Urimin tim për shqiptarët në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare do ta nis duke rikujtuar sa kam shprehur në librat e mi “Ta duam dhe ta mbrojmë gjuhën tonë të bukur” (SHBLU, 1998), “Urgjenca gjuhësore” (“Ada”, 2015 dhe “Naimi”, 2017 ) dhe në libra e shkrime të tjera sa herë ka qenë rasti për ta lëvduar e për t’u krenuar me vlerat përbashkuese dhe kombëtare të gjuhës shqipe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Më pëlqen ta theksoj dhe ta vlerësoj interesimin dashamirës për gjuhën shqipe e të ardhshmen e saj si tipar përbashkues i kumtimit dhe i marrëveshjes midis të gjithë shqiptarëve në trojet e veta ballkanike, si dhe të atyre që janë në diasporat e hershme (në Greqi, Itali, Zarë, Mandricë, Ukrainë etj.) dhe të grupeve mërgimtare më të reja në metropolet e Evropës, të SHBA-së , Australisë etj.
Të gjithëve sa jemi shqiptarë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi etj. gjuha shqipe na shërben si mjet komunikimi, si mjeti kryesor i shprehjes dhe i të folurit, po edhe si tregues e simbol i përbashkësisë etnike dhe shpirtërore e kulturore, si hallkë e fortë shqiptarie. Kjo përbashkësi është kënduar e lëvduar në vjershat e poetëve më të shquar të kombit tonë, të cilëve unë, në gati të gjitha shkrimet e intervistat e mia, u jam referuar dhe i kam përmendur me nderim e duke i çmuar si peng të çiltër qytetar e kombëtar. Kam cituar Naim Frashërin, bilbilin e gjuhës sonë, i cili na ngazëllen edhe sot me thirrjen e tij përdëllimtare: “Shqip të flisni përherë, fjesht e të papërzierë”, si dhe Fishtën, i cili me mllef e forcë të madhe, shprehet kundër fjalëve te huaja të panevojshme: “Dhe atij ju thaftë, po goja, që në gjuhë të huaj kur nuk asht nevoja flet e të vetën e len mbas dore!” Kam cituar sidomos Mjedën që thotë: “Kjoftë mallkue kush qet ngatërrime, ndër këta vllazën shoq me shoq, kush e ndan me fjalë e shkrime çka natyra vetë përpoq!” Prandaj, kërkesa për ta dashur, për ta njohur, për ta nxënë me baza të shëndosha gjuhën shqipe ka qenë dhe duhet të mbetet edhe më tej kërkesë me rëndësi të dorës së parë për shkollat shqipe, për administratën shtetërore e publike, për të gjitha botimet me karakter zyrtar e publik.
Së pari e kryekreje,sikundër e kanë shprehur edhe gjuhëtarë e studiues të tjerë të autoritetshëm, theksoj se krahas veprimtarisë gjuhëdashëse, që e ka pasur dhe e ka shprehur gjithmonë populli shqiptar, mbetet me rëndësi edhe veprimtaria gjuhëmbrojtëse e organizuar, prandaj në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare rikujtojmë kërkesën për domosdoshmërinë që Shteti dhe institucionet zyrtare e publike,që varen ose që lejohen prej tij, të zbatojnë politika mbrojtëse për gjuhën shqipe. Natyrisht edhe përkujdesje të veçantë për shkencën e gjuhësisë dhe veprimtarinë shkencore të organizuar në universitetet shqiptare dhe nga institutet shkencore dhe komisionet për mbrojtjen e gjuhës shqipe të Akademisë Albanologjike, të Akademisë së Shkencave dhe të Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe.
Ndaj gabimeve e shkeljeve të pafalshme e të përditshme të rregullave të shqipes së shkruar e të gramatikës së gjuhës sonë, po tregohemi të pandjeshëm e, madje, neglizhues. . Me ngut e me përgjegjësinë e duhur kërkohet të pastrohen e të rishikohen nga ana gjuhësore reklamat e televizioneve dhe titujt e titullimet e rubrikave, shumica e të cilave janë padrejtësisht e pa asnjë motivim bindës vetëm në gjuhë të huaja. Duhet të ndjekim shembullin e kombeve e vendeve të mëdha, si Franca, Anglia, Italia etj. që tregojnë shumë kujdes për ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhëve të veta amtare. Puna është ta përmirësojmë cilësinë e botimeve dhe të publikimeve zyrtare. Sekretaret dhe punonjësit e administratës shtetërore dhe të institucioneve të tjera publike, të mos merren me facebook-un, por të mësojnë si bëhet korrektimi me programin e drejtshkrimit të shqipes, që është realizuar nga një grup studiuesish të IA të Prishtinës dhe të QSA-së. Mbi të gjitha të shtohet kujdesi për pastrimin e shqipes nga barbarizmat dhe “kallëpet” e huaja të panevojshme. Me doemos duhet të vendoset autoriteti i gjuhës së shkruar shqipe dhe të gjitha botimet zyrtare të kalojnë më parë në redaktimin dhe korrektimin në përputhje me rregullat e drejtshkrimit dhe normat gramatikore.
Për këtë, edhe kohëve të fundit, kam shkruar te gazeta “Dita” si dhe jam shprehur në intervistën te “Provokacija” e Mustafa Nanos, si dhe në kanale të tjera. Kam shkruar sidomos në librin tim “Urgjenca gjuhësore”, të cilin do të dëshiroja ta lexonin, së paku disa nga ata që janë kundër mbrojtjes së organizuar të gjuhës shqipe dhe, për fat të keq, janë vetë ata që shkruajnë me gabime trashanike e me shkelje të normës drejtshkrimore deri në titujt e librave “shkencorë”.Koha jonë,me mundësitë shumë të mëdha teknike që zotërojmë, kërkon që kujdesi për drejtshkrimin dhe kulturën shkrimore të rrite e të jenë në një shkallë më të mirë. Mundësitë janë, shkollimi dhe diplomimi i masave të gjera të punonjësve e zyrtarëve është i lartë, por, për fat të keq, kujdesi dhe përkushtimi për shqipen e shkruar e të folur në mjediset e për funksione zyrtare e publike lë shumë për të dëshiruar. Këtë e kanë theksuar edhe shumë nga dashamirët e shqipes,si dhe shkrimtarë e mendimtarë të shquar, sidomos i ndjeri Arbër Xhaferi, akademikët Ismail Kadareja e Rexhep Qosja dhe shumë të tjerë. Që nga Amerika, gazetari dhe shkrimtari i njohur Skifter Këlliçi, i shqetësuar për gabimet e pafalshme në botimet zyrtare e në shtypin e shkruar, me shqetësim të ligjshëm kërkon të merren masa mbrojtëse për shqipen e shkruar në botimet zyrtare e në fjalimet publike. Pra, duhet të ecim pa u lodhur në udhën e mbarë që kanë këshilluar edhe të mëdhenjtë e gjuhësisë shqiptare. A.Xhuvani, E.Çabej etj. na kanë lënë porositë e pavdira se “pastrimi i shqipes nga fjalët e huaja, është një detyrë shkencore dhe kombëtare”, ndërsa akademiku Idriz Ajeti në Kosovë, në rrjedhën e jetës së tij të gjatë, ka përsëritur shumë herë më trishtim se “shqipja po derdhet në kallëpe të huaja”.
Në Ditën e Gjuhëve Amtare gjej rastin të ritheksoj se kam përkrahur dhe mbështes pa ngurrim idenë e Kryesisë së Akademisë sonë të Shkencave për krijimin e grupeve të punës e të bërthamave studimore për problemet më të mëdha e me vlerë kombëtare në fushën e historisë dhe të albanologjisë, sidomos për mbrojtjen e gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare nga bastardimi e keqpërdorimet e pafalshme.
Mendoj se është pikërisht koha që Akademia jonë duhet të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e shqipes dhe të veprojë që, sa më parë, të hartohet e të jetësohet kërkesa e saj për një mbështetje të re ligjore të Shtetit Shqiptar, ku të ritheksohet detyrimi për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar dhe i normës letrare kombëtare të gjuhës shqipe në administratën zyrtare e në të gjitha botimet me karakter zyrtar e publik. Në këtë kuadër, kohëve të fundit, kemi shprehur mbështetjen e plotë për punën e kujdesshme për mbrojtjen e shqipes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku është krijuar dhe ka filluar punën Inspektorati Gjuhësor, si organizëm që ka për detyrë të vrojtojë e të realizojë zbatimin e shqipes letrare në botimet zyrtare e në administratën publike. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ndonëse janë pakicë gjuhësore e etnike, po kërkojnë e po punojnë me ngulm për mbrojtjen e shqipes zyrtarisht. Ne duhet patjetër të krijojmë, së paku në Akademi, një komision a grup pune pikërisht për mbrojtjen e gjuhës, duke mos lejuar gjendjen e pakujdesisë dhe gabimeve trashanike që po bëhen në botimin e librave dhe në gazetarinë e shkruar e të folur. Në jetësimin dhe krijimin e një bërthame studimore e kërkimore për mbrojtjen e shqipes duhet të punohet me shumë kujdes e duke siguruar patjetër edhe bashkërendimin me Këshillin Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, por jo të mbetet vetëm sa ka bërë e sa do të bëjë Këshilli. Këshilli,qysh më 2004 kur u krijua, ka pasur karakter ndërakademik, por duhet ta bëjmë patjetër një Këshill Kombëtar e të ngjashëm me Këshillin e Mbrojtjes së Frëngjishtes e të Frankofonisë, i cili e ka qendrën në Francë, por që mbron frëngjishten në mbarë vendet dhe shtetet e tjera jashtë saj, ku flitet e shkruhet frëngjishtja. Edhe ne, me sa të jetë e mundshme, duke shfrytëzuar edhe hapësirat tashmë më të përshtatshme për shkëmbime e bashkëpunime me akademitë dhe universitetet në krejt hapësirat shqiptare në Ballkan e në diasporë, duhet ta ritheksojmë synimin mbrojtës të Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe.
Ndërkaq, me punën dhe shtjellimet e grupit të punës në Akademinë tonë, patjetër, ne duhet të japim shembullin e një përkujdesjeje për gjuhen shqipe, ashtu si po bëhet në Maqedoninë e Veriut nga Inspektorati Gjuhësor për mbrojtjen dhe zbatimin e gjuhës shqipe në të gjithë praktikën shkrimore e botuese. Ndaj gabimeve e shkeljeve të pafalshme e të përditshme të rregullave të shqipes së shkruar e të gramatikës së gjuhës sonë, po tregohemi të pandjeshëm e, madje, neglizhues. Me ngut e me përgjegjësinë e duhur kërkohet të pastrohen e të rishikohen nga ana gjuhësore reklamat e televizioneve dhe titujt e titullimet e rubrikave, shumica e të cilave janë padrejtësisht e pa asnjë motivim bindës vetëm në gjuhë të huaja.
Po ashtu, është e turpshme dhe e pafalshme që në gazetarinë e shkruar dhe në gati të gjitha emisionet e folura bëhen gabime trashanike, shtrembërime të emrave të krahinave e të qendrave qytetare,si p.sh. Betonalja e Shkodrës, në vend të Pedonalja, po aq më tepër kur edhe mund të thuhej shqip Këmbësorja.
Kam shkruar e folur me shqetësim për tri nga drejtimet dëmprurëse të shqipes së sotme në gazetarinë shqiptare dhe në botimet zyrtare. Së pari, se krahas vrullit për të mësuar sa më shpejt e sa më mirë gjuhët e huaja, sidomos anglishten dhe italishten, kohëve të fundit edhe gjermanishten,si gjuhë pune e punësimi në vende të ndryshme jashtë Shqipërisë, ka shpërthyer në mënyrë të shfrenuar pakujdesia, ndonjëherë, edhe shpërfillja e gjuhës shqipe letrare. Ka pasur diskutime e ”qarje” prej krokodili për gjoja zgjidhjen e pamirë të variantit letrar mbi bazën e toskërishtes, duke penguar kështu rrjedhën e mbarë të zbatimit të drejtshkrimit të njësuar dhe, madje, edhe duke rikthyer shumë fjalë të huaja të panevojshme, të cilat vite më parë ishin zëvendësuar me sukses me fjalët shqipe përkatëse ekzistuese ose të krijuara me brumin e shqipes.
Ka ndodhur dhe po vijon një vërshim i përshtuar dhe i pafrenueshëm i fjalëve të huaja të panevojshme, shtim i termave të huaj në vend të termave shqip që përdoreshin normalisht dhe nuk ka pse të mënjanohen. Kjo, qysh nga Kuvendi i Shqipërisë, të cilin, vetë ata që e përbëjnë (deputetët dhe drejtuesit e tij) në mbi 90 % të rasteve e quajnë ”Parlament” dhe jo shqip Kuvend, siç e ka emërtesën zyrtare. Së këndejmi edhe kryeparlamentar (në vend të kryetar i Kuvendit). Kanë hyrë e nuk pushojnë së hyri edhe jo pak mënyra të të thëni apo ndërtime sintaksore të papranueshme për shqipen, thjesht si ndikim nga gjuhët e huaja.
Politikanët dhe shtetarët janë ata që japin më së shumti shembullin e keq në përdorimin e fjalëve të huaja të panevojshme. Ata janë të parët që sjellin terma të huaj e të pakuptueshëm nga masat, si dividenti, inceneratori, rankimi i universiteteve, staf, bord, draft, prioritet, prioritar-e, guadria di financia, ekzil, moment, fluks, fokus, frustracion, risk e riskoj, premioj, lider, lidership, investigoj, interfeoj, interferim, konsensus, konsensual-e etj. etj. Fill pas tyre vijnë gazetarët dhe analistët, të cilët, nganjëherë si pasojë e përsëritjes së papeshuar e të pamenduar të asaj që dëgjojnë a regjistrojnë nga bisedat apo shkrimet e politikanëve e shtetarëve, po më shumë edhe nga pakujdesia e qëndrimi i tyre i pandërgjegjshëm, nga nguti e mosnjohja e shqipes dhe e fjalorit të saj, lëshojnë përbindshërira siç është, ndër të tjera, i famshmi ”komisioni bipartizan”, në vend të ” dypalësh, i dy partive, dypartiak a prej dy partish”; vrasje e dyfishtë, e trefishtë, e katërfishtë etj.(në vend që të thuhet shqip: vrasja e dy vetave apo e tre vetave etj.). Kështu, nga padija e pakujdesia e shkruesve dhe folësve (qofshin politikanë apo gazetarë) që e lëshojnë për herë të parë nga goja, fjalët apo termat e huaj bëhen si orteku që nuk e ndalon dot. Për të ditur kuptimin e tyre, siç shihet, do të duhej me doemos një fjalor anglisht-shqip dhe nja disa fjalorë të tjerë dygjuhësh italisht-shqip. frëngjisht-shqip etj. Huazimi i fjalëve të tilla, sidomos i anglicizmave (qoftë të marra nga anglishtja e BE-së, qoftë nga anglo-amerikanishtja) vijnë në shqipen në kuadrin e një dygjuhësie të çalë, d.m.th. nëpërmjet nëpunësve që jo vetëm nuk e dinë mirë anglishten, por edhe që nuk kanë as ndershmërinë, as përgjegjësinë më të vogël që, së paku, para se të flasin e të shkruajnë shqip, ato që i kanë lexuar a dëgjuar në anglisht, t‘i shohin se si përkthehen në fjalorët anglisht-shqip, të cilët tashti, fatmirësisht nuk na mungojnë. Kur dëgjon disa prej emisioneve radio-televizive publike e private të duket sikur jemi të pushtuar nga ndonjë ushtri anglishtfolëse dhe, që qysh nga pasthirrma “uau” e deri te intonacionet e shtrembërimet e imitimet e huaja, shqipja nuk ngjan më si gjuha jonë, por si një përzierje a ”hibride” e tipit të ”franglais” (frënglishtes), kundër të cilës me aq zell e atdhetari luftojnë prej vitesh francezët. Edhe neve na kërcënon sot rreziku i një ”shqipanglitalishteje”, prandaj, në qoftë se nuk duam që një shqipe e përçudnuar të përçudnojë edhe mendjen e shqiptarëve, duhet që shteti dhe krejt shoqëria e qytetëruar shqiptare të shkunden nga letargjia dhe të dalin nga mjegullnaja e kësaj shqipanglitalishteje që rrezikon të na kaplojë.
Ra tërmeti në nëntor dhe, sa herë flitej për atë fatkeqësi, u stërpërdor folja panikosem, a thua se shqipja nuk ka fjalë të vetat për të shprehur frikësimin, drithërimën, drojën etj. Por, puna nuk mbaron vetëm me qëndrimin ndaj fjalëve të huaja të panevojshme. Kanë marrë përmasa shumë të mëdha format e gabuara gramatikore në vend të formave të zakonshme e të mira të shqipes. Kaq dendur po këndoret forma e gabuar e tipit i tha atyre (në vend të u tha atyre), saqë shumëkush mund të mendojë se ajo është forma e drejtë. Më duket e rëndë të kujtojmë se në të gjitha librat e shkollës, që nga klasa e parë deri në mbarim të shkollës së mesme, shqiptarët kanë pasur e kanë këshillimin e formave të drejta (normative), si: u tha atyre, t’u kthehemi lajmeve nga vendi; t’u tregojmë të vërtetën etj, ( në vend të formave të gabuara, si i tha atyre, t’i kthehemi lajmeve etj.). Prandaj, është tregues analfabetizmi kur gazetari shkruan ose thotë me gojë: “X duhet t’i kërkoj falje maturantëve.(Në vend të formës së drejtë: t’u kërkojë falje maturantëve.)
Për turp e dëm të madh shkruhen në formë të gabuar dhe pa përfillur rregullat e pikësimit, që nga më e vogla, apostrofi. Na vjen për të qeshur (po më fort për të qarë), kur shohim se shkruhen pa apostrof format mi, ti, tu (mi dha, ti thuash, tu sjellësh), që edhe nxënësit e klasës së dytë të shkollës fillore e dinë se shkruhen me apostrof (m’i, t’i, t’u) dhe, çuditërisht, janë të shumtë ata që i shkruajnë me apostrof format ma, ta (?!) Kjo na kujton shprehjen urtake ”Bir, Selman i nënës, çfarë të të qaj më parë!”
Gabime të tilla, sa trashanike aq edhe qesharake, na kujton sa thoshte Faik Konica për analfabetët me diplomë: “Po sot shoh një turmë të errët prej analfabetësh me diplomë në xhep, që po i vërsulen shqipes dhe duan t’ i vënë thikën në kurriz, që ta gdhendin pas formës që u pëlqen atyre; se të gjorët kujtojnë që gjuha është një copë dru pa shpirt. Nuk dinë që është jo vetëm e gjallë, po dhe shumë e hollë, aq sa, po i shtrembërove pakëz një nyjë a një dell, trupi i tërë i tronditet, vuan dhe humb forcën bashkë me bukurinë“.
E përmenda këtë vlerësim të Konicës së madh sepse dua të ndalem më shumë në punën dhe peshën e gazetarëve e përgjithësisht të mediave të sotme në përdorimin e gjuhës. Pësimet e pamerituara të gjuhës shqipe në kohën tonë janë të tilla që, çdo gjuhëtari e dashamirësi të shqipes që ka ndonjë pikë gjak shqiptari, nuk mund të mos i vijë keq e të mos shprehë zemërim . Sidoqoftë, më tepër se çdo vërejtje a kritikë, në punën e gazetarëve dhe përgjithësisht të punonjësve të medias, të letrave e të skenës shqiptare, duhet të vlerësojmë rolin e tyre si përçues të fjalës shqipe, si përhapës të normave gjuhësore të sotme e të bukurisë së gjuhës letrare kombëtare që me aq mundim e kemi prurë deri në këtë shkallë. Kam shkruar e thënë disa herë se gazetarët janë edhe mësues të shqipes për masën e gjerë të lexuesve. Ky nuk është një vlerësim që e bëj vetëm unë. Bashkë me aktorët e skenës e të ekranit dhe shkrimtarët, armata jonë e gazetarëve shqiptarë ka në dorë më shumë se çdo mësues e pedagog (më tepër se universitetet a institutet e gjuhësisë) t’ i prijë për së mbari kulturës së gjuhës shqipe.
Le të jetë ky vlerësim edhe si kërkesë e urim i çiltër që të gjithë sa jemi, sipas detyrave e punëve që kryejmë, të tregojmë dashuri, po edhe kujdes e mbrojtje të përkushtuar për gjuhën shqipe, për gjuhën tonë amtare, që është, si thoshte Naimi ”sa e ëmbël, sa e vlerë”.
Komentet