Thonë: “heshtja flet më shumë se fjala”… ose “më mirë hesht se fjala vret”.
Në fakt po bëhet rreth një javë që 50 vitet e këngës shqiptare sapo i mbyllën perdet e performancës live, por askush nuk hapi një dritare debati mediatik, ashtu siç po ndodh gjatë këtyre ditëve nëpër të gjitha blogjet dhe rrjetet virtuale sociale rreth këngës fituese “Su-us”.
I shoh teksa grupohen një pjesë e mirë e tyre rreth tmerrit që u ngjallin fjalët “më lini të qaj” e duket që është e vetmja arsye që i bën ata ta urrejnë këtë këngë… sepse nuk shoh të kenë ndonjë argument tjetër. Su-us (personalja) e Rona Nishliut nuk merr përsipër të flasë për historitë e të tjerëve, por të na prekë të gjithëve me një dhimbje të sajën, një revoltë shpirtërore, me anë të një metafore shumë të ndjerë…
Nuk kish sesi kjo këngë të mos diferenconte klasën e mediokërve dhe të krijonte një hendek të dukshëm social, sepse mori përsipër (ndoshta në subkoshiencë të krijuesve-dhe jo si qëllim final) që të revolucionarizojë shijet e deformuara muzikore të shqiptarëve, të krijojë një model të ri, duke riskuar të humbasë terrenin e suksesit aq shumë të dëshiruar nga çdo krijues apo interpretues në festivalin e fundvitit. Po, po tashmë jam e bindur që ky model kënge fituese, e cila u vlerësua unanimisht nga juria e festivalit, do të ndikojë në krijimtarinë e mëpastajshme. Risi që i dha dinjitet këtij evenimenti. Besoj se ata “skeptikët” që mendonin se nuk kishin vend në festivalin e RTSH do të rikthehen me bindjen se tashmë dera e profesionalizmit dhe e profesionistëve të vërtetë u hap.
E mbaj mend Rona Nishliun të evidentohej në një konkurs të para disa viteve, “Ethet”, ku bashkë me koleget e saj nga Kosova sollën vokale shumë të veçantë, të punuar, e të një tjetër stili (jazz&blues). Dua të theksoj që gjatë këtyre viteve Kosova ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në emancipimin artistik, jo vetëm në krijimtarinë dhe interpretimin e këngës, por edhe në muzikën serioze krijuesit kanë treguar se janë mendjehapur dhe shijehapur për të rrokur tendencat e fundit muzikore dhe kjo për shume arsye… Rona që nga prezantimi i saj i parë për ne, tek “Ethet” dhe deri më sot ka treguar se kishte një imunitet të fortë, një shije të sofistikuar muzikore, që nuk mund të infektohej nga viruset e komercializmit dhe sëmundjet e rënda të “shundit”, apo “tallavasë”…
Ajo jo vetëm që nuk u infektua, po punoi fort vokalisht, vazhdoi me këmbëngulje të perfeksionojë rrymën muzikore (kryesisht jazz) të të kënduarit dhe vjen ne Festivalin e 50-të të Këngës (dhe personalisht mendoj që për këtë jubile ardhja e Ronës duhet të konsiderohet fat) me një këngë të padiskutueshme profesionale, aq të arrirë vokalisht, saqë gati-gati mendoj që, për nga vështirësitë e të kënduarit, Su-us nuk do të gjejë dot interpretim nga një tjetër këngëtar. Me një shtrirje të tille vokale sa të bën lehtësisht ta ngatërrosh me një tingëllim të notave të sipërme të një violine, Rona të hyn në deje me dhimbjen e saj, me realitetin e trishtë, e cila qan se nuk di të revoltohet ndryshe në 3-minutëshin që ia lejon kënga për të na treguar gjendjen e saj emocionale. Interpretim i shkëlqyer, ku çdo detaj, çdo gjestikulacion flet bashkë me tingullin e fjalën, të cilat nuk kanë sesi të mos bëhen njësh me tekstin e krijuar nga vete ajo.
Nuk ka sesi të mos qajë Rona kur ndien se në këtë botë dashuria s’jeton më…, kur koha më për ne s’ka kohë…, kur aeroplani i saj ulet në pistën pa drita të shpirtit të atyre që me bërryla ngjiten, e atyre që dje s’jetonin dot, por që të djeshmet s’kanë rëndësi, të atyre që nga detëra të trazuar u përpinë… e nuk ka sesi të mos qajë Rona kur të nesërmet s’të sjellin gjë, veç shpresë pa shpresë e marrëzi…
Nuk di sesi lindi kjo këngë: ishte Rona me tekstin e saj që takoi Florent Boshnjakun (kompozitorin & orkestruesin), apo e kundërta, por di të them që ngjizja e komponentëve të kësaj kënge është tashmë e pandashme… SU-Us vjen me një strukturë jo të zakontë të këngës: strofë-refren, por strofa e cila prezantohet vetëm njëherë, pasohet nga refreni (2 herë), intermexoja instrumentale, vokaliza kulminante dhe përsëri refreni të cilat ashtu si në një vepër të mirëfilltë muzikore do të njiheshin me termat: hyrje, temë, zhvillim, kulminacion, reprizë. Pra, kënga me një orkestracion dhe harmoni të gjetur mjeshtërisht nga Florent Boshnjaku e kryen të gjithë misionin që ka çdo vepër artistike (e çdo gjinie, e çdo zhanri), në fakt kryen ciklin normal të çdo fenomeni jetësor: Lindje, rritje, maturi, shuarje-vdekje.
Profesionalisht e realizuar, emocionalisht e përcjellë shumë bukur, teknikisht e arritur mjaft mirë, SU-US meriton vendin e parë në festivalin e 50-të të këngës në RTSH, në këtë festival i cili vinte pas një tradite 30-vjeçare (festivale të realizuar deri në vitet “˜90), tradite ku kënga kish krijuar profilin e saj. Ku, megjithëse filtrat partiake diktuan prodhimtarinë letrare, krijimi muzikor (per forza) u profilizua me një identitet kombëtar, që edhe pse nuk mund të sillte risi, gjetje të reja, apo ndikime e rryma të ndryshme bashkëkohore botërore, bëri atë që kënga të buronte nga folklori ynë i rrallë, i pasur (ende i pashfrytëzuar shumë). Pikërisht për këtë fakt ajo periudhë vlerësohet për frymën kombëtare që i dha këngës-nga fondi i së cilës, për vlerat që ka, por edhe për nostalgji, mbushi në natën e tretë të festivalit karriget e zbrazura të dy netëve të para të festivalit jubilar.
20-vjeçari i fundit (me disa përjashtime) prishi traditën festivalore, duke e keqpërdorur bum-in e madh të informacioneve që vërshuan me hapjen e portave të izolimit, duke ngjitur në skenë të gjithë ata “këngëtarë” që gjendeshin rastësisht aty rrotull (por për fat të mirë kjo rastësi solli edhe disa emra që sot mbetën të vlerësuar), pranoi krijime naive e mediokre nën emrin “e së resë e modernes”. Jo të njëjtin fat patën orkestruesit, të cilët me eksplorimin e studiove muzikore dhe produksioneve muzikore gjeten një tokë të pashkelur dhe mbollën një e nga një bimë që sot rriten në mënyrë të natyrshme (por që sigurisht të paktë janë ata që mbollën farën e duhur). E pra, pas 50 vjetëve festival, SU-US vjen me një frymë novatore në të gjithë komponentët dhe si novitet nuk mund të mirëpritet nga ata që kanë vështirësi në përtypjen e së resë. (Në fakt SU-US më sjell ndër mend se një frymë të tillë armiqësore duhet të këtë provuar edhe festivali i 11-të i këngës, i cili ishte novacion për kohën, e që “përbuzjen” nuk e mori vetëm nga Partia, por edhe nga një masë e madhe e popullit që nuk ishin të përgatitur të pranonin të renë. Jam e lumtur se Rona Nishliu sot nuk mund të pësojë fatin e Sherif Merdanit dje, jam e lumtur sepse Rona sot i thyen tabutë thjesht duke krijuar shtresëzime sociale (të atyre që e duan, apo atyre që e urrejnë, të amatorëve dhe profesionistëve), jam e lumtur që Rona sot do të dijë të imponohet edhe në Eurovision, e le të testojmë veten (nëpërmjet Ronës), le të testojmë shijet shekullore europiane, le të sfidojë kënga SU-US me emancipimin e saj artistik dhimbjen që përcjell, për të na i kthyer ndryshe në Tiranë…
*Kompozitore Pedagoge në Fakultetin e Muzikës, Universiteti i Arteve