Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të madhe armatimi në veriun e Kosovës, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas tij, aksioni u krye në Zveçan – komunë në veri e banuar me shumicë serbe – ku u bastis një shtëpi, që sipas Sveçlës përdorej si “bazë për armatimin e veriut të Kosovës”.
“Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe”, tha Sveçla.
Ai tha se në aksionin e Policisë së Kosovës u gjetën armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksplozivë.
“Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it”, tha Sveçla duke shtuar se “veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit”.
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e rendit kryejnë aksione kundër kontrabandës në veri.
Rasti i fundit ishte në gusht, kur Policia e Kosovës kishte konfiskuar mbi 1.200 fishekë në fshatin Rudine të Zveçanit.
Përveç aksioneve kundër mallrave kontrabandë, autoritetet në të kaluarën kanë kryer aksione në veri edhe kundër kriptovalutave, mihja e të cilave është ilegale në Kosovë.
Situata në veri të Kosovës në fund të majit u tensionua, pasi banorët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë.
Kryetarët u zgjodhën në prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata serbe.
Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës
Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së
10 korrik 2023
Hapi | Veprimi | Koha |
---|---|---|
1 | Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. | Java e parë |
2 | Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. | Nga java e parë, në vazhdimësi |
3 | Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve. | Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur |
4 | BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes. | Java e dytë |
Burimi: Qeveria e Kosovës
Pas rritjes së tensioneve, Kosova dhe Bashkimi Evropian në korrik u pajtuan për disa hapa drejt shtensionimit që përfshijnë uljen e pranisë së Policisë së Kosovës në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në këtë zonë.