SIMFONIA E SHKRONJAVE
Eureka:
– E gjeta trungun e lashtësisë
Ilirishten
“Formulën e pagëzimit”
“Mesharin” e Buzukut,
“Sibilat” e Bogdanit,
urtësinë, epikën dhe lirikën
e popullit tim
gjuhën e luleve
të Alpeve shqiptare,
gjenezën e fisit
ninullat e nënlokeve
pranë caranit të vatrës
në hirin e butë
e shkrova shkronjën e parë
zjarrit ia këndova himnin
çerepit ia përshkova perimetrin
saçit ia shtova durimin ndaj yjarrit
bukënoren mjaltë e ndava me Nexhatin,
shqiptarisht e shtruar sofra
luga me bilbil ëndërronte
shtegtarin e vonuar
për një kafshatë buke
me nder e besë…
Simfonia e shkronjave
- më thërriste në shoqëri –
pas juve u nisa
drejt shkollës,
për t’i mësuar të artat
shkronja të dashura, si nëna
të mëmës Abetare –
perla të kombit tim.
Ju jeni
burimi i diturisë,
ju jeni si drita,
ju jeni si dielli,
si ajri, si buka
si puthja e nënës,
breroni gjithkund.
Me ju mësohet
gjuha e urtësisë,
gjuha e dashurisë
jeni më të shtrenjta
se gjaku, se jeta
që kurrë nuk vyshkeni
shkronja në Abetare –
bukureza të diturisë!…
SHELGJET NË DIMËR
Dimër. Fërfëllizë…
Shelgjet si vasha të virgjërta
breg lumit rrin të mallëngjyera,
degët i kanë veshur fustanellash bore
mbi to nuk këndojnë kumritë,
as nuk thurin çerdhe turtulleshat
nëpër degët e tyre
derdhet veriu
viu, viu, viu
si Niagarë.
Vetëm zalli
i ankon, mëkon
dhe i thërret harabelat
nga shpati.
Lumi gjysmë i ngrirë
i përdredhon valët
për një përshëndetje bleroshe-
erëmimin e pranverës…
Kur do të marrë fund
Ëndërrimi i tyre ëngjullor
Për krahët e lejlekëve
Për cicërimen e zogjve
ashtu të gjelbëruara
të nusërohen në pasqyrën ujore.
SYTË E VOGËLUSHËVE SYBLERTË
Prej buzëqeshjes në buzëqeshje
Në cep të buzës si ujëvarë
Shkëlqen ylberi
Prej bregu në bregun tjetër
Ndërtohet ura sa mrekulli
Krenohet inxhinieri…
Prej bukurisë në bukuri
shtohet purpuri – margaritar
magjepset poeti.
Prej thellësisë në thellësi
në rrugën e kriptë del shëti
guaska e detit.
Prej katundit në katund
në shenjë nderimi si raketa
pahiten plepat.
Prej ninullës në ninullë
Arrijnë ëndrrat nga Kroi i Rritës
Përkundën djepat…
Prej lundrimit në lundrim
nga kaltërsia zbret albatrosi
palos krahët në kuvertë
Prej meridiani në meridiane
Nëpër ranishtet e praruara
“puthen sytë e vogëlushëve syblertë”
CICËRIMET E QERSHORIT
Në grunore mes kallinjve
sqep i praruar i laureshës
seç po rri në fshehtësi!
Dot s’ia shoh syrin mikeshës
Por cicërimet vijnë të brishta
në veshët e mi derdhën simfoni !
Gjerësisë së detit të blertë
në prehërin e televe të harfës
fantazia thellë më shpuri …
- Ore, – më thonë lulëkuqet,-
Janë cicërimet e qershorit
Kështu argjendohet gruri …
I DUA SHPIRTËRISHT
Ato shpate
me luleshpate
pranverohen pranverisht,
Ato shpate
me manushaqe ndajnate
thërrasin butësisht,
Ato shpate
me luleshpate në monopate
amësojnë kaltërsisht,
Ato shpate
me kroje plot fate
gurgullojnë freskisht,
Ato shpate
folëzat kat më kate
shtohen zogjërisht,
Ato shpate
edhe pa hënë nate
brerojnë shqiptarisht,
Ato shpate
Kështjellë Rozafate,
Cep më cep i dua shpirtërisht …
NË ODEONIN E BLERIMIT
DHE ATY
NË ODEONIN E DITURISË
ZË FILLI I DASHURISË
– Mirko Gashi-
Doli marsi
hyri prilli
zëartë cicëron
mbret trishtili…
Prilli rrit lulen
e maji ka nderin
nga shpatullat e qiellit
prej gurrës në gurrë
e shpalos ylberin…
Trishtili i lumturisë
bëhet kasnec i dashurisë
nëpër hartën e blerimit
vallëzon turtullesha
pas këngës së fëmijëve
xixëllonja haremadhe
e valëzon bajrakun
me shtatë pikë…
E – vocërraku nëpër bjeshkë
kërkon strall dhe eshkë
që ndjell pranverë
për një bareshë
me qengjat bandila
në kaçubë vjollcat
falin kaltërsi, erë …
KROI ME TRËNDAFIL
Vrullin ujë dy sylynjarë,
Trëndafili kupë lulëzuar,
Dielli me rreze – ujëvarë:
Vrullin ujë dy sylynjarë.
Trishtili me këngën e parë
Thërret për t’u freskuar,
Vrullin ujë dy sylynjarë
Trëndafili kupë lulëzuar
Jehon kënga serenadë
Faqet zambak – stoli,
Fëmijët vijnë mirjadë
Buzët i njomin freski…
VALLJA E DËSHIRËS
Buzagazi – bardhësia – çel hapësirës,
Ditës ia shtrinë çejzin kaltërsi !
Fëmijët nisin vallen e dëshirës :
Dita e re – shpresa e re – përsëri !
Sytë bëhen trishtila – faqet burbuqe
Kënga flatron me flutura bardhoshe.
Gishtat lozin bajrak me mollëkuqe
Shamia e gëzimit valon qoshe më qoshe.
Sa i dashur – Dielli – diell në duar –
Secilit i bëhet pranverë në gushë…
Shëmbëllen në një kopsht të praruar,
Që gëzim – dituri zemrat t’i mbushë …
*Nga libri “Guashkë me shtatë mërli”
Komentet