Që prej gjenezës së Republikës Islamike, udhëheqja e Iranit ka pasur ambicie për shtrirje e dominim në rajon. Që nga viti 1979, ky vend e ka konsideruar kaosin dhe paqëndrueshmërinë si një mundësi për të çuar përpara interesat dhe ndikimin e tij. Udhëheqësit iranianë, edhe tani po shfrytëzojnë dhe përshkallëzojnë konfliktin në rajon për të ngritur statusin e regjimit të tyre, për të dobësuar dhe delegjitimuar Izraelin, për të minuar interesat perëndimore dhe për të riformësuar më tej rendin rajonal në favor të tyre. Por për regjimin e Iranit, mbijetesa tejkalon çdo prioritet tjetër, ndaj ata sërish u tregun shumë të kujdesshëm ta mbrojnë atë me çdo kusht, siç kanë bërë në fakt, për 40 vitet e fundit.
Sulmi i Iranit ndaj Izraelit ishte një akt domethënës me pikësynime të qarta; ai ishte projektuar me kujdes që të mos përshkallëzohej në një luftë me shkallë të gjerë. Ky operacion ishte i paprecedentë në shtrirjen e tij, por u përmbyll me sukses në sajë të shfrytëzimit të forcës së mbrojtjes izraelite, që është e konfiguruar për të përballuar sulme të tilla në mënyrë tej mase efektive.
Me këtë rast, le të kujtojmë se gjatë ditës së parë të Operacionit Liria e Irakut, më 2003, SHBA-të lëshuan 500 armë të precizionit të lartë. Ndërkohë, operacioni i Iranit përfshiu 320 të tilla brenda një intervali prej pesë orësh, siç komentoi dhe gjenerali Mark Hertling. Kjo sasi dhe ritmi i sulmit ishte i rëndësishëm, por dukej si i llogaritur për të shmangur shtyrjen e Izraelit drejt një reagimi ekstrem ushtarak. Metodologjia, pas një sulmi të tillë të Iranit, sikur pasqyronte taktikat ruse të përdorura në Ukrainë: një përzierje dronësh, raketash të llojeve të ndryshme, përfshi edhe ato balistike. Ato u nisën në mënyrë të koordinuar për të sfiduar e mbingarkuar mbrojtjen ajrore izraelite, duke arritur në destinacion në të njëjtën dritare kohore. Kjo taktikë synonte që të “ngopte” sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit, duke krijuar një tension maksimal në aftësinë e tyre për të kapur sulmet në hyrje. Por, ndryshe nga pritshmëria dhe propaganda nga ana e Iranit, Izraeli, dhe aleatët praktikisht i ndaluan këto armë në mbi 90%, sidomos po të krahasohet me mbrojtjen ukrainase, e cila mesatarisht arrin të shkatërrojë vetëm afro 45% të sulmeve të ngjashme.
Irani, me siguri, nuk ka marrë parasysh plotësisht dinamikën rajonale, veçanërisht angazhimin direkt të Jordanisë, ndarjen dinamike të informacionit midis Izraelit me Arabinë Saudite dhe UAE si dhe koalicionit të gjerë të aleatëve perëndimorë, që mbështetën Izraelin me angazhim direkt. Sipas “The Economist” – Shtetet e Gjirit Persik, përfshirë Arabinë Saudite, mund të kenë luajtur edhe një rol indirekt shtese, duke “strehuar” sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore dhe duke vënë në dispozicion zonat për mbikëqyrjen dhe furnizimin me karburant të avionëve luftarakë, ndihma këto që ishin jetësore gjatë atyre orëve.
Largësia gjeografike prej rreth 1600 km midis Iranit dhe Izraelit i dha, gjithashtu, Izraelit kohën e nevojshme për reagim, që së bashku me paralajmërimet e hershme dhe shkëmbimin e informacionit, bëri të mundur një përpjekje më të koordinuar mbrojtje.
Ky sulm pra vuri në dukje dhe bashkëpunimin e fortë ushtarak midis Izraelit dhe aleatëve të tij rajonalë arabë. Partneritete të tilla, të cilat rrisin aftësitë e ndërsjella të mbrojtjes kundër kërcënimeve, nënvizojnë një ndryshim të rëndësishëm në aleancat dhe strategjinë ushtarake rajonale. Në mënyrë ironike, ndërsa Irani kishte si qellim të demonstronte kapacitetin ushtarak dhe vendosmërinë e tij shpaguese, sulmi nuk duket të ketë arritur ndikimin e synuar si psikologjik, ashtu edhe atë strategjik. Në të kundërt, ky agresion ekspozoi kufizimet e aftësive të Iranit dhe kështu, mesa duket ka ulur për kundërshtarët pragun e rrezikshmërisë ndaj sulmeve kundër objektivave iraniane në të ardhmen. Nga ana tjetër, analiza dikton se operacioni “Hakmarrja e Premtimit të Vërtetë” shkaktoi dëme të pakta, por, siç shpjegoi një burim iranian për “Financial Times”, “ai zbuloi se ne jemi më të çmendur nga sa mendoni dhe gati për të përballuar të gjitha pasojat”.
Shtrirja gjeopolitike e kësaj ngjarjeje është e thellë. Ky sulm jo vetëm që ka reduktuar izolimin, që ndjeu Izraeli për veprimet e tij në Gaza, por gjithashtu, ka vënë Rusinë dhe Kinën në pozita delikate. Të dyja vendet u përpoqën ta balanconin mbështetjen e tyre për Iranin me thirrjet për përmbajtje, një qëndrim që edhe mund të zvogëlojë ndikimin e tyre në Lindjen e Mesme, por ndërkohë është e qartë që këto vende kanë një interes që konflikti në Lindjen e Mesme të mbetet i paparashikueshëm dhe i tejzgjatur. Teherani, nga ana e tij, e sheh dominancën rajonale si një shans për forcuar dhe më shumë marrëdhënien me Rusinë dhe Kinën. Interesat e këtyre vendeve përputhen në pjesën më të madhe, duke e mbajtur Uashingtonin dhe aleatët të zhytur në një krizë në Lindjen e Mesme, që dëmton reputacionin dhe harxhon kapacitetet ushtarake e financiare, të cilat nga ana tjetër sidomos i mungojnë mbrojtjes së Ukrainës në këtë moment kritik. Vlen për t’u përmendur se në fillim të marsit, Kina, Irani dhe Rusia nisën një stërvitje të përbashkët detare, e katërta e këtij lloji në pesë vitet e fundit, në Gjirin e Omanit.
Ndërsa Izraeli mendon për lëvizjen e tij të radhës, debati brenda Kabinetit të Luftës është tregues i një përllogaritjeje më të gjerë strategjike – nëse do të përgjigjet me forcë të konsiderueshme kundër objektivave iraniane, ose do të adoptojë një qasje më të matur për të parandaluar një përshkallëzim rajonal. Megjithatë, sa më gjatë që Izraeli të vonojë përgjigjen e tij ndaj sulmit të Iranit, aq më e vështirë do të jetë të fitojë mbështetje ndërkombëtare për një sulm të tillë.
Konteksti global është po aq i rëndësishëm, teksa koha kalon dukshëm, qëndrimi i administratës Biden dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë po anon drejt favorizimit të zgjidhjeve diplomatike ndaj përgjigjeve ushtarake, siç theksohet nga mbledhja e menjëhershme e liderëve të G7 dhe deklaratave pasonjëse individuale.
Pra, në botën e sotme, në të cilën të gjitha format e ndërveprimit duken të jenë të militarizuara, Irani edhe pse ka dështuar në objektivat e tij afatshkurtra ushtarake, ka krijuar kushtet e përgatitjen e terrenit për një ndërveprim të ndërlikuar të strategjisë ushtarake, marrëdhënieve diplomatike dhe dinamikës së aleancave rajonale duke bërë mëse të nevojshme për të gjithë ne që të realizojmë ndryshime thelbësore në mënyrën se si mendojmë dhe veprojmë, sidomos për sa i përket sigurisë. Ajo dhe pse është shumë më e gjerë se mbrojtja, nuk ka dyshim se mbrojtja është dhe do të mbetet diktuese në çdo strategjie sigurie. Ne kemi nevojë për një ndryshim paradigme në mbrojtjen kolektive, duke parandaluar keqkuptimin e “pjesës tjetër kundër Perëndimit”.
Është thelbësore të veprojmë me vendosmëri e vizion për të ridimensionuar përpjekjet tona kolektive për të parandaluar shfaqjen e sfidave të tilla ndaj institucioneve ndërkombëtare, apo edhe ndaj një aleance kundërshtare sipas një boshti të ri, potencialisht të katalizuar nga konflikti në Lindjen e Mesme apo gjetkë. Përgjigja jonë duhet të përputhet me parimet tona demokratike, të zbatuara në vazhdimësi e mënyrë konstante në mbarë botën, siç dhe u demonstrua në Ukrainë. Një qëndrim i tillë parimor është në mbështetje të sigurisë globale dhe do të përforcojë rendin ndërkombëtar.