Një fshatar na kishte një qen besnik me emrin Sulltan. Më së fundi qeni u plak. Një ditë fshatari, tek ndodhej në oborr, i tha së shoqes:
– Nesër do ta vras Sulltanin. Është plakur shumë e s’na hyn më në punë.
Gruas i erdhi keq për qenin e gjorë, ndaj iu përgjigj të shoqit:
-Aman, mos e vrit, or burrë, se na ka shërbyer me besnikëri shumë vjet me radhë! Të lutem, ki mëshirë për qenin tonë!
– Ç’thua kështu!? – ia ktheu burri. – A je në vete!? Atij s’i ka mbetur asnjë dhëmb në gojë. Këtej e tutje asnjë vjedhës s’do të ketë më frikë të vijë tek ne! Shërbimet që na ka bërë Sulltani ia kemi shpërblyer me dreka e darka të bollshme. Tashmë atij i ka i ardhur ora të iki nga kjo botë!
Qeni tek rrinte shtrirë atje pranë i dëgjoi të gjitha ç’tha i zoti, ndaj u tremb e u trishtua, se e nesërmja do ishte dita e fundit e jetës së tij. Por ai na kishte mik një ujk. Në mbrëmje vajti fshehtas në pyll, e gjeti ujkun dhe i tregoi fije e për pe rreth fatit që e priste.
-Mos u mërzit aspak, vëllaçko! – i tha ujku. – Dëgjo se ç’duhet të bëjmë bashkë! Nesër në të gdhirë, burri e gruaja, do të venë të mbledhin fier. Do të marrin me vete edhe vogëlushin e tyre dhe do ta lënë shtrirë nën lis. Atje qëndro edhe ti, gjoja si roje! Në ato çaste unë do të dal nga pylli, do të sulem dhe do ta grabis. Ti vrapo menjëherë pas meje, sa të mundesh më shpejt, për të më kapur udhës. Unë do ta lëshoj djalin për tokë. Ti kape nga bluza me dhëmbë, merre dhe ktheu tok me të prapa. Prindët do të besojnë se e shpëtove ti. E kështu asnjë e keqe s’do të të gjejë më, përkundrazi, do të jetosh në mes gjithë të mirave.
Qeni e pëlqeu mendimin e ujkut. Të nesërmen ndodhi ashtu siç tha ujku. Fshatari, kur pa ujkun që po vraponte nëpër fushë me vogëlushin e tij, nisi të bërtiste i dëshpëruar, por Sulltani plak ia solli shëndoshë e mirë. Atëherë i lumtur sa s’ka e përkëdheli me dashuri Sulltanin dhe i tha:
– Nga unë s’ke për të parë asgjë të keqe. Do të të mbaj falas si s’ka më mirë, deri sa ta kesh jetën! – Pastaj iu kthye gruas: – Shko shpejt në shtëpi dhe përgati drekën! Supa për Sulltanin të jetë e shijshme dhe me lëng mishi! Jepi edhe jastëkun tim si dhuratë nga unë Sulltanit! Qysh nga kjo ditë për qenin plak të kujdesemi aq mirë, sa ai të ndihet mjaft i kënaqur!
Ujku shkoi për vizitë te Sulltani, u gëzua që gjithçka u krye ashtu siç deshën të dy, dhe i tha:
– Dëgjo, miku im! Nëse në ndonjë rast do t’i rrëmbej zotnisë tënd ndonjë nga shelegët, ti shtiru sikur s’pe gjë!
– Jo! – iu përgjigj i egëruar qeni. – Unë jam besnik ndaj tim zoti, nuk mund të sillem ndryshe!
Ujku mendoi se qeni bënte shaka, prandaj, kur ra nata, erdhi të merrte prenë e tij.
Ndërkaq, Sulltani e kishte lajmëruar qysh më parë të zotin e vet, e ky e priti ujkun grabitar në kasollen e dhenve me kërbaç. Ia bëri kurrizin më të butë se barkun.
Ujku, teksa ia mbathi me vrap, i thirri Sulltanit:
– Këtë do të ma paguash shtrenjtë, or qen i pabesë!
Ditën tjetër ujku dërgoi derrin e egër ta ftonte qenin, për t’u marrë vesh miqësisht. Qeni plak pranoi, por përveç maçokut me tri këmbë, nuk gjeti ndonjë kafshë tjetër që ta shoqëronte deri në pyll. Kur nisën të ecnin nëpër shteg, i gjori maçok, i hidhte hapat çalë – çalë, duke e tërhequr bishtin zvarrë – zvarrë, me dhimbje. Ujku dhe derri i egër, po prisnin në vendin e caktuar, por kur panë kundështarët, dyshuan se ata kishin me vete një shpatë, po në të vërtetë “shpata”qe bishti i maçokut. Ata e pikasën maçokun tek kërcente mbi tri këmbë. Menduan se po mblidhnin gurë për t’i vërvitur kundër tyre, ndaj u trembën që të dy. Derri i egër u fsheh nën shkurre, ndërsa ujku u ngjit me një frymë te një pemë. Sapo mbërritën qeni dhe maçoku, ata u habitën kur vunë re, se asnjë nga kafshët nuk shihej kund. Veçse derri i egër nuk qe fshehur mirë i tëri. Veshët e tij dukeshin paksa mbi shkurre. Ndërsa maçoku hodhi sytë përqark, ai i lëvizi veshët. Maçokut iu dukën si mi. Mori vrull dhe iu hodh derrit përsipër. Në çast derri i egër doli nga shkurret dhe vrapoi duke hungëritur me dridhmë:
– Fajtori nuk jam unë, jo, jo, por ai atje, mbi pemë! Qeni dhe maçoku ngritën sytë dhe panë mbi degë ujkun të turpëruar nga ajo frikë e papritur. Së fundi, ai zbriti dhe pranoi të bënte paqe me qenin.