A ndërlidhet akti i dislokimit të armëve bërthamore taktike ruse në Bjellorusi me aksionet e koordinuara ruso-serbe për përshkallëzimin e mundshëm të luftës hibride në Ballkanin Perendimor, respektivisht mundësinë e “kapitulimit” të Serbisë në këtë rrafsh dhe pranimit të realiteti të ri politik në Kosovë?
Java që lamë pas pati ngjarje me karakter gjeopolitik global, me pasoja të mëdha, që pasonin njëra-tjetrën e që krijonin imazhin e botës në lëvizje të shpejtë. Kjo dëshmon se rendi botëror po shkon drejt kolapsit të shpejt, për rrjedhojë p na shpërfaqet gradualisht një bote të paqëndrueshme multipolare. Megjithatë, derisa të etablohen rregullat e reja të rendit të ri në ardhje, bota do të përjetojë trandje të ndjeshme në rrafshin e sigurisë dhe ekonomisë, siç dëshmoi java që lamë pas. Vëzhguesit e zhvillimeve në rrafshin gjeopolitik kanë shenjuar tri ngjarje ndër më të veçantat:
E para, rrëzimi nga ana e forcave ruse i dronit luftarak amerikan RQ-9 mbi Detin e Zi, në hapësirën ajrore ndërkombëtare, por që ishte shpallur nga Moska si zonë e ndaluar fluturimi si pjesë e “operacionit special ushtarak” të saj në Ukrainë;
E dyta, suksesi i Kinës, e cila ia arriti të pajtojë dy kryeprotogonistët në garën për dominim të Lindjes së Mesme — Arabinë Saudite dhe Iranin. Zyrtarët e lartë të këtyre dy shteteve rivale për shekuj në Pekin arritën një marrëveshje për rivendosjen e marrëdhënieve dhe hapjen e misioneve diplomatike.
E treta — paralajmrimi i Kremlinit për dislokimin e armëve bërthamore taktike në pika të veçanta strategjike të Bjellorusisë.
Sidoqoftë në epiqendër të këtyre zhvillimeve vazhdon të mbetet Ukraina dhe fronti i luftës.
Luftimet e ashpra po zhvillohen në lindje të Ukrainës, kryesisht në rajonin e Donbas-it, por edhe në rajonet fqinje, përgjatë kufirit të rajoneve Kharkiv dhe Luhansk, dhe gjithnjë e më shumë në rajonin e Zaporozhye-s. Viktimat janë të shumta nga të dyja palët, ndërkaq forcat ruse kanë iniciativën. Ata përparojnë ngadalë, por pa dyshim që arrijnë fitore taktike, duke pushtuar bastione më të vogla. Këto fitore, në mënyrë kumulative, kanë potencialin për të arritur sukses të një natyre operacionale, por vetëm nëse rusët marrin kontrollin e Bahmutit dhe Avdiivkës, dy qytete mjaft të mëdha dhe të rëndësishme dhe sigurisht bastionet më të forta të Ukrainës në Donbass në përgjithësi. Duke i pushtuar ato, forcat ruse do të kishin një rrugë të hapur drejt grumbullimit të fundit të madh në Donbas — qytetet Kramatorsk dhe Slovjansk, në veriperëndim të atij rajoni.[1]
Balta e dezinformatave dhe propagandës
Ukrainasit ndërkohë përballen me dy armiq të jashtzakonshëm: në njërën anë është balta e fushave të paana të saj, që po shndërrohet në një prej ndeshtrashave të pritura për furnizimin e forcave ukrainase (një baltë e njohur ukrainase që shfaqet gjatë sezonit të shirave), që paralizon çdo trafik automjetesh, dhe në anën tjetër, llumi i propagandës ruse, që duket se nuk është më pak e dëmshme se balta vendore.
Në betejën propagandistike prinë ajo ruse, por nuk është larg saj as ajo e perendimit dhe e vetkuptueshme ajo e Ukrainës. Fundja, Ukraina propagandën e ka armë legjitime të mbrojtjes, respektivisht si një “të keqe të domosdoshme”, që e përdorë për të maskuar aktivitetet e veta luftarake dhe në mbrojtje të vendit, jo rrallë edhe duke vënë në lajthitje armikun edhe përmes dezinformatave përmes analizave të gabuara që publikohen madje edhe në mediat perendimore.
Të kësaj natyre do ta cilësoja analizën e publikuar javën e kaluar në The Washington Post me një titull sinjfikativ: Ukraine short of skilled troops and munitions as losses, pessimism grow [Ukraina ka mungesë të trupave dhe municioneve të afta ndërsa humbjet dhe pesimizmi rriten]. [2]
Duke përshkruar gjendjen shpirtërore të ushtarëve ukrainas, në këtë artikull, nënvizohet mungesa e luftëtarëve cilësor, humbjet masive në frontet e luftës (120.000 luftëtarë tashmë të bluar nga makina e luftës), mungesën e vullnetit për luftë etj. Gjithashtu thuhet se, pavarësisht blerjes së paisjeve të reja ushtarake dhe stërvitjes
luftarake, komanda ushtarake amerikane beson se Kievi nuk do të ketë mjaftueshëm forca për të kryer një ofensivë përgjatë gjithë frontit gjigant etj., etj.
Këtij përshkrimi plastik nuk i mungon as gjuha e propagandës, respektivisht dezinformimit me stilin më të lartë të mundshëm. “Gjëja më e vlefshme në luftë është përvoja luftarake,” tha një komandant batalioni në Brigadën e 46-të të Sulmimit Ajror, i cili po identifikohet vetëm nga shenja e tij e thirrjes, Kupol, në përputhje me protokollin ushtarak ukrainas. “Një ushtar që ka mbijetuar gjashtë muaj luftime dhe një ushtar i ardhur nga poligoni janë dy ushtarë të ndryshëm. Është parajsa dhe toka.”[3]
Një gjuhë e stil tjetër propagandues vëmë re në mediat ruse. Sipas aparatit propagandistik të Kremlinit “Kievi po përgatit një ofensivë të madhe pranverore; se në sfondin e bregut perëndimor të Dnieper, drejt rajonit Kherson, ka tashmë të “transferuar 40,000 ushtarë” të gatshëm për ofensivë; se në vijën e parë të Donbasit, ushtarët ukrainas janë shumë të motivuar, që luftojnë për çdo rrugë dhe ndërtesë; se ata janë të pajisur shumë mirë dhe se tani po përdorin pothuajse ekskluzivisht paisje të ushtrisë së NATO-s. Po të kthehemi pas në pikat e betejave më intensive, si ato të Bahmutit, këto teza të mediave ruse duken të sakta, të paktën për nga motivimi, pra lufta e ushtarëve ukrainas për çdo rrugë dhe shtëpi. [4]
Propaganda ruse po e bën krejt të kundërtën ngasa ajo kishte bërë në fillet e kësaj lufte. Duket se ky stil i propagandës ruse është më shumë në dobi të alibisë për ofenzivën e pritshme në javët që pasojnë, me ç’rast pritet e ashtuquajtura “goditja vendimtare” për thyejen e rezistencës heroike ukrainase. Por nëse pala ruse flet hapur për ofenzivën e pritshme, as pala europiane ndërkohë nuk po kursehet në këtë plan, duke potencuar faktin se tashmë ka mbi 30 mijë forca ukrainase që janë duke përfunduar trajnimet e duhura me armët më moderne, e të cilët pritet të hidhen në fushën e betejës.
Berlini po rrit kontributin e tij nga 14 në 18 tanke, njoftoi Ministria e Mbrojtjes në Berlin të premten, në përvjetorin e parë të sulmit rus ndaj Ukrainës.
Me këtë vendim, së bashku me partnerët portugez dhe suedez, potencohet në këtë njoftim të ministrisë gjermane, “ne tani jemi në gjendje të sigurojmë një batalion të përzier ukrainas.” [5]
Sipas kryeministrit Mateusz Morawiecki, Polonia ka dorëzuar katër tanket e para Leopard 2 në Ukrainë.
Kancelari Olaf Scholz (SPD) nuk e fsheh se për javë të tëra, qeveria federale kishte bërë fushatë me partnerët e aleancës për të marrë pjesë në aleancë.
Rusia dëshmon gadishmërinë për përshkallëzim të luftës
Java e kaluar shterroi interpretimet që kishin të bënin me dronin luftarak amerikan RQ-9 mbi Detin e Zi, por ajo kulmoi me paralajmrimin rus për dislokimin e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi, me çka ajo de fakto shndërrohet në peng të lloit të vetë.
Ky paralajmrim sikur i dëshmoi jo vetëm diplomacisë perendimore, por edhe mjedisit publik të somnabulosur të perëndimit në raport me Rusinë, se ajo, pra Rusia, de fakto është “ariu tashmë i zgjuar”, d.m.th. i gatshëm për përshkallëzimin e luftës ashtu siç ka paralajmruar, në rast se gjykon se mund t’i cënohen interesat nacionale.
Në këtë rrjedhë të agjendave politike të vrullshme, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore njoftoi se drejtori gjeneral I saj, Rafael Grossi, do të realizojë javën e ardhshme vizitën e dytë në centralin e okupuar bërthamor të Zaporizhjës, ku ai dhe ekspertët e tjerë bërthamorë vazhdimisht kanë paralajmëruar për rrezikun e një kërcënimi bërthamor. Ndërkaq, sekretari i Këshillit Kombëtar për Siguri dhe Mbrojtje të Ukrainës, Oleksiy Danilov, pasi Kremlini njoftoi se do të dislokonte armë bërthamore taktike në Bjellorusi, pohoi se Minsku është “peng” i Moskës.
Në dobi të vënies së gjendjes nën kontroll dhe uljes së gjakrave, duket të kenë qenë
po atë natë kur u rrëzua droni amerikan, bisedat telefonike midis komandantëve të forcave të armatosura të dy vendeve, gjeneralëve Mark Milley dhe Valery Gerasimov, si dhe ministrave të Mbrojtjes Lloyd Austin dhe Sergey Shoigu.
Këtë ngjarje e pasoi vizita e presidentit kinez në Kremlin. Menjëherë pas takimit me Xi, Putin thotë se Rusia do të vendosë armë bërthamore taktike në Bjellorusi. Ky akt duket të ketë qenë i koordinuar.
Incidenti në Detin e Zi dhe sidomos pralajmrimi i Kremlinit për dislokimin e forcave bërthamre taktike në Bjellorusi mund të vë në lëvizje jo vetëm administratn e Biden-it drejt arritjes së një marrëveshjeje mes Kievit dhe Moskës, por edhe atë të BE-së.
Serbia në kërkim të rolit të ri gjeopolitik
Në këtë gadshmëri të defiluar nga pala ruse për përshkallëzimin e luftës do rilexuar dhe rigjykuar deklaratën e avoktit serb Čedomir Stojković, e cila do t’na ndihmonte për të nxjerrë konkluzione më të qëndrueshme. Avokati serb Stojković në një nga cicërimat e tij të fundit pohon se ai, në një intervistë për një media të huaj, paska ndarë njohuritë e tij “ se Vuçiç jo vetëm e dinte planin për pushtimin e Ukrainës, por ishte pjesë e planeve të Putinit për të nisur operacionin e tij special ushtarak (në B&H, në Kosovën veriore, në Malin e Zi) pas rënies. e Kievit. Kjo është arsyeja pse ai bleu shumë armë nga Rusia.[6]
Pikërisht ky fakt shpjegon arsyet reale përse diplomacia perendimore ndryshoi qëndrimin ndaj Serbisë, duke përshpejtuar përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi me Marrëveshjen e 27 shkurtit që u arritë në Bruksel, duke e u tërhequr nga sanksionet e paralajmruara për palën destruktive. Kjo tërheqje e diplomacisë perendimre sikur e trimëroi Vuçiqin, prandaj ai me qëndrimin e tij, bëri që takimi i Ohrit të rrëshqas në terrenin e dështimit të paralajmruar, pavarësisht se në çastet e fundit dyshja e diplomatëve të BE-së Borrel e Lajçak, ia dolën disi ta shpëtonin. Në kuadër të këtyre zhvillimeve vie edhe nisma joformale e inicuar në Shkup në 29 mars, në përbërje të të cilës janë: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Malit të Zi, që u lansua nën organizimin e Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, z. Bujar Osmani, megjithatë paralajmron skenarin e dytë të zhvillimeve gjeopolitike në rajon, atë të veprimit unik të katërshes pavarësisht rreshtimit të Serbisë. Kjo nismë joformale është në përputhje të plotë të katërshes në fjalë me strategjinë e BE-së në raport me rajonin, që do të reflektojë me përditësimin e çdo politike të jashtme e të sigurisë së BE-së dhe ShBA-ve, që nëdrlidhen me vazhdimin e luftës në Ukrainë.
Në ditët e javët në vijim ka gjasa të mësojmë më shumë për ndërlidhjen e aktit të dislokimit të armëve bërthamore taktike ruse në Bjellorusi dhe aksionin e koordinuar të tij në planin e përhkallëzimit të luftës hibride në Ballkanin Perendimor, respektivisht mundësive të “kapitulimit” të Serbisë në këtë rrafsh dhe pranimit të realiteti t të ri politik në Kosovë.
Deklaratat e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, duket se sinjalizojnë pikërisht gjasat për rishikimin gjeopolitik të kursit serb, respektivisht realizimin gradual të misionit të tij për tërheqjen e Serbisë në orbitën e interesave amerikane.