STUHI E NDRYRË
Stuhi e ndryer në një zemër
Aty shuhet,
Pa perlën e vjedhur
+++
Tek një gur dominoje
Pleqtë mblidhen
Sizifi kujton se e ngritën.
+++
Tëmthat u thinjën
Pa e kupturar
Nginjën rininë e vonuar.
+++
Një vetëbesim kolektiv
Injektohet nga udhëheqësi
Miell i pashkundur thesi.
+++
E vërteta si molla
E Njutonit tek bie,
Graviteti e humneron.
+++
Këmbët e tua ngulen
Në portikë dorikë,
Psherëtijnë skulptorët antikë.
+++
Përroit të Kostenjës
Ndërtova aq fole
Ti i mbulove me re.
+++
Kruspullohet në skutë
Një hije,
Ndjen dhimbje mënie.
+++
Kjo vajzë këmbëzbathur
Iku nga Bërnsi
E pret benzi.
+++
Gurra qet
Një llërë ujë
Syrin e tokës të vuajë…
+++
Nga xhelozia
Mitikja histori
Rri si pikë pa i…
+++
Ngjyroset dita
Me praninë tënde
E gjitha pigment.
+++
Tufat e barit
Paruke të reja
Në ballon e erës.
+++
Fryhet gjoks i tokës
Nga rrëkezat e fshehta
Pijnë zëra të nxëhta.
+++
Aq mizori thuret
Bota zvogëlohet
Jeta vonohet.
+++
Mendimi me krahë
Sa universi
Zvoglohet para pikës së vesës
+++
Elipse sensuale
Buzët e ngrëna
Në puthjen e shitur.
+++
Qesëndi migjeniane
Në kohë ndrin,
I vetmi rubin.
+++
Mes meje e teje
Ndrydhet mungesa,
Pres ardhjen tënde.
+++
Për ty rilind bukuria,
Aq humbe prej saj
Sa e vure në faj.
+++
Ky zog pingëron,
Mbi fletën e drobitur,
Bota shkon duke u venitur.
+++
E thirra një libër
Nga rafti ,vetiu
Shfleton fletët në erë…
+++
Ti gjithnjë e di çfarë bën
Arrite të kuptosh se jeta
Prej nderit të shkoi dëm.
+++
Fluturojnë çastet ,
Minuta të traumatizuara
Nga një ngërdheshje.
+++
Turravrap Shkumbinit
Ndoqa një valë,
Shkrofëtinte si kalë.
+++
Lodroj në vite
Të gjej joshjen e ikur,
Si rrezja yllin e fikur.
+++
Nuk dua të jem
Ai që s`jam
Boll veten e kam.
+++
Më tha dikush
pulë e huaj është më e madhe,
Kur gruan tjetër pashë.
+++
E marr natën
Në verbërinë e saj të nënshtruar,
Ajo hedh lule uniforme
+++
Kurdo që të kujtoj
Arratisem dikund
Atje ku mund të vije.
+++
U tradhtova përherë
Nga një sinqeritet plagosës,
Pa dellin goposës.
++
Fshehtësia e së shkuarës mban
Të sotmen në këshëri,
E ardhmja gjymtyrët na mpi.
+++
Brigjet hapen si flatrat
E një bolle të ujtë që rrëshqet,
Qielli qelqon fytyrën mbi lumë.
+++
Endem e përendem,
Në ndjesitë e përvëluara
Dashurive të harruara…
+++
Këto shkrepa shkëmbinjsh
Trembin skifterët,
Shtigje hapin njerëzit.
+++
Mantel në supe zonjash
Si reja mbi hënë.
Shkëlqimi tradhtohet në zemër.
+++
Vanë mendtë e mia vanë
Tutje bregoreve të panjohura
Ku mbolli lule koha.
+++
E ngrita këngën
Lart e larg e përcolla,
Udhëtare të përditshme.
+++
Dua të jem me ty,
Në bulëzën e shpërthimit
Kur shuhesh duke u dridhur.
+++
Shprishen retë nga një furkë shtrige,
Tjerrin fije në maja borige,
Të bëjnë një triko për qiellin.
FLAKA
Flaka si gjuhë e dheut,
Përqesh dobësinë tonë;
Gjuhët e vdekura në të lëngojnë.
RRUDHAT E GURIT
Guri në qoshe të shtëpisë,
E mbajti kullën.
Lektisja ia mbylli rrugën.
LUGINA
Nga trandje e malit lugina
Ia thotë bekimin fatmirë,
Mali lëshon orteqe pa mëshirë.
DIHATJE
Dihat mbrëmja në gushën e një zogu;
Flatrat ulen në një pikë qetësie;
Mendimi mblidhet ,mbi të bie.
VËRSHIM
Vërshuan ujërat pranverore
Prej akujsh të shkrirë,
Zemrën për ta përpirë.
KAPËRTHIME
Kapërthime të kithta vijash
Të muzgut të plakur.
Nën mantel të flakur.
ÇFARË
Çfarë jam unë, ti nuk je,
Short i vështirë na bashkon;
Plotëria nuk hijeshon.
ECËN
Ecën rruga dhe mbërrin në një rrugë,
Shtjellur në një fjollë dëbore;
Fundin njeriu s`ia gjen.
Komentet