Ky dokument është një analizë e përgjithshme e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, për t’ia tërhequr vëmendjen opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend përshkallëzimi, duke u bërë gjithnjë e më agresive dhe destabilizuese për rajonin dhe duke krijuar një vazhdimësi të pakëputur të politikave që ndjek Serbia ndaj Kosovës, që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar.
Qëllimi i hartimit të këtij dokumenti është krijimi i një pasqyre të përgjithshme të rrethanave të krijuara në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, duke analizuar shkaqet, rrënjët e konfliktit dhe prapavijën e tij në kontekst të politikave rajonale, duke dashur t’ia tërheqim vëmendjen bashkësisë ndërkombëtare se perspektivat e errëta që ofron Serbia për rajonin do të njohin përshkallëzim në ditët, muajt dhe vitet e ardhshme. Kjo ndodh për shkak se shoqëria serbe, shteti dhe institucionet e tij, edhe përkundër mbështetjes së vazhdueshme të Perëndimit, nuk janë reformuar, nuk janë demokratizuar dhe nuk janë dekontaminuar nga idetë nacionaliste serbomëdha. Të gjitha idetë e reja të të integrimeve evropiane dhe euroatlantike, sapo të përballen me nacionalizmin serb, rrënohen si kështjella prej rëre.
Duke shfrytëzuar situatat e paqarta dhe ndonjëherë kontradiktore në Bashkimin Europian, përfshirë hezitimet tashmë të hapura të këtij blloku rreth zgjerimit të mëtejshëm dhe ambientin e brendshëm politik të shteteve të rajonit, politikat destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor kanë njohur trend rritjeje dhe janë bërë më agresive. Ngecjet në reforma dhe në demokratizim, pastaj krizat e njëpasnjëshme politike, korrupsioni dhe krimi i organizuar në të cilat janë përfshirë shoqëritë ballkanike, në përgjithësi kanë krijuar ambient të përshtatshëm për depërtim të papenguar të ndikimeve politike të financuara nga fuqitë me ndikim në rajon, siç janë Rusia, Kina dhe Turqia.
Për shkak të mënyrës së keqe të qeverisjes, Ballkani Perëndimor gjithnjë e më shumë po largohet nga politikat e BE-së dhe të NATO-s dhe po bëhet pjesë e boshteve asimetrike që lidhen me Euro-Azinë. Po krijohen koalicione të panatyrshme, të cilat në mënyrë strategjike i kundërvihen BE-së në planin ekonomik dhe politik, kurse NATO-s në planin e sigurisë. Këto koalicione janë duke suspenduar reformat e BE-së, në të cilat kanë ngecur këto shtete dhe janë duke siguruar dominimin ekonomik dhe politik të Serbisë në rajon, për të realizuar politikat e saj strategjike, kryesisht të nxitura nga Rusia.
KËRCËNIMI I SERBISË
Eskalimi i situatës para disa muajve në veriun e Kosovës, e ka bërë të domosdoshme edhe për bashkësinë ndërkombëtare një rikthim të vëmendjes tek sinjalet e qarta që jep Serbia, e përqendruar në gatishmërinë e saj për të rindezur një konflikt të ri me Kosovën. Tashmë duket qartë se kjo nuk ishte një situatë e krijuar “për përdorim të brendshëm”, siç mendohej, për efekte elektorale në Kosovë dhe në Serbi, por ka qëllime largvajtëse, sepse gjendja vazhdon të jetë e ngarkuar tej mase me retorikën luftënxitëse të Beogradit, me agjenda dhe premtime nacionaliste të liderëve serbë, me shqetësime rajonale në Republika Srpska në Bosnjë dhe në Mal të Zi, madje edhe në Maqedoninë e Veriut, me një trysni të fortë të Rusisë për shkak të pranisë së NATO-s në Ukrainë dhe të
një mori faktorësh të tjerë ndërkombëtarë, që mund ta bëjnë një konflikt të mundshëm në veri të Kosovës njëlloj “ventili shfryrës” të ballonit të mbushur me helium ndezës për tërë rajonin dhe më gjerë.
Duket qartë se Serbia nuk ka kohë të presë, sepse, nga njëra anë, premtimet nacionaliste i ka tepër të mëdha, kurse më anë tjetër, situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të qartësohet më shumë në muajt në vijim, veçmas në Republika Srpska, ku Serbia ka investuar shumë që të mos ndodhin reforma, të cilat mund ta ndryshojnë konfigurimin e këtij entiteti në raport me federatën kroato-boshnjake. Në këtë rrethanë, Serbia tani e ka të vështirë ta përballojë situatën që e ka krijuar në rajon, pa një eskalim të ri. Për Serbinë nuk kishte dhe nuk do të ketë rëndësi nëse do të ndodhë “çështja e tabelave” ose jo, nëse do të ndodhë ndonjë “veprim provokues” i Kosovës, sepse Serbia do ta krijojë një situatë të këtillë tensionimi, qoftë duke përdorur kalimet kufitare, komunitetin serb në Kosovë, kishat serbe, pronat ose rrugën pranë Manastirit të Deçanit, apo diçka tjetër të kësaj natyre. Sepse kjo tashmë është një rrethanë e sprovuar: çdo herë, disa ditë përpara se të paraqitet raporti i shefit të UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ta zëmë, në Kosovë duhet të ndodhë ndonjë incident sado i vogël, në mënyrë që diplomacia serbe dhe ajo ruse ta kenë kryefjalë rrezikimin e komunitetit serb në Kosovë. Kjo ishte metodë e sprovuar e Millosheviqit, e përdorur në Kosovë që në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Incidentet e nxitura janë teknologjia më e përdorur “diplomatike” e Serbisë në Kosovë dhe rreth Kosovës.
Të gjitha kërcënimet e Serbisë, qoftë me retorikë nacionaliste apo me vringëllimë armësh, kanë synim të arrijnë disa efekte të njëhershme: i) t’i sigurojnë pushtetit mbështetjen e një klase politike nacionalistësh të korruptuar; ii) të krijojnë pasiguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në favor Rusisë dhe Kinës, në politikat e tyre kundër NATO-s dhe BE-së; iii) të nxisë elementin nacionalist serb në Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë për destabilizim të shteteve përkatëse; iv) të shtrijë ndikimin e Serbisë në vendet që dikur kanë qenë sferë e saj e interesit; v) të faktorizojë Serbinë në të gjitha agjendat ndërkombëtare, duke i siguruar asaj primatin e dhunshëm në krye të shteteve të
Ballkanit Perëndimor.
Historikisht, Serbia është shkaktari kryesor i gjithë prapambetjes ekonomike,
shoqërore, infrastrukturore, arsimore dhe kulturore të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Aktualisht, ajo është pengesa kryesore e avancimit të këtyre shteteve në reforma dhe në
integrime evropiane, qoftë duke shkaktuar probleme reale të sigurisë, qoftë duke
ndihmuar për të mbajtur në pushtet agjenda politike joreformatore dhe jodemokratike.
Në këtë kuadër, Serbia në Kosovë është katalizator i të gjitha krizave politike, madje i
vetmi kuadër politik i brendshëm dhe i jashtëm që aktualisht dikton profilizimet e
spektrit politik të vendit, herë përmes veprimeve destabilizuese në momente kritike,
herë tjetër përmes një propagande të koordinuar me indikacione të kundërta.
Pas një përpjekjeje të gjatë dhe këmbëngulëse, e patrazuar nga SHBA-ja, BE-ja dhe
NATO-ja, Serbia ka arritur ta instrumentalizojë komunitetin serb në Bosnje dhe pakicën
e kësaj popullsie në Mal të Zi dhe Kosovë. Ajo tashmë e ka fituar dhunshëm “të drejtën”
për ta manipuluar politikisht këtë komunitet, për ta përdoruar atë sipas interesave të
elitave politike të Beogradit. Kjo praktikë e manipulimit të serbëve në vendet e rajonit
është vazhdimësi e një tradite të mëhershme, e përdorur gjerësisht në kohën e
Millosheviqit, tani e rikthyer në agjendën politike të Serbisë me të gjitha stereotipat e
saj.
Është për t’u vënë re se BE-ja, SHBA-ja, njësoj sikundër edhe NATO-ja dhe shtetet
anëtare të kësaj strukture të sigurisë, nuk bëjnë madje asnjë “qortim verbal” ndaj
Serbisë, madje BE-ja e lëvdon shpesh atë për avancim në reforma, duke mos i bërë
vërejtje as atëherë, kur presidenti i Serbisë, A. Vuçiq, kërcënohet se do të bëjë veprimin
më të pashembullt për Europën e sotme: të mbyllë kufirin me Kosovën për shqiptarët e
Luginës së Preshevës.
Tashmë është bërë praktikë e njohur e Serbisë që, sa herë që krijohen “çarje” të mëdha
ose të vogla me Perëndimin, ose të ketë ngecje në avancimin e marrëdhënieve me BE-
në, përfshirë edhe ndonjë ngecje në ndihmat financiare që përfiton nga BE-ja, Serbia
gjen mënyrë ta shantazhojë NATO-n dhe BE-në, duke forcuar aleancat me Kinën dhe
Rusinë, veçmas me Rusinë, herë duke i bërë shtetit rus ndonjë koncesion ekonomik ose
tregtar, por më shpesh me marrëveshje ushtarake ose kontrata milionëshe për blerje
armësh. Në përgjithësi, të gjithë faktorët politikë rajonalë dhe europianë tashmë e kanë
kuptuar se Serbisë i bëhen koncesione nga ana e BE-së dhe NATO-s për shkak të
interesave të tyre strategjike, por tanimë është bërë krejt e qartë se këto koncesione kanë
filluar të rrezikojnë seriozisht sigurinë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përreth tij.
MITI SERB PËR KOSOVËN
Në rastin e Kosovës, nuk ka ndodhur si zakonisht, që një ngjarje historike të bëhet mit,
por e kundërta: një ngjarje e mitizuar është shndërruar në histori. Miti serb i Kosovës ka
marrë shkas nga një ngjarje historike e pandriçuar në krejt përbërësit e saj. Edhe pa
këtë mistifikim, periudha e Mesjetës në Kosovë është jashtëzakonisht e errët, me
vakume të mëdha në memorien historike, e mbushur kryesisht me legjenda, me
sundime despotësh, me kronika kishtare dhe me relacione tregtare të proveniencës
raguziane ose venedikase. Prandaj, Beteja e Kosovës e vitit 1389, e shikuar nga
perspektiva e sotme, ka ndodhur sa në realitet, po aq në fantazinë e një mileu të prirë
për mite dhe mistifikime, duke bërë shkapërcimin nga ndodhitë reale në fiksionin fetar.
Kjo ka ndodhur përgjithësisht edhe me eposet kalorësiake të Mesjetës në Europë,
përfshirë edhe një literaturë me përhapje të gjerë, të cilën e stigmatizon Servantesi në
“Don Kishotin” e tij. Nuk ka pothuajse asnjë dallim midis bëmave të njërit nga heronjtë
serb të Betejës së Kosovës, Marko Kraleviqit, ta zëmë, dhe heronjve të fiksionit letrar të
Servantesit.
Në kohën kur ka ndodhur, Beteja e Kosovës nuk ka qenë ndeshje civilizimesh, siç u
shpjegua më vonë, as ndeshje e dy botëve, ose e dy feve, por ndeshje e një ushtrie
pushtuese, me një ushtri tjetër që mbrohej; një përballje e një koalicioni të dobët me
ushtrinë e një perandorie të madhe, e cila kishte arritur suksese të mëdha në Lindje dhe
tani ia kishte mësyrë Europës. Para Perandorisë Otomane, ekskursione të këtilla
luftarake Europë-Azi dhe anasjelltas kanë bërë të gjitha perandoritë e mëdha, që nga
Aleksandri i Madh e deri te Xhingis-Khani. Ngjyrimin fetar kësaj përballjeje ushtarake
të Mesjetës ia dhanë të parët kronistët turq të betejës, të cilët të krishterët qe luftonin
përballë tyre, i quajtën “të pafe”.
Megjithatë, atributet fetare evropiane, Beteja e Kosovës i mori më vonë, atëherë kur
Europa po kërcënohej jo nga civilizimi i papërkufizuar oriental, por nga një rrezik latent
dhe krejtësisht real, nga një perandori e fuqishme, e cila ishte pothuajse dy hapa larg
kështjellave të Europës. Prandaj, është pak e besueshme se koalicioni ballkanik të ketë
funksionuar si koalicion i krishterë, për arsye se këto vise tashmë kishin përjetuar një
ndarje fetare, atë të ndarjes së kishave, e cila shpesh kishte çuar në konflikte të hapura
dhe i kishte bërë të paqëndrueshëm lidhjet mes popujve përmes besimit fetar. Ndërkaq,
përzgjedhjen e Kosovës për fushëbetejë e kanë përcaktuar vijat e komunikimit, rrugët,
territori, reliefi, që domethënë se ishte një hapësirë e përshtatshme që komunikonte pa
pengesa relievore nga Lindja drejt Perëndimit. Vija e depërtimit përmes Kosovës ishte
njëra nga tri rrugët, të cilat ushtria turke i ka përdorur vazhdimisht për ekspeditat e saj
drejt Europës.
Versionet e përshkrimit të Betejës së Kosovës nga kronistët dhe historianët janë të
ndryshme, shpesh të tilla që përjashtojnë njëra-tjetrën. Por, versioni serb mbeti më i
përhapuri, edhe përkundër faktit se është njëkohësisht edhe më i kontestuari. Miti serb
mbi Betejën e Kosovës u ndërtua mbi kujtesën e mjegullt popullore, bartur në formë të
këngëve të epikës legjendare deri në shekullin XIX, kur idetë romantike shprishën
strukturën poetike të ngjarjes dhe prej saj ndërtuan një realitet të supozuar historik.
Procesi tashmë është i njohur: Vuk Karaxhiqi mblodhi disa këngë për Betejën e Kosovës
dhe i prezantoi ato në qarqet evropiane, ku tashmë kishte filluar një pasion i
jashtëzakonshëm për folklorin dhe traditën. Këngët u pëlqyen dhe u vlerësuan me
atributet më të larta: Gëte dhe Kopitari e vlerësuan lart eposin serb për Betejën e
Kosovës, teksa romantikët serbë të shekullit XIX, të inkurajuar nga ky vlerësim,
legjendën e ridizajnuar e shndërruan në mit kombëtar.
Versionit serb të Betejës së Kosovës do t’i vijë në ndihmë edhe versioni turk, i cili ka aq
shumë pasaktësi rreth vendit të ndodhjes së kësaj ngjarjeje, saqë i ka krijuar hapësirë
shumë të përshtatshme versionit mitik serb të ndërtojë një topografi të ngjarjes sipas
interesave politike. Në vendin ku turqit besonin se ishte vrarë sulltan Murati, në fshatin
Mazgit të rrethinës së Prishtinës, u ndërtua një tyrbe. Mbetet e paqartë si ndodhi të
ndërtohej tyrbja pikërisht në këtë vend, kur kronikat turke e lëviznin vendngjarjen në
lindje dhe perëndim me dhjetëra kilometra. Ajo që mbeti e besueshme në versionin turk
për Betejën e Kosovës ishte vrasja e sulltan Muratit nga një “i pafe” në fushëbetejë, se
pastaj trupi i sulltanit u balsamos dhe u dërgua në Edrene, ndërsa në vendin e vrasjes,
aty ku u varrosen rropullitë e tij, u ndërtua një tyrbe. Është e ditur se tyrbja e sotme e
Sulltan Muratit në fshatin Mazgit është e shekullit XIX dhe askush nuk mund ta
vërtetojë se tyrbja e re është ndërtuar pikërisht në vendin ku ishte tyrbja e mëhershme.
Por do të jetë pikërisht kjo tyrbe, e cila do të shërbejë si piketë kryesore për
konfigurimin toponimik serb të Betejës së Kosovës. Do të jetë Jovan Cvijiqi me shkollën
antropogjeografike, i cili, pas pushtimit serb të Kosovës më 1913 do të serbizojë
shumicën e toponimeve dhe, me këtë radhë, do të përkufizojë edhe hapësirat “serbe” të
kësaj beteje, duke i vendosur këto hapësira përreth Tyrbes së Sulltan Muratit: në
kodrinën përballë Gazimestanin, në të majtë të tij Orloviqin, pak më tej në jugperëndim
Obiliqin dhe në luginën prapa Jugoviqin. Duket se vetë serbët për shumë kohë nuk do t’i
kenë marrë aq seriozisht këto toponime, sepse u desh të vinte viti 1954 që në kodrinën e
quajtur Gazimestan të ndërtohej një përmendore në kujtim të Betejës së Kosovës, për
praninë e së cilës u kujtuan vetëm kur u desh që nga ai vend “mitik” Milosheviqi t’iu
shpallte luftë të gjithë popujve të ish-Jugosllavisë.
Në përgjithësi, miti serb për Kosovën asnjëherë nuk ka funksionuar si korpus vlerash
kulturore, historike ose fetare, por, varësisht nga rrethanat, është përdorur politikisht
për të nxitur mobilizimin nacionalist të Serbisë dhe shovinizmin serb ndaj popujve të
tjerë. Frustrimet e nacionalizmit serb mbi këtë mit i kanë shkaktuar Kosovës tragjedi të
mëdha, herë duke e pushtuar atë me luftëra të përgjakshme, herë duke ushtruar
gjenocid dhe herë tjetër, përmes një propagande të financuar nga shteti, duke i
stigmatizuar kosovarët në opinionin evropian si të prirë për bëma jocivilizuese.
(Mbi 170 mijë shqiptarë të shpërngulur nga Serbia jugore pas Kongresit të Berlinit; 30
mijë shqiptarë të vrarë më 1913, pas pushtimit serb të Kosovës; mbi 250 mijë të
shpërngulur në Turqi para dhe pas Luftës së Dytë Botërore; rreth 11 mijë shqiptarë të
vrarë nga OZNA dhe rreth 5 mijë të dëbuar pas Luftës së Dytë Botërore; mbi 13 mijë të
vrarë dhe një milion të shpërngulur në luftën e vitit 1998-99 etj, të gjitha këto akte
gjenocidale mbi një popullsi që mezi arriti t’i bënte një milion banorë shumë vjet pas
Luftës së Dytë Botërore.)
KONTEKSTI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-SERBE
Marrëdhëniet shqiptaro-serbe shpesh janë përkufizuar si marrëdhëniet më të vështira
mes dy popujve të Europës. Në këtë përkufizim janë futur shumë historicizma,
perceptime recidiviste, por mbi të gjitha klishe eurocentriste: se të dy popujt kanë
gabimet dhe fajet e tyre në të shkuarën, se ata kanë histori të përgjakshme dhe se e
ardhmja duhet të ndërtohet duke i tejkaluar armiqësitë dhe animozitetet e kohëve të
shkuara. Europianët dhe përgjithësisht bashkësia ndërkombëtare nuk e kuptoi
asnjëherë se shkaku kryesor i këtij konflikti të ngrirë shqiptaro-serb është insistimi i tyre
për të barazuar të pabarazueshmen: shqiptarët dhe serbët nuk kanë histori të njëjtë
dhune, nuk kanë histori të njëjtë pushtimesh e aktesh gjenocidale mbi njëri-tjetrin. Në
shumicën e rasteve janë shqiptarët ata që e kanë pësuar dhe në memorien e tyre
historike janë shtresuar përvoja të hidhura, të cilat janë përsëritur gati në mënyrë
ciklike, që afër dy shekuj e këndej.
Serbia, përmes eksponentëve më të shquar intelektualë, ka hartuar së paku tre
“elaborate shkencore” (Garashanin, Andriq, Çubriloviq) dhe një dokument institucional
(“Memorandumi” i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë) për shfarosjen e
shqiptarëve, jo vetëm të Kosovës, por në disa raste edhe të Shqipërisë, si pengesë për
siguruar një dalje më të përshtatshme në Detin Adriatik, për vete dhe për Rusinë e
dëshiruar për ujërat e ngrohta të Mesdheut, kurse së fundi për të ushtruar pushtimin
mbi Kosovën, si kapërcyell i domosdoshëm për projektin e “Serbisë së madhe”, mbi
gërmadhat e ish-Jugosllavisë.
Derisa nuk u identifikua çështja e Kosovës si çështje më vete, propaganda serbe merrej
me “çështjen shqiptare” si tërësi, duke iu dhënë shqiptarëve si komb atribute
jocivilizuese, origjinë të paqartë, histori të mjegullt, traditë vëllavrasëse,
fundamentalizëm islamik etj., të gjitha këto të dizajnuara politikisht në një mënyrë të
tillë, që shqiptarët të mos gëzonin asnjë mbështetje ndërkombëtare për lirinë dhe për
konsolidimin e shtetit të tyre kombëtar. Ndërkohë, me shfaqjen e çështjes së Kosovës si
çështje më e mprehtë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, propaganda serbe bëhet më
agresive dhe e vendos theksin mbi “të drejtën historike” për të sunduar Kosovën, të cilën
e lidhte me trashëgiminë mesjetare dhe me legjendat serbe për Betejën e Kosovës
(1389). Për ta bërë “të drejtën historike” mbi Kosovën si “të drejtë të trashëguar”, Serbia
shpalli armiqësore origjinën ilire të shqiptarëve, nxiti studiuesit e saj që ta kontestonin
këtë origjinë, ndërsa vendosi embargo mbi dijetarët e huaj që e mbështesin këtë tezë
shkencore. Më anë tjetër, arkeologjia serbe bëri përpjekje të ethshme që vendbanimet
ilire të identifikojë si romake, t’i zhdukë, ose t’i fshehë nga sytë e studiuesve dhe të
opinionit. Histeria anti-ilire çoi deri aty, sa të hidhen dyshime të bazuara se ndonjë
arkeolog i huaj, siç është rasti i arkeologut hungarez J. Nemeshkeri, mund të jetë
helmuar (1981), për shkak se, kur analizoi materialin osteologjik të Nekropolit të
Vërmicës, bëri të ditur se bëhej fjalë për një popullsi josllave përgjatë shekujve V-VI dhe
IX-XI.
Ndryshe nga shumë historianë të huaj, të cilët popullsinë shqiptare të Kosovës e
konsiderojnë autoktone, historiografia serbe i atribuon asaj veçori të fiseve nomade, ose
të një popullsie të ardhur bashkë me pushtimet e Perandorisë Otomane, duke u shtrirë
nga viset malore të Shqipërisë veriore në drejtim të Kosovës sotme dhe të territoreve të
tjera të Serbisë së Jugut dhe Maqedonisë së Veriut. Për më shumë se një shekull kjo tezë
e dominoi propagandën historiografike serbe, pavarësisht faktit se në Shqipërinë veriore
nuk kishte as kushte dhe as gjurmë të përqendrimit më të madh të popullsisë, e cila që
andej do të shtrihej në lindje ose në verilindje. Historiografia serbe po ashtu ka
propaganduar intensivisht se dominimi numerik i popullsisë shqiptare në Kosovë ka
ardhur si pasojë e të ashtuquajturës “dyndje e madhe serbe” e vitit 1690, pas luftërave
austro-osmane, me ç’rast nga Kosova qenkan shpërngulur një shifër fantastike prej 37
mijë familjesh ose 400-500 mijë serbë dhe se hapësirën e tyre, me ndihmën e
otomanëve, e kanë zënë shqiptarët.
Për ta përligjur të drejtën historike-mesjetare për sundim dhe dominim të Kosovës, pas
Kongresit të Berlinit (1878), Serbia suksesivisht ndërmori akte të rënda gjenocidale mbi
popullsinë shqiptare, së pari duke shpërngulur me dhunë rreth 170 mijë shqiptarë (sipas
burimeve serbe) nga Sanxhaku i Nishit, më pas, me rastin e pushtimit të Kosovës më
1913, duke vrarë rreth 30 mijë shqiptarë, ndërsa pas Luftës së Parë Botërore Serbia
ndërmori hapa radikalë në shpronësimin e shqiptarëve (përmes të ashtuquajturave
reforma agrare) dhe dëbimin e tyre për Turqi, duke e identifikuar atë si popullsi
myslimane dhe duke ratifikuar marrëveshje ndërshtetërore me Turqinë, për
shpërnguljen masive të shqiptarëve dhe boshnjakëve, kundrejt një pagese për secilën
kokë banori të shpërngulur. Procesi i shpërnguljeve të shqiptarëve të Kosovës dhe të
Maqedonisë së Veriut për Turqi ka zgjatur gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit XX.
Nga fundi i viteve ’50 të shekullit XX, kur kjo shpërngulje u duk sikur ra për nga
intensiteti, u ndërmor një aksion i gjerë i kërkimit të armëve, me ç’rast u torturuan
mijëra shqiptarë të Kosovës, duke i detyruar një numër syresh që iknin pa kthim. Për
shkak të këtyre shpërnguljeve të dhunshme dhe suksesive, konsiderohet se sot në Turqi
ka më shumë banorë me origjinë shqiptare se në krejt vendet e Ballkanit.
Në marrëdhëniet shqiptaro-serbe ka diçka më shumë se e “drejta historike” serbe për t’i
pushtuar dhe për t’i sunduar viset shqiptare, sepse në histori janë regjistruar shumë
raste, kur Serbisë nuk i ka mjaftuar pushtimi i territorit shqiptar, por ka synuar
ushtrimin e akteve gjenocidale, raciste, siç janë vrasjet masive të popullsisë civile,
spastrimet etnike përmes dëbimit dhe shpërnguljeve me dhunë të banorëve rezidentë, si
dhe shkatërrimit të pronës dhe të çdo vlere të identifikuar materiale dhe shpirtërore.
Politikat shtetërore të Serbisë janë udhëhequr vazhdimisht nga një pasion i
papërmbajtshëm për dhunë ndaj shqiptarëve, prandaj pajtimi midis dy popujve bëhet i
vështirë, pa një denazifikim të Serbisë dhe pa hequr dorë shteti serb nga aktet e
armiqësisë ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit. Vetëm në luftën e fundit
në Kosovë, përgjatë viteve 1998-99, ndonëse kishte një kontroll të plotë mbi territorin,
Serbia vrau mbi 13 mijë kosovarë, shumica syresh popullsi civile (mbi një mijë ishin
fëmijë), bëri spastrim etnik, duke dëbuar rreth një milion njerëz, bombardoi qindra
fshatra, dhunoi, shkatërroi dhe plaçkiti pasuri të pallogaritshme, të gjitha këto me një
barbari që iu ngjante ekspeditave mesjetare.
MANIPULIMET ME FUNDAMENTALIZMIN ISLAMIK
Të paktë janë ata nga bashkësia ndërkombëtare që arrijnë të kuptojnë se rreth 98% e
kosovarëve janë popullsi myslimane jo pse ata e zgjodhën myslimanizmin si besim dhe
bindje fetare të kohëve moderne, por nga një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë.
Konvertimi i kosovarëve nga të krishterë në myslimanë ka qenë një proces i gjatë i
pushtimit, i detyrimit dhe i dhunës sistematike të Perandorisë Otomane, në njërën anë,
kurse më anë tjetër ka ardhur si rezultat i luftës së gjatë mes kishës të Lindjes dhe të
Perëndimit, të cilat i lanë besimtarët e tyre në Ballkanin Perëndimor pa udhëheqës
shpirtëror. Konvertimi i paqëndrueshëm mund të ketë qenë një arsye, pse kosovarët dhe
shqiptarët në përgjithësi përqafuan bektashizmin, si varianti më liberal i myslimanizmit,
ose ndonjëherë i praktikuan dy fetë paralelisht, krishterimin dhe myslimanizmin.
Sido që të ketë qenë historia, shqiptarët në përgjithësi dhe kosovarët në këtë kuadër nuk
e vendosen asnjërin besim fetar në themel të identitetit të tyre kombëtar. Deri në fund të
shekullit XX në Kosovë u praktikua një islam i moderuar, me elemente të qarta të
traditës egumenike dhe me një tolerancë të qëndrueshme ndaj besimeve të tjera fetare.
Islami tradicional që praktikohej në Kosovë mbështetej kryesisht tek mësimet themelore
të Kuranit dhe tek praktikat e hershme fetare, duke mos njohur deri vonë asnjë element
të fundamentalizmit dhe të vehabizmit. Por edhe përkundër kësaj, që pas demonstratave
të vitit 1981 në Kosovë, Serbia filloi një propagandë intensive, duke afishuar para
bashkësisë ndërkombëtare në të gjitha rastet, se popullsia e Kosovës përbëhej nga një
popullsi myslimane e prapambetur dhe nga një shoqëri patriarkale e paarsimuar.
Pamjet e Kosovës në televizionet jugosllave, por edhe në ato të huaja, rregullisht
shoqëroheshin me minaret e xhamive dhe me ezanin e hoxhallarëve në sfond. Kosova
nuk kishte qenë kurrë aq fetare, sa ç’donte ta paraqiste Serbia dhe një pjesë e bashkësisë
ndërkombëtare. Me një insistim këmbëngulës dhe me një propagandë intensive
shumëvjeçare, nga viti 1981 dhe më pas, Serbia arriti që çështjet fetare në Kosovë t’i
deformojë ndjeshëm, duke e instrumentalizuar fenë dhe besimin fetar në funksion të
problemeve e pazgjidhura politike.
Pas vitit 1999 në Kosovë u dyndën shumë organizata të huaja bamirëse dhe fondacione
të ndryshme me parashenjë fetare, midis tyre disa të tilla që ishin të lidhura ngushtë me
rryma radikale islamike, përfshirë edhe ato vehabiste. Përmes donacioneve të ndryshme
dhe përmes një propagande intensive, ato arritën të tërhiqnin në mbështetje të tyre një
numër të konsiderueshëm qytetarësh të Kosovës, që praktikon fenë islame, veçmas të
rinj. Gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, në Kosovë myslimanizmi tradicional
ishte praktikuar gjerësisht, ndërsa pas vitit 1999, për shkak të këtyre fondacioneve dhe
të klerit mysliman kosovar që përfitonte prej tyre, situata u përkeqësua ndjeshëm. Në
këtë kuadër, veçanërisht u reflektua negativisht në Kosovë qëndrimi i luhatshëm i
Turqisë në raport me fundamentalizmin islamik. Për shkak të historisë dhe traditës
fetare, Turqia ka pasur gjithnjë ndikim të ndjeshëm te myslimanët e Kosovës, ndërsa së
fundi fondacioni “TIKA”, i financuar drejtpërdrejt nga shteti turk, u bë sponsori kryesor
i zgjerimit të bazës materiale propagandistike të organizatave fetare në Kosovë dhe në
Maqedoninë e Veriut. As Bashkësia e Fesë Islame e Kosovës, për shkak të lidhjeve të
ngushta me Turqinë dhe me fondacionin “TIKA” dhe për shkak të interesave financiare
të krerëve të saj, nuk mbajti qëndrim të prerë kundër rrymave radikale islamike, madje
as në periudhën e shfaqjes së ISIS-it, për t’u detyruar së fundi, nën trysninë e
institucioneve të shtetit dhe të opinionit publik, të tërhiqet gradualisht dhe të shprehet
më qartë kundër radikalizmit fetar.
Më anë tjetër, të nxitur nga ideja e kërcënimit nga islamizmi radikal që mund të vinte
nga Kosova dhe Bosnja, disa shtete të BE-së, nga fundi i shekullit të kaluar filluan ta
projektonin Serbinë si “vijën e parë të frontit” kundër radikalizmit islamik. Me
Marrëveshjen e Dejtonin, Serbisë iu dha mundësia që përmes Republika Srpska ta
kontrollojë Bosnjën deri në defunksionalizim të plotë, madje duke ia dhënë
kompetencat e pacifizimit të dhunshëm të mbarë territoreve të banuara me popullsi
myslimane, përfshirë edhe Sanxhakun dhe Kosovën. Dhuna sistematike që u ushtrua në
Kosovë u tolerua shumë gjatë, ndërsa suspendimi i autonomisë së Kosovës dhe
funksionimi i Serbisë si “shtet unik” u afishua para bashkësisë ndërkombëtare si
mbrojtje e domosdoshme kundër islamit radikal. Por, në të vërtetë, Serbia nuk shërbeu
asnjëherë si “mur mbrojtës” i Europës kundër fundamentalizmit islamik, por ajo e
keqpërdori këtë paranojë të Europës së krishterë, për të nxitur rrymat radikale islamike
në Bosnjë dhe në Kosovë, në mënyrë që më pas ta përdorë veprimtarinë e tyre për të
tërhequr mbështetjen e SHBA-së dhe të BE-së. Për disa analistë vendorë dhe
ndërkombëtarë, Marrëveshja e Dejtonit për Bosnjën dhe “Pakoja e Ahtisarit” për
Kosovën janë hartuar në atë mënyrë që nuk lejojnë funksionim normal të këtyre dy
shteteve, teksa në prapavijë i japin Serbisë rolin e kujdestarit dhe të mbikëqyrësit, për të
monitoruar islamizmin radikal, në një kohë që vetë Serbia këto prerogativa i keqpërdor
për t’i bërë obstruksion dhe për të defunksionalizuar në çdo rrethanë jetën normale të
vendeve të rajonit.
Ky stereotip vazhdon ende te funksionojë në perceptimet politike të Brukselit: Serbia
destabilizon të gjithë shtetet e rajonit me pretekste të ndryshme, por gjithmonë në
funksion të hegjemonizmit serbomadh. Ajo e destabilizon Kosovën, sa herë që mund ta
përdor këtë rrethanë për politikat e brendshme, për të nxitur nacionalizmin, ose për t’i
bërë obstruksion bashkësisë ndërkombëtare. Ajo tashmë e ka të sprovuar mënyrën si
mund të bëjë këtë: e instrumentalizon dhe e përdor politikisht gjuajtjen me gurë të një
shtëpie serbe, rrahjen e një plake serbe, dëmtimin e një kishe ose të një varreze, njësoj si
në vitet ’80 të shekullit të kaluar, kur përgatitej terreni politik për suprimimin e
autonomisë së Kosovës, të gjitha këto për t’i përfshirë në raportin e shefit të UNMIK-ut
për KS të OKB-së, me synim për të treguar se Kosova është e paaftë të ndërtojë shtetin
ligjor dhe të mbrojë pakicën serbe nga diskriminimi i shumicës shqiptare. Duke mbajtur
një qëndrim të këtillë agresiv dhe gjithmonë manipulues për pakicën serbe, ajo nuk
lejon përmirësimin e pozitës së kësaj pakice në Kosovë dhe integrimin e saj në shoqërinë
kosovare.
Për ta tejkaluar këtë gjendje dhe për t’ia pamundësuar Serbisë manipulimin me
fundamentalizmin islamik në Kosovë, është e domosdoshme që qarqet vendimmarrëse
të bashkësisë ndërkombëtare të mënjanojnë nga diskursi i tyre këtë perceptim të gabuar
për Serbinë si “mbikëqyrëse” ose “frenuese” e fundamentalizmit islamik në Ballkan dhe
t’i jepet më shumë besim Kosovës, që ta menaxhojë vetë situatën me radikalizmin fetar,
duke u mbështetur në resurset e veta të sigurisë. Kosova mund ta bëjë këtë, sepse
shumica dërmuese e popullit të saj nuk e ka në mentalitet dhe në formim
etnopsikologjik radikalizmin e dhunshëm, teksa shumica e kosovarëve janë europianë
me kulturë dhe bindje dhe i kanë të qarta prioritetet e Kosovës dhe perspektivën e saj
euroatlantike. Më anë tjetër, edhe në rrethanat e tanishme, Kosova mund të luajë rol të
rëndësishëm dhe të vendos një kontroll të brendshëm mbi rrymat radikale fetare edhe te
shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
KISHA SERBE SI PARAROJË E HEGJEMONISË DHE DESTABILIZMIT
Që nga Mesjeta e hershme, Serbia e bëri Kishën Ortodokse Serbe pjesë të traditës së saj
politike dhe kulturore dhe për disa shekuj me radhë nacionalizmi dhe shovinizmi serb
gjeti strehën më të sigurt dhe më të qëndrueshme në oltarët e faltoreve serbe dhe në
liturgjitë kishtare. Pothuajse nuk mund të gjendet asnjë lëvizje politike në Serbi, veçmas
ato me parashenjë nacionaliste që nuk kanë marrë paraprakisht mbështetjen e gjerë të
klerit dhe të qarqeve fetare të kësaj provenience. Nuk gjendet një tjetër organizim fetar
si Kisha Ortodokse Serbe, me përjashtim të organizatave të islamit radikal, nga faltoret e
të cilit thirret vazhdimisht për dhunë. Kjo ka bërë që Kisha Ortodokse Serbe të bëhet
krah i fuqishëm i secilës klasë politike brenda Serbisë, e cila ndjek me konsekuencë idetë
serbomëdha, ndërsa nxjerr jashtë radhëve secilin udhëheqës politik, i cili bie në konflikt
me këto ide dhe me klanin radikal të klerit kishtar (rasti i Gjingjiqit).
Pa hyrë më tej në histori, mjafton të themi se përgjatë gjithë periudhës para dhe gjatë
sundimit të Millosheviqit, që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar dhe prapa, Kisha
Ortodokse Serbe ka qenë bartëse e ideve të dhunës, të hegjemonisë dhe të
diskriminimit, të segregacionit dhe të akteve gjenocidale të Serbisë mbi popullin e
Kosovës. Ajo edhe aktualisht ushqen me nacionalizëm dhe shovinizëm secilin regjim
dhe secilin lider politik të Serbisë, të cilët manifestojnë ide hegjemoniste në hapësirën
ballkanike. Kisha Ortodokse Serbe është faktori kryesor i destabilizimit të Malit të Zi,
duke përçuar idenë se kombi malazias është pjesë e kombit serb, ashtu sikundër që
organizimi kishtar i Malit të Zi është pjesë e Kishës Serbe. Kisha Serbe nuk lejon as
pavarësimin e Kishës Ortodokse Maqedonase dhe marrëdhëniet aktuale të
harmonishme mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut janë “pragmatizëm i urgjencave
politike”, prapa të cilave fshihet një armiqësi e trashëguar dhe rivalitet i hapur me
Kishën Ortodokse Bullgare dhe me identitetin bullgar. Por gjithsesi, në këtë kuadër,
“brengë” më e madhe e Kishës Serbe, njësoj si i shtetit serb, dhe po aq i Kishës Ruse dhe
i shtetit rus, është Mali i Zi dhe deti që shtrihet pranë tij.
Por, mbi të gjitha, Kosova është trashëgimia më nevralgjike e Kishës Ortodokse Serbe, jo
pse ajo është “pjesa më e dhembshme e historisë”, por ngase përmes saj manipulohet
më lehtë me idetë serbomëdha: një territor historik i perandorisë mesjetare serbe i
pushtuar nga turqit që në Betejën e Kosovës (1389) dhe i lënë trashëgim shqiptarëve
myslimanë. Dëshmi për këtë padrejtësi të supozuar janë monumentet e kultit në Kosovë,
manastiret dhe kishat mesjetare, të cilat, sipas mendësisë së indoktrinuar serbe, në
perceptimin perëndimor duhet të cilësohen si “fortesat e fundit” në luftë kundër
depërtimit të islamit në Europën e krishterë.
Me këtë floskulë fetare-politike, e cila gjerësisht përfshin edhe liturgjitë kishtare serbe,
është nxitur në mënyrë permanente shovinizmi serb dhe është ndërtuar një propagandë
e tërë, është homogjenizuar populli i thjeshtë serb, duke u mobilizuar në mbështetje të
udhëheqësve nacionalistë, përfshirë edhe Millosheviqin. Kisha serbe në Kosovë ka qenë
“pararojë” e të gjitha veprimeve gjenocidale mbi popullin shqiptar, veçmas përgjatë
viteve nëntëdhjetë, duke miratuar dhunën dhe duke “bekuar” vrasjet masive. Krerët më
të lartë të Kishës Ortodokse Serbe u bënë zëdhënës të regjimit të Millosheviqit, nxitën
aktet e dhunës më barbare kundër civilëve shqiptarë, disa syresh morën pjesë aktive në
fushatat e përgjakshme të njësive të armatosura, duke i kthyer kishat në kazerma
paramilitarësh, ndërsa manastiret në depo armatimesh. Kisha Ortodokse Serbe edhe sot
është qendra më radikale e nacionalizmit serb, burim i ksenofobisë dhe frymëzim i
aktiviteteve luftënxitëse të institucioneve shtetërore të Serbisë. Ajo nuk është e ndarë
nga shteti, siç pretendohet dhe siç thuhet shpesh, për të amnistuar veprimtarinë e saj.
Ajo është një nga institucionet supreme të shtetit të Serbisë, i shërben politikave të tij
nacionaliste, veçmas kur bëhet fjalë për destabilizimin e rajonit dhe mban kontroll të
ashpër jo vetëm mbi vetëdijen fetare dhe gjendjen shpirtërore të besimtarëve të vet, por
edhe mbi institucionet e sigurisë, siç ushtria, policia, përfshirë edhe nëntokën e krimit të
organizuar. Kisha Ortodokse Serbe mban qëndrim armiqësor dhe luftënxitës jo vetëm
ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, por edhe ndaj të gjithë popujve të Ballkanit Perëndimor,
duke manifestuar prirje nënshtrimi edhe ndaj popujve që janë të krishterë të ritit
ortodoks, siç janë malaziasit, maqedonasit, bullgarët, ortodoksët shqiptarë etj.
AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E SERBISË, MEMORANDUMET E SAJ
Krahas Kishës Ortodokse Serbe, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë (SANU)
është institucioni më përgjegjës për konfliktet në Ballkan. Që nga themelimi ajo nuk ka
qenë asnjëherë akademi e dijes, siç janë të gjitha akademitë e botës, por më shumë një
institucion shtetëror për prodhimin e ideve të hegjemonisë serbe, një institucion suprem
që ushtron pushtet moral mbi popullin e vet dhe “kontroll autoritar” mbi vetëdijen e tij
nacionale. Akademia Serbe ka një traditë të gjatë luftënxitëse, që nga shekulli XIX, kur
Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe nga disa Fuqi të Mëdha, e shndërroi lëvizjen e
romantizmit nacional serb në lëvizje për hegjemoni dhe pushtim territoresh. Në
programin e saj, që nga themelimi (1886), u përfshi “Nacertanija” e Garashaninit
(1844), një projekt për dominimin e Serbisë mbi vendet e tjera të Ballkanit, veçmas mbi
Bullgarinë, Bosnjën, Malin e Zi dhe Shqipërinë e Veriut, si dhe daljen e saj në Detin
Adriatik.
Ndonëse Akademia Serbe disa herë ndryshoi emrin dhe formatin e organizmit,
programi i saj mbeti gjithnjë i njëjtë, derisa së fundi, në vigjilje të shkatërrimit të ish-
Jugosllavisë, u bë mbështetësja kryesore e shpërbërjes përfundimtare të shtetit federal
dhe nxitëse e luftërave të njëpasnjëshme të Millosheviqit. Akademia Serbe, pavarësisht
ndryshimit të regjimeve, në vazhdimësi u përdor nga udhëheqësit nacionalistë serbë për
hartimin e projekteve dhe elaborateve gjenocidalë (Andriqi, Çubriloviqi), gjithnjë me
arsyetimin se populli serb, në kuadër të ish-Jugosllavisë, ka përjetuar padrejtësi dhe se
gjithnjë është kërcënuar ekzistenca e tij.
Kështu, më 1986, një grup punues i përbërë prej 16 anëtarëve të Akademia Serbe hartoi
një draft-dokument prej 32 faqesh, i cili u bë i njohur si “Memorandum i Akademisë
Serbe” (Memorandum SANU) dhe u konsiderua si “program strategjik i inteligjencies
serbe”. Mbi disa parime të përgjithshme, ai përcaktoi drejtimet dhe mënyrën e zgjidhjes
së “çështjes serbe” në kuadër të ish-Jugosllavisë, ndonëse brenda vetë draftit ishte edhe
paralajmërimi për shpërbërjen e saj. Sipas ekspertëve serbë, “Memorandumi” përfshinte
në vete programe të njohura të “Serbisë së madhe”: “Naçertanijen” e Ilia Garashaninit,
“Të gjithë serbët kudo që janë” të Vuk Karaxhiqit dhe “Serbia homogjene” e ideologut të
çetnikëve, Stevan Moljeviq.
“Memorandumi” i Akademisë Serbe ngrihej kundër Kushtetutës së vitit 1974, e cila,
sipas akademikëve serbë, e kishte fragmentuar Jugosllavinë dhe Serbinë e kishte
vendosur në pozitë të pabarabartë me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Një pjesë e
mirë e “Memorandumit” merrej me përshkrimin e pozitës së popullit serb në Kosovë,
duke nxjerrë si përfundim se Tito në fund të Luftës së Dytë Botërore i kishte copëtuar
qëllimisht territoret serbe në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Bosnje dhe Kroaci, dhe më tej
edhe me dy krahina autonome, Kosovën dhe Vojvodinën. Sipas “Memorandumit”,
shqiptarët po bënin gjenocid kundër serbëve në Kosovë, se serbët që jetonin në Kosovë
dhe në Kroaci po i nënshtroheshin diskriminimit etj.
Akademia Serbe asnjëherë nuk u distancua nga ky dokument, pavarësisht kritikave që iu
bënë dhe pavarësisht tragjedive që shkaktoi në hapësirat e mbarë ish-Jugosllavisë. Ajo u
identifikua me luftërat e Millosheviqit, me gjenocidin që kreu Serbia mbi popujt e tjerë
dhe në asnjë rrethanë nuk shprehu keqardhje, për faktin se një dokument i saj ishte
frymëzues dhe nxitës i gjenocidit, veçmas mbi boshnjakët dhe shqiptarët. As europianët,
përfshirë edhe Asociacionin e Akademive të Europës (ALLEA) nuk ia kërkuan një
distancim të tillë, madje as akademitë e veçanta, të cilat i përtërinë marrëdhëniet me
këtë institucion, sikur ndërkohë në Ballkanin Perëndimor të mos kishte ndodhur asgjë.
Se Akademia e Serbe nuk ndalet në projeksionet e saj nacionaliste, e dëshmon fakti se
më 2011 ajo hartoi një memorandum të dytë, me autorë kryesorë Dobrica Qosiqin dhe
Lubomir Tadiqin. Dokumenti kësaj radhe nuk u publikua, por qarkulloi në qarqet e
mbyllura politike dhe akademike të Serbisë dhe më gjerë. Sipas medieve të huaja, që
kanë pasur mundësi ta lexojnë këtë dokument, qëllimi i tij ishte që ta shpëtojë Serbinë
pas humbjeve të njëpasnjëshme dhe ta vendos atë në pozita të barabarta me shtetet mbi
të cilat ajo ka bërë agresion, si dhe të shpëtojë nga proceset e gjykatave ndërkombëtare
dhe të zvogëlojë përgjegjësinë e Serbisë për krimet dhe shkatërrimet e luftës. Siç është
bërë e ditur, autorët e këtij memorandumi angazhohen për një “mbështetje strategjike”
të Serbisë te Rusia dhe Kina, pastaj për nxitjen e konflikteve ndëretnike në shtetet e
rajonit, në mënyrë që, përmes destabilizimit të tyre, Serbia të arrijë t’i realizojë interesat
e saj serbomëdha. Në këtë memorandum i kushtohet vëmendje Kosovës, Republika
Srpska dhe Malit të Zi, të cilat duhet t’i “bashkëngjiten Serbisë”. Më 2017, ndërkaq,
është bërë e ditur se është në përgatitje e sipër “Memorandumi 3” i Akademisë Serbe.
NGA “MEMORANDUMI”, TE “BOTA SERBE”; NGA “MINI-SHENGENI”, TE
“BALLKANI I HAPUR”
Serbia është përkufizuar si shtet ekspansionist që nga gjysma e dytë e shekullit XIX dhe
krejt identiteti i saj kombëtar, ndryshe nga shumë popuj të tjerë, nuk është ndërtuar mbi
vlera, por mbi mite historike dhe mbi luftëra për territore dhe dominim. Historikisht
Serbia nuk ka ndryshuar asgjë, së paku që nga Kongresi i Berlinit dhe prapa: gjithmonë
është po ajo Serbi që synon pushtime dhe destabilizim. Ajo konsideron se potenciali i saj
demografik dhe përgjithësisht kombëtar është në mospërputhje të madhe me hapësirën
e saj territoriale dhe se roli i saj dominues në Ballkanin Perëndimor i është mohuar
padrejtësisht, që më shumë se një shekull e gjysmë. Kjo megalomani serbe është
mbështetur historikisht nga disa fuqi të mëdha të Europës, veçmas nga Rusia, e cila
daljen në ujëra të ngrohta të Europës, përmes Serbisë, e ka trajtuar si strategji
kombëtare, së paku që nga Traktati i Shën Stefanit (1878) dhe prapa. Më anë tjetër, në
planin e brendshëm, Serbia i ka mbështetur me institucionet shtetërore idetë
serbomëdha dhe në asnjë rrethanë nuk ka bërë denazifikimin e këtyre institucioneve, as
pas luftërave të fundit, të nxitura dhe të zhvilluara prej saj. Postulatet negative
nacionaliste vazhdojnë të dominojnë diskursin politik në Serbi, ndërsa në praktikat
qeverisëse mbeten po ato strategji serbomëdha, kryesisht ekspansioniste dhe
destabilizuese për rajonin e Ballkanit.
Pavarësisht ndryshimeve gjeostrategjike që kanë ndodhur në hapësirat ballkanike dhe
më gjerë përgjatë tridhjetë viteve të fundit, Serbia ka vazhduar e patrazuar përpunimin
dhe jetësimin e strategjive politike për dominim rajonal dhe rikthim të agjendave
luftënxitëse. Ajo vazhdon të jetë faktor destabilizues në Bosnje, në Mal të Zi dhe në
Kosovë, madje edhe në Maqedoninë e Veriut (siç ishte rasti me zgjedhjet e fundit lokale,
ku supozohet se pati ndërhyrje të Serbisë në fitoren e krahut nacionalist pro-serb të
VMRO-së), duke tërhequr në anën e vet, përmes floskulave politike të kamufluara, edhe
shtete të tjera të paqëndrueshme të Ballkanit, si Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Përmes nismave dhe aleancave rajonale të llojit të “mini-Shengenit” ose të projektit
“Ballkani i hapur”, Serbia synon të vendos primatin politik dhe ekonomik në rajonin e
Ballkanit Perëndimor. Këtë primat ajo nuk mendon ta arrijë përmes bashkëpunimit dhe
zhvillimit, por duke destabilizuar shtetet përreth, duke shantazhuar BE-në dhe NATO-n
dhe përmes aleancave subversive ekonomike dhe politike me Rusinë dhe Kinën.
Shantazhet e Serbisë mbi BE-në dhe NATO-n kanë filluar që në vitet ’90 të shekullit të
kaluar dhe nuk janë ndalur asnjëherë. Këto shantazhe janë toleruar nga Perëndimi
kryesisht për tri arsye: e para, për shkak të mungesës së unitetit në Bashkimin Europian
dhe në Aleancën Veriatlantike për t’iu kundërvënë në mënyrë më të ashpër interesave të
Rusisë në Ballkan; e dyta, për shkak të kujdesit të vazhdueshëm të Perëndimit për të
ruajtur drejtpeshimin me Rusinë, në mënyrë që të mos implikojë investime më të
mëdha në fushën e sigurisë; dhe e treta, për shkak se potenciali ekonomik i Ballkanit
Perëndimor është në mospërputhje të thellë me peshën e tij politike dhe strategjike,
investimet në fushën e sigurisë janë përqendruar atje ku resurset ekonomike janë shumë
më të mëdha.
Këtë vakum të krijuar më zmbrapsjen e BE-së dhe NATO-s e ka shfrytëzuar Serbia, e
cila, ndërkohë, ka forcuar aleancën ushtarake me Rusinë dhe ka krijuar hapësirë për
gazin rus dhe kapitalin kinez. Ndonjëri nga vendet e rajonit, që ka rënë në grackën e
kapitalit kinez, siç është Mali i Zi, e ka çuar shtetin buzë falimentimit, në një kohë që në
një projekt të ngjashëm për pak ishte gati të përfshihej edhe Shqipëria, për hekurudhën
Nish-Durrës. Ka qenë refuzimi i Kosovës ai që në këtë rrethanë e ka shpëtuar edhe
Shqipërinë nga një falimentim i sigurt i shtetit. Shtetet kryesore të BE-së tani gjenden në
situatën që duhet t’ia blejnë borxhin Malit të Zi, në të kundërtën ky shtet i vogël dhe i
brishtë rrezikon të humbë ose resurset e përzgjedhura turistike, ose portin strategjik të
Tivarit. Në të vërtetë, një Mal i Zi pa këto resurse, nuk do t’i hynte në punë as BE-së dhe
as NATO-s, kështu që do të bëhej pre e lehtë për ekspansionin e Serbisë, Rusisë dhe
Kinës në këtë pjesë të Ballkanit.
Për shkak të postulateve nacionaliste, të përfshirë si retorikë malinje ne diskursin
medial dhe politik të Serbisë, ky shtet nuk arriti asnjëherë të demokratizohet në
kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por vazhdon edhe sot të jetojë në një tranzicion pa fund,
në të cilën bashkëjetojnë krimi i organizuar, korrupsioni institucional, stereotipet e
nacionalizmit fetar dhe kombëtar, ku mungesat e lirive demokratike, veçmas të lirisë së
shprehjes, kompensohet me homogjenizimin euforik nacional, si floskulë patriotike,
prapa së cilës fshihen të gjitha dështimet në ndërtimin e një shoqërie civile, me
parametra të qartë civilizues. Duke mos e kaluar fazën e denazifikimit, pas luftëra të
nxitura dhe të zhvilluara prej saj në vitet ’90 të shekullit të kaluar, Serbia vazhdon të
mbetet peng i një klase politike më përbërje të kombinuar: oligarkë ekonomikë,
intelektualë të manipuluar dhe titullarë të institucioneve të sigurisë. Këta të fundit, që
përbëhen kryesisht nga oficerë të ushtrisë dhe të policisë së rendit dhe të policisë së
fshehtë, ngjashëm me Rusinë, kanë një traditë të gjatë të “fjalës së fundit” në vendimet
shtetërore, duke i atribuuar vetes si në shoqëri, ashtu edhe në strukturat e shtetit status
mbi-institucional, si “garantues suprem” të interesit kombëtar. Këtë traditë militariste
Serbia e tërheq që nga koha, kur ajo u bë strehë për një numër të madh oficerësh
bjellogardistë, të cilët, pas Revolucionit të Tetorit, pa përjashtim u përfshin në
strukturat e ushtrisë serbe dhe jugosllave. Më anë tjetër, duke marrë para sysh faktin se
edhe në ushtrinë jugosllave kuadri serb përbënte rreth 70% të kuadrit të përgjithshëm
ushtarak, i cili u tërhoq në Serbi pas luftërave të viteve ’90, aktualisht Serbia i ka të
gjitha parakushtet të quhet shoqëri militariste, ku ushtria, formalisht dhe joformalisht
është një zë i rëndësishëm edhe në vendimmarrjet politike.
Për shkak të këtyre rrethanave, që lidhen me këtë mendësi politike, në Serbi duket e
domosdoshme që një “program nacional” të zëvendësojë një tjetër dhe secili duhet të
ketë parashenjë nacionaliste dhe ekspansioniste, ndërsa shteti nuk mund të funksionojë
pa një lider autokrat, që merr vendime “nacionale”, të rëndësishme për kombin. Nëse
ndonjëri nga këta liderë del jashtë kësaj skeme ose kornize, është e paevitueshme që ai
të mënjanohet nga skena politike, madje të likuidohet edhe fizikisht (Stamboliqi,
Gjingjiqi). Kështu ka funksionuar Serbia edhe gjatë kohës së Jugosllavisë: e ka ruajtur
këtë shtet multinacional vetëm për aq kohë sa ka qenë e bindur se ai iu shërben
interesave të popullit serb, shpesh duke e konsideruar më shumë se gjysmën e saj si
“Serbi e zgjeruar” (një pjesë të Kroacisë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi,
Maqedoninë, Kosovën dhe Vojvodinën). Prandaj, nuk qëndron supozimi se Jugosllavinë
e shkatërruan lëvizjet nacionaliste të popujve të përfshirë brenda saj, por e shkatërroi
vetë Serbia, me pretendimin se ajo nuk ishte më kornizë e mjaftueshme për interesat
nacionale të popullit serb.
Pas luftërave të fundit në ish-Jugosllavi, të cilat i nxiti dhe i udhëhoqi Serbia,
nacionalizmi serb u dekonstruktua dhe mbeti pa bazën e vet ideologjike, duke mos
gjetur për një kohë postulatet e përshtatshme, as teorike as praktike, të rikthimit të
homogjenizimit botëkuptimor dhe pragmatik. Asnjë ideologji e re nuk mund t’i
zëvendësonte platformën politike të shpallur përmes “Memorandumit” të Akademisë së
Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, as pikëpamjet dhe praktikat hegjemoniste të
Millosheviqit, se “Serbia është atje, ku është qoftë edhe një serb i vetëm”. Prandaj, për
njëzet vjet Serbia mbeti e pandryshuar, pa pluralizëm real politik, pa demokraci të
brendshme dhe e pa denazifikuar, duke madhëruar luftërat e humbura dhe duke
nderuar heronjtë e krimeve në Kroaci, në Bosnje dhe Kosovë.
Për shkak të mungesës së vazhdueshme të mendimit të lirë dhe për shkak të uzurpimit
dhe nënshtrimit nacionalist të pikëpamjeve liberale dhe demokratike, edhe së fundi në
Serbi “idetë e mëdha” vazhdojnë t’i prodhojnë elitat shtetërore, ku përfshihen edhe
mediet, edhe partitë politike, njësoj si edhe vetë Akademia e Shkencave. Idetë
serbomëdha të shtrirjes territoriale të Serbisë nga Selaniku e deri në vijën Karlovac-
Karlobag-Virovitica, së fundi u zëvendësuan me togfjalëshin hiperbolik “bota serbe”, i
cili është i ngjashëm ose i njëjtë me togfjalëshin “tokat serbe” të Lëvizjes Çetnike, që
riaktualizon ide ekspansioniste serbomëdha. Në të vërtetë, në esencën e tij ky togfjalësh
ka sloganin e Sheshelit “Aty ku është një serb i vetëm, aty është Serbia” dhe mund të
përmblidhet me atë që thotë diplomati Eskobar, se “bota serbe” në të vërtetë është “bota
ruse”.
Është e ditur se “bota serbe” si togfjalësh iu referohet më shumë serbëve jashtë kufirit të
Serbisë, që ata të jenë të lidhur me “amën”, pra me shtetin serb, të mos integrohen në
shoqëritë e shteteve të tjera dhe të shërbejnë si element i përdorshëm nga Serbia, kurdo
që kjo të shihet e nevojshme. Kjo popullsi serbe, e lidhur me amën dhe e manipuluar
politikisht nga Beogradi, vazhdimisht bën obstruksione dhe veprime destabilizuese, si
në Bosnje, në Mal të Zi ashtu dhe në Kosovë, madje ndonjëherë edhe në Maqedoni,
gjithnjë me idenë se rrënimi i këtyre shteteve, ose kriza e tyre e brendshme mund ta
faktorizojë Serbinë, mund t’i japë asaj primatin politik dhe ta bëjë forcë dominuese në
rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tashmë është kuptuar nga i gjithë faktori ndërkombëtar
perëndimor se përdorimi politik i serbëve dhe i Serbisë si element destabilizues në rajon
nxitet drejtpërdrejt nga Rusia dhe në disa raste financohet po prej saj, përmes
projekteve të drejtpërdrejta ose të tërthorta, në ndonjë rast edhe perëndimore, të cilat
përdorin donacionet e “Gazpromit”.
Në këtë kontekst të përgjithshëm duhet parë edhe nismat e Serbisë një herë për “mini-
Shengenin” dhe pastaj për projektin “Ballkani i hapur”, si: i) obstruksion ndaj NATO-s
dhe BE-së, ii) hapësirë për depërtime të reja politike dhe ekonomike të Rusisë dhe Kinës
në Ballkan, iii) fuqizim i mëtejshëm i Serbisë në rajon, dhe iv) anashkalim i Kosovës në
të gjitha proceset politike dhe ekonomike rajonale. Për pikën e fundit, pra anashkalimin
e Kosovës, kërkohet një shqyrtim i veçantë, por me këtë rast mjafton të themi se
çështjen e Kosovës, që kur ajo ka marrë atributet e një problemi të mprehtë politik,
Serbia është përpjekur ta zgjidhë përmes Shqipërisë, e nxitur nga një traditë e hershme,
ashtu siç e ka ndihmuar pacifizimin e saj mbreti Zog përmes marrëveshjeve me
Mbretërinë Jugosllave (Pashiqin), apo komunistët shqiptarë dhe jugosllavë përmes
përkimeve ideologjike dhe organizimeve të përbashkëta politike. Në të vërtetë, lojaliteti i
tanishëm i Shqipërisë ndaj të gjitha nismave rajonale të Serbisë, përveç përfitimeve të
tjera, kanë në prapavijë edhe “nostalgjinë ideologjike” të Shqipërisë, e cila, në rrethanat
e ndonjë krize të brendshme ose të krizës në marrëdhënie me Perëndimin, i kthehet
lindjes ish-komuniste, pavarësisht faktit se Shqipëria që herët është dukur sikur është
distancuar nga ky konstalacion politik, kulturor dhe botëkuptimor.
SHQIPËRIA DHE PROJEKTI “BALLKANI I HAPUR”
Në përgjithësi, politikat e Shqipërisë ndaj Kosovës që nga viti 1912 kanë qenë
kontradiktore, jokonsekuente, në shumicën e rasteve të tilla që kanë sakrifikuar
idealizmin e Kosovës për pragmatizmin e politik të shtetit shqiptar. Klasa politike e
Shqipërisë ka qenë e vetëdijshme se potenciali i këtij shteti është i pamjaftueshëm për ta
zgjidhur çështjen e Kosovës, por as aleancat e mundshme të Shqipërisë më fuqitë
botërore nuk e kanë pasur ndonjëherë këtë synim. Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta
përfshijnë në memorien e tyre historike faktin se gjatë luftërave ballkanike dhe më pas
(1913-1915), Serbia do të ushtrojë gjenocid jo vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës, por
edhe në brendi të Shqipërisë, ta zëmë në fshatrat e Elbasanit, ku, siç thotë Tucoviqi,
ushtria serbe dogji njerëz të gjallë. Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta kenë të lehtë ta
kuptojnë se projektet e Garashaninit, Andriqit dhe Çubriloviqit nuk kishin të bënin në
mënyrë specifike vetëm me Kosovën, por me krejt popullin shqiptar.
Mirëpo, në memorien historike të Shqipërisë edhe sot do të ushtrojë ndikim të madh
fakti se Jugosllavia ishte eksportuesja kryesore e ideve komuniste në Shqipëri. Ajo ishte
themeluese e Partisë Komuniste të Shqipërisë, duke e përfshirë lëvizjen komuniste të
Shqipërisë në agjenturat e Kominternës dhe duke ia caktuar Shqipërisë vendin në
hemisferën lindore të ndarjeve ideologjike pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse
marrëdhëniet më Jugosllavinë u prishen shumë shpejt (1948), komunistët shqiptarë e
panë si ideal edhe për shumë kohë (madje me kompleks inferioritetit) Jugosllavinë e
Titos dhe socializmin e saj vetëqeverisës. Historikisht është e njohur se afrimi i
Shqipërisë në çfarëdo mënyre me Jugosllavinë ose Serbinë, doemos duhet të eklipsonte
çështjen e Kosovës, madje shpesh ta sakrifikonte atë.
Pavarësisht se shoqëria shqiptare gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit është shoqëri pa
ideologji, recidivizmi ideologjik herë pas here rishfaqet në disa forma: si nostalgji, si
majtizëm ekstrem, si lidhje klanesh, si refuzim ndaj Kosovës dhe, herë pas here, si lidhje
më e ngushtë botëkuptimore me Serbinë dhe me proveniencën lindore.
Më anë tjetër, në Shqipëri tashmë është ngulitur ideja se Kosova paraqet pengesë të
bezdisshme për marrëdhëniet miqësore me Serbinë dhe me shtetet tjera të Ballkanit
Perëndimor dhe se përfitimet ekonomike të Shqipërisë nga këto marrëdhënie, po të mos
ishte problemi i Kosovës, do të ishin shumëfish më të mëdha, veçmas në fushën e
turizmit dhe të transportit. Prandaj që 20 vjet e këndej, çështja e Kosovës për Shqipërinë
politike dhe ekonomike kundrohet si sakrificë, të cilën ajo e bën në dobi të një ideje
tashmë të vjetruar nacionaliste.
Por, mbi të gjitha, përfshirja e Shqipërisë në nismën e “Ballkanit të hapur” nuk është
vetëm minim i “Procesit të Berlinit”, as një izolim politik i Kosovës, por ka një
konotacion largvajtës për raportet e ardhshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor. I
tërë procesi është një koncesion jo vetëm ekonomik, por edhe politik që i bëhet
Beogradit edhe nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, si kompensim të mungesës së
perspektivës evropiane për Serbinë. Më anë tjetër, hipokrizia nacionaliste e Ramës për
bashkim kombëtar, për heqje kufiri me Kosovën dhe floskula të këtilla politike, që gjoja
përfshihen në projektin “Ballkani i hapur”, njësoj si diskutimi politikisht diletant në
Kosovë për bashkim kombëtar, pa mëdyshje që i shkojnë në favor politikës së Vuçiqit,
duke e konsideruar “Serbinë e madhe” si pasojë logjike dhe kundërpeshë politike të
arsyeshme kundrejt “Shqipërisë së madhe” dhe duke vendosur shenjën e barazimit mes
Kosovës dhe Republika Srpskës, pavarësisht se bëhet fjalë për dy realitete krejtësisht të
ndara politike dhe historike.
(Derisa pavarësia e Kosovës është rast “sui generis” dhe ka marrë legjitimitet
ndërkombëtar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ndër të tjera edhe për shkak se
popullsia e saj u është nënshtruar akteve gjenocidale nga vetë shteti në përbërje të të
cilit ishte dhe se shprehja e vullnetit të saj për pavarësi është pasojë logjike e shkeljes
sistematike të të drejtave dhe lirive për një periudhë të gjatë kohore, më anë tjetër
Republika Srpska në të gjithë përbërësit e saj, territorialë dhe politikë, është rezultat i
drejtpërdrejtë i agresionit të Serbisë mbi Bosnjën dhe gjenocidit të ushtruar mbi
popullsinë myslimane.)
Së fundi, arsyetimi i Shqipërisë se projekti “Ballkani i hapur” është një hap përpara në
“Procesin e Berlinit” është krejtësisht i paqëndrueshëm, sepse “Procesi i Berlinit”
nënkupton përfshirje të barabartë dhe të njëhershme të të gjithë shteteve të Ballkanit
Perëndimor (Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut
dhe Serbia) dhe jo si “proces i bashkëngjitjes”, që dikush t’i bashkohet dikujt, siç
pretendohet me projektin “Ballkani i hapur”. Më anë tjetër, duke parë propagandën e
madhe të medies së Shqipërisë të varur nga qeveria e Tiranës rreth projektit “Ballkani i
hapur”, njësoj si më parë për “mini-Shengenin ballkanik”, del shumë e qartë se qeveria e
Tiranës, njësoj si ajo e Beogradit dhe e Shkupit, përmes këtij projekti synon të
kompensojë medialisht, për aq sa është e mundur, dështimet në procesin e reformave
dhe të përafrimit me Bashkimin Europian. Situata e paqartë e integrimit të Shqipërisë
në BE, për të cilën qeveritë e Tiranës mbajnë përgjegjësi të vazhdueshme, me këtë rast
kërkohet të kompensohet dhe të kamuflohet përmes projekteve rajonale dhe me aleanca
politike alternative.
MBËSHTETJA E MAQEDONISË SË VERIUT PËR NISMËN “BALLKANI I HAPUR”
Që nga fillimi, që në nismën e Novi-Sadit, Maqedonia e Veriut ishte e para që iu
bashkëngjit Serbisë për iniciativën rajonale “mini-Shengeni ballkanik” dhe më pas
“Ballkani i hapur”. Koha kur u shfaq ky afrim i papritur i Maqedonisë së Veriut me
Serbinë, lidhet drejtpërdrejt me ngurrimet e BE-së për të çuar përpara negociatat e
integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe, së fundi, me bllokimin që po iu bën Bullgaria
këtyre negociatave. Pra, sikundër edhe në rastin e Shqipërisë, në pamje të parë duket se
iniciativat rajonale të tipit “Ballkani i hapur” kanë për synim të kompensojnë dështimet
në procesin e integrimit evropian.
Por në të vërtetë, duke marrë parasysh rrethanat gjeostrategjike në Ballkanin
Perëndimor, boshti asimetrik Beograd-Shkup-Tiranë ka edhe të tjera reperkusione,
edhe tjetër prapavijë. Pas “Marrëveshjes së Prespës” dhe tejkalimit të problemeve me
Greqinë rreth emrit, përveç se kishte pritur një avancim më të shpejtë të integrimeve me
BE-në, Maqedonia e Veriut, me këtë forcim të shpejtë të pozitës ndërkombëtare u gjet e
inkurajuar të bëjë edhe disa ndryshime edhe në politikat e saj të brendshme dhe
rajonale. Rëndësia e pjesëmarrjes së gjerë të shqiptarëve në jetën politike të Shkupit, që
mund të konsiderohej si njëlloj katalizatori i stabilitetit, duke ruajtur balancat politike të
brendshme dhe të jashtme të vendit, përnjëherësh u përmbys dhe u zhvlerësua.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë më faktor relevant, as në politikat e
brendshme, as në politikat e jashtme të këtij shteti, sepse peshën e tyre qeveria e
Shkupit e ka zëvendësuar, ose synon ta zëvendësojë me një afrim të drejtpërdrejtë me
Tiranën, duke e anashkaluar ose duke e bërë të parëndësishëm faktorin e brendshëm
shqiptar. Pranimi në NATO i Maqedonisë e Veriut nuk u lexua në Shkup vetëm si forcim
i sigurisë dhe i pozitës ndërkombëtare të këtij shtetit, por më shumë si mundësi për të
bërë ndryshime strukturore në politikat e brendshme dhe të jashtme, siç është afrimi me
Serbinë dhe anashkalimi i faktorit të brendshëm shqiptar, si përcaktues i konfigurimit
politik të vendit. Në të vërtetë, që me largimin e Gruevskit nga Maqedonia përmes një
marrëveshjeje Zajev-Ahmeti-Rama dhe më pas Vuçiq, u pa qartë se ky koalicion në të
ardhmen do të forcohet edhe më shumë, duke e kthyer faktorin shqiptar të Maqedonisë
së Veriut në shërbyes të tij.
Me afrimin e shpejtë dhe gati të papritur me Beogradin dhe më pas me Tiranën, qeveria
aktuale e Shkupit mendon se mund të arrijë disa objektiva njëherësh: i) t’i bëjë shantazh
BE-së me mundësinë e përafrimit më të madh me Serbinë dhe Rusinë; ii) ta forcojë
diskursin e saj nacionalist, për të baraspeshuar me të djathtën, e cila e ka bazë kryesore
qëndrimin e prerë antishqiptar; iii) të tërheqë në krahun e vet një pjesë të mirë të
elektoratit pro-serb, i cili iu bashkëngjit të djathtës maqedonase për shkak të vijës së saj
më të ashpër ndaj shqiptarëve; iv) të shmangë Kosovën nga agjenda politike, duke e
identifikuar atë si burim të nacionalizmit, për ta relativizuar peshën e saj te faktori
shqiptar i Maqedonisë së Veriut; dhe v) të shmangë lëvizjet emancipuese nga Kosova,
që ushtrojnë ndikim te shqiptarët, në mënyrë që t’i krijohet hapësirë e patrazuar
manipulimit fetar islamist, duke vazhduar traditën e hershme të kohës së ish-
Jugosllavisë. Në të gjitha këto pika, afrimi me Beogradin duhet të rivalizojë Bullgarinë,
kurse afrimi me Tiranën duhet të margjinalizojë ndikimin e Kosovës. Kjo është traditë
recidiviste e Shkupit që në kohën e ish-Jugosllavisë.
Mirëpo, shkëputja e lidhjeve tradicionale të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me
Kosovën do të shkaktojnë pashmangshëm disa pasoja të rënda dhe do t’i sjellin dëme të
mëdha jo vetëm komunitetit shqiptar, por edhe vetë shtetit maqedonas, siç është
shtrirja më agresive e radikalizmit islamik, i pa baraspeshuar dhe “i pakontrolluar” nga
ndikimi emancipues i Kosovës; radikalizimi i një pjese të faktorit politik shqiptar, i cili
nuk do të ndihet mirë nën ombrellën anacionale të Tiranës; përçarjet e brendshme e
faktorit politik shqiptar (sipas modelit të Tiranës), që mund të çojnë deri te destabilizimi
i Maqedonisë së Veriut etj. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Kosova ka qenë dhe
vazhdon të jetë lidhje shpirtërore, që nuk mundet të minimizohet, aq më pak të
mënjanohet tërësisht.
GJYKATA NDËRKOMBËTARE E DREJTËSISË (GJND) DHE BLLOKIMI I NJOHJEVE
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, gjykata e nivelit më të lartë e Kombeve të
Bashkuara, publikoi më 22 gusht të vitit 2010 opinionin këshillëdhënës lidhur me
ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që ishte përgjigje e kësaj
gjykate në Hagë ndaj kërkesës së Serbisë, nëse “deklarata e njëanshme për pavarësi e
shpallur nga organet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës është në përputhje me të
drejtën ndërkombëtare”. Kryetari i kësaj gjykate, Hisashi Owada, në emër të 15
anëtarëve të GJND-së, pasi bëri të ditur se ky institucion ka të drejtë të japë mendimin
juridik për çështjen e paraqitur dhe pasi përshkroi gjerësisht rrethanat që kanë çuar deri
te shpallja e pavarësisë së Kosovës, tha se “Deklarata e shpalljes së pavarësisë së
Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare”. Owada theksoi se
“GJND konsideron se e drejta e përgjithshme ndërkombëtare nuk përmban asnjë
dispozitë me të cilën ndalohet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi GJND-ja
konstaton se pavarësia është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Ky vendim i GJND-së u mor me shumicën e votave të gjykatësve: 10 prej tyre ishin të
këtij mendimi, ndërsa katër ishin kundër. GJND gjithashtu konstatoi se me shpalljen e
pavarësisë së Kosovës nuk është shkelur Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-
së, ngase kjo rezolutë kishte karakter të përkohshëm dhe nuk ndalonte zgjidhjen
përfundimtare të statusit të Kosovës. Përkundrazi, Rezoluta 1244 synonte të krijonte
kushte për një zgjidhje të përhershme.
Kjo ishte një fitore e madhe e Kosovës në planin ndërkombëtar dhe në përgjithësi ky
vendim krijoi bindjen se Kosovës do t’i krijoheshin mundësi për njohje të reja dhe për
depërtim të fuqishëm në planin ndërkombëtar. Pavarësisht se vendimi i GJND-së ishte
këshilldhënës, autoriteti i këtij institucioni sugjeronte një respektim më të gjerë të
pavarësisë së Kosovës si “fakt i kryer”, i cili në asnjë rrethanë nuk mund të kthehej
prapa, të anulohej ose të relativizohej. Ishte e pritshme që edhe shtetet skeptike të
kthenin një faqe të re të marrëdhënieve të tyre me Kosovën, duke iu bashkëngjitur
shteteve që tashmë e kishin njohur pavarësinë e saj dhe kishin vendosur marrëdhënie
diplomatike. Por, pse dhe si ndodhi tërheqja?
Ishin disa faktorë: i) një sërë krizash rajonale eklipsuan çështjen e Kosovës dhe për disa
shtete që kishin qenë mbështetës të saj më të mëdhenj, çështja e Kosovës ishte çështje e
përfunduar dhe nuk e panë më të nevojshme të merreshin aq intensivisht me të; ii) kriza
ekonomike bëri që shtetet vendimmarrëse ta përqendrojnë vëmendjen në çështje të
tregjeve të mëdha dhe të mos merren me problemet politike të Ballkanit Perëndimor;
iii) BREX-it dobësoi fuqinë vendimmarrëse të BE-së dhe me daljen përfundimtare të
Britanisë së Madhe nga BE-ja, Kosova humbi një mbështetës të fuqishëm dhe të
jashtëzakonshëm në Bruksel dhe në të gjitha forumet e tjera të BE-së; iv) zhvillimet
brenda vetë Kosovës ndikuan negativisht në njohjet ndërkombëtare, veçmas qeverisja e
keqe, korrupsioni dhe krimi i organizuar bënë që shumë shtete ta shikojnë me
skepticizëm të ardhmen e Kosovës, ndërsa Serbisë i krijuan argumente lehtësisht të
përdorshme për propagandën e saj kundër njohjeve; v) hapja e çështjeve territoriale në
dialog me Serbinë, që u pranua si opsion nga një pjesë e elitës politike të Prishtinës,
ishte dëmi më i pariparueshëm për pozitën ndërkombëtare të Kosovës, sepse nga një
“çështje e mbyllur”, e bëri Kosovën “çështje të hapur”, posaçërisht për një numër
shtetesh ende të pavendosura; vi) Gjykata Speciale bëri që Kosova të marrë atribute
ndërkombëtare jashtëzakonisht të pafavorshme, sepse u institucionalizua ideja se mbi
elitën e saj politike rëndonin krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit; vii) Misioni i
BE-së për Sundimin e Ligjit nuk stabilizoi gjyqësorin e Kosovës dhe nuk e bëri Kosovën
shtet ligjor, por u përfshi në afera të brendshme dhe u përqendrua në bashkëpunim
intensiv me Serbinë, për ndjekur ish-prijësit e UÇK-së; viii) Kosova bëri gabim të madh
që pranoi njohje të sponsorizuara në mënyrë korruptive, sepse Serbia, po me
korrupsion, njohjet e tilla i bëri pothuajse të papërdorshme etj.
Ndërkohë, “Marrëveshja e Uashingtonit” e shtatorit të vitit 2020, në të cilën u përfshi
edhe njëlloj moratoriumi njëvjeçar i Kosovës për njohje dhe anëtarësim në organizata
ndërkombëtare, dhe i Serbisë për ç’njohje, gjithashtu i shkaktoi dëm të madh Kosovës,
sepse një çështje të saj legjitime, e shndërroi në çështje që duhet të marrë edhe
miratimin e Serbisë.
Më anë tjetër, pavarësisht se çështja e Kosovës në të drejtën ndërkombëtare mori
statusin e një çështjeje “sui generis”, pesë shtete të BE-së (Greqia, Spanja, Rumania,
Qipro dhe Sllovakia) mbeten këmbëngulëse në mosnjohje, thjeshtë për shkak të
problemeve të tyre të supozuara me pakicat, duke bërë një lidhje të paarsyeshme të
situatës së tyre me minoritetet dhe statusit të Kosovës. Shtetet kryesore të BE-së, që
përbënin “grupin e kontaktit” për Kosovën (SHBA, Britania, Gjermania, Franca dhe
Italia) nuk bënë trysni të mjaftueshme mbi këto shtete evropiane, sikundër që nuk
ushtruan asnjë trysni mbi Serbinë, e cila vazhdon t’ua kërkonte hapur të gjitha shteteve
të mos e njihnin Kosovën ose, nëse tashmë kishin bërë, ta ç’njohin atë. Një sjellje e
këtillë e Serbisë, agresive dhe bllokuese ndaj Kosovës, nuk mori asnjëherë një përgjigje
më eksplicite nga këto shtete që përbënin “grupin e kontaktit”, as nga ato shtete që u
shprehen në mbështetje të pavarësisë. Madje, për shkak të këtyre pesë shteteve dhe të
vendimmarrjes koncensuale në forumet e BE-së, Kosova mbeti pothuajse e përjashtuar
nga procesi i integrimeve, edhe përkundër faktit se tashmë e kishte kaluar sprovën e
“standardeve para statusit”, sikundër që mbeti pa liberalizim të vizave dhe me negociata
të prapambetura për integrim në BE.
Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe BE-ja i bëri Serbisë favore të mëdha, duke hapur
vazhdimisht kapituj të rinj të bisedimeve për integrim, duke e ndihmuar financiarisht,
duke nxitur investimet dhe duke mos e ndëshkuar në asnjë formë për politikat e saj
destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Kushtëzimi i BE-së se Serbia nuk mund të
integrohet në BE pa njohjen e Kosovës, pak nga pak u zhvlerësua në vokabularin politik
të diplomatëve europainë dhe, së fundi, kancelarja gjermane Merkel pothuajse u afrua
tërësisht me qëndrimin e Serbisë, se statusi i Kosovës do të marrë “zgjidhje
përfundimtare” pas dialogut të Brukselit, ku duhet të bëhen kompromise nga të dyja
palët.
DIALOGU KOSOVË-SERBI DHE POLITIKAT E BE-SË
Edhe përkundër faktit se shumë shtete të BE-së kanë qenë pjesë e koalicionit euro-
atlantik që më 1999 hapën një kapitull të ri në historinë e Kosovës, viteve të fundit,
kryesisht për shkak të mosunitetit të brendshëm dhe krizave të tjera strukturore dhe
vendimmarrëse, Bashkimi Europian ndoqi një politikë izolacioniste ndaj Kosovës, duke
mos arritur të konsolidojë një qëndrim unik ndaj saj, duke i dhënë krah autoritarizmit
në Serbi, nëse jo përmes politikave të Brukselit, atëherë përmes eksponentëve të
veçantë, siç është rasti i Hungarisë. Më anë tjetër, BE-ja si strukturë vendimmarrëse i ka
bërë dhe vazhdon t’i bëjë koncesione të mëdha Serbisë, duke mos ngritur zërin për rolin
dhe veprimtarinë e saj të vazhdueshme në destabilizimin e tre shteteve të Ballkanit
Perëndimor njëherësh: Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi. Ndonëse janë 22 shtete të BE-
së që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur, politikat e BE-së ndaj Kosovës duket sikur
dirigjohen dhe kushtëzohen nga 5 shtetet mosnjohëse. Këto 5 shtete, jo vetëm pse prej
tyre vjen edhe komisionari i lartë për politikë të jashtme, njësoj si edhe përfaqësuesi i
posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, duke qëndruar në afërsi pikëpamjesh me Serbinë, i
kanë vendosur barriera të mëdha Kosovës në rrugën evropiane të integrimit.
Kështu, që nga miratimi i një rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (shtator
2011), kanë kaluar më shumë se 10 vjet që zhvillohet një dialog jofrytdhënës mes
Kosovës dhe Serbisë, i sponsorizuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-së, i cili deri
tani ka dhënë rezultate minimale. Arsye e vetme është se Serbia nuk e njeh pavarësinë e
Kosovës dhe nuk bën asnjë koncesion në këtë drejtim, përkundrazi, punon pareshtur që
ta minojë këtë pavarësi, si në planin dypalësh, ashtu edhe në planin rajonal dhe
ndërkombëtar. Për shkak të kësaj rrethane, një numër marrëveshjesh që janë arritur
nuk kanë gjetur asnjëherë zbatimin përkatës dhe shpesh kanë mbetur pa asnjë
domethënie. Bie fjala, që në fund të vitit 2012 janë arritur shtatë marrëveshje: lëvizja e
lirë, menaxhimi i integruar i kufirit, regjistrat kadastralë, regjistrat civilë, përfaqësimi
rajonal dhe njohja e diplomave, me të cilat, në të gjitha rastet Kosova i bën koncesione
Serbisë: lëvizja e lirë me dokumente të UNMIK-ut, përfaqësimi rajonal do të bëhet me
fusnotë Kosova-UNMIK, në vulat doganore nuk do të shkruhet Republika e Kosovës,
ndërsa Kosova do të marrë nga Serbia vetëm kopjet e regjistrave civilë dhe atyre
kadastralë, kurse njohja e diplomave as që do të zbatohet ndonjëherë.
Ndërkohë, në pranverën e vitit 2013 Kuvendi i Kosovës me një rezolutë “shprehu
pëlqimin” që të nënshkruhet një marrëveshje e parimeve që rregullojnë marrëdhëniet
me Serbinë. Më 27 qershor 2013 marrëveshja pesëmbëdhjetë pikëshe (e vetmja) u
ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me 2/3 e votave të deputetëve, duke shkaktuar krizë të
brendshme politike, ndërkaq Kuvendi i Serbisë e trajtoi atë si “informatë” dhe nuk e
miratoi me votë parlamentare. Marrëveshja në tërësinë e saj trajton integrimin e
komunitetit serb në Kosovë në këmbim të krijimit të asociacionit të komunave me
shumicë serbe, i cili, i tillë siç u miratua në Kuvendin e Kosovës, ka kompetenca në
ekonomi, arsim, shëndetësi dhe planifikim hapësinor. Aty gjithashtu ishte paraparë që
strukturat ilegale të sigurisë në veriun e Kosovës do të integroheshin në strukturat
përkatëse të Kosovës, pastaj mbajtja e zgjedhjeve lokale, financimin transparent nga
Serbia, si dhe integrimin e strukturave gjyqësore paralele në sistemit gjyqësor të
Kosovës etj.
Për të tejkaluar situatën e krizës së brendshme që shkaktoi miratimi në Kuvendin e
Kosovës të marrëveshjes për asociacionin e komunave serbe, më shumë se dy vjet më
vonë (më 30 tetor 2015), Presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, e dërgoi
Marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesë për interpretim të përputhshmërisë
së parimeve të asociacionit më Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rreth dy muaj më
vonë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se “parimet e përgjithshme” të kësaj marrëveshjeje
nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, sepse asociacioni i komunave
serbe kishte marrë kompetenca ekzekutive, gjë që nuk e lejonte Kushtetuta.
Ndërkohë, çështja e asociacionit dhe ky vendim i Gjykatës Kushtetuese do të bllokojë të
gjitha përpjekjet e BE-së që të çojë përpara procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Së fundi,
duke e parë se kjo çështje nuk mund të marrë një zgjidhje të përshtatshme,
përfaqësuesit e BE-së kanë filluar të bëjnë trysni vazhdueshme mbi Kosovën për të
ndryshuar Kushtetutën e saj, në mënyrë që ajo “të lejojë” themelimin e asociacionit të
komunave me shumicë serbe. Kjo është një qasje joadekuate e strukturave të BE-së,
duke e ditur se një asociacion i tillë do ta bënte Kosovën shtet jofunksional dhe do të
krijonte “hapësirë kushtetuese” për autonomi territoriale të komunave serbe në Kosovë,
duke u bërë prelud për ndarjen e saj. Strukturat e BE-së të përfshira në çështjen e
dialogut, pothuajse asnjëherë nuk e kanë bërë të qartë se një asociacion i tillë është i
mundur vetëm nëse Republika e Serbisë paraprakisht ndryshon Kushtetutën e saj, në të
cilën Kosova nuk do të përkufizohej si “krahinë e Serbisë”, por do të njihej sovraniteti
dhe integriteti i saj territorial, siç kishte parashikuar një “non-paper” gjermano-
britanike ne vitin 2013, që kërkonte përmbylljen e procesit të normalizimit përmes një
marrëveshje ligjore të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i mundësonte dy
shteteve rrugën individuale drejt anëtarësimit në BE, si dy vende të pavarura.
Duke e parë se çështja e asociacionit do të mbetej të zgjidhej në një dialog final ndërmjet
dy vendeve, diplomacia e BE-së zhvilloi dialogun Kosovë-Serbi në dy paralele pothuajse
të ndara: dialogun politik, i cili do të duhej të çonte drejt zgjidhjes përfundimtare; dhe
dialogun teknik, i cili merrej me zgjidhjen e një mori çështjes që lidhen me aspekte
praktike të jetës së qytetarëve dhe të funksionimit të papenguar të dy shteteve, pa vënë
në diskutim njohjen ose mosnjohjen reciproke. Marrë në tërësi, deri së fundi janë
arritur mbi 30 marrëveshje të tilla, të cilat i ka përmbledhur në një botim Akademia e
Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (“Dialogu Kosovë-Serbi-dokumente”). Në shumicën e
rasteve tekstet e marrëveshjeve janë konfuze, me ambiguitet kuptimor, me mundësi të
ndryshme interpretimi, shpesh pa nënshkrime, pa numër protokolli, pa përmendur mes
kujt arrihen, vetëm e vetëm që me këtë mënyrë të dialogut të pajtohet Serbia, e cila
Kosovën nuk pranon ta trajtojë subjekt të ndonjë marrëveshjeje, por vetëm si pjesë e saj,
e ndarë “përkohësisht” me kufi administrativ nga shteti serb, me Rezolutën 1244 të KS
të OKB-së. Edhe marrëveshja e fundit “për targat”, e bërë nën trysninë e Brukselit, ishte
kompromis që bëri Kosova ndaj Serbisë, duke lejuar sërish shkeljen e sovranitetit të saj
dhe ndërhyrjen e Serbisë në një pjesë të territorit të saj.
BE-ja, si lehtësuese e dialogut, e ka përvetësuar metodën e këtillë të hartimit të
dokumenteve, si dykuptimësi ose “ambiguitet konstruktiv”, në mënyrë që secila palë të
mundet të bëjë interpretimin e marrëveshjeve sipas dëshirës së saj dhe të konsiderojë
ato më të mira dhe më të dobishme për vete, e papenguar nga ndërmjetësi dhe pa
ndërhyrje me shpjegime shtesë. Kjo metodë e promovuar nga Kissingeri shumë vjet
përpara në dialogun Izrael-Palestinë, është pranuar pa vërejtje nga pala kosovare, nën
trysninë e BE-së, ndonëse ka qenë shumë e qartë se “ambiguiteti konstruktiv”, njësoj si
modeli Izrael-Palestinë, më shumë i përgjigjet Serbisë sesa Kosovës, sepse në njëfarë
mënyrë vetë teksti i marrëveshjeve “lejon” moszbatimin e tyre. Mungesa e përvojës
diplomatike dhe asistenca jo e sinqertë e BE-së ka bërë që shumica e marrëveshjeve
Kosovë-Serbi të dalin si koncesione që Kosova ia bën Serbisë, duke relativizuar
sovranitetin dhe pavarësinë e saj.
IDEJA PËR NDARJEN E KOSOVËS
Duke parë pozicionet e kundërta të palëve të përfshira në negociata Kosovë-Serbi, që në
fillim të dialogut nga “grupe të krizës”, kryesisht ish-diplomatë dhe OJQ që merren me
çështje të sigurisë ndërkombëtare, u paraqitën ide, të cilat kishin synim ta zgjidhnin
çështjen e Kosovës me një “prerje” radikale, duke e ndarë territorin e saj dhe duke e
“pajtuar” Serbinë me humbjen e paevitueshme të Kosovës. Të gjitha idetë rreth ndarjes
së Kosovës kishin synim të mos e linin Serbinë si humbëse në këtë përballje me Kosovën
dhe bashkësinë ndërkombëtare. Të gjithë hartuesit e projekteve për ndarjen e Kosovës e
kishin synim ta kompensonin Serbinë, në mënyrë që ajo të pranonte humbjen dhe
merrte një qëndrim më parimor ndaj Kosovës dhe nacionalizmi i saj të bëhej më
“konstruktiv” në raport me rajonin. U krijua bindja se me ndarjen e Kosovës dhe me
marrjen e një pjese të saj, Serbisë, në njëfarë mënyre i kthehej “nderi i humbur” dhe se
ky fakt do të reflektohej pozitivisht jo vetëm në raport me Kosovën, por edhe me rajonin
e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi.
Pavarësisht se si u paraqit në opinion dhe në kancelaritë diplomatike, ideja për ndarjen
e Kosovës ishte ide e nacionalizmit serb, madje e dishepujve të saj më të spikatur, siç
ishin Çubriloviqi dhe Qosiqi. Që në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, kur u pa se
problemi i Kosovës do të bëhej i papërballueshëm për Serbinë, në fillim Çubriloviqi dhe
më pas Qosiqi nxorën idenë e “çkufizimit përfundimtar” të serbëve dhe shqiptarëve,
përmes ndarjes së Kosovës. Idenë e ndarjes Qosiqi e ripërsëriti disa herë edhe pas vitit
1999, duke nxjerrë në opinion argumente serbe për një zgjidhje të këtillë. Por gjithsesi
në agjendën politike të marrëdhënieve Kosovë-Serbi ndarja u fut pas shpalljes së
Pavarësisë së Kosovës (2008).
Që më 2011, duke parë se i ashtuquajturi “dialog teknik” me Serbinë mund të përfshinte
edhe tema fondamentale për Kosovën, duke rrezikuar rendin e saj kushtetues, në mars
të vitit 2011 në Parlamentin e Kosovës u miratua një platformë e qeverisë së Kosovës,
me të cilën u përcaktua “korniza parimore” e dialogut, sipas të cilës u parashtruan të
panegociueshme disa pika themelore: i) sovraniteti dhe integriteti territorial, ii)
rregullimi i brendshëm i vendit dhe iii) Plani i Ahtisarit për komunitetet. Por, pas
themelimit të Gjykatës Speciale më 1 shtator 2016 dhe pas përfshirjes në mandatin e saj
të krimeve të supozuara gjatë periudhës së Qeverisë së Përkohshme, në dialogun me
Serbinë dhe në raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, u krijua një rrethanë
krejtësisht ndryshe: në biseda joformale dhe në kuluaret diplomatike u fut në agjendë
opsionin e ndarjes së Kosovës.
Pasi u kuptua se ish-liderët e UÇK-së mund të ishin objekt i Gjykatës Speciale, u
intensifikuan edhe ecejaket emisarëve “diplomatikë”, të cilët filluan të lëviznin me një
shpejtësi në prapaskenat e qendrave politike vendimmarrëse, pothuajse në të gjitha
shtetet që mund të kishin ndikim në këtë zhvillim. Disa kancelari diplomatike
perëndimore këtë rrethanë e panë si “mundësi të artë” për një zgjidhje të shpejtë të
“çështjes së Kosovës”, kështu që në prapaskena i dhanë mbështetje kësaj ideje, duke
përdorur një frazë të këtillë: nëse palët pajtohen për një zgjidhje qoftë edhe përmes
ndarjes, ne nuk kemi arsye të mos e mbështesim atë. Por, siç do të shihet më vonë,
situata në terren brenda vetë Kosovës nuk ishte aspak e tillë: opinionin publik mbeti
pothuajse unik kundër ndarjes së Kosovës. Më anë tjetër, mbështetja që mori nga disa
liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, se do ta pranonin në qetësi ndarjen e Kosovës,
duke mos kërkuar që ata të bashkoheshin me Kosovën ose me Shqipërinë dhe duke mos
e copëtuar këtë shtet, nuk kishte asnjë garanci se me një agjendë të këtillë nuk do të
rrënohej njëkohësisht edhe paqja e brishtë në Maqedoninë e Veriut.
Kontaktet intensive dhe komunikimi i vazhdueshëm në trajektoren Tiranë-Prishtinë-
Beograd, herë të fshehta dhe herë publike, si dhe përpjekja për të bindur opinionin e
Kosovës dhe të Serbisë me këtë opsion, nxorën në publik ide kontradiktore, por edhe
projekte konkrete, që filluan të qarkullonin edhe në media dhe opinion. Krahas lobimit
të fuqishëm nga eksponentët e politikës në Prishtinë, Tiranë dhe Beograd, në hartimin e
këtyre projekteve, me harta dhe përshkrime të gjera sesi mund të realizohej kjo ndarje, u
morën edhe lobistë dhe donatorë me emër, të gjithë të mbledhur rreth idesë së mjegullt,
se po ndodhte tashmë një ndryshim i madh i klimës politike në rajonin e Ballkanit
Perëndimor. Por nga të gjithë skeptikët e një “përmbysjeje” të këtillë, më së shumti
mosbesues ishin kosovarët, të cilët kuptuan dy gjëra: e para, se ndarja e Kosovës dhe
bashkëngjitja e veriut të saj Serbisë nuk do të kompensohej me Luginën e Preshevës;
dhe, e dyta, se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë me ndihmën dhe miratimin e Serbisë,
ishte një floskulë politike manipuluese, pa asnjë bazë reale.
GJYKATA SPECIALE NË HAGË
Shumica e institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe mediet, janë gjetur nën një presion
të madh për t’u distancuar nga Gjykata Speciale dhe për ta cilësuar atë si antishqiptare
dhe antikosovare. Vetë Gjykata Speciale kishte shumë kontradikta brenda saj dhe jepte
argumente të mjaftueshme për të ngritur dilema, nëse një gjykatë e tillë duhej t’ia
vendoste Kosovës “gurin rreth qafe”, sepse krimet serbe në Kosovë, së paku
përpjesëtimisht për nga viktimat, kishin qenë dhjetëfish më të mëdha. Të rrallë mund të
ishin kosovarët që mund ta perceptonin “si funksionim adekuat i drejtësisë
ndërkombëtare” themelimin e një gjykate të këtillë, e cila i barazonte krimet serbe (13
mijë të vrarë, rreth njëmijë fëmijë; mbi një mijë të zhdukur, kryesisht kufoma të bartura
nëpër Serbi; numër i paditur i grave të dhunuara; spastrimi etnik me dëbimin e gjysmës
së popullsisë së Kosovës; një pasuri e paçmuar e shkatërruar në sektorin publik dhe
privat etj.) me dëmet kolaterale të palës tjetër. Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare me
Gjykatën Speciale donte të jepte një mesazh të qartë se lufta në Kosovë kishte qenë një
konflikt ndëretnik dhe se palët ndërluftuese kishin bërë krime mbi njëra-tjetrën. Madje,
kur u pa se krimet e UÇK-së gjatë viteve të luftës 1998-99 nuk kishin qenë “të
mjaftueshme” për të ngritur një gjykatë të këtillë, themeluesit dhe sponsorizuesit e
Gjykatës Speciale e zgjeruan juridiksionin e saj edhe në periudhën e Qeverisë së
Përkohshme (qershor-dhjetor 1999).
Askush në Kosovë nuk e kontestoi faktin se krimet e kryera, kurdo që kishin ndodhur
ato dhe me çfarëdo motivi, nuk mund të mbeteshin pa u ndëshkuar, sikundër që nuk e
kontestoi as faktin se sistemi i drejtësisë në Kosovë ishte jashtëzakonisht i brishtë dhe se
kishte dështuar të sillte para drejtësisë kryes të ndryshëm të veprave penale, veçmas ato
me motive politike dhe nga marrëdhënie me komunitetet. Sistemi i drejtësisë që u
vendos nga UNMIK-u, në bashkëpunim me KFOR-in, hetoi shumë krime, por ishin të
rralla rastet që u proceduan në gjykata, me përjashtim të disa rasteve sporadike, të cilat
tashmë kishin arritur të dëshmoheshin. As Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin
e Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk u shqua për ndonjë ndihmë të madhe në ngritjen dhe
funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Të dy këta misione u ballafaquan me
afera të brendshme dhe me korrupsion permanent, i cili vinte nga vendorët, por që i
përfshiu pa përjashtim të gjithë pjesëtarët e misioneve, qofshin hetues, prokurorë ose
gjyqtarë. Duket se këto misione vetëm në një pikë kishin sukses më të dukshëm:
bashkëpunuan intensivisht me gjykatat serbe, për të mbledhur dëshmi kundër krerëve
të UÇK-së, shpesh duke manipuluar provat dhe duke i përdorur politikisht ato.
Megjithatë, sido që të ishte sistemi gjyqësor i Kosovës dhe pavarësisht nga fakti se në
mënyrë jo të drejtë u vendos një shenjë barazimi midis agresorit (Serbisë) dhe viktimës
(Kosovës), në periudhën e luftës dhe menjëherë pas saj u kryen krime, disa prej të cilëve
mund të kualifikoheshin si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, vetëm se një
pjesë e mirë e krimeve të kësaj natyre u kryen jo vetëm si hakmarrje ndaj serbëve lokalë,
por edhe ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë. Po ashtu, tashmë është krijuar bindja
se Gjykata Speciale, e themeluar nën trysninë e faktorit ndërkombëtar, as do të formohej
dhe as do të niste nga puna, jo vetëm sikur të ishte ngritur një sistem i qëndrueshëm
gjyqësor në Kosovë, por edhe sikur nomenklatura politike e Kosovës, trashëgimtare e
drejtpërdrejtë e UÇK-së, të mos e uzurponte pushtetin dhe institucionet vendore. Më
anë tjetër, ish-krerët e UÇK-së u përpoqën disa herë ta zhbënin Gjykatën Speciale,
synuan të përdornin fuqinë e tyre të votës në Parlament dhe, mbi të gjitha, të nxitnin
opinionin publik kundër Gjykatës, duke u mbështetur te ndjeshmëria e popullit të
Kosovës ndaj vlerave të UÇK-së dhe të luftës për liri.
PËRFUNDIM
Perëndimi do të duhej të formulonte një strategji më të qartë në raport me Serbinë, me
synimet e saj destabilizuese dhe për aleancat e saj me Rusinë dhe Kinën. Ekziston një
bindje e Perëndimit se Serbia gjendet nën një trysni të vazhdueshme të Rusisë dhe të
forcave të brendshme proruse, por në të vërtetë kjo është një strategji e Serbisë e mësuar
që nga koha e Titos, për të luajtur një lojë “të ndërmjetme”: për të përfituar nga
Perëndimi, kurse për të bërë politika destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, në dobi të
nacionalizmit të vet dhe të Rusisë. Është gjithashtu e qartë se nacionalizmi serb, krahas
synimeve destabilizuese të rajonit dhe pretendimeve të qarta territoriale, përdoret si
mjet për sundimin e vendit nga një strukture të caktuar politike.
Në këtë rrethanë, një zgjidhje e përshtatshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor mund
të konsiderohet afrimi i shteteve të veçanta me BE-në, siç është rasti i Kroacisë, ku
Serbia bëri shumë tentativa destabilizuese, derisa ajo u përfshi në BE dhe NATO, së
fundi për të hequr dorë nga ideja që Kroacia të përfshihet në projektet e saj nacionaliste,
me përjashtim të ndarjes së Bosnjës. Më anë tjetër, qëllimi i Rusisë është i qartë, që
përmes destabilizimit të Ballkanit Perëndimor me anë të Serbisë t’i japë goditje BE-së
dhe NATO-s. Sa herë që marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin ashpërsohen,
marrëdhëniet e Rusisë me Serbisë përmirësohen. Mediet e Serbisë, të gjitha pa
përjashtim, mbështesin politika pro-ruse dhe anti-perëndimore.
Një rol destabilizues të Serbisë në rajon e mbështet edhe Kina. Serbia i bën koncesione
ekonomike Kinës dhe në nivel propagande investimet kineze i stërmadhohen.
Gjithashtu, Kina përpiqet që Serbinë ta shfrytëzojë si bazë për aktivitetet ekonomike dhe
politike, për t’u futur në tregun evropian, në një kohë që një lidhje mes Serbisë dhe
Kinës intensifikohet edhe përmes paraleles Kosovë-Hong Kong dhe Tajvan. Në këtë pikë
qëllimet destabilizuese të Kinës dhe të Serbisë janë kompatibile.
Që nga rënia e Millosheviqit në vitin 2000, aleatët perëndimorë (BE, NATO dhe SHBA)
kanë bërë vlerësime krejtësisht të gabuara për hapat e Serbisë drejt Perëndimit, duke
sforcuar bashkëpunimin me Serbinë dhe duke e ndihmuar në të gjitha format procesin e
saj integrues në BE. Edhe përkundër faktit që Serbia bllokon Kosovën në të gjitha
nismat rajonale, Serbia është mbështetur fuqimisht si në planin politik, ashtu edhe në
atë ekonomik. Aleatët perëndimorë haptas ose heshtas i kanë mbështetur të gjitha
nismat rajonale të Serbisë, përfshirë edhe “mini-Shengenin” dhe “Ballkanin e hapur”,
ndonëse të gjithë e dinë se qëllimet e Serbisë kanë pasur dhe kanë tjetër prapavijë dhe
synime nga ato që paraqiten në opinion. Reagimet e BE-së dhe të SHBA-së për synimet
destabilizuese të Serbisë në Kosovë, në Bosnjë dhe në Mal të Zi kanë qenë
jashtëzakonisht të buta, joproporcionale me rrezikun që paraqet ky trend i rrënimit të
demokracive të brishta ballkanike.
Duke parë këtë situatë të moskoordinimit të bashkësisë ndërkombëtare rreth
tendencave të hapura të revizionizmit në politikat e Serbisë ndaj rajonit të Ballkanit,
pikërisht në këtë situatë elitat politike në Serbi kanë dalë me idenë e “botës serbe”. Në
një rrethanë të këtillë, Ballkani Perëndimor pothuajse ka mbetur pa një përkrahje më të
fuqishme nga SHBA, kurs BE-ja edhe vetë përballet me djathtizmin nacionalist në disa
shtete anëtare.
Është koha e fundit që faktorët e sigurisë, siç është NATO-ja, BE-ja dhe organizatat e
tjera ndërkombëtare, përfshirë edhe shtetet e veçanta siç është SHBA-ja, të cilat ende
vazhdojnë të mendojnë se duke e mbajtur Serbinë në “gjendje bashkëpunimi” mund të
ushtrojnë ndikim pozitiv në politikat e saj të brendshme dhe të jashtme, duhet të njohin
më për së afërmi kapacitetet destabilizuese të Serbisë në rajon, në Kosovë në mënyrë të
veçantë.
Është joproduktive dhe politikisht e gabuar që Kosovës t’i bëhet trysni ndërkombëtare
për të arritur marrëveshje të dëmshme me Serbinë, duke kërkuar prej saj të relativizojë
sovranitetin dhe integritetin e saj territorial dhe të defaktorizohet politikisht në planin e
jashtëm, si dhe të bëhet shtet jofunksional në planin e brendshëm. Gjatë dialogut BE-ja
dhe SHBA duhet t’i bëjnë presion Serbisë që të kuptojë se raportet me Kosovën duhet t’i
zgjidhë pa mbështetjen te Rusia dhe Kina dhe pa u thirrur te miti serb i Kosovës. Në
dialogun Kosovë-Serbi, BE-ja të mos mbajë anën e Serbisë, duke kërkuar vazhdimisht
që Kosova të bëjë “kompromise të dhembshme”, formulim ky që shkon në favor të
Serbisë, e cila zgjidhjen e çështjes së Kosovës e sheh si “kompromis midis pavarësisë dhe
Kosovës si krahinë e Serbisë”.
Duke qenë se Serbia është identifikuar tashmë si faktor destabilizimi në rajon, përfshirë
edhe Kosovën, përmes mekanizmave ndërkombëtarë duhet të bëhet trysni mbi politikat
e saj dhe mbi bartësit kryesorë të këtyre politikave, me kërcënime serioze për sanksione
ekonomike, për suspendim të partneritetit me NATO-n dhe duke pezulluar bisedimet
për integrime në BE. Gjithashtu do të duhej të avancohej procesi i integrimit të rajonit
në BE, veçmas i Kosovës, sepse mbajtja e Kosovës dhe e rajonit jashtë procesit të
integrimeve i shkon në favor forcave nacionaliste në Serbi dhe të politikave të saj
shtetërore të “aleancave asimetrike” rajonale, duke nxitur destabilizimin, në një rivalitet
të hapur me politikat euroantalntike dhe integrimet europiane.
Një perspektivë më e qartë e Kosovës drejt NATO-s, si strukturë themelore e sigurisë
edhe në Ballkanit Perëndimor, do ta zmbrapste Serbinë nga synimet e saj të
vazhdueshme për ta destabilizuar Kosovën dhe do të reflektonte pozitivisht në
stabilitetin politik të mbarë rajonit.
(24 janar 2022)
Si duket e kishte shkruar për 3 orë!!!
Të gjithë e dimë që Kosova nën zjarr e gjak është shkëputur nga trungu i saj Shqipëria .
Po ashtu Serbia ka aneksuar edhe trevat shqiptare në Mal të Zi , një pjesë të tyre ajo ia ka bërë dhuratë Malit të Zi , i cili deri në Luftërat Ballkanike i kishte vetëm 7 mijë kilometra katrore .
Po ashtu një pjesë e territoreve të Pazarit të Rinj i jepet Malit të Zi .
Meqenëse , Zoti Kraja, është nga trojet shqiptare të Malit të Zi ,duhet ta dijë që Buna, Liqeni i Shkodrës dhe Tivari dembabadem kanë qenë shqiptare.
Ato padrejtësisht dhe pa u marrë në konsideratë vullneti i shqiptarëve nga Fuqitë e kohës, pikërisht Rusia i janë dhënë Malit të Zi.
Sikurse apetitet e Serbisë mos t’i ndërpriste Austro – Hungaria ekzistenca e shqiptarëve do të vihej në pikëpyetje.
Pa pikë dyshimi ndihma e pakursyer e Austro – Hungarisë çoi edhe në Pavarësinë e Shqipërisë .
Serbia ka aneksuar edhe edhe trevat shqiptare në Maqedoninë e Veriut .
Maqedonia e Veriut pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore paidentitet kombëtar e kulturor krijohet si shtet i Pavarur në shtratin e shqiptarëve.
Ajo e nxitur dhe e përkrahur nga Serbia dhe Greqia i shtyp shqiptarët duke i lënë jashtë institucioneve të saj dhe jashtë çdo të drejte elementare plot 50 vjet.
Kosova xungohet edhe më tepër kur Serbia okupon edhe viset e Kosovës Lindore .
Gjithashtu me bekimin e Rusisë nga 600 e më tepër vendbanime të Sanxhakut të Nishit u përzunë dhe u vranë mijëra shqiptarë .
Ngjashëm me Serbinë veproi edhe Greqia e cila okupoi Çamërinë, duke kryer gjenocid mbi shqiptarët .
Akademia e Arteve dhe Shkencave në Kosovë , Shqipëri dhe Maqedoni është dashur të merret me trajtimin e këtyre temave .
Veriu i Mitrovicës peng i grupeve kriminale të Serbisë është dashur të jetë nën mbikëqyrjen e amerikanëve, anglezëve apo gjermanëve .
Të gjithë e dimë që serbët janë të përkthelurit e francezëve . Para syve të tyre janë arratisur banditë të shumtë ka burgu që në Kosovë kanë kryer krime mbi shqiptarët .
Asnjëherë nuk kemi parë ndonjë reagim të Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe Shqipërisë mbi kolonizimin e Veriut të Mitrovicës nga Serbia.
Me gjithë këtë grumbull të këqijash Kosova dhe Vojvodina që nga viti 1945 kanë qenë Krahina Autonome të ish- Jugosllavisë.
Mbi bazën e kësaj nuk ka mundur të kontestohet Pavarësia e Kosovës e cila me Kushtetutën e vitit 1974 e ka fuqizuar gati deri shkëputje nga Serbia identitetin e saj.
Me Kushtetutën e vitit 1974 Kosova i ka pasur të përcaktuar edhe kufijtë me fqinjët e saj . Ajo nga shumë vende të Botës është njohur në këta kufi .
Në momentin kur kanë filluar bisedimet mbi kufinjtë nga njerëz të papërgjegjshëm të Kosovës, Akademia e Shkencave të Republikës së Kosovës është dashur të reagoj dhe të ndaloj çdo tentativë që cenon integritetin territorial të Kosovës.
Pastë ndjesë rreth këtij problemi ka reaguar i vetëm profesori i të Drejtës Ndërkombëtare Publike Z. Zejnullah Gruda . Madje ai ka dalë edhe në vendngjarje duke treguar edhe me milimetra kufirin me Malin e Zi.
Vërejtjet e tij kanë qenë pa efekt sepse Mali i Zi ,ka përvetësuar në tavolina bisedimesh mbi 8mijë hektar të territorit të Republikës së Kosovës.
Meqë, brenda Akademisë së Shkencave të Kosovës , shumica e anëtarëve janë studiues të Gjuhës shqipe, dhe e njohin kontributin e Akademik Idriz Ajeti, dhënë zhvillimit të Albanologjisë, a kanë menduar ndonjëherë ndërtimin e ndonjë Muzeu Historik e Kulturor në Banjën e Sjarinës, prej nga është Akademik Idriz Ajeti .