Trupat amerikane rrëzuan dy dronë që kishin në shënjestër forcat amerikane në Sirinë jugore të hënën. Ky incident pason sulme të tjera me dronë që kanë patur në shënjestër bazat dhe objektiva të tjera amerikane në Lindjen e Mesme, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë për një “kërcënim të madh” të përshkallëzimit të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit.
Zëdhënësi i Pentagonit, gjenerali Pat Ryder, u tha gazetarëve se forcat e mbështetura nga Irani lëshuan dy dronë në drejtim të garnizonit al-Tanf të hënën, të cilët u shkatërruan nga sistemet e mbrojtjes amerikane, duke mos shkaktuar lëndime në mesin e ushtarëve.
“Ne e dimë se këto grupe mbështeten nga Irani”, tha zëdhënësi Ryder. “Në fund Irani do të mbahet përgjegjës për këto sulme”.
Ky ishte të paktën sulmi i pestë me dron ose raketë ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme brenda një jave. Sipas Pentagonit, në ditët e fundit ka patur një rritje të sulmeve ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme. Disa nga sulmet shkaktuan lëndime të lehta dhe dëme materiale.
“Ekziston një kërcënim i madh i përshkallëzimit të konfliktit në të gjithë rajonin, duke përfshirë edhe shtimin e sulmeve ndaj forcave amerikane”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë ushtarak.
Javën e kaluar, dy dronë kishin në shënjestër bazën amerikane al-Tanf në Siri. Një dron kishte në shënjestër bazën ajrore Al-Harir në Irakun verior. Baza ajore al-Asad e forcave amerikane në Irakun perëndimor ishte në shënjestër të një sulmi me dy dronë. Ndërsa një bazë tjetër e trupave amerikane pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit u sulmua me raketa.