Një ndjesi e parë për rikthimin e Arben Selimit në “shtëpinë e tij të dikurshme”, apo në “dashurinë e tij të dikurshme”, në artin e pikturës së vërtetë, pas vitesh mungese apo largimi nga ajo.
Rikthimi, si gjendje konkrete fizike, si fenomen i prekshëm, apo qoftë dhe si nomen nostalgjik, në përmbrendësinë komplekse të tij, sa të ëmbël po aq dhe të trishtë, është një pjesë e pandarë, apo deri e pashmangshme, e rrugëtimit fondamental njerëzor.
Ndodh që të kthehemi pas, se kemi kuptuar se e shkuara na mban të lidhur përgjithmonë. Dhe s’na len rehat me trazimin e saj kryeneç. Ndodh sepse kemi ngecur në vend për momentin, shpresat na janë luhatur, apo diçka aksidentale na ka bllokuar të vazhdojmë rrugëtimin e projektuar. Por gjithësesi, ndodh përgjithësisht që në një moment të caktuar, dhe për një apo më shumë arësye të caktuara, të ndjejmë nevojën për rikthime, për prapavështrime, për purifikime idealesh të hershme. Dhe situata që na bashkëshoqëron në këtë relapse prezantohet mjaft diferente, apo mjaft personale, lidhur me secilin rast konkret rikthimi apo tip humanoid perjetimi.
Ndodh që në këtë rikthim tonin në sinoret e së kaluarës, të gjendemi të çorientuar, të humbur apo pa lidhje me këtë gjëndje “të re”, qoftë si topos (gjeografi), qoftë si kronos (kohësi). Kjo për arësyen se çdo gjë ka ndryshuar tashmë, e më së shumti kemi ndryshuar ne vetë. Dhe shqetësohemi me të drejtë për çfarë po na ndodh, ku po gjendemi, si të kapim fillin e humbur, çfarë po bëjmë me këtë që po bëjmë, etj.
Arben Selimi, aktualisht një burrë në mesmoshë, po gjithmonë një udhëtar vital e i guximshëm, kohën e fundit, të cilën mund ta quajmë dhe “kohë pandemike”, detyrohet, jashtë dëshirës së tij, të stopojë, të ndalet në vend. Ndërkohë, këtë aksident global, të papritur dhe të paparashikuar nga askush, Ai, thuajse përnjëherë, përpiqet, apo ndjen nevojën, ta përkthejë në një reflektim human, në një rikthim pas tek e shkuara e tij, tek “shtëpia” e tij e dikurshme, apo tek dashuria e hershme, tek piktura si art (dhe jo tashmë si komercialitet).
Por si përthyhet dhe si reflektohet Arben Selimi (si një person i dyzuar mes të shkuartës së dikurshme shqiptare të tij dhe të tashmen franceze), në rrafshet e tija topologjike, në telajot e pikturuara së fundmi?
Arben Selimi vjen sot në të shkuarën e tij, i uritur për të, plot mall e nostalgji, paçka se në momentin e parë, ky pozicionim i tij i ri, duket se vjen prej ngecjes, apo pamundësisë për të vazhduar për momentin rrugëtimin rutinor utilitar. Edhe po qe kryesori një shkak i tillë, le të jetë, nuk prish punë, mbase kështu ishte e shkruar, thjeshtë duhej një rast, një pretekst, një ndërhyrje e jashtme, mbase një fatkeqësi e tillë si covidi. E rëndësishme është se, siç duket, ai paska qënë gjithmonë i gatshëm, duke e pritur këtë çast, pa vetëdije, por me shumë ëndje. Mpleksur me njëri-tjetrin, idi dhe egoja e tij, gjejnë momentin sa kritik e po aq fatlum që të bashkohen në një të vetëm, dhe ai të gjendet i mpleksur në këtë qerthur krijimi, më shumë, më zeriozisht dhe më me pasion se asnjëherë tjetër gjatë këtyre 20 e kusur viteve franceze.
Dhe këtu fillon për ne, të tjerët, soditësit e punës së tij, përfshirja e deri implikimi në këtë çështje. Këtu fillojnë analizat tona, natyrisht subjektive, dashamirëse e kritizere, inkurajuese e dyshuese, sugjeruese e imponuese, etj, etj. Kjo ndodh sepse, me sa duket, punimet e realizuara së fundmi, që Selimi na ka prezantuar deri më tash, i përmbajnë në nënshtresat e tyre të gjitha këto ndjesi, apo përmbajnë problematika që ne i përkthejmë në këto ndjesi, në këto konstatime, në këto opinione, etj. Dhe kjo është mëse normale, madje duhet trajtuar si e shëndetëshme, për këtë moment dhe për këtë pjesë të krijimtarisë, që me kënaqësi konstatojmë se pas një ndërprerjeje të gjatë, ka rifilluar e po vazhdon aktualisht vitale edhe sot.
Arben Selimi fillon të rivendosë lidhjet me të kaluarën e vërtetë piktorike të tij, duke u shtyrë apo përfshirë intuitivisht nga ai afsh i dikurshëm dashurie pa kufi, nga ajo e dhënë pa kushte e dikurshme për të, nga ai sinqeritet, gati fëminor, i së shkuarës. Dhe “e dashura” e dikurshme pikturë kishte pamjen dhe konceptin e të figurshmes, mjeshtrores, të detajuarës, ekspresives. Ashtu e kishte lënë Arbeni pikturën, konceptin për të, në mesvitet ’90 kur u largua nga Shkodra dy herë periferike, për tu vendosur në Parisin dy herë metropol.
Dhe po aty, në atë gjëndje të dikurshme, në ato koncepte piktorike, edhe sot u tentua fillimisht nga Arbeni që të kërkohen fijet e rilidhjes; pra tek e figurshmja, e detajuara, ekspresivja, xhestualja, teknikja, e ngopura, e mbingarkuara, etj. Por deri tani duket se po flasim vetëm për mjetet, konfiguracionin, pra për konceptin e dukjes, të së jashtmes së artit të pikturës. Po problemi themelor, ai i problematikave që trajtohen, do të jetë për Selimin edhe ai një vazhdë e atyre të lëna në mes në vitet ’90? Apo tashmë do të kërkohet një pozicionim i ri në lidhje me atë çfarë duhet me thanë sot artisti, çfarë duhet me trajtu si problematika vepra e artit, çfarë misionit duhet me përmbushë aktualisht dhe personalisht ai vetë me këtë sipërmarrje të re të tijën?
Pikërisht këtu, në tentativën për me zgjidhë çështjen më kryesore të aktit të krijimit, atë “çfarë duhet me thanë, pse duhet me thanë dhe si duhet me e thanë”, qëndron dhe pika e fortë e rikthimit të Arben Selimit tek piktura, ajo çfarë i jep kuptim të dyfishtë lidhjes serioze përsëri me të. Intuita dhe e logjikshmja e drejtojnë fillimisht atë kah e shkuara, edhe në çashtjet që merren përsipër me u trajtu nëpërmjet pikturës. Reminishencat personale, nostalgjia për të humburën: shejtëria orientale e prindit të ikur, tek na vështron, ndaluar për një çast në shkallë; engjëllorja kozmopolite e fëmijëve, që qëndrojnë nën dëborë, mu në mes të edenit-oborr; një veshje tradicionale shqiptare, me prerje aristoktaratike alla franga dhe e stolisur me ornamentikë të harlisur alla turka; një lule mullagë sot në ballkonin francez, që na kujton, apo është idem me atë të djeshmen në parvazin shqiptar; etj.etj., këto janë disa nga subjektet e para që trajtohen me etje përshkruese nga Selimi.
Natyrisht dhe me seriozitetin e një pikturimi mjeshtror, në telajo, me ngjyra vaji cilësore, me një ekzekutim teknik të pasur, me kombinacione lëngje-pasta, hollë-trashë, të ngrohta-të ftohta, të detajuara-të thjeshtuara, etj., të gjitha këto një trashëgimi skolastike e mbartur nga formimi i dikurshëm akademik shqiptar.
Pra fillimet na prezantojnë nevojën e Selimit për më ju qasë personales, të shkuarës, humbjes së saj, mallit të marrë për të, me dy fjalë nostalgjisë reminishente. Dhe deri më tash kemi një artist të ndjeshëm, plot botë, që jeton me të kaluarën, duke e përjetuar atë shëndetshëm dhe të pasur. E megjithë këto arritje jo të pakta, kemi një artist disi jashtë kohës.
Ndërkohë shqetësimi për aktualen nuk e len Selimin të vazhdojë gjatë e të humbë nëpër albumin familjar të zverdhur nga koha, me dëshirën për ti dhënë këtij dritë e jetë përsëri. Përballja me realitetin urban aktual përbën për të si artist sfiden profesionale të radhës. Por njëkohësisht dhe e rreshton atë përkrah një numri jo të pakët kolegësh (të vjetër e të ri, të djeshëm e të sotëm, lindorë e përëndimorë, periferik e qëndrorë, profesionistë e amatorë, të aftë e të paaftë, etj.) të gjithë këto, individë pothuajse anonimë apo dhe personalitete të njohura të skenës artistike , të angazhuar thekshëm nëpërmjet artit të tyre, me problematikat urbane e mjedisore (hapësinore, peisazhistike, arkitekturore, etj.) të kohës.
Tashmë Arben Selimi na shfaqet jo më aq personal sa në disa nga punimet e para. Fokusi këndëgjërë i optikës së tij vjen e përqëndrohet gjithnjë e më afër në trajtimin e problematikës së mbingarkesës arkitekturore në metropole, në format kërcënuese të betoneve, që përherë e më shumë po bëhën tavanet e sotme qiellore, në ndërtimet super të larta moderniste të periferive, të cilat pushteti i dhunshëm komercial i porosit të modelohen pamorisht si lule (çfarë ironie, lule prej betoni, me forma lojna-lojna, të lyera me bojna-bojna). Apo në trajtesë merren skemat projektuale urbane moderniste e post të metropoleve, që të para nga lart, me sytë e zogut, apo të zotit vetë, na ngjajnë si edeni pas mëkatit, tashmë i formatuar dikotomisht sipas marrëzizë njerëzore, njëkohësisht me shkatërrim e me ndërtim, me përparim e me degradim, me komoditete e me privime, me lule e me beton, etj.
Pra në të dyja rastet, në veprat e fundit të Selimit, duke lëvduar më së shumti arritjet dhe seriozitetin professional ekzekutiv që reflektohet në to, na prezantohen dy pozicionime: i pari, siç e trajtuam, ishin reminishencat personale familjare ( por që njëkohësisht mbartin rrezikun ta çojnë artistin, e bashkë më të dhe veprën e tij, kah jashtë kohësia); ndërsa pozicionimi i dytë është përfshirja me problematikat urbane të bashkohësisë ( por që nuk është e lehtë t’i shpëtojnë dot përgjithshmërisë).
Procesi krijues i Arben Selimit, për mendimin tim, gjendet aktualisht në përpjekje për një plotëni të tij, duke tentuar përherë e më tepër, dhe përherë e më me sukses, të bashkojë personalen me bashkohoren, duke ju shmangur sa më shumë jashtkohësisë dhe përgjithësisë së trajtesave.
Komentet