Opinioni me titull “E dashur Iris Halili të bëj thirrje që të japësh dorëheqjen nga kryesia ilegjitime e Vatrës” u nxit nga akti i turpshëm i kryesisë ilegjitime të Vatrës i 11 Shkurtit lajmëruar tek Dielli online më 12 shkurt ku përjashtoheshin me 11 vota pro dhe 1 votë abstenim gjashtë Vatranë Veteranë të nderuar të cilët janë : z. Idriz Lamaj, z.Mark Mrnaçaj, z. Muhamet Omari, znj.Nazo Veliu, z.Ramiz Mujaj dhe z.Prend Qetta. Në njoftim shkruhej gjithashtu se “Më herët Vatra ka përjashtuar z.Valentin Lumaj dhe z.Agustin Mirakaj të cilët gjenden në Gjykatën Federale të Bostonit ku po përgjigjen për akuzat dhe shkeljet ligjore.”
Të sapo ardhur në Vatër, pa asnjë kontribut në Federatën Panshqiptare dhe rishtarë arrijnë e përjashtojnë Vatranë me mbi pesë dekada veprimtari patriotike e kombëtare. Dhe jo vetëm kaq, por në lajmërimin tek Dielli që është kthyer një organ censure, duke shkeluar Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA, ndaj këtyre personaliteteve të nderuara insinuohet me etiketime sikur të jenë gatuar në zyrat e Sigurimit të Shtetit të Komitetit Qendror. Në fakt takimi i Elmi Berishës me Gramoz Ruçin ka udhëhequr vijën politike të Vatrës prej 2020 e deri sot. Dikur regjimi diktatorial i akuzonte Vatranët si “agjentë të imperializmit” tani lidërshipi ilegjitim i Vatrës i akuzon si “celula bolshevike” – kur dihet botërisht se të gjithë emrat e përjashtuar nga kryesia ilegjitime e Vatrës, janë antikomunistë, një pjesë e tyre edhe të lindur e rritur në kampet e internimit të diktaturës mizore.
Asnjë nga të përjashtuarit e 11 shkurtit 2024 nga kryesia pa legjitimittet e Vatrës nuk ka mundësi të përgjigjet tek Dielli, sepse aty e drejta e fjalës është nën zinxhirë.
Në këtë situatë mendova të reagoja. Dhe dola me opinionin tim më 13 shkurt.
E nxjerr në spikamë se, me Vatrën, Diellin dhe Komunitetin e nderuar Shqiptaro-Amerikan, kemi prej 1992 që jemi në bashkëpunim, duke i përcjellë veprimtaritë e komunitetit, Vatrës, duke mbajtur bashkëpunim të ngushtë me AACL, lobistët më të shquar ish kongresmenin Joe DioGuardi, Shirley DioGuardi, bordin e AACL dhe shumë Shqiptaro-Amerikanë të respektuar me kontribute të shquara.
Që në titull iu drejtova miqësisht Iris Halilit për hir të njohjes direkte, pasi, prej vitit 2017 deri më 2021, ajo kishte botuar tek Voal.ch. Zgjedhja ishte e saj, por pa nënvleftësuar dashamirësinë e botuesave të Voal.ch, të cilët ajo i fyeu pa pikë reflektimi në rrjetin social. Po i përcjell lexuesit një prej këtyre thekseve të saj ofenduese:
“Boll u bete zyrnaja e Elides se ajo me kete gjuhe shet gazeten ndersa ju shisni etiken tuaj !! Po e mbyll duke thene se me vjen turp qe kam botuar ne portalin e kesaj gazetareje , pronarja e te ciles nese nuk kerkon falje publike do te detyrohem ta coj perpara drejtesise ne vendin qe jeton dhe atje do te jap llogari per çdo rresht shpifjesh dhe te pavertetash…”
Meqë Iris Halilit i vjen turp që ka botuar tek Voal.ch, në fakt turp duhet t’i vijë për mënyrën se si shprehet, më duhet të bëj disa sqarime.
Tonet denigratore karakterizojnë gjithë komunikimet e saj në rrjetin social ndaj meje në lidhje me opinionin tim.
Tani po zbardh “fajet” e mia si gazetare për të cilat Iris Halili do të më çojë në gjyq këtu në Zvicër!
Prej majit 2021 ka mbetur e hapur një padi për shpifje kundër meje e pretenduar nga një zonjë tjetër këtu në Zvicër që Edi Rama e ka emëruar në Këshillin Koordinues të Diaporës pas samitit të tretë mbajtur në Tiranë. Do ta zbardhim edhe atë, kur t’i vijë koha, fije për fije.
Pra siç shihet akuzat për të çuar në gjykatë një botuese janë në rresht.
Në shkrimin në fjalë që ndezi reaksionet e së apostrofuarës, kam shkruar se Voal.ch e ka promovuar Iris Halilin. Nuk ndryshoj asnjë presje. Iris Halili ka patur arritje personale, si qindra mijë bashkëkombas në Perëndim, ka patur një karierë personale, por pa asnjë impakt në shoqërinë shqiptare. Më 2010 familjarisht emigrojnë në SHBA dhe, sikur çdo familje shqiptare, iu përkushtua ndërtimit me dinjitet të jetës dhe mirëqënies. Dhe duhet mund i vërtetë të ngresh jetën në Perëndim.Të gjitha këto i kam patur parasysh. Edhe familjen nga vinte Iris Halili dhe natyrisht e kam vlerësuar.
Në CV e saj të publikuar nga bukunist.al https://bukinist.al/en/4061_iris-halili shkruhet se “Autorja ёshtё aktive nё shtypin e ditёs dhe opinioniste nё gazetёn mё tё vjetёr shqiptare, “Dielli”, botim i organizatёs panshqiptare “Vatra”.”
Pra Iris Halili e vendos në biografinë e saj se është opinioniste tek Dielli, pa marrë parasysh kohën më të zezë kur ajo kontribuon në këtë gazetë kur Vatranëve dhe bashkëpunëtorëve të vjetër u është mbyllur dera.
Unë po i kujtoj se, deri në shtator 2020, Iris Halili nuk ka patur asnjë kontakt me Diellin dhe me kryeredaktorin e saj të ndjerin Dalip Greca.
Meqë botuesit e Voal.ch kishin një bashkëpunim të rregullt me Vatrën, ishte Irisi që më shfaqi interesin e saj për të botuar tek Dielli dhe unë menjëherë, kontaktova direkt me Dalip Grecën, me të cilin mbanim kontakte shumë të afërta bashkëpunimi. Pra Iris Halilin ia rekomandova z.Greca dhe ai e mirëpriti, sigurisht duke vlerësuar rekomanduesen.
Për shkak të sulmeve të Iris Halilit ndaj meje personalisht si gazetare; për shkak të fyerjeve të Iris Halilit ndaj platformës mediatike Voal.ch; për shkak të respektit të lexuesit të Voal.ch që ka krijuar besueshmëri tek ky mediumi, i cili në kohë qameti nuk ndalet së treguari të vërtetën, do të sjell këtu komunikimet që kam patur përkatësisht me të ndjerin Dalip Greca dhe Irisin.
Më 5 shtator 2020 i drejtohesha përmes postës elektronike Dalip Grecës si më poshtë:
“I nderuar Dalip, Iris Halili deshiron te botoje tek Dielli. I thashe se Dalipi i mirepret autore te kompletuara si ti. A mund t’i them të t’i nisi direkt ne adresën tënde të Email-it.Fundjave te mbare Elida”.
Dhe ja përgjigjia nga Dalip Greca po më 5 shtator 2020:
“Po patjeter. Shume faleminderit – [email protected] ose [email protected]! Pacit nje fundjave te gezuar!Dalipi”
Sapo marr përgjigjen po më 5 shtator 2020 ia çoj emailin Iris Halilit si më poshtë:
” E dashur Iris, Ja komunikimi me Dalipin.Çoja më mirë tek [email protected]. xoxoxo Elida”
Dhe më pas po në 5 shtator 2020 më vjen falenderimi shumë i ngrohtë nga Iris Halili, që nuk po e sjell këtu, për shkak se më tigëllon shumë hipokrit, nisur nga ato që më shkruante më 2020 krahasuar me ato që më shkruan sot.
Në komunikimin e parë që Irisi pati me Dalipin më 17 shtator 2020, shkrimet që ia dërgoi atij m’i nisi edhe mua, por unë i shkrova se nuk është e nevojshme.
Me Irisin kemi plot e plot komunikime shumë miqësore, të mbështetjes sime dhe të Voal.ch, të cilat i ndërpresim menjëherë më 2021, kur Iris Halili, pa marrë në konsideratë asgjë nga ato që Voal.ch shkruante për degjenerimin e Vatrës dhe Diellit, filloi ngjitjen në Federatën Panshqiptare dhe, sa hap e mbyll sytë, u katapultua e glorifikuar nga Elmi Berisha.
Këto shkëmbime i solla për të argumentuar ato që kam shkruar në opinionin për të cilin iris Halili më kërcënon të më çojë në gjyq.
Më 17 shtator 2020 Iris Halili me ndërmjetësinë time i dërgon shkrimet e para tek kryeredaktori i Diellit; në shtator 2021 bëhet anëtare e Vatrës, ndërsa, më 26 shkurt 2022, direkt në kryesi! Pa asnjë kontribut në Federatën Panshqiptare, me atë lehtësi që e zgjodhën në kryesi të Vatrës, me atë lehtësi përjashtuan Veteranë të Vatrës me kontribute të shquara me dekada e dekada.
Tani Iris Halili pretendon se kam botuar të pavërteta në adresë të saj. Ajo pretendon se kishte tre muaj që kishte dhënë dorëheqjen nga kryesia e Vatrës, pra kishte dhënë dorëheqjen prej Nëntorit 2023.
Po si është e mundur atëherë që në numrin e dhjetorit të Diellit, dalë në mesjanar të vitit 2024, Iris Halili rezulton që të jetë në kryesinë e Vatrës?!
Kush gënjen pra?! Dielli, unë apo Irisi?!
Më 13 shkurt, kur shkrova opinionin tim, iu referova gazetës Dielli të muajit dhjetor 2023, shtypur në janar 2024. Të gjithë Vatranët që pyeta, më thanë se çdo numër i gazetës Dielli del një muaj me vonesë. Dhe tek Dielli i Dhjetorit, që kishte dalë në Janar 2024, Iris Halili rezultonte të ishte në kryesi. Nëse Iris Halili pretendon se ka dhënë dorëheqjen prej tre muajsh, lind pyetja e përse emri i saj ishte në kryesinë e Vatrës në numrin e dhjetorit që ka dalë në qarkullim në janar të 2024?!
Por Iris Halili nuk u ndal këtu.
Më 14 shkurt 2024, vetëm një ditë pasi unë kisha botuar opinionin tim, përmes Facebook-ut, me fjalë ofenduese ndaj artikullshkrueses (po e sjell gjithçka të fotografuar) sjell foto nga numri i janarit 2024 i gazetës Dielli, për të argumentuar akuzën e saj ndaj meje se unë nuk kisha mbledhur fakte kur kisha shkruar shkrimin. Dhe jo vetëm kaq, por më 14 shkurt 2024, Iris Halili, po përmes facebook-ut, më thotë se ajo ka një muaj që e ka numrin e janarit të 2024 të Diellit në shtëpi dhe sikur ajo edhe Vatranë të tjerë.
Dmth, sipas Iris Halilit, Dielli i janarit 2024 kishte dalë në qarkullim në mesjanar 2024, çka nuk përkon me të vërtetën, sepse të gjitha Vatranët që pyeta më thanë se numri i janarit i Diellit ka dalë pas njëzet shkurtit, konkretisht më thanë se ka dalë më 24 shkurt. Midis tyre po përmend z. Asllan Bushatin, një Vatran Veteran, ndërkohë që të gjithë të përjashtuarve lidërshipi ilegjitim i Diellit, pas dekadash, ua ka ndalur abonimin e Diellit.
Unë po jap edhe një provë tjetër.
Në kopertinën e Diellit të muajit janar 2024, gazetë që Iris Halili pretendonte, duke mbështetur akuzën e saj kundër meje, se ajo e kishte në shtëpi prej mesjanarit 2024, është botuar një reportazh i pritjes që Ramush Haradinajt iu bë në Vatër më 1 shkurt 2024, i pasqyruar tek Dielli online më 2 shkurt 2024.
Atëherë lind pyetja, kur Dielli online boton reportazhin e Haradinajt më 2 shkurt 2024 e, duke marrë parasysh se përgatitja e një gazete për shtyp kërkon kohën e nevojshme, të paktën disa ditë, e si është e mundur atëherë që Iris Halili, më 14 shkurt, kur më niste mua fotot, kishte një muaj që e kishte patur gazetën Dielli në shtëpi, pra edhe përpara se Ramush Haradinaj të vizitonte Vatrën!?
Unë kisha marrë informacion se Iris Halili ishte shprehur se do të jepte dorëheqjen, por asnjë Vatran këtë gjë nuk e dinte. Dorëheqjet bëhen publike, nuk mbahen në klandestinitet. Aq më tepër kur nuk i pasqyron as Dielli që është kthyer në një fletushkë e shërbimit të klanit të lidërshipit uzurpator. Irisi Halili pretendon se ka dhënë dorëheqjen në nëntor 2023, ndërsa në numrin e dhjetorit 2023 kjo dorëheqje nuk është pasqyruar!
Kush gënjen, pra!
Iris Halili më akuzon edhe për supozimin që bëj unë në shkrim, kur në lajmin e botuar nga Dielli më 12 shkurt 2024, shkruhet se, nga 11 anëtarë të kryesisë, pati vetëm një abstenim. Dhe unë, duke mos patur asnjë lloj të dhëne për dorëheqjen e saj, e përmend Iris Halilin si personin e mundshëm që kishte abstenuar! Ky supozim i imi nuk tregon aspak keqdashësi, përkundrazi.
Është e vërtetë ajo që thotë Iris Halili, se ajo ka votuar kundër çdo përjashtimi në Vatër, por është e vërtetë gjithashtu se ajo nuk ka mbajtur asnjë qendrim publik, ndërsa Vatra është në zjarr.
E vërtetë është se Irisi Halili në botimin e numrit të janarit të Diellit, që është publikuar në fund të shkurtit 2024 rezulton të mos jetë në kryesinë e Vatrës, por, kur e shkrova unë opinionin më 13 shkurt 2023, pretendimi i saj se është dorëhequr në nëntor 2023 bie, pasi në numrin e Diellit botuar në janar 2024, emri i saj është në kryesi dhe numri i janarit 2024 i Diellit, ku emri i saj nuk rezulton të jetë në kryesi, doli në qarkullim të paktën pas 20 shkurtit, kur opinioni im është i botuar më 13 shkurt 2024 dhe unë nuk kisha ku ta gjeja këtë referencë.
Por pozicioni i saj midis mos votimit të përjashtimeve dhe dorëheqjes të mbajtur në ilegalitet, sepse gazeta Dielli varianti i shtypur ku botohet kryesia i bie në një numër të kufizuar Vatranësh, nuk përkon me qendrimin e një personi që do të ndikojë në të mirë të situatës dramatike të Vatrës. Nga njëra anë, ajo u thotë Vatranëve të përjashtuar se nuk ka votuar pro largimit të tyre, nga ana tjetër Iris Halili e mban sekret dorëheqjen e saj dhe nuk del publikisht që të tregojë shkakun se përse e dha dorëheqjen, me këtë rast, sapo ta mësonim lajmin, do ta botonim menjëherë tek Voal.ch.
Përse nuk e bën?
Sepse do që ta ketë mirë edhe me kastën e Elmi Berishës që e katapultoi në kryesi të Vatrës, edhe të përjashtuarve do t’ju tregojë se nuk votoi kundër tyre, qendrim fund e krye konformist, si i thonë asaj një dorë në revani një dorë në kadaif, fund e krye i papranueshëm për një intelektuale. Ndërsa nuk kursehet aspak të vjellë helm kundër meje si gazetare, kundër Voal.ch, kundër lexuesave të Voal.ch duke më kërcënuar me gjyqe. Vetëm sepse unë them të vërtetën!
Krahasoni rishtarë të sapo mbërritur në SHBA apo me vetëm 5 muaj anëtarësi të katapultuar në krye të Vatrës dhe Vatranë Veteranë si Idriz Lamaj me shokë, me veprimtari mbi gjysmë shekullore, të tjerë me veprimtari 35 vjeçare me kontribute të pandalura prej tri dekadash sapo kanë shpëtuar nga kampet e internimit dhe kanë shkelur në tokën e lirisë në SHBA, sot të përjashtuar nga Vatra.
Një tjetër pretendim që Iris Halili justifikon akuzat dhe kërcënimet në adresën time është edhe fakti se, nga dega e Vatrës themeluar në Miami në nëntor të 2021, u dërgua një delegate e cila për çudi!!! votoi për mandatin 4 vjeçar të kryetarit, një brutalitet kundër Kanunores së Vatrës të vitit 1926 të Konicës e Nolit e përgatitur nga juristë amerikanë, ku mandati i kryetarit është dy vjeçar. Delegatja e Iris Halilit votoi për zgjatjen e mandatit të Elmi Berishës, duke qenë ilegjitime në atë Kuvend. Po, i qendroj asaj që kam shkruar, dërgimi i delegates është bërë duke shkelur Kanunoren. Megjithëse Iris Halili e justifikon këtë veprim, duke thënë se zonja në fjalë ka qenë anëtare e Vatrës prej 2017, sipas kësaj teorie të Iris Halilit, tani mund të krijohen degë të Vatrës me veprimtari tre mujore dhe, mjafton që në çdo degë të jetë një anëtar i vjetër i Vatrës dhe kështu çdo degë pa mbushur periudhën dy vjeçare sa e parashikon Kanunorja, mund të dërgojë delegatë! Jo, kurrsesi. Dega duhet të përmbushë aktivitetin dy vjeçar me të gjithe kontributet e anëtarësisë dhe pastaj ka legjitimitet të dërgojë delegatë në Kuvendet e Vatrës.
Këtu e përfundoj debatin me Iris Halilin. Duke theksuar se hierarkia kalon përmes meritokracisë, kontributeve dhe dinjitetit njerëzor.
Kryesisë së Vatrës pa legjitimitet i ka përfunduar mandati në shkurt. Vatra gjendet përballë zhdukjes ose ringjalljes.
Ringjallje do të thotë që t’i kthehet identitetit të saj, krijuar nga Etërit. Antikomunizmi, patriotizmi, euro-atlantizmi dhe integriteti i pastër, Vatranë të ndershëm, që erdhën në Amerikë sepse aty i thërriste liria, demokracia dhe vlerat për të cilat ia vlen të luftosh.
Ndërsa në lidhje me kërcënimet me gjyq dhe fyerjet këtyre u shtoj edhe një sulm hakerash kundër Voal.ch që ndodhi para dy ditësh.
Me këtë rast dua të parashtroj pyetjen:
A ka ardhur koha që gazetarët shqiptarë të larguar nga Atdheu dhe sot qytetarë të Perëndimit, të cilët shqiptojnë të vërtetat, të mos gëzojnë garancitë e Kushtetutave të vendeve Perëndimore ku jetojnë, por të vazhdojnë e të ndiqen edhe në diasporë nga lukunitë e një regjimi të degraduar që i kërcënon me censurë, me gjyqe, me fyrje, me sulme denigratore, me presione psikologjike, me SLAPP-e dhe me cënime të integritetit për shkak të ushtrimit të profesionit, !!!
Nëse ka ardhur kjo ditë, demokracia është fundosur.
Në Shqipëri padyshim që sistemi demokratik është fundosur shtatë pashë nën dhè, por në diasporën shqiptare në BE dhe në SHBA nuk mund të ndodhë.
Shtypin e lirë dhe fjalën e lirë nuk e ndal dot asnjë lloj censure dhe censori.
Iris Halili më 14 shkurt 2024 shkruan duke u tallur: Ja ku e ke numrin e Janarit, ti gazetarja që investigon dhe të drejton e vërteta
Ka edhe kështu: Iris Halili e kishte gazetën e numrit Janar të Diellit përpara se Hajradinaj të vizitonte Vatrën më 1 shkurt 2024!
E dashur Iris Halili, të bëj thirrje të japësh dorëheqje nga kryesia ilegjitime e Vatrës! Nga Elida Buçpapaj
Komentet