SUITAT E PASQYRAVE
SIMBOLI
Krishti.
Kishte një pasqyrë
në çdo dorë.
Shumëzonte
spektrin e vet.
Projektonte zemrën e tij
në shikimet.
E zes.
Besoj!
PASQYRA E MADHE
Jetojmë
nën pasqyrën e madhe.
Njeriu është i kaltër!
Lavdi!
PASQYRIMI
Zonja Hënë.
(Është krisur mërkuri?)
Jo.
Cili djalë ka ndezur
kandilin tuaj?
Një flutur vetëm
mjafton për ta shuar.
Hesht… po a është vallë e mundur!
Ajo xixëllonjë lart
është hëna!
RREZET
Çdo gjë është erashkë.
Hapi krahët, vëlla.
Zoti është pika.
REPLIKA
Vetëm një zog
këndon.
Ajri e shumëfishon.
E dëgjojmë nëpërmjet pasqyrave.
TOKA
Ecim
mbi një pasqyrë
pa mërkur,
mbi një kristal
pa ré.
Nëse irisi lindte
mbrapsht.
Nëse trëdafilët lindnin
mbrapsht.
Nëse të gjitha rrënjët
vështronin yjet
dhe i vdekuri nuk i mbyllte
sytë,
do të ishim si mjellma.
TRILLI
Prapa çdo pasqyre
është një yll që ka vdekur
dhe një ylber foshnjë
që fle.
Prapa çdo pasqyre
ka një qetësi të përjetëshme
dhe një çerdhe heshtjesh
që nuk kanë fluturuar.
Çdo pasqyrë është mumja
e burimit: mbyllet
si guaska e dritës
natën.
Pasqyra
është nënë-vesa,
libri që i fishk
muzgjet, jehonat e bëra mish.
SHINTOJA
Kambanore të arta.
Pagoda dragua.
Tring, tring.
Sipër ngjitjeve.
SYTË
Në fund të syve hapen
shtigje të pafundme.
Janë dy udhëkryqe
të hijes.
Vdekja vjen gjithmonë
nga këto fusha të mugëta,
kopshtarja që mbyt
lulet e lotëve.
Ninëzat nuk kanë
horizonte.
Në to ne humbasim
si në pyjet e pashkelura.
Në kështjellën e festave
pa kthim arrin nëpër rrugën
që nis nga iriset.
Djalosh pa dashuri,
Zoti të shpëtoftë nga drethëza e kuqe!
Kqyr nga udhëtari
Elenë që qëndis
kravata!
INITIUM
Adami dhe Eva.
Gjarpëri
e thërmoi pasqyrën
në mijëra copa,
e molla
qe guri.
NINANANA PASQYRËS SË FJETUR
Fli.
Mos iu tremb shikimit
shëtitës.
Fli.
As flutura
as fjala
as rrezja e përvjedhur
e vrimës së bravës
nuk të plagosin.
Fli.
Si zemra ime,
ashtu ti,
pasqyra ime,
kopshti ku dashuria
më pret.
Fli pa ankthe
por zgjohu
ku do të vdesë puthja
e fundit e buzëve të mia.
AJRI
Ajri
shtatzënë me ylberë
thyen pasqyrat e tij
mbi degën plot gjethe.
PËSHTJELLËZ
Zemra ime
është zemra jote?
Kush m’i pasqyron mendimet?
Kush m’i sjell
këto pasione
pa rrënjë?
Pse veshja ime ndërron
ngjyra?
Çdo gjë është udhëkryq?
Pse shikon në mellë
shumë yje?
Vëlla, je ti
apo jam unë?
E këto duar kaq të ftohta
janë të atij?
Shikoj perëndimet
e një mizëri njerëzish
më udhëton në zemër.
NDALJE
Bufi,
Pushon së medituari,
i pastron syzet.
E shfryn.
Një xixëllonjë.
Zbret shpatit teposhtë
e një yll
skajohet.
Bufi rrah flatrat
e vazhdon të meditojë.
PYLLI I ORËVE
(HYRA NË PYLL)
Hyra në pyllin
e orëve.
Gema tik-takësh,
kalaveshë kambanash
e, poshtë orës së shumëfishtë,
yllësi pendulësh.
Zambakët e zes
të orëve të vdekura,
zambakët e zes
të orëve fëmijë.
Gjithçka e njëjtë!
E ari i dashurisë?
Ka vetëm një orë.
Vetëm një orë!
Ora e ftohtë!
SHKURRE
Hyj brenda
orës mortore.
Ora e pikëllimeve
dhe e puthjeve të fundit.
Ora e rëndë që e ëndërrojnë
kambanat e burgosura.
Orë me kuku,
pa kuku.
Yll i mykur
dhe flutura të stërmëdha
të zbehta.
Në zabelin
e dihatjeve
organoja
binte
prej kur
kisha qenë fëmijë.
Këndej duhet të kalosh,
zemër!
Këndej,
zemër!
PAMJE E PËRGJITHSHME
I gjithë pylli i vrenjtur
është një merimangë e pamasë
që ia ende një rrjetë zanore
shpresës.
Virgjëreshës së mjerë të bardhë
që ushqehet me shikime e pëshpëritje!
AI
Sfinksi i vërtetë
është ora.
Edipi do të lindë nga një ninëz.
Kufizohet në Veri
me pasqyrën
e në Jug
me maçokun.
Zonja Hënë është një Afërditë.
(Sferë pa shije.)
Orët sjellin
dimrat.
(Dallëndyshet hieratike
mërgojnë verës.)
Janë një baticë
orët e agimit.
KU MBYTET ËNDËRRA
Lakuriqët lindin
nga katrorët.
Dhe viçi i studion
i shqetësuar.
Kur do të bjerë muzgu
i të gjita orëve?
Kur ato hëna të bardha
do të thyejnë qafën ndër male?
JEHONA E ORËVE
Ulem
në një pastrim kohe.
Ishte një amulli e heshtjes,
e një heshtjeje
të bardhë.
Unazë e hatashme,
ku yjet
përplasnin dymbëdhjetë
numrat e zes vallëzues.
MEDITIMI I PARË DHE I FUNDIT
Koha
ka ngjyrën e natës.
Të një nate të qetë.
Sipër Stërhënave,
Përjetësia
është ndalur në dymbëdhjetë.
E Koha ka fjetur
përgjithnjë në kullën e saj.
Jemi mashtruar
nga të gjitha orët.
Koha ka tashmë
horizontet.
ORA SFINKS
Hapen në kopshtin tënd
yje të mallkuar.
Lindim nën brirët e tu
dhe vdesim.
Orë e ftohtë!
Lidh një oxhak guri
mbi fluturat lirike
e, ulur në kaltërsi,
i pret krahët
e i shkurton.
Një… dy… tre.
Ka rënë ora në pyll.
Heshtja është mbushur me flluska
dhe një pendul i artë
e çonte poshtëlart
fytyrën time në erë.
Ka rënë ora në pyll!
Orët e xhepit,
si tufa mizash
shkonin e vinin.
Në zemrën time binte
ora e praruar
e gjyshes sime.
Komentet