimi Jakobin, pastaj Leninist. Po harroheshin direktivat e tjera që lidheshin me përgatitjen e kryengritjes së armatosur. Termi “Fraksion” u propozua nga vet Tarasi, për t’i dhënë direktivës së Konsultës së Partisë, një term ndërkombëtar. Duke e lakuar ditë dhe netë, e shihte këtë, jo si një rrezik për Qarkorin e Vlorës ku ishte Besniku, por edhe për vet atë. U ngritën dhe u nisën pa e shtyrë më bisedën. Ymeri nuk e ngacmoi por e kuptoi se medoemos, në mendjen e tij ishte thyer ndonjë vjegë, kush e di se ku, se ishte praglufte dhe hallet sa vinin e po rriteshin. “Moj ti Muzhike(Liri Gega), se ta kemi krehur bishtin si shumë, nën hundën tuaj ata kanë filluar të livadhisin.
Jemi komunist apo ç’jemi!”. Një zë i brendshëm fillonte të bente gjyqin e vështirë të vetes së tij. I erdhi sërish i njëjti zë pengues brendshëm. Ishte menduar që Xhepi të dërgohej në Skrapar dhe aty të gjendej një rast për eleminim. Po u ndërrua mendje dhe ai kthye sërish në Vlorë, me qëllim që të njihte situatën dhe të edukohej në zonën e Mallakastrës, ku ishte Spanjolli.
DREJT URËS SË DRASHOVICËS
…Besniku kishte nja dy orë që po i priste me shqetësim. I erdhi mirë kur pa se ata po ngjiteshin nga një rrugë e verbër, sikur t’i kishte porositur njeri. Duhej që me doemos të mos merrej vesh nga Gjormi, se Tarasi kish ardhur nga Tirana. Kjo përbënte rrezik se Xhepi ato ditë sapo ishte kthyer nga Mallakastra dhe reshperonte lartë e poshtë. Besniku kish marrë njoftim se Xhepi ishte takuar me Hysni Lepenicën, i cili ishte një figurë e njohur në lumin e Vlorës dhe një ndër komandantët e Ballit Kombëtar. Situata në Tërbaç, fshatin e lindjes së Besnikut, ishte bërë e rëndë.
…Ata u përqafuan në anën e një pylli të rrallë dhe të djegur pjesë pjesë nga një zjarr që sapo ishte shuar. Besniku ishte me katër shoqërues të tjerë. Tarasi i bëri shenjë që të dilnin e të flisnin mënjanë. Lehtas ata u shkëputën dhe u afruan tek trungu gjysëm i djegur. Qendronin në këmbë dhe trungu ngjante se i kishte ndarë në atë çast kur do të fillonin bisedën e këputur, ditë më parë kur Besniku ishte në Tiranë. Të dy, mezi e kishin pritur takimin. Besniku nuk e kishte marrë ende veten nga shkarja që kishte pësuar Qarkori, pas operacionit ndëshkimor, kur siç u tha nga të tjerë, Lumin e Vlorës po e hanin përrenjtë e tij. Kishte një padurim sa të shprehte frazën e parë, sepse një tmerr që s’dihej se nga vinte, po e torturonte. Besniku prej instinktit primitiv vetruajtës, e la të shfaqej, e në fakt, ai duhet që t’ia përcillte, gjithë ato që kishin ndodhur, kur ai vet, kishte ngelur gati si peshku në zall.
“Besnik, po mbahem më parë tek ti, se sa tek Partia! Duhet të më kuptosh, kam ardhur që të nxjerrim të vërtetën tonë komuniste në krye, atje ku ishte…ndryshe ne humbim!”. Besniku që s’e kish zakon që të ndërpritse fjalën, u ngut duke lëshuar ankimin: “S’u përfshiva në Parti për veten time, por për Shqipërinë!”. Tarasi hodhi sytë nga mali dhe u ndje më i sigurt. Shqisat e fshehura e kapën situatën dhe ai projektoi, atypëraty, një perspektivë të ditëve që do të rrinte në zonën e Vlorës dhe të Mallakastrës.”Ne duhet të bëjmë disa mbledhje populli për t’i sqaruar”, tha. “Kjo nuk është e mundur, se ka shumë turbullirë!”.
Një kontur i hallakatur i bardhushinës së faqes malore erdh’ e iu mjegullua edhe më shumë. Pati një lloj mpirje, por sharmi i bukurisë djaloshare ia mbuloi. “Nusja e Kuqe, e kam fjalën për Muzhikun, m’i solli lajmet”, tha me një lloj djallëzie të fshehur. “Unë i besoj asaj, por nuk kam besim tek Vjosa. A e more vesh se Xhepi u la i lirë dhe asnjë masë nuk u muar ndaj tij. Ç’i themi kësaj, dhe ja tani, nën hundën tonë Xhepi, po mban konferenca në fshatra”. Ata lëvizën pak më tej dhe anës ledhit me bar të djegur. “Besnik, po nuk shkatërruam fraksionin, ne të dy hidhemi në erë…”, tha Tarasi. Horizonti që u hap ishte shkurajues, por Besniku e mblodhi veten.
“Mos vallë edhe Vjosa po shket në gji të Fraksionit. Atij njeriu nuk mund t’i zë besë! Ti duhet të më ndihmosh që unë të qartësohem. “Besniku pyeti me të shpejtë veten e tij të ndryrë, se ç’t’i përgjigjej, dhe e mbylli duke thënë: “Ne e kemi Sekretar Organizativ! “Një pamje bestyte po shihej tek ngjitej në fytyrën e Tarasit. “Ai s’ka kryer detyrën që ia ngarkoi Partia. Pse?”, ndërmendej. Besniku, nuk mori zemër nga e folura e Tarasit, por e tronditi shumë opinioni që ai shprehu, për Vjosën. “Ka këtu nga ata gjërpënjt e Gjormit?”, pyeti duke ndjekur fillin e asaj gjuhës së brendshme të tij e cila zu të dilte. “Gjormjotët janë shkëputur! Tani janë të Xhepit…”.
Ç’t’i thoshte të tjera Tarasit? Duhej vënë në dijeni se ç’kishte ndodhur në Mallakastër. “Shoku Taras…po të raportoj se në Çorrush ka ndodhur një gjë e rëndë…” dhe u bë gati që t’i shpjegojë: “Është vrarë Xhemil Çakërri (Milo) dhe Hydajet Micolli (Dysheku) dhe është plagosur Neki Ymeri (Vangjo), komandanti i Çetës Plakë të Vlorës!”.
“Dhe ju nuk na njoftoni!? Prapë këto janë punët e bëra çorape të atij Spanjollit. Është lënë i lirë Ujku dhe janë vrarë lepuj!”, mezi e tha këtë fjalë e cila nuk i takonte ta thoshte një drejtues komunist.”Ata nuk janë lepuj, Milo është vëllaj i Difit (Qazim Çakërri) dhe ky ka qënë Komisar i Çetës Plakë për të cilin edhe ju keni marrë vendim që të eleminohen, e po kështu Dysheku, një nga luftëtarët tanë në të mirë.”, tha. Tarasin e mbërtheu një frikë e beftë, si të ishte një shpërthim biologjik, që ia ndryshoi pamjen e tij të hijshme. Lëngu i thellësive që s’dihej ku ishte, bashkohej me veprën e vdekjes, për lekujdimin e Fraksionit që po e shndërronte.
…I DËRGUARI
Duke u ngjitur nga ana e Tragjasit, dallohej pjerrësia dhe gremina që të tremb dhe të lodh. Nga thellësia e tij po vinte një trysni e panjohur. Kush kishte qenë ajo forcë që ia kishte prishur të gjithë planet, sa vetja i ngjante, si e një njeriu që kishte si mision që të bënte një vrasje me pagesë. E tëra ishte krejtësisht e ndryshme nga lufta e parë e gueriljve dhe atentateve mbi fashistët dhe bashkëpunëtorët, ku ai nuk kish marrë pjesë asnjëherë. Kjo që po ndërmerrte ai vet, në krye të luftës që po përgatitej, s’ishte në thelb të atij vrullit të tij të parë.
Kjo po i përsëritej gjatë këtij udhëtimi dhe sikur ia paralajmëronte për rrezikun e dështimit, se këtu, nuk ishte problem i asgjësimit të Xhepit, por e vrasjes së vetvetes…u mundua që të thellohej ai…”Si mund ta besh të njohur atë që është aty thellë e padukshme!”. Po i afroheshin shpellës. Arritën te zona e shkëmbinjëve. Frynte një brizë e lehtë freskie që ai e kërkonte në ato çaste të rënda. Kundruall ishte dielli që kulmonte drejt perëndimit. Ata u ulën para fytyrës së shpellës së lashtë që kishte hapur gojën. Besniku tentoi sërish që ata të uleshin pak mënjanë, sepse sqarimet e situatës para se të shkohej në vend, bëheshin më mirë këtu në natyrë, kur freskia dhe kumti i malit e largonte njëfarsoj, misterin e gjurmëve të eleminimit që ata kishin ndërmarrë. Të dy u shkëputën nga grupi shoqërues.
“Besnik, unë prapë po e kthej fjalën tek Vjosa, ç’na bëri!? Tani po mendoj më shumë për të. Ai është labirinth, i pazbërthyeshëm. Ngjarjet janë ndarë. Këtu në Vlorë është protagonist Xhepi, që helmon lëvizjen, ndërsa në Mallakastër, Vjosa që vepron me kokën e tij”. Besnikut nuk i erdhi mirë që Tarasi e zhvendoste vemëndjen, nga njëri tek tjetri. Po ecnin në errësirë nëpër ca gërxhe të thepisur. Sikur po ndiqnin ujq të tërbuar. Vetëm Besniku, i njihte këto shpate e mera bagëtish. Ishin në të hyrë të fshatit Mazhar. Besniku ia kish përsëritur disa herë dhe nuk i vinte mirë që t’i thoshte të njëtën gjë. “Sadik Premtja synon që të marrë në dorë Qarkorin e Vlorës se komandën e çetave e ka në dorë…Ai kërkon frenat!”, ia tha Besniku.
“E di! Për frenat kam ardhur! Nuk mund të fillojmë dot luftën pa menduar se kush do t’i mbajë frenat!”. Në përqendrim të shpirtit që rronte aty brenda, në një Qarkor të sëmurë, siç e thoshte Komiteti Central, Besniku po bëhëj fërtele nga kritikat, së bashku me Muzhikun që nuk po dukej më. Hapat shtypnin pirgun e dëshirave të njeriut i cili vraponte, në vise të panjohura, drejt së panjohurës së tij, drejt atyre konflikteve që s’i kish menduar kurrë…e këto konflikte kishin të bënin me frenat e Partisë…mirpo Partia, nuk ishte si një çiflig…Maja e malit mbeti pas dhe ata dolën kundruall Tragjasit. “Kam menduar se këtu mund të jenë Pali dhe Difin.”, u shpreh Besniku.
“Kam dëgjuar sikur ky Difi, kërkon të më vrasë mua…them se nuk është mendja e tij, por e Xhepit…!” Besniku e pati një trembje të shpejtë por nuk iu gjegj. Edhe ai kish dëgjuar po nuk e kish informuar. “Duhet të kemi kujdes se mund të diktohemi nga njësiti italian. Mund të jetë edhe Xhepi paralel, se ai ka dëgjuar se ju ndodheni në Vlorë”. U ulën fshehtas në një gropë të maskuar dhe pararoja doli përpara, në një shteg përmidis shtëpive të futura në luginë, poshtë malit. Gjatë gjithë rrugës që po bënte Tarasi, s’e kishte mendjen tek udha që zgjatej për të shkuar drejt objektivit. “Mos është fjala për diagnozën time…”.
Po hante veten teksa gjendej i fshehur në gropën e ngushtë. Ato që po shtjelleshin në brendësi, për lëvizjen komuniste, shkarkoheshin e përhapeshin pastaj në gjithë vendin. “Ata që shpresojmë se do të takojmë, janë që të dy shumë të afërt me Xhepin”. Tarasi u ngrys në qetësinë e prishur të shkurreve që u lënduan. Shoqëruesit erdhën dhe thanë pothuajse me një gojë: “Ata të dy Pali dhe Difi nuk pranojnë. E duan plumbin në ballë. Thanë se i deleguari duhet të vijë te ne”.
U nisën dhe për gjysëm ore mbërritën tek një shpellë tjetër më e vogël me grykë të zezë, ku dukeshin dy qënie që sapo kishin dalë nga nata. Ishte mistika komuniste aq e përhapur, se ata ishin të fshehtë se… ishte trokitja e një gjëje shumë të re, që po ndodhte, ata ishin betuar, se ishin për luftë ndaj fashizmit dhe klasave shfrytëzuese të cilat do t’i përmbysnin. Ndaluan rreth pesë metra larg, nga radha që ngjante sikur ishte krijuar me një regjisor në vendkomandë. Difi ishte nga krahu i djathtë dhe Palin e kish në të majtë. Pas nuk kishte njeri. Sipër kokave të tyre, ulej një dhëmb shkëmbor si stalakmit.
Ata të dy ishin në reliev më të epërm. Nuk ndjehej asnjë fjalë. Gojët e mbyllura dhe sytë që nuk shihnin njëri-tjetrin ishin pa orjentim. Shoqëruesit e Besnikut qysh më parë e kishin rrethuar vendin. Asnjë traditë nuk po respektohej, asnjë dialog nuk po pranohej dhe asnjë etikë e sjelljes vëllazërore nuk po dukej. Ata të dy nuk ishin të mirëpritur. “Iu mungon edhe një i tretë! Ku është Mehmet Shehu!? Apo ai rri pas shpine”, ky ishte zëri i vrazhdtë dhe vrastar i Difit ish-komisarit të Çetës Plakë, vëllai i të cilit Milua ishte vrarë te Mulliri i Kutës. Ai ishte i sigurtë se vëllanë e tij e kishte vrarë Vjosa! “Dif vëlla!”, foli Besniku. “Ku e gjete këtë vëlla?”, e pyeti Pali dhe vijoi: “Vëllai komunist vret vëllain komunist! Këtë po e sjell i deleguari juaj që është edhe i deleguari ynë!”.
Shpella qorre kishte vetëm një dhëmb që synonte dheun e gurtë.`”Unë jam që në krijim të celulës së parë, komisar Çetës Plakë. Dhe mua më vrisni vëllain. Tani keni ardhur këtu që të më vrisni mua! Me kë po luftoni ju?”, u ngrit si një lëkundje sëposhtëmi shpellës. Simptoma e ndjesive të sëmundjes, ishte e fshehur aty thellë dhe Tarasi i dha kurajo vetes që të mos fliste shumë, të mos sqaronte, se gjithçka ishte e padeshifrueshme. “Ne kemi ardhur si komunistë dhe si vëllezër! Ka një keqkuptim që ne do ta sqarojmë, Partia nuk vret! Ajo është krijuar që të sjellë jetë!”, u mundua Besniku.
Pali Tërova me një qeshje tërë sarkazëm iu përvesh: “Ju kujtoni se mua më terheq përhundësh Xhepi. Nuk më njihni! Dilni në popull dhe shikoni se ç’gjendje është! Vlora nuk iu treks Mbi kokat e kundërshtarëve, bisqe të sapodalë të pushtetit të njeriut, kërkonin se në cilin rresht e kishin vendin. Pas shpinës së Difit dhe Palit hapej një univers i zbarzët, e i panjohur…i asaj shpellës që synonte zemrën e malit. Kush po i gjykonte ata? Kush po i vriste më parë, se të shporrnin fashizmin që i kishte ngritur në luftë? Ai shikoi plot dyshim djalin e gjatë me baluket e gështënjë të mbuluara me një berretë të fërkuar. (Mos është vallë ky…ai i Dërguari i KC-së?”) hamendoi Difi…që nga gryka e shpellës.
Në mendjet e të dyve, të Tarasit dhe Besnikut ishin vendimet vdekjeprurëse të Partisë, ndaj fraksionistëve që kërcënonin. Përballja te shpella e Tragjasit, para se të shkonin në mbledhejn popullore, ishte një shpërfytyrim. Kjo, mesa kuptohej, vinte nga që Difi, sipas kanunit të Labërisë, duhet të merrte hak, për vëllain e vrarë, se nuk ia kish sjellë vdekjen lufta me armikun, por lufta midis komunistëve. Pak më parë Besniku e kishte informuar Tarasin se ç’i kishte ndodhur Doktorit kur kish shkuar për të sqaruar popullin, se si donin që ta mbanin peng… duke kujtuar se edhe ai kishte qënë ndër ata që çuan në vrasje të Milos dhe të Dyshekut.