Për qëllimet e tyre agresive apo pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë,nga shtetet fqinje,Kufiri shqiptar ishte bërë prej vitesh arenë e provokacioneve! Viti 1949 është “i veçantë”.
Ka kohë që sjellja e shtetit grek ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk ndryshon. Është e njëjta, me të njëjtën strategji, me të njëjtat provokime, sulme apo edhe shkelje të sovranitetit dhe identitet kombëtar. Më 2 gusht 1949, Shqipëria u bë pre e një sulmi ushtarak nga ana e Greqisë.
Në jug dhe juglindje të Shqipërisë Greqia mësymi me ushtrinë me topa, avionë, ushtri tokësore, gjithçka i ngjante një pushtimi të vërtetë. Qëllimi real ishte realizimi i ‘Megali Idesë’ për aneksimin e jugut të Shqipërisë të ashtuquajturin ‘Vorio Epir’.
Gjatë vitit 1949 në kufijtë shqiptare u bënë gjithsej 747 provokacione të llojeve të ndryshme (tokësore, ajrore e detare)
Në kufirin me Greqinë 612 provokacione (303 tokësore, 299 ajrore e 10 detare);
Në kufirin me Jugosllavinë 130 provokacione (57 tokësore, 69 ajrore e 4 detare);
dhe 5 (ajrore) në sektorët bregdetare me Italinë.
Provokacioneve u paraprinte një propagandë e shfrenuar që bënin vendet fqinje kundër Shqipërisë, veçanërisht në Jug. Ata jo vetëm hidhnin në territorin shqiptar libra, broshura e gazeta me thirrje kundër pushtetit popullor në Shqipëri, por arritën deri atje sa të fabrikonin dhe përhapnin trillime, sipas të cilave rreth kufirit shqiptar ishin krijuar baza, prej nga ku furnizoheshin partizanët greke në luftën kundër andarteve (forcave të ushtrisë demokratike greke).
Përgatitja për një agresion kundër RPSH të kurdisur me anë të një provokacioni të gjerë nëpërmjet Greqisë, u shoqërua edhe me aktivizimin e qendrave të diversionit dhe spiunazhit të vendeve fqinje me Shqipërinë, për të dërguar prej andej emisarë e banda “… me qëllim që të organizonin lëvizje të “armiqve” të brendshëm, të cilët, në kombinim me provokacionet në kufi do të shërbenin si shkak për ndërhyrjen e armatosur të fuqive imperialiste.
Provokacionet greke në kufirin me Shqipërinë arritën kulmin e tyre më datë 2 gusht 1949, kur forcat e tyre ushtarake organizuan dhe kryen sulmin e armatosur kundër rojeve kufitare shqiptare në sektorin e Devollit, duke shkelur kështu edhe integritetin territorial të RPSH.
Në mëngjesin e 2 gushtit 1949, në orën 04.30, në zonën e Bozhigradit (Mirasit) filloi përgatitja me artileri e forcave ushtarake greke të dislokuara përgjatë kufirit me Shqipërinë.
Predhat ranë deri 300-400 m në thellësi të territorit shqiptar. Në orën 05.00 filloi sulmi i fanterise greke me 3 batalione të Br.51F dhe Br.52F të D1F të mbështetur nga një Regjiment Artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh gjuajtës të tipit “Spitfiter”, me bazë në aerodromin e Kastorias.
Ata sulmuan kuotat 1309 dhe 1425 që ndodheshin 100 m në thellësi të territorit shqiptar, në sektorin e postës kufitare Vidohovë-Bilisht. Sulmi i tyre u ndesh në mbrojtjen e rojeve të kufirit shqiptar, të cilat nuk ishin më shumë se një togë.
Pra, kaq ishte efektivi i postës kufitare Vidohovë, i armatosur kryesisht me pushkë e automatik si dhe me 3 mitraloz të rëndë e 4 të lehtë. Lufta vazhdoi e ashpër për 7 orë rresht. Sidomos në kuotën 1309 nuk shihej tjetër gjë, veç tym e flakë. Forcat ushtarake greke sulmonin gjithmonë me forca më të mëdha. Aty nga dreka ato arritën të marrin kuotën 1309. “Veprime të tilla na kujtojnë metodat e nazistëve gjermanë dhe të fashistëve që krijojnë incidente në kufijtë me fqinjët e tyre me qëllim presioni e kërcënimi, për të krijuar pasiguri e armiqësi në mes të popujve ose për t`u hapur rrugë veprimeve më të gjera agresive”, shkruante, ndër të tjera në kryeartikull gazeta “Zëri i Popullit” në atë kohë, duke u prononcuar forcërisht për ngjarjet e 2 gushtit në kufirin shqiptaro-grek.
Por si reagoi atëherë qeveria e Shqipërisë, e cila kishte vetëm 5 vite që kishte ardhur në pushtet dhe drejtonte një shtet të dobët dhe shumë të varfër?
I menjëhershëm ishte reagimi i shqiptarëve, të cilët iu përgjigjen agresioni me pushkë.
Rezistenca ishte e fortë.
Me qindra ishin grekët që u zunë nga ushtria shqiptare. Dhe ata u trajtuan ashtu siç trajtohen agresorët, si rob lufte. Ajo që dua të nënvizojë ka të bëjë me dy tablotë e sjelljes së shtetit shqiptar.
Të atij, i cili ishte një shtet i dobët, i një vendi të varfër, por që dinjitetin dhe krenarinë kombëtare e respektonte.
I përball një agresioni të vërtetë ushtarak dhe i bëmë ballë ashtu siç i ka hije shqiptarëve.
Nga ana tjetër kemi këtë shtetin e sotëm shqiptar, anëtar i NATO-s, kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian por që vetëm të dinjitetshëm nuk mund t’i thuash.
Rojet e kufirit shqiptar nuk u zmbrapsën
Nuk kaluan veçse disa orë dhe Forcat Kufitare Shqiptare të mbështetura edhe nga repartet e ushtrisë që mbërritën në këtë rajon në orët e mbasditës, pas një përgatitje me artileri, rreth orës 18.00 filluan kundërsulmin dhe i detyruan trupat ushtarake greke të tërhiqen me dështim të plotë. Në këtë mënyrë afër mbrëmjes gjendja në kufi ishte normalizuar dhe agresorët ishin larguar përtej piramidave kufitare.
“Unë s`tërhiqem prej këtej, se këtu është shtëpia ime dhe atdheu im”, thërriste njëri nga ushtarët, i quajtur Mustafa Gjini, qysh në fillim të këtij sulmi, duke ju dhënë kurajo të jashtëzakonshme shokëve të cilët ndodheshin në momente tepër kritike për jetën. “Hajdeni, hajdeni, se këtu do ta lini rrashtën!”, ju drejtohej ushtarëve grekë që i kishte përballë, kufitar Tafil Ferhati. Edhe pse ndaj tij në këto momente u vërsul një skuadër e tërë ushtarësh grekë për ta mposhtur, ai nuk u tërhoq, por qëndroi në vend duke luftuar, ku vrau 4 prej tyre, deri sa u vra dhe vet.
Në kuotën 1309 (rajoni i piramidës kufitare I-55), një grup kufitarësh shqiptarë prej 3 vetësh, me një mitraloz të rëndë, bënë kërdinë mbi armiqtë që sulmonin, derisa një predhë artilerie e forcave greke u ra në pozicionin e tyre, u nxori jashtë përdorimit mitralozin dhe plagosi dy prej tyre. Kapter Zylgani Vidohova, efektiv i postës kufitare Vidohovë vrau gjashtë ushtarë grekë dhe u mori atyre flamurin. Një grupi tjetër kufitarësh megjithëse ju mbaruan municionet e armëve ata vazhdonin përsëri të qëndronin e të luftonin në pozicionet e tyre, vetëm me bomba dore.
Në këtë situatë kaq të ndezur luftarake për mbrojtjen e kufirit shtetëror shqiptar dhanë jetën Kapiten Memo Nexhipi nga Dukaj i Tepelenës, Aspirant Ferid Bregasi nga Vendresha e Skraparit, ushtar Tafil Ferhati nga Marjani i Oparit, ushtar Shyqyri Avdia nga Skrapari, ushtar Ibrahim Fetahu nga Lushnja dhe ushtar Hasan Ramadani nga Shijaku, ndërkohë u plagosën dhe gjashtë të tjerë.
Sipas komunikatës së datës 3 gusht 1949 botuar në shtypin e ditës, trupat ushtarake greke atë ditë patën rreth 100 të vrarë e të plagosur, si dhe tre robër të kapur nga forcat kufitare shqiptare, dy nga të cilët të plagosur. Në duart e kufitarëve shqiptarë mbetën edhe armatime të llojeve të ndryshme, ndër të cilët 6 mitraloza angleze, 5 copë automatik amerikanë, granatahedhës të tipit anglez shumë municione të tipit amerikan.
Robërit grekë të kapur nga Forcat e Kufirit Shqiptar, pohonin gjithashtu edhe përgatitjen psikologjike që u bëhej ushtarëve grekë për një sulm të afërt ndaj Shqipërisë.
“Jemi udhëzuar vazhdimisht nga komandat tona eprore të bëjmë propagandë shoviniste te ushtarët për të ngjallur ndër ta urrejtje kundër Qeverisë e popullit shqiptar, duke u thënë se neve na takon Shqipëria e Jugut, pasi është greke, se Qeveria Shqiptare i shtyp vorio-epirotët dhe i shfaros ata, se Shqipëria ndihmon komunistët banditë dhe kërcënon pavarësinë e Greqisë.
Na kanë udhëzuar të bëjmë edhe goditje me armë në kufi kundër rojeve shqiptare, duke u futur edhe në tokën e tyre.Na kanë thënë vazhdimisht se ushtrinë tonë duhet ta kemi gati, me urrejtje kundër Shqipërisë dhe, kur të jetë rasti,të sulmojmë tokën shqiptare, që të shfarosim komunistët dhe të marrim Vorio-epirin”,deklaroi,para organeve shqiptare oficeri grek Skuros Dhimitris,i kapur rob nga kufitarët shqiptarë,mes luftimesh të ashpra ku kishte hyrë mbi 300 metra në territorin shqiptar.
Dhe më në fund këto synime i afirmon qartë në deklaratën e tij të 3 gushtit 1949 gjenerali Papagos, ish ministër i Mbrojtjes i Greqisë ku thotë se: “Andartet, (e ka fjalën për forcat e ushtrisë demokratike greke) u dërrmuan në Thesali, Rumeli dhe përgjithësisht në thellësi të Greqisë. Gramozi dhe Vici mbarojnë brenda gushtit. Pastaj do t`i biem Shqipërisë”.
“Një ditë më 10. 07. 1949 në lartësitë e Pirgasit, deklaronte një ushtar tjetër grek Sterios Kostandinos, i zënë rob nga rojet kufitare shqiptare, më thirri komandanti i kompanisë togeri Hundas Anastasios, i cili më tha se duhet të vazhdojmë propagandën ndër ushtarët tanë sipas urdhrit që kemi patur kundër demokracisë së Shqipërisë.
Në bazë të fjalëve të komandantit, togerit Hundas, i cili kishte biseduar edhe me komandantin e batalionit, ky urdhër kish për qëllim që të krijohej një situatë pasigurie në kufirin greko-shqiptar dhe bashkë me këtë, për të shkaktuar ndërhyrjen e anglo-amerikanëve, gjoja për të rregulluar qetësinë”.
Këta janë robërit grek,që u kapën nga ushtria shqiptare në provokacionet e Gushtit 1949.
Gjithsej ishin kapur 500 ushtar të mbretërisë greke të cilët në vitin 1956 u riatdhesuan në Greqi nëpërmjet portit të Durrësit. Këto pamje tregojnë robërit që sapo mbërritën në tokën greke e puthën atë.
Nga forcat shqiptare nuk ishte kapur asnjë rob nga ushtria greke.
Komunikatë Operative e Ministrisë së Forcave t’Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë. Data 3 Gusht 1949
Forca Monarko-Fashiste të përbëra nga 3 bataljone të përforcuara me Artileri dhe të përkrahura nga 15 aeroplana “SPITFIRE”, më datën 2.5.1949 ora 5.00 sulmuan në befasi dhe tradhëtisht tokën tonë në sektorin e Bozhigradit piramida 54-55 me një front prej 700-800 metro gjerësi. Mbas shtatë orë luftimesh shumë të ashpra me repartet e rojës së kufirit të Divizionit të Mbrojtjes Popullit, mundën të hyjnë në thellësi të tokës s’onë deri 300-400 metro duke marrë kuotën 1309 dhe të rrahin me artileri katundin Vidohovë. Forcat t’ona në ora 18.30 sulmojnë Monarko-fashistët që kishin hyrë në tokën tonë, i ndjekin deri në kufi dhe vendosin situatën. Nga luftimet e zhvilluara janë vrarë trimërisht: Kapiten Memo Nexhipi nga Dukaj i Tepelenës, Aspirant Ferit Bregasi nga Vëndresha e Corovodës, ushtar Tefik Ferati nga Marjani i Oparit, ushtar Shyqëri Avdyli nga Skrapari, ushtar Ibrahim Fetahu nga Lushnja dhe ushtar Hasan Ramadani nga Shijaku. Gjithashtu janë plagosur dhe 6 ushtarë. Monarko-fashistët në këto luftime kanë patur përmbi 100 vetë të vrarë dhe të plagosur si dhe rreth 50 kafshë. (ATSH).
Populli i Korçës përcjell me veneracion trupat e gjashtë dëshmorëve të rënë nga akti agresiv i monarko-fashistëve grekë
Korçë 4 (ATSH). Populli i Korçës priti me pikëllim të thellë trupat e 6 dëshmorëve trima që dhanë jetën e tyre duke mbrojtur trimërisht kufijtë e dheut tonë nga sulmi agresor i tre batalioneve t’ushtrisë monarko-fashiste greke që sulmuan në befasi tradhtisht tokën tonë më 2 Gusht më sektorin e Bozhigradit. Ndërsa kufomat e kapiten Memo Nexhipit nga Dukaj i Tepelenës dhe aspirant Ferit Bregasi nga Vendresha e Corovodës u përcuall në vendet e tyre të lindjes, trupat e katër ushtarëve; Tefik Ferhati, Hasan Ramazani, Shyqëri Avdija dhe Ibrahin Fetahu u vendosën në mëngjez në sallën e pallatit të Komitetit Ekzekutiv. Populli i qytetit të Korçës, punëtorët, nënpunësit, nxënësit e ushtarët bënë homazhe dhe përkulën me veneracion të thellë para kufomave të këtyre ushtarakëve të cilët për mbrojtjen e kufive dhe sovranitetit t’Atdheut t’onë, për mbrojtjen e fitoreve të gjertanishme të popullit, luftuan heroikisht kundrA agresorëve monarko-fashistë deri sa dhanë dhe jetën e tyre.
Populli i qytetit të Korçës ashtu si gjithë populli shqiptar e priti me indinjatë të thellë këtë akt agresiv të monarko-fashistëve grekë, i cili i shtohet vargut të provokacioneve dhe shantazheve të bëra kohët e fundit dhe më parë nga ana e banditëve dhe kriminelëve monarko-fashistë kundër vendit t’onë. Vargu i pambaruar i popullit vazhdoi për shumë orë rresht duke i dhënë lamtumirën e fundit këtyre katër trimave që me sakrificën e tyre treguan shpirtin e lartë patriotik që frymëzon gjithë ushtrinë t’onë. Populli i qytetit të Korçës ashtu si gjithë populli ynë, u premton atyre se do të ndjekë me besnikëri porosinë e partisë dhe të Komandantit e të tyren që; “Për mbrojtjen e atdheut dhe të fitoreve të luftës N-Cl. të mos kursej jetën”. Më tepër se 7000 veta nga populli i lagjeve, punëtorët e qendrave të punës, u grumbulluan para pallatit të Komitetit Ekzekutiv për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të këtyre katër luftëtarëve mbrojtës të indipendencës s’atdheut, lirisë, popullit, mbrojtës të paqes dhe demokracisë.
Në mes të sheshit ishin vendosur arqivolët dhe në ballë rreshtoheshin përmbi 40 kurora t’organizatave, lagjeve, fabrikave, institucioneve kulturore etj. Anëtarët e Byrosë të Komitetit të Partisë, oficerët e Garnizonit dhe shokët e tyre që qenë në luftë me ta, ngritën arqivolët dhe kortezhi u drejtua për në varrezat e dëshmorëve. Në krye të kortezhit qëndronin kurorat, pastaj familjet e dëshmorëve, shokët e katër ushtarakëve dhe nga të dy anët ishte rreshtuar populli. Në vendin e varrimit një oficer i Ushtrisë t’onë Popullore, i cili u ndodh në sulmin tradhtar të banditëve monarko-fashistë, foli mbi heroizmin dhe abnegacionin me të cilën këta katër ushtarë mbrojtën Atdheun e tyre. Ai tha se Ushtrija jonë Popullore, e edukuar nga Partija dhe shoku Enver, i ka vënë si detyrë që të mos kursejë as edhe jetën kur është puna për të mbrojtur vendin, popullin dhe paqën në botë.
Thëniet e ushtarit Tefik Ferati nga Marjani i Oparit në kohën kur vdiste nga plagët e rënda që mori prej dorës së agresorëve monarko-fashistë do të jenë shëmbëll për ne: “Shokë të mi, mos lejoni që toka jonë të shkelët nga agresorë, mos leni që fitoret e popullit të preken, mbani lart porosinë e Partisë dhe të Komandantit Suprem se për mbrojtjen e Atdheut t’onë nuk duhet kursyer as edhe jetën”. Pas fjalimit të oficerit, u bë varrimi i kufomave të ushtarëve shoqëruar nga të shtëna pushkësh. Në këtë kohë një valë e madhe proteste dhe indinjate e thellë ka përshkuar të gjithë popullin shqiptar për këtë akt agresiv të monarko-fashistëve grekë që prekën integritetin t’onë toksor dhe principet e të drejtës ndërkombëtare dhe janë një rrezik i dukshëm për paqën dhe sigurimin ndërkombëtar. Parullat “Kufijtë tanë nuk preken, kufijtë tanë janë të shenjtë”, etj, qenë të shumta nga ana e popullit. Akti agresiv dhe kriminal i 2 Gushtit nga ana e monarko-fashistëve Grekë dëshmon kjartë politikën armiqësore dhe luftëdashëse të qeverisë monarko-fashiste t’Athinës.
Qeveria e R. P. të Shqipërisë proteston pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të UNO-s për aktin agresiv të 2 Gushtit
Tiranë. ATSH. Ndihmës Ministri i Punëve të Jashtëme shoku Manush Myftiu i dërgoi sot sekretarit të Përgjithshëm të UNO-s këtë telegram proteste në lidhje me aktin agresiv të monarko-fashistëve grekë më 2 Gusht.
SHKËLQESISË TRIGVE LIE LAKE – SUCCESS NEW YORK.
Në emër të Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë kam nderin t’ë vë ne dijeninë tuaj sa më poshtë: Më 2 Gusht, forca të Ushtrisë së qeverisë s’Athinës të përbëra prej tre batalionesh të riformuara me artileri dhe të mbështetura nga 15 aeroplanë “Spitfhire”, sulmuan befasisht në sektorin e Bozhigradit, piramidën 54-55, duke hyrë 300-400 metra në thellësi të tokës s’onë. Mbasi zunë kuotën 1309, goditën me artileri fshatin Vidohovë. Mbas një përpjekje të ashpër që zgjati 7 orë, forcat t’ona të kufirit i shtytën dhe rivendosën gjendjen. Në këtë përpjekje mbetën të vrarë 2 oficera dhe 4 ushtarë Shqiptarë. Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë proteston me ashpërsinë më të madhe kundra këtij agresioni të ri të përgatitur dhe të kryer me qëllime të përcaktuara nga Qeveria e Athinës dhe që përbën një shkelje flagrante t’integritetit toksor e të sovranitetit Kombëtar të Republikës Popullore të Shqipërisë.
Qeveria e republikës Popullore të Shqipërisë tërheq vëmendjen e Sekretarit të Përgjithshëm t’Organizatës së Kombeve të Bashkuara për këtë akt agresiv dhe kriminal në shkallë të gjerë të kryer nga Qeveria e Athinës dhe që është rezultat i tërë politikës armiqësore dhe luftëdashëse që ajo ndjek me këmbëngulje kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë i tërheq vëmendjen Sekretarit të Përgjithshëm mbi përgjegjësinë e rëndë që bie mbi qeverinë e Athinës për këtë shkelje brutale të sovranitetit kombëtar të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe që në një mënyrë flagrante shkel principet e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara duke venë në rrezik mbrojtjen e paqes dhe sigurimit ndërkombëtar.
Pranoni zoti Sekretar i përgjithshëm, sigurimet e konsideratës s’ime më të lartë.
Tiranë më 5-8-1949
Manush Myftiu, Ndihmës Ministër i Punëve të Jashtëme.
Presidiumi i Kuvendit Popullore të R.P.të Shqipërisë, dekoron oficerët dhe ushtarët që ranë dëshmorë nga akti agresiv i monarko-fashistëve grekë
Tiranë 5 (ATSH). Në mbështetje të art. 54 nr. 7 të Statutit të R.P të Shqipërisë dhe të nenit 4. Nr. 12 të ligjës Nr.303 dt. 26.11.1945 mbi Presidiumin e Kuvendit Popullor mbi propozimin e Kryetarit të Qeverisë; Kryesija e Presidiumit të Kuvendit Popullor dekoron: Me Urdhërin e Trimërisë dëshmorët;
Kapiten i II Memo Nexhip Bejko;
Aspirant Ferik Naim Bregasi me këtë motivacion; “Gjatë shërbimit për mbrojtjen e kufijve t’atdheut nga shkeljet dhe provokacionet e monarko-fashistëve grekë është dalluar për trimëri, rezistencë dhe vetëmohim deri sa u vra, që u bë shembull qëndrese për ushtarët e tjerë”.
Gjithashtu u dekoruan me medaljen e trimërisë dëshmorët; Tefik Ferati, Shyqëri Avdija, Ibrahim Fetahu, Hasan Ramadani: “Gjatë shërbimit për mbrojtjen e kufivet t’atdheut nga shkeljet e monarko-fashistëve grekë është dalluar për trimëri, besnikëri dhe vetmohim”.
Kryesija e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë.
Kryetari Dr. Omer Nishani d.v. Sekretari (Sami Baholli) d.v.
Komunikatë Operative e Ministrisë së Forcave t’Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë
Datë 6 gusht 1949.
Gjatë ditës 4.VIII-1949, monarko-fashistët Grekë kanë vazhduar provokacionet e tyre të poshtra kundra vendit tonë në kufirin e jugut. Në sektorin e Bozhigradit dhe në drejtim të Leskovikut, n’afërsi të piramidave Nr. 11-12-13 e 14. E mbështetur nga artileria dhe aviacion, me forca superiore sulmuan kuotën 1425 dhe kuotën 1309. Kundra
sulmet e forcave tona i thyen monarko-fashistët duke i nxjerrë jashtë kufirit. Në përpjekjet që kanë pasur rojet tona të kufirit me banditët dhe kriminelët agresorë monarko-fashistë, në piramidën Nr. 1425 gjatë ditës së sotme armiku përdori artileri dhe aviacionin. Rojet tona të kufirit rrëzuan një avion që merrte pjesë në sulm.
Gjatë datës 4 dhe 5 Gusht 1949, në tokën tonë kanë rënë më shumë se 1500 predha artilerije. Një pjesë e këtyre predhave të rëna në Mengulat kanë djegur 5 shtëpi. Në Bozhigrad në datën 5.VIII.1949 kanë rënë pesë predha artilerije armike të cilat nuk kanë shkaktuar dëme.
Në ora 7.55 datë 4.VIII.1949, një aeroplan i banditëve monarko-fashistë fluturoj mbi tokën tonë mbi katundet Hoxhaj dhe Markat. Aeroplani i qëlluar nga forcat tona ra në fushën e Finiqit afër Sarandës. Piloti u kap i gjallë.
Në orën 14.00 datë 5.VIII-1949 në afërsi të piramidës Nr. 15 u dorzuan 5 ushtarë monarko-fashistë.
Në sektorin e Leskovikut në datën 3.VIII-1949 janë kapur dy oficerë Monarko-Fashistë; Nëntoger Skuras Dhërios dhe nëntogeri Trulinos Manolis, që të dy efektivë të bataljonit 627 Brigada e 74 e fanteris. Morali i Monarko-fashistëve është shumë i ulët.
Robërit e zënë tregojnë se shumë ushtarë monarko-fashistë kanë hedhur armët dhe janë fshehur nëpër pyje.
Në Tepelenë u bë ceremonia e varrimit të dëshmorit Memo Nexhipi
Tepelenë. Dje paradite në qytetin e Tepelenës u varros trupi i dëshmorit kapiten Memo Nexhipi, i cili ra dëshmor nga plumbi i provokatorëve monarko-fashistë më 2 Gusht. Merrnin pjesë përmbi 1500 veta nga populli i qytetit dhe katundet e afërta. Me këtë rast foli shoku Njazi Islami, i cili në emër të Komitetit Qëndror të PPSH-së i dha përshëndetjen e fundit dëshmorit. Pas përshëndetjes nga populli u dërguan dy telegrame; njeri Komitetit Qëndror të PPSH-së, tjetri Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhës. Në këto telegrame populli shpreh urrejtjen e pafund për provokacionet e kryera nga monarko-fashistët grekë dhe ndërhyrjet e poshtra t’imperialistëve anglo-amerikanë kundër vendit dhe popullit t’onë. Në kohën e varrimit të dëshmorit Memo Nexhipi, ati i tij, ndër të tjera tha: “Të rrojë Partia dhe shokët e Memos”. Pas varrimit pjesmarrësit shpërthyen në demonstrata duke hedhur parulla: “Rroftë Ushtria jonë Popullore”. “Poshtë Monarko-fashistët grekë dhe ndërhyrjet e poshtra të anglo-amerikanëve”, si dhe parrulla të tjera urrejtëse për armiqtë.
Qeveria e R. P. të Shqipërisë proteston përsëri pranë Sekretarit të Përgjithshëm të UNO-s për aktet agresive të monarko-fashistëve grekë
Tiranë (ATSH). Ndihëm Ministri i Punëve të Jashtëme, shoku Manush Myftiu i dërgoi sot Sekretarit të përgjithshëm të UNO-s këtë telegram proteste në lidhje me aktet agresive të monarko-fashistëve Grekë në datat 2-4 dhe 5 Gusht.
SHKËLQESIA SË TIJ TRYGVE LIE, LAKES SUCERSS NEW YORK
Në emër të Qeverisë së R.P. të Shqipërisë kam nderin t’ju vë në dijeninë tuaj sa vijon:
Forca të armatosura të Qeverisë së Athinës kanë vazhduar të sulmojnë edhe në datat 3-4 dhe 5 Gusht në kufitë e Jugut të R.P. të Shqipërisë të mbështetura nga artileria dhe aviacioni. Më datën 4 Gusht sulmi është kryer në sektorin e Bozhigradit dhe në drejtim të Leskovikut në afërsi të piramidave 11-12-13 dhe 14.
Në sektorin e Bozhigradit, ushtria e Qeverisë s’Athinës sulmoi kuotën 1425 dhe atë 1309. Gjatë luftimeve u rrëzua një avion që mirrte pjesë në sulm dhe agresorët u hodhën jashtë kufirit nga forcat shqiptare të reparteve të kufirit. 12 ushtarë grekë mbetën të vrarë në tokën shqiptare.
Në datat 4,5 Gusht ushtria e Qeverisë s’Athinë ka hedhur më se 1500 predha artilerije në tokën Shqiptare. Një pjesë e këtyre kanë rënë në katundin Mangulas, ku u dogjnë 5 shtëpi dhe 5 predha ranë në katundin Bozhigrad.
Në datën 4 Gusht, ora 7.55 një avion grek që fluturonte në katundet shqiptare Hoxhaj dhe Markat, u rrëzua nga forcat shqiptare në fushën e Finiqit afër Sarandës. Piloti u kap i gjallë.
Më datën 3 Gusht në sektorin e Leskovikut janë kapur nga forcat shqiptare të kufirit dy oficerë grekë: nëntogeri Skueras Dhimitrios dhe nëntogeri Trulinos Manolis që të dy efektivë të Bataljonit 627 të Brigadës së 74 të Fanterisë dhe më 5 Gusht në afërsi të piramidës 18 u dorzuan 5 ushtarë grekë.
Qeverija e R. P. të Shqipërisë e konsideron këtë sulm të përsëritur në shkallë të gjerë nga Ushtria e Qeverisë s’Athinës kundra Republikës Popullore të Shqipërisë, shkelje të hapët të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të kartës së Kombeve të Bashkuara dhe një krim që kërcënon seriozisht paqën. Prandaj edhe njëherë Qeverija e
Republikës Popullore të Shqipërisë, tërheq vëmendjen e Sekretarit të Përgjithshëm të UNO-s mbi përgjegjësinë e rendë dhe direkte që i bie Qeverisë s’Athinës për këto akte agresive dhe për konsekuencat që rrjedhin.
Qeverija e Republikës Popullore të Shqipërisë proteston përsëri në mënyrë energjike për këto shkelje brutale dhe të vazhdueshme të sovranitetit të Shqipërisë që po kryen të përgatitura sistematikisht nga Qeveria e Athinës dhe që kanë për qëllim prishjen e paqes dhe të sigurimit ndërkombëtar.
Pranoni zoti Sekretar i Përgjithshëm sigurimet e konsideratën time më të lartë.
Manush Myftiu
Ndihmës Ministër i Punëve të Jashtëme
Fjalim i Enver Hoxhës
MBAJTUR PARA USHTAREVE TË PLAGOSUR NE PROVOKACIONET E MONARKO-FASHISTEVE GREKË KUNDËR RPSH
Enver Hoxha duke mbajtur një fjalim para ushtarakeve te Gjirokastrës.
Gjirokastër, 2 shtator 1949
Të dashur shokë ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, Ju përshëndes dhe ju uroj nga zemra në emër të qeverisë dhe të Partisë sonë për patriotizmin e lartë, që keni treguar duke mbrojtur kufitë e atdheut tonë të dashur nga sulmet e poshtra të monarko-fashistëve grekë.
Ju keni kryer detyrën tuaj dhe keni merituar mirënjohjen e popullit tonë, i cili sheh në ushtrinë e tij, mbrojtësen e lavdishme të atdheut, të fitoreve të Luftës nacional-çlirimtare, të ndërtimit të socializmit në vendin tonë dhe të paqes.;
Populli ynë ka një dashuri të pakufishme për Ushtrinë Popullore dhe kur ju luftonit kundër provokatorëve monarko-fashistë i gjithë populli ynë i kishte sytë te ju dhe kishte besim të patundur se kufitë tanë të shenjtë nuk do të cenoheshin dhe ashtu ngjau. Monarko-fashistët i kaluan për shumë herë kufitë tanë, por vendosmëria juaj, heroizmi juaj i bëri ata të thyhen me turp dhe të lënë me dhjetëra të vrarë dhe të plagosur në truallin tonë. Ju në çdo moment stabilizuat gjendjen në kufi dhe e ruajtët këtë si sytë e ballit. Populli ynë mburret me ushtrinë e tij dhe me ju, pjesëtarët heroikë të saj.
Monarko-fashistët dhe padronët e tyre nuk kanë pasur vetëm për qëllim të bënin disa provokacione të vogla, por ata kishin qëllime më të mëdha. Nën pretekste se gjoja ne ndihmojmë ushtrinë demokratike greke në luftën e saj të çlirimit, ata kërkonin të futnin zjarrin e luftës dhe në tokën tonë. Ata i kishin përgatitur planet që më parë, por ua shkatërruat ju. Planet e tyre kriminale dështuan nga qëndrimi juaj heroik, Ju mbrojtët në kufitë tanë të Jugut, jo vetëm atdheun tuaj, jo vetëm jetën, të drejtat e lirinë e popullit tonë, por njëkohësisht ju mbrojtët paqen në Ballkan. Për këtë arsye ju keni merituar dashurinë dhe respektin e botës përparimtare.
Një egërsi e pashembullt tregohet ndaj Shqipërisë së vogël demokratike popullore nga ana e imperialistëve luftëdashës dhe shërbëtorëve të tyre, monarko-fashistëve grekë, trockistëve titistë etj. Provokacione të panumërta dhe shpifje e kërcënime të poshtra po bëhen prej shumë kohësh ndaj vendit tonë, për ta dëmtuar këtë vend paqedashës dhe përparimtar. Por këta kriminelë, nuk kanë mundur dhe nuk do t’ua arrijnë kurrë qëllimeve të tyre, pse populli ynë me heroizëm dhe me gjakftohtësinë më të madhe bën të dështojë çdo përpjekje e tyre. Populli shqiptar lufton me të gjitha forcat për mbrojtjen e paqes dhe nervat e tij i ka të fortë.
Populli shqiptar, pjesëtar i vendosur i kampit demokratik antiimperialist, në krye të të cilit qëndron Bashkimi Sovjetik, e ndjen veten më të fortë se kurrë, pse lufton për një kauzë të drejtë. Më kot monarko-fashistët, titistët dhe padronët e tyre imperialistë, me të gjithë aparatin e tyre propagandistik, përpiqen ta bëjnë Shqipërinë përgjegjëse për luftën heroike që bën populli grek për çlirim. Më kot këta përpiqen të fshehin veprën e tyre kriminale dhe të mbulojnë disfatat që pësojnë, duke akuzuar një popull të vogël paqësor dhe liridashës.
Ju i dini mirë deklaratat e Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, që shumë herë ka deklaruar se vendi ynë nuk përzihet në çështjet e brendshme të Greqisë. Ju keni njohur urdhrin e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë sonë, e cila ju porosiste që të ndiqni provokatorët monarko-fashistë nga toka jonë dhe të mos kaloni asnjë pëllëmbë përtej kufirit në tokën greke. Ju këtë urdhër e keni zbatuar me përpikëri.
Por monarko-fashistët e imperialistët amerikanë dhe satelitët e tyre na akuzojnë se ne kemi sulmuar tokën greke. Kuptojeni vetë ju, që keni qenë në kufi, që keni luftuar, që jeni plagosur e vrarë, se sa të poshtra e trilluese janë pretendimet e tyre. Por këta luftëdashës i krijojnë këto gjëra për të arritur qëllimet e tyre të paracaktuara politike dhe ushtarake. Ata dështuan në planet e tyre dështarake, pse Shqipëria e vogël dhe ushtria e saj trime, dinë të luftojnë dhe të mbrohen ,mirë, kur është çështja për të mbrojtur kufitë, integritetin tokësor dhe lirinë e vendit tonë. Kanë kaluar kohët, kur imperialistët luftëdashës dhe shërbëtorët e tyre mund ta bënin Shqipërinë një shesh lufte dhe pronë të tyre. Gjithashtu dhe manovrat e tyre politike do të dështojnë me turp, pse ato janë me baza të rrema dhe të shpifura. Populli ynë i vogël, trim dhe paqedashës nuk është vetëm në botë. Ai mbrohet nga Bashkimi i madh Sovjetik, nga udhëheqësi i tij Stalini i madh, nga kampi demokratik antiimperialist si dhe nga gjithë bota përparimtare. Populli shqiptar mbron dhe do të mbrojë kurdoherë me vendosmëri të drejtat e tija dhe me miqtë e dashur dhe të fuqishëm që ka Shqipëria në botë, kurrë nuk do të shkelet, kurrë nuk do të humbasë pavarësinë e saj dhe kurrë nuk do të cenohen interesat e saj jetike.
Armiqtë e vendit tonë sot po bëjnë plot zhurmë, përhapin shpifje dhe gënjeshtra, po bëjnë shantazhe që të na frikësojnë. Ata duhet të dinë se nuk mund t’u arrijnë dot qëllimeve të tyre. Imperialistët kanë vënë në lëvizje të gjithë agjentët e tyre për të krijuar një psikozë lufte ndaj vendit tonë. Agjentët trockistë të Beogradit me Titon në krye, monarko-fashistët grekë, kuislingët dhe kriminelët e luftës të popullit shqiptar, që gjenden në arrati, neofashistët italianë, papa dhe Vatikani, të gjithë kanë hyrë në valle për të kërcënuar Shqipërinë. Imperialistët amerikanë dhe anglezë, që mbajnë në prehrin e tyre kriminelët e luftës me damkë të popullit shqiptar siç janë Mithat Frashëri, Abaz Kupi, Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Abaz Ermenji, Ali Këlcyra etj. të gjithë kuislingët, fashistë, bashkëpunëtorë dhe agjentë të okupatorit fashist italian, të nazistëve gjermanë, të fashistëve të Metaksait dhe tani në shërbim të imperializmit amerikan dhe anglez, i. kanë grumbulluar këta në një komitet, që mund ta quajmë komiteti i banditëve. Populli shqiptar i ka çdo ditë më të qarta qëllimet e imperialistëve amerikanë dhe anglezë kundër vendit tonë si dhe ç’përfaqësojnë në gojën e imperialistëve fjalët «liri e demokraci,.. Populli shqiptar i njeh mirë këta tradhtarë dhe kuislingë, që luftuan krah për krah me okupatorët për të shtypur popullin tonë. Këta kuislingë e tradhtarë gjetën padronë të rinj, që kanë në plan të përsëritin veprën e Hitlerit. Por ky komitet tradhtarësh do të ketë fatin e tradhtarëve. Komiteti i tradhtarëve ka në program të bëjë zhurmë dhe të bashkojë zërin e tij me çakejtë e Beogradit dhe të Athinës kundër vendit tonë dhe pushtetit popullor. Imperialistët i kanë vënë për detyrë këtij komiteti që, me zhurmën e tij, t’u japë pak kurajë reaksionarëve të brendshëm të vendit tonë.
Por reaksionarët e brendshëm të vendit tonë, e dinë mirë sa u vlen lëkura dhe njohin mirë forcën e popullit dhe të regjimit popullor. Reaksioni i brendshëm e sheh më realisht fatin e tij, kurse tradhtarët jashtëm rrojnë me ëndrra. Tradhtarët e jashtëm presin nga reaksionarët e brendshëm dhe reaksioni i brendshëm pret nga ndërhyrja e jashtme. Të dyja shpresat janë të ‘kota- dhe të dyja tentativat do të dështojnë me turp. Populli,.ynë nuk trembet nga këta kalbësira dhe as nuk gënjehet nga demagogjia e tradhtarëve të Beogradit, që kërkojnë të fshehin lidhjet e tyre kriminale me monarko-fashistët, me neofashistët për të dëmtuar demokracinë popullore të Shqipërisë.
Më kot trockisti Tito dhe banda e tij lëshon komunikata se gjoja ata janë për pavarësinë e vendit tonë. Ata nuk janë përveçse agjentë të imperializmit, që kanë kërkuar dhe kërkojnë t’i bëjnë varrin vendit tonë; ata janë në bashkëpunim të ngushtë me monarko-fashistët për të copëtuar Shqipërinë dhe ata e kanë bërë Jugosllavinë një qendër spiunazhi dhe diversantësh për të dëmtuar atdheun tonë. Jugosllavia është bërë qendra e banditëve shqiptarë, shokë të Mithat Frashërit, të Abaz Kupit dhe të Seit Kryeziut, tradhtarë dhe xhelatë të popullit shqiptar dhe të kosovarëve shqiptarë. Lodra e qepur me pe të bardhë e tradhtarit Tito, nuk gënjen asnjë shqiptar, qoftë ky qytetar i Republikës Popullore të Shqipërisë, qoftë qytetar Kosovës e Metohisë dhe lidhjet e titistëve me imperialistët anglo-amerikanë janë të qarta. «Fshati që duket, s’do kallauz» — thotë populli ynë. Nacionalistit Tito dhe shokëve të tij, u është çjerrë maska. Me veprimet e tyre agjentët e kralëve të Serbisë dhe gjakatarët e popullit të Kosovës Gani Beg Kryeziu dhe Seit Beg Kryeziu, tani ,agjentë të Inteligens Servis-it dhe njëkohësisht bashkëpunëtorë të ngushtë të shtypësve të rinj të popullit shqiptar të Kosovës, të klikës së Tito-Rankoviç nuk do të gënjejnë asnjë kosovar shqiptar për fatkeqësitë e reja që përgatit imperializmi dhe agjenti i tyre Tito në kurrizin e shqiptarëve të Kosovës.
Shqiptarët e Kosovës dhe të Metohisë do të dinë t’u bëjnë ballë veprimeve të këtyre agjentëve të rinj të imperialistëve, që kurdoherë në të kaluarën dhe në të tanishmen po luajnë me fatin dhe me aspiratat e tyre.
Por, shokë të dashur, të gjitha tentativat e armiqve të vendit tonë do të dështojnë, se vendi ynë me të vërtetë është një vend i vogël, por është një kafshatë pagëlltitshme nga imperialistët dhe shërbëtorët e tyre. Populli ynë qëndron i patrembur, pse është në rrugën e drejtë, ai zhvillon një punë paqësore, ai lufton me këmbëngulje për paqen, por njëkohësisht ai është vigjilent dhe dita-ditës po forcohet. Populli ynë është i pathyeshëm, pse është një pjesëtar i pamposhtur i kampit demokratik, pse ai ka te Bashkimi i madh Sovjetik, te Stalini dhe në gjithë demokracitë e tjera popullore miq të dashur, besnikë të pakufishëm, që e duan dhe e mbrojnë. Populli ynë është i pamposhtur dhe do të rrojë për jetë.
Shokë ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, ju e dini sa e- shtrenjtë është jeta e njeriut në demokracitë tona popullore dhe me sa vendosmëri luftohet që jeta e njerëzve tanë të mbrohet dhe të bëhet dita-ditës më mirë. Por jeta e njeriut në vendin tonë është e lidhur ngushtë me pavarësinë e atdheut, me mbrojtjen lirive të fituara me gjak dhe me djersë, me ndërtimin e socializmit në vendin tonë. Kur këto vihen në rrezik nga luftëdashësit, për njerëzit e popullit tonë jeta nuk kursehet. Për mbrojtjen e paqes dhe për mbrojtjen e atdheut tonë, ne jemi kurdoherë gati të luftojmë me abnegacion. Këtë e dinë mirë miqtë tanë dhe kanë-besim të patundur te ne, pse ne kryejmë detyrën më të shenjtë; këtë le ta kenë parasysh edhe armiqtë e popullit tonë.
Unë ju uroj të shëroheni sa më shpejt dhe të ktheheni sa më parë në repartet tuaja, ku ju pret detyra.
Për aktet tuaja heroike dhe shërbimet e larta që keni bërë atdheut, Presidiumi i Kuvendit Popullor, ju ka dekoruar si ju, ashtu dhe shokët tuaj heroikë, që ranë në fushën e nderit për të mbrojtur kufitë e Shqipërisë.
Dëshmorët që dhanë jetën në kufi për atdheun tonë, do të mbeten të paharruar në histori. Ata shtojnë vargun e heronjve të popullit tonë, i cili do të ruajë në zemër kujtimin e këtyre bijve heroikë dhe ata do të kujtohen nga brezat e ardhshëm, se në sajë të sakrificave të mëdha të tyre, po ndërtohet socializmi në vendin tonë, po ndërtohet jeta e lirë dhe e qetë për kalamanët tanë. Brezat e ardhshëm me nderim do të kujtojnë vëllezërit dhe prindërit e tyre, që dhanë jetën për t’i siguruar paqen njerëzimit. Si kurdoherë të jemi të gatshëm të mbrojmë paqen, të mbrojmë popullin, të mbrojmë Republikën tonë Popullore.
Rroftë Ushtria jonë heroike Popullore!
Rroftë populli heroik shqiptar!
Botuar për herë të parë në , ”Zëri i Popullit” Nr. 213 (286), 4 shtator 1949 4 shtator 1949
Komentet