Studiuesit në Universitetin e Uashingtonit po kërkojnë ndihmën e të apasionuarve të videolojrave për të krijuar ilaçet e së ardhmes. Përmes një loje të veçantë të quajtur “Fold-it”, lojtarët konkurrojnë kundër njëri-tjetrit për të krijuar proteina të reja, disa prej të cilave mund të ndihmojnë një ditë për të shpëtuar jetë njerëzish. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enochs sjell hollësitë.
Kjo është një lojë e krijuar nga studiues të mjekësisë në Universitetin e Uashingtonit.
Ajo quhet “Fold it” dhe është një lojë tre dimensionale me bashkim pjesësh.
“Fold.it është një lojë kompjuterike falas që mund të luhet nga kushdo. Lojtarëve u kërkohet që të krijojnë proteina të reja përmes një programi të sofistikuar që ne përdorim këtu në institut”, thotë Brian Koepnick nga Universiteti i Uashingtonit.
Proteinat janë zinxhirë të gjatë amino-acidesh që kryejnë funksione të rëndësishme brenda trupit të njeriut.
“Proteinat janë molekula të jashtëzakonshme. Ato palosen në forma shumë të sakta dhe kryejnë funksione të komplikuara. Proteinat natyrale kanë evoluar prej miliarda vjetësh për të arritur deri në këtë pikë”, thotë Brian Koepnick nga Universiteti i Uashingtonit.
Por, kur proteinat palosen në mënyrë të gabuar, ato mund të shkaktojnë alergji dhe sëmundje të ndryshme si fibroza cistike.
Për luftimin e këtyre sëmundjeve, studiuesit si Brian Koepnick i Universitetit të Uashingtonit duhet të kuptojnë se si duhet të palosen proteinat. Dhe kjo mund të jetë e vështirë madje edhe për një super kompjuter.
“Dizenjimi i proteinave është një sfidë e madhe. Ka mundësi të panumërta për hartimin e proteinave dhe algoritmet tona mund të eksplorojnë vetëm një pjesë shumë të vogël të asaj hapësire”, thotë Brian Koepnick nga Universiteti i Uashingtonit.
Dhe në këtë fazë mund të përdoret loja Fold.it.
Lojtarëve u kërkohet të bashkojnë pjesët e proteinave për t’i bërë ato të funksionojnë si duhet. Sa më mirë që ato palosen ose bashkohen, aq më i mirë është rezultati. Lojtarët më përvojë të gjatë si Susan Kleinfelter mund të jenë po aq të mirë në këtë proces sa edhe vetë kompjuterët.
“Unë mbaj një listë të të gjitha proteinave që kam krijuar, sepse unë dua të provojë mënyra të reja të dizejnimit të tyre. Kur dalin njoftimet për një dizajn të ri të proteinave, unë i shikojë rezultatet për të parë nëse ato janë dizajnet e mia”, thotë Susan Kleinfelter, pjesëmarrëse në lojën Fold.it.
Zoti Koepnick thotë se lojtarët janë përmirësuar shumë dhe studiuesit u kanë kërkuar rreth 75 mijë lojtarëve që të krijojnë prototipe të proteinave që mund të trajtojnë sëmundjet si sida.
“Tani, pjesëmarrësit në lojën Fold.it janë duke punuar në krijimin e proteinave që mund të përdoren për të trajtuar kancerin, sëmundje infektive, dhe një mori aplikacionesh të tjera mjekësore”, thotë zoti Koepnick.
Nëse jeni të interesuar të luani, thjesht shtypni “fold-pikë-it” në internet dhe shkarkoni lojën.
Komentet