Urime nga botuesit e VOAL: Gëzuar Vitin e Ri 2025, me fat Viti i Ri 2025, vëllezër shqiptarë, motra shqiptare!- Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Vëllezër shqiptarë, motra shqiptare!
Shenjat që ka dërguar viti 2024 paralajmërojnë, faleminderit Zotit, që Viti i Ri 2025 do të jetë i ri në 12 muajt e tij dhe në 365 ditët e tij. Do të jetë, pra, vit i fillimeve të reja, vit i shpresave të reja, vit i vendimeve të reja për të gjithë ata që besojnë në mundësitë e reja, në shpresat e reja, në zhvillimet e reja të rëndësishme.
I tillë do të jetë Viti i Ri 2025 në shkallë planetare, i tillë do të jetë edhe në hemisferën politike së cilës i përkasim vendosmërisht ne shqiptarët, i tillë do të jetë Viti i Ri 2025 edhe për Kombin tonë, për mbarë Shqiptarinë, e tillë do të jetë për të gjithë ne shqiptarët që besojmë në mendjet tona, në talentet tona, në energjitë tona, në frymëzimet tona, në vizionet tona, që besojmë se është i mundur lartësimi i mëtejshëm vendimtar i jetës sonë, shoqërisë sonë, kombit tonë, që besojmë në rritjen e rolit tonë jo vetëm për një fat më të mirë që ne e meritojmë, por edhe në rrafshe më të gjera përtej nesh, në zhvillimet evropiane, perëndimore dhe më tej.
Viti 2024, që sapo e lamë pas, ishte një tjetër vit 2023, vit me luftë, si viti paraardhës. Shpresat tona nuk u realizuan, urimet dhe lutjet tona nuk u dëgjuan, lufta është në kontinentin tonë dhe përtej kontinentit tonë, kërcënimet e luftës janë gjithnjë më pranë rajonit tonë, i njohur botërisht si fuçi baroti.
Premtimi i shenjave është se Viti i Ri 2025 nuk do të jetë përsëritje e ngjashme e vitit 2024, i cili, si viti 2023 nuk u bë dot sinonim i paqes, të cilën qytetarët e botës e duan, perëndimorët, evropianët e duan, shqiptarët, më shumë se të gjithë e duan.
Prandaj, ndërsa i urojmë njëri-tjetrit gëzuar Vitin e Ri 2025, ne shqiptarët, ndoshta edhe të tjerët, anembanë botës, ndahemi më lehtë shpirtërisht edhe nga viti 2024, ndonëse do ta kemdi ndoshta të vështirë të besojmë e të shpresojmë se ky vit do të jetë ai që duam, do të jetë një vit që ne evropianëve dhe mbarë njerëzimit t’ia largojë fantazmën e një përplasjeje të re botërore, një lufte të re të përmasave botërore;
ndonëse e kemi të vështirë të besojmë e të shpresojmë, kur demokracia në Shqipëri është më e asgjësuar se kurrë, kur në kufijtë veriorë të kombit, u kërcëlluan me ashpërsi putinët e vegjël, shovinistët serbomëdhenj millosheviçianë të Beogradit.
Përballë sfidave të tilla qeniet individuale dhe ato kolektive kombëtare, pra qenia jonë njerëzore dhe kombëtare, e forcojnë më shumë se kurrë imunitetin, instiktin e qëndresës, të përballimit dhe të kundërveprimit ndaj të gjitha të këqijave, të ligave që i vërtiten dhe i kanosen kombit tonë. Në këtë rrafsh, edhe viti 2024 ishte vit i akumulimit të përvojave të mëdha, nga ato që maten me përmasa kohore epokale.
Ndërsa i urojmë njëri-tjetrit gëzuar Vitin e Ri 2025, më shumë se kurrë kemi ndërmend që 2025 të jetë vit i vendosjes së paqes në Evropë, vit i triumfit ndaj kërcënimit të egër putinian në Ukrainë dhe i triumfit ndaj frymëzimit putinian serbomadh në zemër të Ballkanit.
Më shumë se kurrë kemi ndërmend që 2025 të jetë, sa më parë, vit i vendosjes së paqes në Izrael, në Rripin e Gazës, në gjithë Lindjen e Mesme, drejt një zgjidhjeje sa më afatgjatë për paqen dhe stabilitetin!
Viti 2025 premton të jetë cilësisht i ndryshëm, do Zoti, rrënjësisht i ndryshëm edhe falë përfshirjes së një fatori tejet vendimtar në jetën e shoqërisë në Shqipëri. Ky faktor ndryshues quhet Vota e Diasporës.
Le të jetë Viti i Ri 2025 vit i shpresës për një rifillim të demokracisë në Shqipëri, çka do të ishte edhe një trimërim për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, për të gjithë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, që të përparojnë në rrafshin kombëtar dhe në rrafshet individuale e grupore, në të gjitha fushat e jetës!
Urojmë nga zemra që Kosova, e cila do të votojë më 9 shkurt, ta dëshmojë veten se është gjithnjë e më e përkushtuar të përshpejtojë integrimet perëndimore dhe forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare, çka është vendimtare për paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë!
Ne shqiptarët e meritojmë këtë më shumë se kushdo tjetër në gadishull dhe kontinent, ndoshta në botë, si për shkak të historisë sonë flijuese e vetëflijuese, edhe për shkak të rolit historik që na ngarkohet në kuadër të fateve tona dhe të fateve evropiane e më gjerë.
Botuesit e VOAL, me një ndjenjë më të lartë, më të frymëzuar dhe të përgjegjshme se kurrë, urojnë nga zemra që Viti i Ri 2025 të jetë një vit vendimtar në përmbushjen tonë kombëtare, në përcaktimin sa më fatlum të ardhmërive tona!
Zoti qoftë me shqiptarët!
Le të mendojmë mirë, të shpresojmë mirë, të besojmë mirë, të veprojmë mirë, që të bëhet më mirë e më mirë!
Gëzuar e me shumë fat, shqiptarë të dashur, vëllezër e motra, Vitin e Ri 2025! Qoftë i ri, o Zot, në 12 muajt e tij, në 365 ditët e tij!
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Botuesit
e Voal.ch
Auklandi është qyteti i parë i madh që mirëpret vitin 2025, me mijëra njerëz që numëruan sekondat deri sa mbërriti mesnata dhe shijuan fishekzjarret shumëngjyrëshe që u lëshuan nga ndërtesa më e lartë e Zelandës së Re, ‘Sky Tower’ dhe një shfaqje spektakolare dritash në qendër të qytetit. Festimet pasojnë një vit që është shënuar nga protestat për të drejtat e fisit indigjen ‘Maori’ në vendin me 5 milionë banorë.
Dy orë pas Zelandës së Re, më shumë se 1 milion njerëz ndoqën shfaqjen tradicionale të fishekzjarreve në Sidnei të Australisë. Ylli britanik i muzikës pop, Robbie Williams udhëhoqi programin dhe ceremonitë që këtë vit iu kushtohen fiseve indigjene australiane.
Ndërkohë, edhe qytetet e tjera anembanë botës po përgatiten të mirëpresin Vitin e Ri, me festime që nxjerrin në pah kulturat dhe traditat e ndryshme lokale, pas një viti të trazuar me konflikte të vazhdueshme dhe paqëndrueshmëri politike.
Azia përgatitet për ‘Vitin e Gjarprit’
Pjesa më e madhe e Japonisë është mbyllur në prag të festimeve më të mëdha në vend, me tempujt dhe shtëpitë që iu nënshtruan një pastrimi të plotë. Ky ‘Vit i Ri i Gjarprit’, siç njihet në kulturën aziatike, është thënë se është viti i rilindjes – duke iu referuar ndërrimit të lëkurës së gjarpërinjve.
Për shkak të kësaj feste, dyqanet në Japoni po shesin objekte zbukuruese të ndryshme që lidhen me gjarpërinjtë. Vendet e tjera në Azi do të nisin kremtimet e ‘Vitit të Gjarprit’ më vonë, me Vitin e Ri Hënor.
Në Korenë e Jugut festimet u ndërprenë ose u anuluan, për shkak të zisë kombëtare pas rrëzimit të dielën të një avioni të kompanisë ‘Jeju Air’ në Muan, ku si pasojë humbën jetën 179 persona.
Rivalët e perëndimit demonstrojnë marrëdhëniet mes tyre
Mediat shtetërore kineze njoftuan një shkëmbim urimesh për Vitin e Ri mes Presidentit të Kinës, Xi Jinping dhe atij rus Vladimir Putin, një tregues i marrëdhënieve gjithnjë e më të afërta të dy udhëheqësve që kanë raporte të tensionuara me Perëndimin.
Presidenti Xi i tha homolgut të tij rus Putin se vendet e tyre “gjithmonë do të përparojnë krah për krah”, njoftoi të martën agjencia e lajmeve ‘Xinhua’.
Kina ka ruajtur lidhje të forta dhe ka zhvilluar tregti me Rusinë që nga sulmi rus kundër Ukrianës në vitin 2022, duke e ndihmuar Moskën në kompensimin e dëmeve për shkak të sanksioneve dhe përpjekjeve të Perëndimit për ta izoluar Putinin.
Meshë mesnate, dolli me shampanjë
Në qytetin e Romës, festimeve tradicionale të Vitit të Ri i shtohet edhe fillimi i Vitit të Shenjtë të Papa Françeskut. Festa që shënohet në çdo çerek shekulli, pritet të sjellë rreth 32 milionë pelegrinë në kryeqytetin italian, që njihet edhe si ‘qyteti i përjetshëm’.
Të martën nisin kremtimet me ceremoni lutjesh në bazilikën e Shën Pjetrit, pasuar me meshën e së mërkurës, ku pritet që Papa Françesku të përsëris thirrjet për fundin e luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, Katedralja e Shën Palit në Minesota organizon një meshë që fillon një orë para mesnatës dhe një dolli për shënimin e Vitit të Ri.
1 janari është një ditë detyrimi për katolikët, që shënon ‘Solemnitetin e Marisë’, ndërsa shumë kisha që do të zhvillojnë mesha pasditën e së martës dhe në mbrëmje.
Festa me fishekzjarre në Paris dhe Londër
Parisi shënon Vitit e Ri me numërimin tradicional të sekondave deri në mesnatë dhe fishekzjarret në bulevardin e njohur ‘Champs-Elysees’.
Organizimi i Lojërave Olimpike Verore dhe Lojërave Paraolimpike nga korriku deri në shtator ka transformuar kryeqytetin francez në një vend gëzimi, vëllazërie dhe arritjeve sportive, një tjetër moment historik që shënon rimëkëmbjen e qytetit nga sulmet vdekjeprurëse ekstremiste islamike më 2015.
Kryeqyteti anglez do ta presë Vitin e Ri me një shfaqje fishekzjarresh përgjatë lumit Thames dhe një paradë me 10 mijë interpretues në qendër të qytetit të mërkurën.
Për shkak të motit të ligë në pjesë të tjera të Mbretërisë së Bashkuar, ceremonitë e planifikuara në Edinburg të Skocisë u anuluan.
Në Rio do të festojnë 2 milionë njerëz
Në plazhin Copacabana të Rio de Zhaneiros do të zhvillohet ceremoinia kryesore e pritjes së Vitit të Ri, me 10 tragete në det që do të ofrojnë një shfaqje 12 minutëshe fishekzjarresh. Mijëra turistë në gjashtë anije do të shohin nga afër këtë shfaqje.
Më shumë se 2 milionë njerëz pritet të mblidhen në Copacabana, të cilët do të shijojnë koncertin e artistëve të njohur brazilianë si këngëtarja e muzikës pop, Anitta dhe fituesi i çmimit Grammy, Caetano Veloso.
Traditat e reja dhe të vjetra amerikane
Në qytetin e Nju Jorkut, kompania që menaxhon sheshin e njohur ‘Times Square’ testoi rënien e topit të famshëm, simbolin e vitit 2025, numrat, dritat dhe mijëra kristale,t që janë pjesë e traditës së njohur të pritjes së Vitit të Ri që ka nisur nga viti 1907. Festimi i këtij viti do të përfshijë një shfaqje muzikore ku do të performojnë artistë të njohur si Rita Ora, TLC, Jonas Brothers dhe Sophie Ellir-Bextor.
Fstimet në ‘Times Square’ pritet të mbledhin turma të mëdha njerëzish, pavarësisht parashikimeve për reshje shiu dhe motit të ftohtë.
Ndërkohë, në Las Vegas të Nevadës do të ketë tradita të vjetra dhe të reja të pritjes së vitit të ri. Shfaqja vjetore tetë-minutëshe e fishekzarrjeve nga çatitë e nëntë kazinove pritet të mbledhë rreth 340 mijë njerëz.
Aty pranë, objekti masiv i njohur me emrin ‘Sphere’ do të shfaqë për herë të parë numërimin mbrapsht deri në mesnatë në zona të ndryshme kohore.
Muzikë, futboll, vrap në mesnatë
Qyteti Pasadena në Kaliforni është përgatitur për ‘Paradën e Trëndafilave’, një traditë e përvitshme amerikane që filloi 134 vjet më parë. Parada i paraprin një ndeshje futbolli amerikan mes klubeve ‘Ohio State Buckeyes’ dhe ‘Oregon Ducks’ më 1 janar.
Mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në një garë vrapi.
Rreth 200 mijë njerëz do të festojnë në Nashvill të Tenesisë, në një koncert pesë-orësh të disa prej yjeve më të mëdha të muzikës ‘country’.
Samoa Amerikane është ndër të fundit që mirëpret vitin e ri, plot 24 orë pas Zelandës së Re.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Në prag të festave të fundvitit, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani është duke qëndruar në veri të Mitrovicës.
Osmani gjatë kësaj kohe ka vizituar Drejtorinë e Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.
Kjo është vizita e parë e Osmanit në veri, pas sulmit të 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, komunë kjo me shumicë serbe në veri të vendit./KP
Shqiptarët gjithnjë me shumë po bëhen dyshues në marrëdhëniet me të tjerët. 89 për qind e tyre nuk i besojnë njëri -tjetrit dhe tregohen shumë të rezervuar në marrëdhënie me njerëzit.
Sipas anketës se Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) që mati perceptimin e sigurisë në Rajon, qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës shfaqen nivele më të larta të mosbesimit në marrëdhënie me njerëzit (shiko grafikun e mëposhtëm).
Në të kundërt qytetarët e Serbisë dhe Malit të Zi ishin më pak mosbesues së pjesa tjetër në Rajon. Psh 27% e serbëve pohojnë se njerëzit e tjerë mund të besohen kundrejt vetëm 11 për qind të shqiptarëve.
Shqiptarët ndryshe nga Rajoni shfaqen nivele të larta të besimit te familja. 95% e të anketuarve pohuan se i besojnë familjes, në përqindje më të lartë se në Rajon, ku përgjithësisht vetëm 77% besojnë të familja.
Gjithashtu shqiptarët spikatën për besim e ulët që kanë tek komuniteti që i rrethon. Vetëm 7 për qind besojnë plotësisht tek lagjia ku jetojnë, teksa mesatarja rajonale është 17%.
Gjithashtu 65 % e të anketuarve nuk besojnë tek administrata publike, niveli më i lartë ne Rajon. Vetëm 1 % e të anketuarve kanë besim tek administrata publike në raport me 4% që ishte mesatarja rajonale.
93 për qind e shqiptarëve nuk u besojnë njerëzve që takojnë për herë të parë.
Besimi institucional është dukshëm i ulët në të gjithë rajonin, ku partitë politike, mediat sociale, parlamentet, shtypi dhe televizioni janë institucionet më pak të besuara.
Ka pak përjashtime ku shumica e të anketuarve kanë besim: organizatat fetare (60% shumë dhe mjaft besim); forcat e armatosura (55%); policia (54%); universitetet (53%); Bashkimi Europian (55%) dhe NATO (54%). Në rajon, ka më pak besim te partitë politike (80% nuk kanë fare ose jo shumë), mediat sociale (75%), parlamenti (72%), shtypi (71%) dhe televizioni (65%), megjithëse ka më shumë se 50% mosbesim në të gjitha institucionet e tjera.
Të dhënat e SecuriMeter 2024 theksojnë se korrupsioni mbetet një çështje e përhapur në Ballkanin Perëndimor, me 83% të qytetarëve që e perceptojnë atë si të përhapur, megjithëse më pak besojnë se është “shumë i përhapur” në krahasim me vitin e kaluar.
Ndërsa ka një rënie të lehtë në raportet e ryshfetit, veçanërisht në kujdesin shëndetësor dhe ndërveprimet e policisë, korrupsioni i nivelit të lartë mbetet një shqetësim i rëndësishëm./B.Hoxha
Shtetet e Bashkuara njoftuan të hënën për një ndihmë shtesë prej gati 6 miliardë dollarësh për Ukrainën. Presidenti Joe Biden po përdor javët e tij të fundit në detyrë për të rritur ndihmën për Kievin përpara se Presidenti i zgjedhur Donald Trump të fillojë punë.
Presidenti Biden njoftoi për dhënien e 2.5 miliardë dollarëve ndihmë për sigurinë e Ukrainës. Ndërkohë Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha se Shtetet e Bashkuara kanë vënë në dispozicion 3.4 miliardë dollarë shtesë për ndihmë për buxhetin e Ukrainës, duke i dhënë vendit të shkatërruar nga lufta burime kritike mes intensifikimit të sulmeve ruse ndaj civilëve dhe infrastrukturës ukrainase.
“Nën udhëheqjen time, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë pa pushim për të forcuar pozicionin e Ukrainës në këtë luftë në pjesën e mbetur të kohës sime në detyrë”, tha Presidenti Biden në një deklaratë.
Njoftimi i Presidentit Biden përfshin 1.25 miliardë dollarë ndihmë ushtarake të marrë nga rezervat e Shteteve të Bashkuara dhe një ndihmë tjetër prej 1.22 miliardë dollarësh nga Iniciativa e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës (USAI), pjesa përfundimtare e USAI-t gjatë kohës së zotit Biden në detyrë.
Sipas iniciativës USAI, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes ose partnerët, në vend që të merren nga rezervat amerikane, që do të thotë se mund të duhen muaj ose vite për të mbërritur në fushën e betejës.
Po bëhen gati tre vjet nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë dhe së fundmi rusët kanë përdorur trupat e Koresë së Veriut për të forcuar pozicionin e tyre luftarak.
Trupat koreano-veriore po përjetojnë humbje të mëdha në fushën e betejës, me 1000 trupa të tyre të vrarë ose të plagosur vetëm gjatë javës së fundit në rajonin Kursk të Rusisë, tha javën e kaluar zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Presidenti Biden tha se ndihma e re do t’i sigurojë Ukrainës “një fluks të menjëhershëm të ndihmave që ajo vazhdon t’i përdorë me sukses të madh në fushën e betejës dhe furnizime afatgjata të mbrojtjes ajrore, artilerisë dhe sistemeve të tjera kritike të armëve”.
Gjatë luftës gati tre vjeçare, Uashingtoni ka dhënë ndihmë për Ukrainën me vlerë prej miliarda dollarësh, por është e pasigurt nëse kjo do të vazhdojë me të njëjtin ritëm nën zotin Trump, i cili zëvendëson Presidentin Biden më 20 janar. Presidenti i zgjedhur Trump ka thënë se dëshiron t’i jap fund luftës me shpejtësi.
Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump vuri në dyshim nivelin e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në këtë luftë, duke sugjeruar se aleatët evropianë duhet të mbajnë më shumë barrën financiare.
Disa nga kolegët e tij republikanë, të cilët do të kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin nga muaji i ardhshëm gjithashtu kanë treguar se nuk janë të prirur të vazhdojnë dërgimin e më shumë ndihmave Kievit.
Një zyrtar amerikan tha se ndihma e fundit e çon totalin e ndihmës buxhetore amerikane për Ukrainën në pak më shumë se 30 miliardë dollarë që nga fillimi i agresionit të Rusisë në shkurt të vitit 2022. Shumica e këtyre fondeve përdoren për të mundësuar funksionimin e qeverisë së Ukrainës, duke u paguar paga mësuesve dhe punonjësve të tjerë të shtetit.
Uashingtoni ka dhënë veçmas rreth 61.4 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Kievin që nga fillimi i luftës, sipas Pentagonit.
Presidenti Biden tha se Departamenti i Mbrojtjes është duke punuar në dorëzimin e qindra mijëra predhave të artilerisë, mijëra raketa dhe qindra automjete të blinduara “të cilat do të forcojnë aftësitë e Ukrainës ndërsa ajo kalon dimrin”.
Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tha se ndihma e vazhdueshme ekonomike për Ukrainën është thelbësore për funksionimin e shërbimeve të saj qeveritare dhe të vazhdojë të mbrojë sovranitetin e saj, duke paralajmëruar kundër lëvizjeve për të shkurtuar fondet.
“Suksesi i Ukrainës është në interesin kombëtar të Amerikës”, tha ajo, duke u zotuar të vazhdojë të bëjë trysni ndaj Moskës me sanksione dhe të ndihmojë në forcimin e pozitës së Ukrainës për të arritur një paqe të drejtë.
“Ne nuk duhet të tërhiqemi nga kjo përpjekje”.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar veteranët e Kosovës duke thënë se “Dita e Veteranëve të UÇK-së” është kujtesë dhe lavdi për heroizmin e pashuar.
Osmani përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se sot nderojnë dhe përulen me respekt të thellë përpara veprës heroike të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – burrave dhe grave që flijuan gjithçka për lirinë e atdheut.
“30 dhjetori është një datë që mishëron heroizmin e pavdekshëm të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe të familjes së tij, të cilët më 30 dhjetor 1991 zhvilluan betejën e parë kundër regjimit serb. Kjo betejë nuk ishte thjesht një përballje e armatosur, por një akt guximi që shënoi fillimin e një epoke të re në përpjekjet për liri dhe shtet. Atyre ju bashkuan me mijëra burra e gra, të cilët i dolën zot atdheut në kohët më të rënda, duke u shndërruar kështu në emblemë të shtetit tonë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit dhe respekt i përhershëm për çdo veteran të UÇK-së”, ka shkruar Osmani.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi të hënën një pako të re të ndihmës ushtarake në vlerë 2.5 miliardë dollarë për Ukrainën.
Biden është duke i përdorur javët e fundit në presidencë për ta rritur mbështetjen ushtarake për Kievin, para se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ta marrë detyrën më 20 janar.
“Nën drejtimin tim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë pandërprerë për ta forcuar qëndrimin e Ukrainës në këtë luftë përgjatë kohës sime të mbetur në detyrë”, tha Biden në një komunikatë.
Ndihma e re përfshin ndihmë ushtarake prej 1.25 miliard dollarësh nga rezervat amerikane dhe një paketë prej 1.22 miliard dollarësh nga Iniciativa për Ndihmë të Sigurisë për Ukrainën (USAI). Kjo është paketa e fundit nga USAI nga administrata e Bidenit.
Sipas USAI, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes apo partnerët, pra nuk merren nga rezervat amerikane, që nënkupton se nevojiten muaj apo vite që ato të mbërrijnë në fushëbetejë.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia po hyn në vitin e tretë dhe kohët e fundit ushtria ruse ka përdorur trupa koreanoveriorë për t’i forcuar pozitat e saj luftarake.
Forcat koreanoveriore po përjetojnë humbje të mëdha në vijat e frontit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasi 1.000 ushtarë të saj janë vrarë ose të plagosur vetëm në javën e fundit në rajonin Kursk të Rusisë, tha të premten zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Në një komunikatë, Biden tha se ndihma e re do t’i ofrojë Ukrainës “një fluks të menjëhershëm armësh që ajo po i përdor me ndikim të madh në fushën e betejës dhe furnizime afatgjate për mbrojtjen ajrore, artilerinë dhe sisteme të tjera të armëve vendimtare”.
Prej fillimit të luftës më 2022, Uashingtoni e ka ndihmuar Ukrainën me 175 miliardë dollarë në përgjithësi, por tani nuk është e sigurt nëse kjo mbështetje do të vazhdojë me këtë ritëm nën udhëheqjen e Trumpit, i cili do të zëvendësojë Bidenin më 20 janar.
Trump ka thënë se dëshiron ta përfundojë luftën shpejt. Gjatë fushatës elektorale presidenciale, Trump e ka vënë në pikëpyetje nivelin e përfshirjes së SHBA-së në konflikt, duke lënë të kuptohet se aleatët evropianë duhet ta bartin më shumë barrën e ndihmës financiare. REL
Sot mbushen 33 vjet nga sulmi i parë i forcave të armikut kundër familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.
33 vjet më parë, forca të shumta serbe fillojnë një sulm të armatosur ndaj familjes Jashari në Prekaz, por pas një rezistence të fuqishme të kësaj familje, ato u detyruan të tërhiqen.
Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. sn
Votimi i më shumë se gjysmës së popullsisë së botës në zgjedhjet e vitit 2024 ka lënë shumë demokraci liberale përballë krizave të besimit, fragmentimit politik dhe polarizimit të shtuar, teksa disa analistë i frikohen erës së re në velat e autoritarizmit.
Ngjarja kryesore e vitit të madh zgjedhor qenë presidencialet e nëntorit në Shtetet e Bashkuara, të vetëquajturin “qytet i ndritshëm mbi kodër” i demokracisë, ku Donald Trump doli fitimtar.
Shumë analiza pas zgjedhjeve u fokusuan në faktorët ekonomikë për refuzimin e figurave në pushtet të Partisë Demokratike nga ana e publikut.
Kërcënimet e vazhdueshme të Trumpit për minimin e sundimit të ligjit nuk duket se dekurajuan aq votuesit.
Republikani është zotuar se do ta vërë nën kontroll një sistem drejtësie që e kishte shënjuar atë me disa hetime dhe gjykime, se do t’i ndëshkojë mediat armiqësore, dhe se do të emërojë shërbyes civilë mbi bazën e besnikërisë së tyre ideologjike.
Nëse Trump i bën të gjitha ato që ka premtuar, “Shtetet e Bashkuara do të përjetojnë sulmin më të ashpër ndaj ndarjes së pushteteve dhe lirive qytetare në historinë e saj paqësore”, shkroi profesori i shkencave politike, Larry Diamond, në revistën amerikane Foreign Affairs.
Polarizim dhe fragmentim
“Ndodhemi në një moment të rrezikshëm, jo vetëm në SHBA, por në shumë vende të tjera”, tha Max Bergmann nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), në një prononcim për AFP-në.
Gjatë dy dekadave të fundit, modeli perëndimor i demokracisë, i instaluar që nga viti 1945 dhe i përforcuar pas rënies së bllokut sovjetik pas vitit 1989, ka qenë në rrezik.
Organizata me bazë në SHBA, Freedom House, ka vënë në pah dhunën e shtuar dhe manipulimet e dyshuara apo të konfirmuara në shumë zgjedhje të mbajtura nëpër botë.
Gjetiu, në disa të ashtuquajtura sisteme “hibride”, udhëheqësit e fuqishëm në pushtet ruajtën postet e tyre, por u përballën me kundërshtime të reja, të vendosura e të organizuara.
Narendra Modi i Indisë dhe Recep Tayyip Erdogan i Turqisë pësuan humbje në zgjedhjet parlamentare, përkatësisht komunale.
Edhe në sisteme më konkurruese demokratike, si në Evropë, “ne po shohim politikë gjithnjë e më të polarizuar e më të fragmentuar”, tha Bergmann.
Aleanca qeverisëse e Gjermanisë, ndërmjet socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve, u prish në nëntor, teksa ka pak qartësi se si do të duket një qeveri e re pas zgjedhjeve të reja në shkurt.
Dhe, në Holandën fqinje, një koalicion i brishtë katërpalësh po përballet me luftë të brendshme, teksa po përpiqet të mos fundoset, pas rënies së qeverisë së mëparshme më 2023.
Franca, ku prej dekadash në pushtet qëndrojnë herë partitë monolite të majta, herë ato të djathta, ka përjetuar lëkundje të skenës politike, që kur centristi Emmanuel Macron erdhi në pushtet si president më 2017.
Zgjedhjet e parakohshme të befasishme që ai shpalli në verë prodhuan një Parlament pothuajse të ndarë baras ndërmjet tri blloqeve – të majtës, qendrës së djathtë dhe ekstremit të djathtë.
Përderisa palët nuk pajtohen pothuajse për asnjë temë, përpjekjet për reforma janë paralizuar.
Kriza u thellua edhe më shumë, kur në dhjetor Parlamenti francez rrëzoi Qeverinë e Michel Barnierit, në vend të të cilit u emërua François Bayrou.
“Ndalja e ndryshimeve”
Gjendja e paqëndrueshme e demokracive perëndimore mund të shpjegohet nga “një krizë besimi në partitë politike dhe mediat, e paprecedent që nga viti 1945”, ka thënë Bertrand Badie, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin francez Sciences Po.
Votuesit reaguan ndaj “një oferte të varfër të politikës”, ka shtuar ai.
“Çfarë ofruan Macron në Francë apo Kamala Harris në SHBA përtej premtimit për të parandaluar marrjen e pushtetit nga rivalët e tyre, Trump apo e djathta ekstreme, e udhëhequr nga Marine Le Pen? Kjo krijon një problem të madh me legjitimitetin”, ka vlerësuar Badie.
Refuzimi i partive tradicionale dhe i udhëheqësve në pushtet ka kontribuar në rritjen e partive populiste dhe atyre të ekstremit të djathtë.
Ato shënuan suksese të mëdha në zgjedhjet evropiane të qershorit, siç demonstruan zgjedhjet në Gjermani, Francë, Holandë, si dhe në Itali e në Hungari para vitit 2024.
Shumë votues po votojnë për politikanë që premtojnë masat më të ashpra ndaj çështjeve që përfshijnë imigracionin dhe inflacionin.
Edhe personaliteti është element kyç, teksa Viktor Orban i Hungarisë dhe Trump kanë arritur të paraqesin autoritet të paepur.
“Bota dhe shoqëritë po kalojnë nëpër një transformim të madh. Globalizimi liberal nuk ka sjellë përgjigje për miliona njerëz, të brengosur për ndryshime nganjëherë radikale në mënyrën se si ne jetojmë pranë tjerëve, udhëtojmë apo prodhojmë”, ka thënë Gilles Gressani, shef i revistës gjeopolitike franceze Le Grand Continent.
“Si pasojë, ka një kërkesë gjithnjë e më të madhe për t’i ndalur ndryshimet – dhe, për shkak se kjo duket gjithnjë e më e pagjasë, një dëshirë për t’u tërhequr” nga çështjet përtej kufijve shtetërorë, ka shtuar ai./REL
Por mbi të gjitha është një gjë tjetër e dallueshme se një zyrtar si Veliaj, i cili në çdo rast udhëtimi: para, gjatë dhe pas lëshonte lajmin transparent në media për vendndodhjen, pikërisht tani me dritat e ndezura ditë natë në Sheshin Skënderbej ai nuk shihet gjëkundi për të marrë meritat dhe gjithë të tjerat që vijnë me imazhin e propagandës së Rilindjes Socialiste. Nëse SPAK i përmbahet kartolinave për vitin e ri, vetëm në një vend Veliaj duket se ka më epërsi ndaj Berishës pavarësisht fjalorit cinik dhe gati me inatin e një fëmije të përkëdhelur kur shprehet:-“Ashtu siç e di që unë jam mbështetës i drejtësisë së re dhe nuk bëj komente rrugëve kur ajo merret me të tjerët dhe pastaj rrugaç si puna jote, që të marr rrugët me akuza e sharje kur merret me mua. Aty rri se edhe ti s’ke nga lëviz, se je pa pashaportë dhe nuk del dot nga Shqipëria, se do të të dal si lugat në shtëpi natën e Vitit të Ri, kur edhe Syri i djalit tënd do jetë te Sheshi Skënderbej, duke transmetuar fishekzjarret e 2025-ës, kur do hash shqelmin më të fortë nga shqiptarët, sa të vijë maji!”. Si për ironi të fatit Veliaj largohet nga detyra pikërisht atëherë kur Tirana ka nevojë për kryetar. Kryeqyteti një milionësh është i lënë në kaos dhe kjo me gjakftohtësi të madhe pa u justifikuar si ftesë zyrtare apo vizitë shëndetësore quhet lënie e përgjegjësive dhe shpërdorim detyre, në qoftë se nuk ka të tjerë drejtorë të besuar për t’ia deleguar kompetencat. Veliaj ka uruar dhe më parë se që prej 1 Janarit, Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Një mashtrim mjeshtëror dhe hipokrizi në gjithë përmbajtjen që përfaqëson fjalori dhe qindra projekte korruptive në 8 vite pushtet dhe një mandat të tretë të filluar.
Tek sa do ta mbyllësh kartolinën e SPAK-ut, kor lexon mediat zyrtare online apo e shëtit me telekomandë TV si për të ndërruar mendje, Veliaj sërish të del në ekran. Këtë rradhë në një program televiziv të Kosovës T7, ku do të jetë përshëndetës për Vitin e Ri 2025. Reklama dhe imazhi i tij vazhdon edhe në dialektin kosovar. Veliaj po udhëton jashtë shtetit. Ka njoftuar se kthehet pas dy ditësh, por kaosi i ndërtuar i ideologjisë dhe i propagandës i investuar me para (shumë para), korrupsioni është shpenzuar tashmë dhe është kthyer produkte mediatike.
Kryebashkiaku Veliaj tashmë ndodhet larg asaj dere që punon ditë natë dhe sa herë që e hapte e motivonte:-“You look great today”. Nuk e dimë ende moralin.
A është ky për vete apo për klientët? por morali i tij progresist është vetëm gjithëpërfshirës dhe i zhytur në korrupsion.
Por megjithatë le të shohim sa i drejtë do të jetë viti 2025.
Ndryshe nga një “shërbëtor” i qytetarëve me “You look great today”. Ne dëshirojmë që të gjithë shqiptarët të jetojnë sa më mirë çdo ditë.
28 Dhjetor, 2024
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë se përdorë propagandën dhe dezinformatat si armë të politikës së saj të jashtme që sipas tij, kanë synim që ta dëmtojnë Kosovën.
Në konferencën e shtatë të ambasadorëve, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kurti u kërkoi ambasadorëve të Kosovës që të jenë aktivë dhe proaktivë në luftimin e propagandës serbe, që sipas tij, mbështetet hapur nga Rusia.
“Përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike, terroriste të Serbisë, ajo vazhdimisht përdorë propagandën, dezinformatat si armë të politikës së saj të jashtme dhe pikërisht për këtë arsye puna juaj merr vlerë edhe peshë të shtuar. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativësh të rreme që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe tentojnë të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, në betejën e narrativëve të rremë shpejtësia e reagimit dhe profesionalizmi janë armët kyçe.
“Ju duhet të veproni me vendosmëri dhe qartësi dhe të jeni të shpejtë në reagime për secilën gënjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet ta kemi të gatshme të vërtetën tonë”, tha ai.
Kurti, por edhe përfaqësuesit e tjerë të lartë të Kosovës edhe në të kaluarën kanë fajësuar Serbinë dhe Rusinë se përhapin dezinformata kundër Kosovës.
Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar po ashtu për një rrezik që mund t’i kanoset vendit nga Serbia. Por, sa herë që kanë folur për kërcënime të tilla ata kanë përmendur Rusinë, që sipas tyre, është e interesuar për destabilizimin e veriut të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – dhe të rajonit.
Kurti në të kaluarën ka thënë se Serbia dhe Rusia duan zgjerim, ndërkaq presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar Beogradin si “dorë të zgjatur të Moskës” dhe po tenton “të luajë lojërat” e Rusisë për të hapur një front të ri ndaj Perëndimit.
Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka raporte të mira me Rusinë dhe Beogradi refuzon thirrjet ndërkombëtare që t’iu bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian për shkak të luftës së Moskës kundër Ukrainës.
Rusia, ndërkaq, e ka justifikuar ndërhyrjen e saj në Ukrainë me situatën në Kosovë. Rusia ka njohur dy rajone lindore ukrainase si shtete të pavarura dhe presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë përderisa Kosova ka shpallur pavarësinë, pse edhe këto rajone nuk munden. Por, Kurti i ka cilësuar këto krahasime si injorancë. REL
Lajmet me interesante
-
Në zemrën që digjet nuk hyhet me çizme- Esé nga FATBARDH AMURSI
December 27, 2024
-
Ti ishe fati ynë!- Nga ARIF EJUPI
December 26, 2024
-
TAKIM ME HIPOKRIZINË- Humor nga ANDREA ZALLI
December 28, 2024
-
Gjethja e vjetër ia lëshon vendin një tjetre të re- Cikël poetik nga KUJTIM MORINA
December 29, 2024
-
IN MEMORIAM: Në Baicë të Drenicës, vdiq ish i burgosuri politik Sejdi Sadri Leku (1944-2024)- Nga Skënder KARAÇICA
December 27, 2024
-
Ina Kosturi e përzgjedhur në Katalogun mes 12 kompozitorëve të rinj që gjendet në Musikverein Vjenë
December 25, 2024
Lajmet e fundit
-
VIDEO- Fëmijët e parë të 2025-ës, mjeku i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” tregon gjendjen e binjakëve
By voal.ch | January 1, 2025
-
Aforizmi i ditës- 1 janar 2025
By voal.ch |
-
Urime nga botuesit e VOAL: Gëzuar Vitin e Ri 2025, me fat Viti i Ri 2025, vëllezër shqiptarë, motra shqiptare!- Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
By voal.ch |
-
HOROSKOPI I VITIT 2025
By voal.ch |
-
HOROSKOPI I MUAJIT JANAR 2025
By voal.ch |
-
HOROSKOPI E MËRKURË 1 JANAR 2025
By voal.ch |
Komentet