Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një video në rrjetet sociale të martën, në të cilën, sipas tij, shihet nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiqi, gjatë sulmit kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.
“Ky në pamjet më poshtë është Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e listës së zezë të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar”, shkroi Sveçla në përshkrimin e videos në Facebook.
Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rruge nga dy kamionë pa targa në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë, u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa i arrestoi tetë të tjerë.
Radoiçiq – nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.
Ai kërkohet nga Kosova nën dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.
Radoiçiqi është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar, përfshirë edhe me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, një politikan opozitar serb në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar ta kontaktojë Listën Serbe dhe vetë Millan Radojçiqin, por nuk mori asnjë përgjigje
As presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e ka mbështetur këtë parti, e as Lista Serbë nuk kanë komentuar rreth akuzave të ministrit Sveçla, i cili tha dje gjatë një konference për media se Radojçiqi “është përgjegjës për sulmin në veri”.
Sveçla i përsëriti akuzat edhe të martën, duke thënë se “kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit… Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”.
Policia e Kosovës po i vazhdon të martën bastisjet nëpër shtëpi dhe objekte në dhe rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas përleshjes së armatosur.
Gjatë bastisjeve në veri, Policia e Kosovës ka gjetur sasi të mëdha armatimi.
Hyrja në fshatin e Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim, tha më 26 shtator për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.