Ngjarja, e cila me vetëm dy edicione ia arriti ta fuste Kosovën në hartën kulturore botërore duke mbajtur vulën e yllit Dua Lipa, e duke sjellë emra të mëdhenj të muzikës, është çakorduar në edicionin, i cili pritej të zgjerohej në hapësirë e të zgjaste katër ditë. Toka në Bërnicë, marrëveshja për dhënien në shfrytëzim e mosmarrëveshjet për të janë bërë sebep i krejt këtij kapitulli të “Sunny Hillit”. Është zhvendosur në Tiranë, duke hapur në Kosovë kapituj prapaskenash e akuzash politike
Nga Endrit Berisha, KOHA DITORE
Kur pritej që “Sunny Hill Festival” të lansonte ndonjë emër të radhës botëror që do të merrte pjesë në edicionin e sivjetmë, erdhi një tjetër njoftim: Nuk do të mbahet fare në Prishtinë. Fillimisht qenë burimet që folën për këtë, pastaj u konfirmua nga organizatorët dhe në skenë dolën akuza midis pushtetit e opozitës bashkë me të tjera prapaskena. Do të mbahet në Tiranë, e Kosovës i mbesin prapaskenat e përplasjet politike.
Ngjarja, e cila me vetëm dy edicione ia arriti ta fuste Kosovën në hartën kulturore botërore duke mbajtur vulën e yllit Dua Lipa, e duke sjellë emra të mëdhenj të muzikës, është çakorduar në edicionin i cili pritej të zgjerohej në hapësirë e të zgjaste katër ditë. Toka në Bërnicë, marrëveshja për dhënien në shfrytëzim e mosmarrëveshjet për të janë bërë sebep i krejt këtij kapitulli të “Sunny Hillit”. Kryeqyteti i Shqipërisë e mirëpret festivalin, e në skenën vendore sapo kanë nisur akuzat. Politikën e ka fajësuar themeluesi e organizatori i festivalit, Dukagjin Lipa, e më pas politikanët njëri-tjetrin. Lipa u ka shkruar letër të gjatë udhëheqësve të shtetit, por më pas edhe zyrtarë shtetërorë kanë pasur akuza ndaj tij.
Organizatorët: Festivali, peng i politikëbërjes
“Festivali ka nevojë për shtëpi të përhershme në qytetin e tij”, ka shkruar themeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa, në letrën me të cilën njoftoi krerët e shtetit për ikjen e festivalit nga Prishtina.
Lipa ka akuzuar vonesat në mungesën e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dështimin e sivjetmë. Ai ka thënë se festivali ka mbetur peng i politikëbërjes. Vendimin për zhvendosje e ka cilësuar si të vështirë, por të domosdoshëm.
Sipas tij, në vend të përkrahjes, kërkesa e festivalit është politizuar. Teksa ka akuzuar MAPL-në për tejkalim afatesh ligjore, Lipa ka thënë se ka pasur ndikim direkt mbi këtë ministri nga asamblistë të opozitës në Prishtinë.
“Sa për sqarim, kërkesa identike, në fund të mandatit të kaluar komunal ishte votuar PRO unanimisht nga të gjithë asamblistët pa dallim partiak, por tani është rikthyer për plotësim, meqë ish-kryetari Ahmeti nuk e kishte përgatitur dokumentacionin në formën e duhur. Tani, kërkesa e njëjtë, edhe pse tërësisht e plotësuar sipas ligjit dhe konform kritereve të MAPL, u shndërrua në betejë politike mes partive në kuvend komunal, në kurriz të festivalit dhe dobisë që i njëjti e krijon për imazhin e shtetit dhe vlerave që ne si shoqëri i përfaqësojmë, përfshirë edhe efektin direkt dhe zinxhiror që festivali e krijon për ekonominë e kryeqytetit, por edhe jehonën pozitive në mbarë botën, e cila në këtë periudhë është esenciale për vendin tonë”, ka shkruar ai në letrën e gjatë, të cilën e ka postuar në Facebook, pak pasi doli lajmi për zhvendosje. Letra nuk ka datë.
Në shtatorin e vitit 2019 për Bërnicë, Dukagjin Lipa e asokohe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, nënshkruan memorandum të bashkëpunimit.
Në mbledhjen e mbajtur më 23 maj të atij viti, Qeveria e kryeministrit asokohe në dorëheqje, Ramush Haradinaj, kishte vendosur për “dhënien në shfrytëzim të Qendrës së Panaireve në Bërnicë”. Ndërkaq më 7 gusht të po atij viti, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë shpalljen publike me të cilën janë ftuar “të gjitha subjektet e interesuara që të aplikojnë për marrjen në shfrytëzim dhe administrim të ‘Qendrës së Panaireve në Bërnicë’”.
Tash dhënia në shfrytëzim e kësaj hapësire prej 17 hektarësh, u votua me zhurmë në maj të këtij viti.
Lipa në letrën e tij ka thënë se “nevoja për fitore të vogla politike nga ana e asamblistëve komunalë, fatkeqësisht mbeti mbi interesin e shtetit dhe mundësinë për rritjen e një platforme të rëndësishme të diplomacisë kulturore dhe turizmit kulturor”, thuhet në letrën që Lipa ua ka dërguar presidentes, kryeministrit, ministrave të kulturës, MAPL-së dhe MPJ-së dhe kryetarit të Prishtinës.
Sipas Lipës, “Sunny Hill” ka thënë se s’ka nevojë për prona publike për 99 vjet, por se Prishtina për hapësirë që i plotëson kushtet e kërkuara nga performues të rangut botëror.
Ai ka thënë se vetëm në edicionin e fundit vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar ka qenë rreth 23 milionë euro si dobi për imazhin e shtetit. Sipas tij, janë sjellë deri 10 milionë euro për ekonominë e kryeqytetit. Ka thënë se mbi gjysma e pjesëmarrësve kanë qenë nga vendet e tjera. Sipas tij, përmes “Sunny Hillit” Prishtina dhe rinia e Kosovës janë shfaqur mbi 500 milionë herë në kanale digjitale.
“Vetëm në edicionin e kaluar, janë publikuar mbi 557 artikuj pozitivë në mediat ndërkombëtare, përfshirë edhe televizionet e ndryshme nacionale amerikane, të cilat shikohen nga qindra miliona njerëz në ditë në gjithë botën”, ka thënë ai, duke shtuar se bizneset e vogla e të mesme kanë përfituar nga festivali.
Duke shtuar se synon që ta bëjë Prishtinën ndër destinacionet kryesore në Evropë për muzikën moderne, Lipa ka kërkuar mbështetjen e të gjitha institucioneve të Kosovës që sa më shpejt të finalizohet procesi i dhënies së hapësirës në shfrytëzim, në mënyrë që “Sunny Hill Festival 2023” të mbahet në Prishtinë.
“Mbesim me shpresë që përgjigjja jonë merr vëmendjen tuaj, në mënyrë që kredibiliteti i festivalit dhe kredibiliteti im personal dhe i familjes sime të mos mbesë në duart e asamblistëve që për betejat e tyre politike na vendosin në situata të këtilla jashtë çdo logjike të shëndoshë, dhe na sjellin deri te humbja e mundësisë më të mirë të promovimit, diplomacisë dhe turizmit kulturor që e ka dhe mund ta kishte Kosova për një kohë shumë të gjatë”, ka përfunduar ai.
“Ping-pong” institucional
Me akuzë ndaj MAPL-së është drejtuar edhe Komuna e Prishtinës, me t’u bërë publik lajmi për zhvendosjen e “Sunny Hillit” në Tiranë. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ky vendim i shkakton dëm kryeqytetit në shumë sfera. Ai ka akuzuar Qeverinë për zvarritje të procesit.
“Me keqardhje të madhe mora lajmin se Festivali prestigjioz, ‘Sunny Hill’, sivjet nuk do të mbahet në Prishtinë. Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Dështimi i këtij festivali sivjet është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asamblistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit”, ka shkruar Rama në Facebook.
Kundërakuzë ndaj Komunës ka pasur MAPL-ja. Kjo ministri ka thënë se ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim.
MAPL-ja ka thënë se vendimin për dhënien në shfrytëzim të pronës për “Sunny Hillin” nga Komuna e Prishtinës e ka marrë më 16 maj, gjashtë ditë pas aprovimit në Asamble. Sipas Ministrisë, janë kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim të pronës “dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh, sa ishte kërkuar në shfrytëzim, një pjesë e së cilës ka statusin e tokës bujqësore”.
Ministria ka thënë se lëndës i mungonte projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i realizimit të investimit si dhe qarkullimi bankar për vitin paraprak. Ka shtuar se për çështjen ka pasur reagime edhe nga organizata të shoqërisë civile.
“Megjithatë ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar të trajtojmë me interes dhe seriozitet aktin në fjalë. Aktualisht Ministria jonë është në pritje të përgjigjes në pyetjet që i kemi dërguar kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama. Duke e ditur rëndësinë e cilitdo investim madhor dhe nevojës për projekte serioze dhe gjithnjë përmes procedurave siç parashohin ligjet dhe rregulloret, por edhe në përputhje me interesin dhe mënyrën e shfrytëzimit të pronës publike ju njoftojmë se jemi në proces të shqyrtimit të këtij akti dhe se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e ministrisë”, thuhet në deklaratën e MAPL-së të martën mbrëma.
Për mashtrim e ka akuzuar MAPL-në në kundërpërgjigje nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu. Në një shkrim në Twitter, ajo ka thënë se Ministria s’ka dashur të japë përgjigje në një propozim të festivalit.
“Pse heshti MAPL në propozimin e ‘Sunny Hill’ për mos me marrë asnjë copë tokë vetëm ta ketë një hapësirë me infrastrukturë për festival si duhet që merr leje dhe e shfrytëzon 30 ditë? Mos mashtroni. Nuk deshët”, ka shkruar ajo.
Akuza për presion nga organizatorët
Pavarësisht zhurmës e debatit që nxiti përnjëherë njoftimi i festivalit, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, mbi dy orë pasi është konfirmuar zhvendosja, ka thënë të jetë befasuar nga lajmi. Në kohën kur u njoftua për ikjen nga Prishtina të festivalit të madh, Çeku ishte duke dëgjuar muzikë në gala-koncertin e Platformës për Kulturë të Evropës Qendrore dhe Ambasadës së Hungarisë në Kosovë.
“Hera e parë që po e dëgjoj tash nga ju, sepse koncerti zgjati afër dy orë, para kësaj s’e kisha këtë informacion. Do ta analizojmë këtë çështje dhe besoj që pas asaj do ta formojmë edhe qëndrimin tonë, por në këtë moment, pasi që më erdhi si befasi informacioni, nuk mund të kem ndonjë deklaratë”, ka thënë ministri Çeku për KOHËN, pas koncertit në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve. “Edhe një herë po ju them unë nuk e kam informacionin, duhet të dëgjoj deklarimin zyrtar të ‘Sunny Hill’, arsyet dhe nëse një gjë e tillë është tashmë e konfirmuar ose jo”.
Ka thënë se ka qenë në komunikim të rregullt me organizatorët e “Sunny Hill” si Ministri e Kulturës.
“Kemi qenë duke i trajtuar disa kërkesa të tyre në raport me organizimin dhe në këtë angazhim kanë qenë disa ministri të involvuara nga pjesa që e mbulon MKRS-ja deri te çështja e sigurisë me Policinë, infrastrukturën me ministritë e tjera. Kemi qenë në komunikim intensiv me ta, çka mund t’ju them është se është një lajm i befasishëm për mua, por pa e kuptuar tërësisht se cili është shkaku dhe nëse kjo gjë tashmë është e konfirmuar ose jo nuk mund të jap ndonjë deklaratë më shumë”, ka thënë ai.
Më vonë ka akuzuar Lipën për presion mbi çështjen e lëshimit të lejes për pronë në Bërnicë të Poshtme. Në një shkrim në Facebook, ministri Çeku ka thënë se MKRS-ja ia ka ofruar mbështetjen e nevojshme festivalit. Megjithatë, ai ka thënë se për çështjen e dhënies së territorit në shfrytëzim duhet kohë që të mos gabohet. “Motivi dhe angazhimi ynë institucional ka qenë i plotë, gjithnjë me synimin e përbashkët që Sunny Hill edhe sivjet të përçojë nëpër botë imazhe pozitive nga vendi ynë. Por, çka kemi me kursim në Kosovë, është toka. Nuk e ka të drejtën as kjo qeveri e as ndonjë qeveri tjetër, ta përdorë territorin e Kosovës pa i peshuar mirë kostot, përfitimet, pasojat, kohëzgjatjet në të cilat jepet në përdorim një tokë. Procesi i vendimmarrjes kërkon kohë për të qenë i plotë dhe për të mos qenë i gabuar apo abuziv”, ka shkruar Çeku. Ai e ka cilësuar të padrejtë edhe letrën e Lipës për krerët e shtetit e publikimin e shpejtë të vendimit për zhvendosje.
“Nuk është e drejtë t’i dërgohet letër qeverisë ku t’i kërkohet vendimmarrje e shpejtë për Sunny Hill, dhe pas një kohe të shkurtër të shfaqet njoftimi se organizimi paska ndryshuar vendndodhje. Ky lloj presioni nuk lë kohë të mjaftueshme për t’u siguruar që vendimet institucionale do të ofrojnë mbrojtje të plotë të interesit publik, madje nuk lë kohë të shikohen as aspektet ligjore”, ka shtuar ai.
Çeku në fund ka thënë se “’Sunny Hill’ gjithnjë do ta ketë derën hapur, për diskutime të qeta, e për marrëveshje transparente dhe pa presion”.
“E presim sa më shpejt në Kosovën e saj edhe Dua Lipën me dashuri e respekt të madh. Ajo ka kontribuuar si artiste e si shqiptare në imazhin tonë ndërkombëtar. Asnjëherë nuk do të lejojmë që figura e saj të keqpërdoret apo të zbehet nga debate të politikës apo biznesit”, ka përfunduar ministri.
Përplasjet midis opozitës e pushtetit
Akuza e organizatorëve për politikën si fajtore për zhvendosje të festivalit, ka qenë shkëndijë e një debati të madh për disa orë të martën. Opozita ka shpërthyer me kritika ndaj pushtetit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se “Qeveria po e përzë nga Prishtina një ndër iniciativat më të mëdha dhe të suksesshme artistike”.
“Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti i mbyllën derën të vetmit festival të muzikës me përmasa botërore në vendin tonë. Ky veprim, më shumë se gjithçka, tregon për xhelozinë e sëmurë, injorancën e thellë, e kompetencën e munguar të komplet një Qeverie e cila secilën ditë po na sjell një skandal më të madh se tjetrin. Turp!”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkaq kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar zhvendosjen e festivalit si “skandal të pariparueshëm”.
“Kjo Qeveri nuk di të krijojë e ndërtojë, por ajo nuk i lejon as të tjerët të krijojnë e ndërtojnë. Sot, refuzimi paranoik i pushtetit të Kurtit i dha goditjen më të rëndë të mundshme jetës kulturore në Prishtinë e Kosovë. Detyrimi për largim i festivalit “Sunny Hill”, ngjarjes që vendoste Kosovën në hartën kulturore botërore, është skandal i pariparueshëm për vendin tonë. Largimi i shtëpisë verore të artistëve më me nam në botë, është shuarje e mundësisë për të rinjtë e të rejat tona që megjithatë afër vetes kishin një ngjarje që shumë shtete do ta donin. Shteti ynë paranoik këtë ngjarje nuk e do. Ata bënë çmos të refuzojnë vendimin e qeverisjes së LDK-së në asamblenë e kryeqytetit për të mbajtur një ngjarje si kjo në Kosovë përherë. Kjo politikë paranoike, është vazhdimësi e zymtësisë politike që popullistët e pushtetit në çdo hap të tyre po e prodhojnë. Këtë Kosovë të shpërfytyruar të tyre, qytetarët tanë nuk e meritojnë”, ka shkruar Abdixhiku.
Shefi i deputetëve të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar “dorëheqje për ‘qeverinë Breshka’.
“Sot, paradite fola për vendimmarrjen shumë të ngadalshme të Qeverisë së Kosovës, kabineti qeveritar më kqyrke çka po them!!!! Tash qe edhe deklarata zyrtare që në mungesë të ekspedivitetit dhe dinamikës së mirëfilltë në punë, e humbëm një festival që e patëm në promovim të Kosovës – atë të Sunny Hill. Shkoi në Tiranë!!!! Me këtë qasje totalisht fëmijërore dhe joserioze, se di ku është nisur kjo qeveri. Dorëheqje për ‘Qeverinë Breshka’”, ka shkruar Tahiri, pjesë e AAK-së, asamblistë të së cilës votuan kundër vendimit të Komunës për dhënien në shfrytëzim të pronës në Bërnicë.
Partia në pushtet qendror, e në opozitë në nivel lokal, e ka quajtur lajm jo të mirë zhvendosjen e edicionit të tretë. Vetëvendosje ka thënë se ka kërkuar që prona të mos jepet për 99 vjet, por për 15-20 vjet dhe që hapësira të mos shfrytëzohet edhe për koncerte të tjera e të kryhen të gjitha procedurat administrative dhe plotësimi i dokumentacionit konform kërkesave ligjore. Kjo parti ka hedhur akuza ndaj Ramës.
“Kemi ofruar edhe ndihmë dhe jemi munduar në çdo mënyrë që të mundësohet mbajtja e këtij festivali. Por të gjitha përpjekjet tona, u injoruan në mënyrë arrogante nga kryetari Rama. Në fund të gjitha reagimet tona u dëshmuan të sakta. Si grup i asamblistëve, vazhdimisht kemi shprehur përkrahjen tonë për festivalin dhe pajtueshmërinë për ndarjen e parcelës. Nga fillimi e tëra çfarë kemi kërkuar është respektim i ligjit dhe kontratë më të balansuar në mes të përfitimeve të palës private dhe asaj publike. Megjithatë, për shkak të mungesës së njohurive bazë të procedurave, refuzimit të bashkëpunimit dhe të ndihmës, si dhe qasjes arrogante dhe desktruktive të kryetarit milioner, qytetarët e Prishtinës dhe gjithë Kosovës po mbesin këtë vit pa këtë ngjarje të madhe kulturore”, ka thënë VV-ja në Prishtinë.
Zhvendosjen në Tiranë e kanë mirëpritur krerët e Shqipërisë dhe kryeqytetit shqiptar. Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj e kanë quajtur lajm të mirë zhvendosjen. “S’ka si Tirona jo”, kanë shkruar ata në rrjetet sociale.
Por së paku nëpër rrjete sociale, ka edhe lajme se Tirana ishte zgjedhur më herët si stacion i edicionit të tretë. Në postimin e DJ Diplos, më 25 maj, të këtij viti, ai pati bërë thirrje që fansat t’i bashkoheshin në Shqipëri.
“Sunny Hill Festival” e nisi rrugëtimin në Prishtinë në verën e vitit 2018. Qysh në edicionin e parë, “Sunny…” u dëshmua si një alamet festivali. Pas një viti provoi 52 milionë rezultate në makinat e kërkimit si Google. Gazeta e revista botërore si “The New York Times”, “The Guardian”, “MTV UK”, “Areavip”, “Rolling Stone”, “Anabel Magazine” dhe “MTV Italia” do ta përmendnin “Sunny Hillin” si ngjarje të rëndësishme, në të cilën defilojnë emra të rëndësishëm të artistëve botërorë. Vetë Dua Lipa, qe ylli i edicionit të parë bashkë me rap-artistin Action Bronson dhe DJ Martin Garrix. Miley Cyrus, DJ skocez Calvin Harris dhe reperi shqiptaro-amerikan Gashi, ishin yjet e edicionit të dytë më 2019 që për tri ditë mblodhi në “Gërmi”, 45 mijë veta. Për dy vjet, pandemia e pezulloi, e tash në edicionin e tretë, bëri zhurmë ende pa u mbajtur.
Komentet