Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të premten vonë se të gjithë të dyshuarit për kryerjen e sulmit në Banjskë në veri të Kosovës në shtator të vitit të kaluar, janë futur në sistemin ndërkombëtar të INTERPOL-it për urdhërarreste.
“Mirëpres njoftimin zyrtar nga selia qendrore e INTERPOL se tashmë janë insertuar në sistemin e urdhër arrestit ndërkombëtar të gjithë personat e dyshuar që realizuan sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit”, tha Sveçla.
Më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.
Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, e cila e mohoi çdo përfshirje, por e ka lënë të lirë Radoiçiqin prej atëherë, me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës.
“Ky është një hap i rëndësishëm dhe si i tillë ka efektin e plotë atëherë kur Serbia e cila është duke strehuar dhe akomoduar këta terroristë, i dorëzon tek autoritetet tona për t’u përgjigjur para drejtësisë”, shkroi Sveçla të premten në Facebook.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë pak ditë pas sulmit, më 29 shtator, Sveçla tha se hetimet kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në veri të Kosovës.
Sipas burimeve të REL-it në polici, deri në dhjetor ishin identifikuar 38 persona që kanë qenë pjesë e grupit të armatosur në Banjskë. Prej tyre, 31 kërkohen për t’u arrestuar.
Më 7 dhjetor 2023, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha se organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim për Radoiçiqin, në lidhje me sulmin në Banjskë.
Ai tha se fletarrestimi është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Meqë Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, fletarrestimet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë.
INTERPOL-i i tha Radios Evropa e Lirë në dhjetor se nuk komenton për rastet ose individët specifikë.
Nga kjo agjenci sqaruan se, me kërkesë të vendeve anëtare dhe pas verifikimit të pajtueshmërisë, ata lëshojnë të ashtuquajtura “njoftime të kuqe”.
“Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Megjithatë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë një person ose jo.
Në një deklaratë për REL-in, po ashtu në dhjetor, UNMIK-u tha vetëm se “i përpunon të gjitha kërkesat e pranuara nga autoritetet e Kosovës për lëshimin e Njoftimeve Ndërkombëtare për të Kërkuarit dhe ia komunikon ato INTERPOL-it për shqyrtim, në përputhje me procedurat e INTERPOL-it”.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 8 shkurt kërkuan Serbisë të mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.