Radio Evropa e Lirë
Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo, në Leposaviq, me datë 29 maj, sapo është arrestuar.
“Nemanja Vllaskoviq do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë. Të gjithë sulmuesit dhe kriminelët do të sillen para drejtësisë, kjo nuk ka alternativë”, ka shkruar Sveçla në facebook.
Ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës për punën në hetimin dhe arrestimin e sulmuesit të dyshuar të gazetarëve.
Sulmet ndaj gazetarëve në komunat veriore të Kosovës, janë shpeshtuar javët e fundit, derisa ata po raportojnë për zhvillimet në këtë pjesë të vendit.
Më 16 qershor, gazetarët janë sulmuar sërish në Leposaviq, derisa po mbulonin vizitën e ministrit të Adminsitrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Elbert Krasniqi, te kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se gjatë tensioneve të fundit në veri të Kosovës janë shënuar 28 sulme në dretim të ekipeve të mediave.