Organizatat evropiane të medias kanë reaguar për sulmin me armë zjarrin në televizionin kombëtar “Top Channel”. Organizatat janë shprehur se kanë mbetur të shokuar nga kjo ngjarje, teksa bënë thirrje për hetime urgjente të pavarura.
Nga SYRI TV
Për sulmin me armë zjarri në drejtim të ndërtesës së televizionit kombëtar “Top Channel”, duke lënë të vrarë një roje sigurie, kanë reaguar dhe organizatat evropiane për median.
Në një postim në Twitter të Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias shprehën ngushëllime për familjen e të vrarit dhe thirrje për hetime të pavarura.“Mbetëm të shokuar kur mësuam se ka pasur një sulm me armë zjarri në ambientet e Top Channel në Shqipëri, ku humbi jetën një roje sigurie e objektit. I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë hetime të pavarura dhe profesionale”
“Safe Journalist Albania” përcolli mesazhin e “Media Freedom Rapid Response”, mekanizmit evropian që gjurmon monitoron e reagon ndaj shkeljeve të lirisë së shtypit në vendet e BE-së: “Mendimet tona janë me familjen e rojës së sigurisë që humbi jetën në sulmin tragjik ndaj ambienteve të Top Channel në Shqipëri. I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të kryejë hetime të plota dhe të paanshme për këtë incident dhe të nxjerrë autorët para drejtësisë”, thuhet në postim.
Ndaj ngjarjes së rëndë reagoi dhe shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” e cila tha se sulmi ndaj Top Channel, rëndon klimën në të cilën punojnë gazetarët në Shqipëri .
Gjithashtu, prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka dënuar me forcë sulmin kriminal kundër Top Channel-it, duke e konsideruar sulmin ndaj medias një sulm flagrant kundër demokracisë. Duke i shprehur ngushëllimet familjes dhe kolegëve të Pal Kolës, OSBE kërkon një hetim të shpejtë për zbardhjen e plotë të incidentit dhe vendosjen para drejtësisë të autorëve të krimit.