Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, është shprehur se autoritetet në Prishtinë kanë prova se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka qenë drejtpërdrejtë i përfshirë në trajnimin e grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit.
Ministri Sveçla në një intervistë në Euronews Albania, ka deklaruar se Kosova i ka të gjithë skenarët dhe përgatitjet e duhura për t’iu përgjigjur agresionit të mundshëm serb.
Ai ka theksuar se gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, është punuar që situata në veri të Kosovës t’i kthehet normalitetit.
“Kishim fatin të mblidhnim shumë dëshmi lidhur me grupin terrorist. Tani e dimë se para sulmit në Banjskë, ky grup është trajnuar në një poligon zyrtar ushtarak të Serbisë. Së fundi Vuçiq vizitoi këtë poligon, ku ushtria e rregullt serbe pati një trajnim ushtarak. Kemi incizimet, kemi pranim dorëzimet e armatimit nga magazinat e ushtrisë për këtë grup terrorist. Kemi informata inteligjente, dëshmi gojore, që tregojnë se Vuçiç ishte drejtpërdrejtë i përfshirë në trajnimin e këtij grupi. Kemi të gjitha dëshmitë. Është tjetër nëse dëshirojmë t’i injorojmë apo minimizojmë. Ne për këto arsye kemi pasur edhe takime të Këshillit të Sigurisë. Ne kemi skenarët, përgatitjet dhe mobilizimin e kapaciteteve tona për t’iu përgjigjur çdo lloj agresioni të grupeve terroriste të financuara nga Serbia”, ka theksuar ai.
Sipas tij, po punohet që 17 % e territorit të Kosovës t’i kthehet normalitetit.
“Të gjithë e dimë se për 22-23 vite situata në veri të Kosovës, në 4 komunat veriore nuk ka qenë normale. Ka qenë një agresion i hapur i Serbisë përmes instrumenteve të saj, që është shpërfaqur herë shumë agresive, duke shtypur popullin shqiptar atje, si në vitin 2000 kur u shpërngulën nga Mitrovica e Veriut 11 mijë shqiptarë e u vranë 11 persona”, ka theksuar Sveçla.