T’ia vjedhësh ndokujt disa kilogramë drogë… s’ka si ndryshe por do jetë diç e rrezikshme, s’do jetë punë e hijshme dhe as e mençur. Qëkur fjala do jetë për miliona verdhushka, afërmendsh që ndokush nga mafiozët do na ndjek, kurrë s’do na lerë rehat. E sidomos, ruana zot, s’është punë asfare e mençur t’ua vjedhësh drogën mafiozëve shqiptarë – kështu aludon filmi “Wolfs (Ujqit)”, 2024 – për të cilin desha t’i radhis ca fjalë, si koment.
Me cilësimin e shqiptarëve si mafiozër të rrezikshëm, me kaq sikur dhe mbaron përmendja e “shqiptarëve” gjatë filmit, s’ka ndonjë pasqyrim më “keq” se kaq, për fat të mirë nuk portretizohet ‘in persona’ asnjë kriminel shqiptar.
Mirëpo, për audiencën filmike, si truk i çuditshëm psikologjik, rreth këtij detaji të vockël (gjoja vjedhja e drogës, e provokimit të mafiozëve shqiptarë) sikur vërtitet e gjithë “tendosja” filmike. Personalisht, sikur më qe krijuar përshtypja – detaj mjaftueshëm kyç, rrezikshmërinë dhe bujën famëkeqe të mafias shqiptare skenari e përdorte si “perin e kuq” rreth të cilit për ta “vërtitur” një film të tërë.
Sipas Hollivudit, për të gjitha aktivitetet e mafias del se shqiptarët na qenkan liderët global. Nëse, eventualisht kriminel a mafioz, megjithatë s’ke dëshirë të kesh punë me shiptarët, sepse fort të rrezikshëm, s’ke si shtyhesh me ta. Dhe këtë s’ta thotë ndonjë aktor i panjohur, ndonjë star-debutant por do e dëgjosh nga vetë George Clooney dhe Brad Pitt.
***
Meqë Amerika përbëhet nga 1001 kombe-kombësitë e planetit, sikur aty kryqëzohen e ndërthuren të gjitha mafia-organizatat e rrezikshme. Të paktën, sikur gjithmonë këtë përshtypje mëtojnë të ngjallin krimi-filmat e Hollivudit. Dhe meqë Amerika e madhe, kuptohet edhe spektakolaritet kinematografike zakonisht janë aso të mëdha. Investohen me dhjetra e qindra miliona, andaj dhe spektaklet janë diç si mega-spektakle filmike.
Mirëpo ta përdorësh namin e mafias shqiptare në v. 2024, tingëllon sa detaj qesharak… po aq dhe detaj realistik, probabilitet real. Andaj mbase dhe shitet si truk, me gjasë t’jetë diç si “detaj” i besueshëm. Nga njëra anë del se shqiptarët na qenkan të famshëm për të qënit “shqiptarë” (ngaqë janë thjesht siç janë, nga natyra, të rrezikshëm dhe të zotët si mafia-biznismenë – njësoj të rrezikshëm janë dhe mafiozët italianë, edhe ata irlandezë, japonezë etj.). Nga tjetra anë, aspak e lavdërueshme të të marrin si shembull i “botës së madhe të krimit”, si lider i mafiozitetit global.
Dhe meqë kriminaliteti është prore aktual, dhe meqë në Amerikë (siç e thamë) “gërshetohen” të gjitha mafiat e Evropës e të botës, dhe meqë mafioziteti s’ka t’bëjë me kombet… por është problematikë globale (Amerika është diç si “pekmez” i globalizmit, si marmelatë kulturore me lloj-lloj frutash) – i bie sikur amerikanët s’janë duke hyrë në hak të askujt, dhe as jo në “hak” të shqiptarëve nëse i cilësojnë (mjaft shpesh nëpër projektet filmike) si “liderë” të mafiozitetit botëror.
Doja të komentoja rreth Wolfs (2024) por s’e gjeja dot 1 min të klipit filmik, tani e gjeta… Sipas meje filmi s’është ndonjë projekt që ia vlen lodhje-mendjen (ndoshta qasjen e kritikëve s’e meriton as hiç, por madje as komentin tim : ) Përveç faktit se rolet kryesore luhen nga Brad Pitt dhe George Clooney… sikur s’ka ndonjë gjë tjetër aq “interesante”. Dy aktorët e njohur, dyshja, kjo duo simpatike sikur ishte “arsyeja” që dhe unë e pata parë filmin – duke pandehur 2 aktorë të hijshëm dhe të shtrenjtë, pa hë, të shohim… mbase dhe ia vlen.
Sidoqoftë, doli se nuk përputhej me parapritjen time, por nuk jam ankuar, as që kam menduar për ankesa. Dihet se regjisorët e Hollivudit nganjëherë i “lidhin” 1 a 2 emra të famshëm me ndonjë film-mediokritet, sa për bujën e marketingut, si truk për t’i vjelur ca metelikë më tepër.
E gjithë “tendosja” filmike thuase vërtitet rreth ca pakove të drogës, e cila drogë supozuar t’na ishte vjedhur si dërgesë e mafias shqiptare (e që gjoja duhej t’kishte qenë pjesë e furnizimit të narko-tregut amerikan). Dhe tani… mos pyet, mafiozët shqiptarë janë xhindosur, s’ka kush që i ndalë, i kanë vrarë dhe do i vrasin të gjithë ata që dyshohen si “hajna të drogës” së tyre. E thamë që në hyrje të komentit tonë – vjedhja e drogës së mafiozëve, mos pyet… e pafalshme.
Dhe siç dihet, ndër të tjera, aktiviteti kriminal i mafiozëve lidhet me tregti armësh, me trafik dhe distribuim narkotikësh (dmth. me shitje e shpërndarje të lloj-lloj drogave të rrezikshme), me kërcënime, me sulme, me ryshfet, me korrupsion, me zhvatje, me huadhënie e huamarrje, me pastrim parash, me vrasje e likvidime, me shantazhe, me grabitje, me trafik seksual apo të prostitucionit, me kontrabandë, me plaçkitje, me vjedhje automjetesh… etj etj. ka dhe plot të tjera, mjafton për momentin (të gjitha aktivitetet dhe punët e tjera mund t’i marrim dhe me mend, ndonjëherë tjetër, kur t’kemi kohë).
Natyrisht, Hollivudi i ka projektet dhe taktikat e veta, ka pothuaj mbi një shekull vazhdon me magjitë e veta, secilikush me bizneset e me punët e veta. Dihet se Industritë e Argëtimit të ShBA (udhëhequr nga Hollivudi) e ndihmojnë ekonominë amerikane me mbi 505 miliardë $ secilin vit. Afërmendsh, filmat janë filma, aspekti kriminalistik i kinematografisë amerikane dihet se është nga më të bujshmit – amerikanët i vërtisin në “zgarën” e investimeve dhe i pjekin me miliarda e miliarda. Vit për vit biznes marramendës duke “shitur vrasje fiksionale dhe krimi-ide”, shiritat dhe rrotullamat e Hollivudit e mahnitin mbarë rruzullin.
Krimi-mendësia e Amerikës pakashumë njihet si “Criminal Minds”, dhe të ngjashme – sa për ta përmendur ndonjë seri të famshme (me rreth 15 vazhdime sezonale, dmth. i ka 15 vjet që vërtitet). Kuptohet, asgjë nuk “vërtitet kot”, seria vërtitet për aq gjatë sepse ia vlen, nëse për asgjë tjetër atëherë sepse biznes fitimsjellës. Mirëpo ia vlen dmth. të inkuadrohen ndër projektet dhe krimi-mendësitë ballkanike. Sepse disa gjëra dhe janë ciklike, janë universale, diç si “rrathë të mbyllur”, s’ka si mohohet as kjo.
Shkurt, ia vlen të merresh me krimi-filmat – prandaj dhe biznes i levërdishëm. Mirëpo, sidoqoftë, me gjasë edhe klishetë rretherrotull mafiozitetit ballkanik, rreth bujës famëkeqe (si pjesë e “mozaikut” të grand-mafiozitetit evropian) kanë efekt të madh, ia vlen t’jenë pjesë e krimi-skenografive amerikane.
Prodhohen me qindra e me mijëra filma rreth krimeve, rreth dhunës dhe vrasjeve… Të gjitha vrasjet janë “akte”, të gjithë të vrarët janë aktorë (i nderojmë madje dhe me çmime akademike… nëse aktrojnë bukur, nga ta kërkohet që t’na gënjejnë sa më bukur). Me bukë e me mjaltë i fitojnë duke u shtirur, duke aktruar, duke na gënjyer ëmbël për “vrasjet, për dhunën… “. Aktorët e kanë për detyrë të impenjohen sa më bindshëm t’jetë e mundur, bëmat e tyre filmike duhet t’jenë sa më realistike. Nëse ia dalin, pastaj u takojnë dhe çmimet, e qartë.
Dhe bota nuk e njeh vetëm ndarjen e Çmimeve të Akademisë “Oscar”, as jo vetëm festivalin e Kanës, as jo vetëm mbrëmjet e BAFTA-s… bota i paskësh jo më pak por 2300 festivale filmike. Lexuesi le ta merr vetë me mend gjithë “marramendjen” e 2300 festivaleve – sa e sa qilimat e kuq, sa e sa kamerat, sa e sa fustanet, sa e sa shkrepjet, sa e sa verdhushkat, sa e sa buzëqeshjet, sa e sa çmimet yyyyyyyyyiiiii… pothuaj sikur duhet një kuantum-kompjuter për kalkulimin e saktë : )
Në këtë pikë, më shkrepi ashtu kot, e pyeta Internetin “sa filma prodhohen çdo vit” (sepse 2300 festivale vërtet shumë). As 1 sekondë s’iu desh, si rrufeja ma ktheu 4.752 filma. Imagjino, afro 5000 sosh – athua vallë sa prej tyre kanë t’bëjnë me krimet, me heroizmat e policisë, me heroinat, me heronjtë, me gangsterët, me temat e mafiozitetit. Mund ta pyesja rishtas… por e lashë, pasi e lehtë ta merrja dhe me mend (shifër aq e saktë dhe s’na nevojitet, për neve mjafton diç përafërsisht).
Po mendoja, nga këta 5000 filma secilin vit, padyshim rreth 2000 i takojnë sferës indiane, Bollivudit dhe industrive filmike të atjeshme (sepse kështu pata lexuar diku tjetër). Pra e qartë, 3000 filmat e tjerë i takuakan sferës amrikane-evropiane, Hollivudit… dhe botës rretherrotull (Azisë, Afrikës, Antarktidës etj).
Ndoshta 1500-2000 prej këtyre 3000 filmave kanë t’bëjnë me krimet, me dhunën, me vrasjet, me horrorin. Në fakt, nga statistikat e Worldmetrics doli se horror-filmat na qenkan zhanri më fitimprurës… Uaaa, ja pra e qartë, audiencat e botës i pëlqyekan argëtimet sa më horrorifike.
Absolutisht e qartë, mjaft argëtuese dhe fitimprurëse t’i filmosh tematikat e kriminologjisë. Pse jo, nëse vrasjet dhe krimet e argëtuakan njerëzimin aq shumë, pothuaj 1 shekull duke shitur krimi-filma… dhe njerëzia thjesht s’dinë të ngopur, atëherë pse jo. Atëherë lum e lum… aq fatlume kjo punë. S’do koment, biznesi-biznes, mjalti dhe miliardat janë të ëmbla, ç’të thuhet tjetër, ngelet vetëm urimi “suksese Hollivudit me mjaltin e vet” : )
***
Për ta kuptuar globin e mafiozitetit (qendra e të cilit “glob” tani për tani mund t’jetë Amerika, meqë aty gërshetohen të gjitha nacionalitetet dhe kulturat e globit) ndoshta më e lehtë ta krahasojmë me globin e politikave.
Si paralelizim, edhe në rrafshin politik e dimë se veprojnë forcat e rivalërisë dhe të interesave; psh. nga njëra anë na rreshtohen “Perëndimorja” e politikave, nga tjetra anë Lindorja; nga njëra anë të ashtuquajturat “super-fuqi” si ShBA, BRSS (etj. ok, histori kjo – por historirat përsëriten, apo jo) dhe nga tjera anë Kina, India, Azia, Afrika etj. Thjesht pra nja 2 kombinime fiksionale, si shembuj…
Aktualisht e kemi psh. mosmarrëveshjen Lindje-Perëndim, i kemi rusët, ukrainasit, i kemi invazionet, kundërsulmet, sanksionet, sabotimet e ekonomisë, i kemi luftrat, i kemi shtrenjëtimet (për t’i paguar luftrat dhe sanksionet), i kemi armatimet, tregtinë ushtarake (shit-blerjen e armëve), i kemi ndihmat ushtarake, i kemi taborret politike që i kundërvihen njëri-tjetrit… si gjithmonë, s’ka diç të re me veset dhe me hujet politike të globit. Edhe forcat politike ndonjëherë bashkohen, lindin aleancat, bëhen tok aleatët (nëpër konferencat) dhe merren vesh si t’ia hedhin grepin palës rivale.
E njëjta, ekzaktësisht, 100%, absolutisht e ngjashme është dhe pasqyra globaliste e mafiozitetit. Edhe në rrafshin e kriminalitetit të organizuar veprojnë forcat e rivalërisë rreth interesave. Sipas mafiozëve tani për tani globi është “përçarë” në dy hemisfera interesash; nga njëra anë janë bërë bashkë “mafia-aleatët” si vijon:
mafia shqiptare, narko-kartelet e mbarë Amerikës Jugore (booo dhe vetëm këta t’na ishin… mos pyet, tepër madje), mafia turke, mafia armene, mafia britanike, mafia bullgare, camorra, mafia çeçene, clan del golfo, “nëntoka” e organizuar holandeze, mafia greke, hells angels mc, mafia irlandeze, mafia marokene, ‘ndrangheta, mafia rumune, sacra corona unita, mafia serbe, mafia siciliane, sinaloa carte, societa foggiana etj. (edhe ndokush tjetër, s’i dimë të gjitha, s’jemi ekspertë : )
Dhe nga ana tjetër, kundër interesave të mafia-aleatëve (siç i përmendëm më lart), veprojnë rivalët të cilët janë diç si “super-fuqi mafiozësh”, e që janë: mafia amerikane dhe mafia ruse-ukrainase.
Shih pra, dhe vetëm mafia ruso-amerikane më e madhe se gjithë bota e mafia-aleatëve.
Prandaj s’është për t’u çuditur që amerikanët i njohin fort mirë punët e mafiozëve. Ata e dinë që shqiptarët janë liderët e mafias botërore, ua kalojnë edhe irlandezo-italianëve por dhe japonezo-kinezëve. Jo vetëm sepse aty “gërshetohen” të gjitha nacionalitetet e botës (ka madje dhe shqiptarë, e sidomos aq shumë italianë, lloj-lloj Al Kaponesh e Corleonesh, në Amerikë i kanë strofullat të gjitha mafiat e botës, i kanë dhe shqiptarët, psh. gjoja “strofulla paralele” me ato të Evropës), por dhe për faktin se mafia amerikane (si entitet mëvete, si entitet i pavarur kriminal) është diç masive, aq e madhe… sa vetë marramendja – aq sa gjithë mafiozët e botës janë shtrënguar t’bëhen “aleatë” kundër tyre.
Kompozitorit Tonin Harapi edhe parmaket e shtepise qinda vjecare i nxirnin nota muzikore.
Nje Shkodran qe gjithmone i qeshte zemra e ftyra…
Burre me te gjitha tiparet e qytetit qe e lindi dhe e formoi.
Shume kujtime ruhen nen ate cati ku u edukue Ai Burre i Madh i Rozafes.
Ju falemnderes.