Ndërtesa e parlamentit të Kosovës është qëlluar të enjten në mbrëmje me një mjet shpërthyes që la pas vetes dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.
Policia tha se tash për tash nuk dihen hollësi rreth këtij sulmi dhe as për autorët apo motivet e mundshme të tij dhe është duke kryer hetimet në vendin e ngjarjes.
Burime të policisë të pakonfirmuara, thanë se dyshohet që dy persona kanë qëlluar ndërtesën dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me një motoçikletë që më pas është gjetur e djegur.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës reagoi duke e cilësuar këtë ngjarje një akt kriminal.
“Sulmi në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, është një sulm mbi shtetin dhe mbi demokracinë, është një sulm mbi të gjithë qytetarët e Kosovës. Kushdo që qëndron prapa këtij shpërthimi apo sulmi, çfarëdo që të jetë ai, është kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj. Aleanca për Ardhmërinë Kosovës, e dënon fuqishëm këtë akt kriminal dhe kërkon nga organet e rendit që të bëjnë krejt çka është në dorën e tyre, që të kapën autorët e tij dhe të nxirren para drejtësisë”.
Ndërtesa e Parlamentit ishte sulmuar edhe në muajin mars të këtij viti me shishe me benzinë dhe policia e kishte vlerësuar si “rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë”.
Rasti kishte pasuar një periudhë tensionesh politike dhe disa incidente kur në rrethana të pasqaruara ishin djegur makinat e disa zyrtarëve të Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike të Kosovës që përbëjnë koalicionin qeverisës.
Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Të enjten qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe e dërgoi atë për miratim në parlamentin e Kosovës.
Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hedhin poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian. za
Komentet