Ta shkruajmë, ta flasim e ta ruajmë me dashuri dhe kujdes
Ky vit, sikundër është bërë e ditur edhe zyrtarisht në tubimet e rëndësishme të datës 21 e 22 nëntor, po mbyllet me një njoftim shumë të rendësishëm për kulturën shqiptare. Mbas një pune katërvjeçare ka mbaruar së hartuari në dorë të parë “Fjalori i përditësuar i Gjuhës Shqipe “një nga projektet e mëdha të Akademisë sonë të Shkencave. Ky fjalor, sikundër u kumtua në tubimin e datës 22 nëntor “do të përmbajë rreth 120,000 njësi, gati trefishi i fjalorit aktual”.
Si gjuhëtar dhe si një prej anëtarëve të Redaksisë e si drejtues i një prej grupeve të punës për hartimin e këtij Fjalori, dëshiroj të shpreh harenë dhe gëzimin që kjo vepër po përfundon me sukses dhe vjen si fryt i një bashkërendimi të shumë forcave shkencore nga të gjitha trojet shqiptare e nga diaspora. Ky Fjalor duhet përshëndetur e mirëpritur, duke e vlerësuar si një thesar të madh dhe shumë e rëndësishëm të pasurisë leksikore, kuptimore, frazeologjike dhe termave të degëve të ndryshme të dijes e të jetës së përditshme të popullit shqiptar. Fjalori sjell prurjet nga dy kahet kryesore të përdorimit të shqipes së sotme: nga gjuha letrare e shkruar dhe e folur, po edhe nga gjuha e folur popullore e nga dialektet e të folmet e shqipes. Me këtë rast, po ritheksojmë edhe disa detyra që mendoj se mbeten me rëndësi të dorës së parë edhe mbas publikimit të Fjalorit e kur do të hidhet për konsultim të gjerë publik.
Së pari, dëshiroj të ritheksoj segjuha është pjesë themelore dhe shprehësja më e dukshme e identitetit të shqiptarëve, është “palca” dhe shprehësja e shqiptarisë, është tipari dallues më kryesor i mbijetesës sonë si komb. Shoqëria e sotme shqiptare, në radhë të parë shkolla dhe institucionet zyrtare e publike (shtetërore dhe private) duke mos u shkëputur nga tradita e mirë që e kemi pasur dhe e kemi, duhet të punojmë më shumë për formimin e një koncepti të drejtë për detyrimet dhe pengun qytetar dhe atdhetar që ka secili shqiptar ndaj gjuhës së vet amtare.
Mbi të gjitha, kudo e kurdoherë, ka qenë dhe mbetet me vlerë kujdesi dhe kërkesa e rreptë e shtetit dhe e të gjitha institucionve publike për zbatimin gjuhës zyrtare. Dhe kjo, sikundër e dimë të gjithë, nuk është një punë që për herë të parë sot, por qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar. Po përmend edhe një herë se, këtu e 111 vjet më parë, në mbështetje të vlerësimit për pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë të shtetit shqiptar nga qeveria e Ismail Qemalit jepet pohimi dorëmbarë i këtij shtetari e diplomati të urtë:
“Pas dëshirës dhe n’emën të Zotënies së tij, Kryetarit të qeverriës, botojmë këtë lajmim: Duhet të gjithë t’a dijnë mirë se, ç’ në ditën fatbardhë që kur Shqipëria dolli më vehte, gjuha shqipe u ba gjuha zyrtare e vendit.Tani, në ç’do degë t’administratës, n’a lipsen nëpunës të cilët t’a njohin mirë, me shkrim e këndim, gjuhën amtare…Edhe nëpunësit që ndodhen në shërbim do të japin provim në gjuhën shqipe: ata që do të tregohen të zotët, do të konfirmohen në punën që kanë; ata që nuk do të dinë mirë gjuhën shqipe, do të munt të kërkojnë kohë që t’a mësojnë në qoftë se kanë dëshirë të mbeten në shërbim.”(”Lajmim”, botuar në gazetën “Përlindja e Shqipëniës”, Viti I, nr.6,17/30 gusht 1913.)
Ai synim i mbarë i Qeverisë së Parë Shqiptare na ka shtyrë e na nxit edhe në të gjitha qëndrimet, vlerësimet e shkrimet tona për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe nga shteti dhe nga krejt shoqëria shqiptare.Pikërisht atë ide dorëmbarë e frymëgjatë të Ismail Qemalit kam pasur parasysh në reagimet e mia të kohëve të fundit të shprehura edhe në artikullin tim ”Shqetësime dhe propozime për kulturën e gjuhës së shtetit” dhe në shumë artikuj e intervista të miat. (Gazeta “Sot”, 20 nëntor, 2013, f.17.) dhe në librat e mi “Urgjenca gjuhësore” (2015, 2017) dhe “Kultura e gjuhës sot” (Tiranë, 2022).
Urojmë që vepra “Fjalorit i Përditësuar i Gjuhës Shqipe”, jo vetëm të sjellë sa më të plotë thesarin leksikor e frazeologjik të shqipes, po edhe të shërbejë për ta shtuar kujdesin për kulturën e të shkruarit e të folurit në të gjitha mjediset e boimet e në gjuhën shqipe. Gjuha letrare standarde dhe të gjitha varietetet e ndryshme brenda saj kanë qenë dhe do të mbeten kurdoherë në lidhje e ndërveprim me njëra-tjetrën dhe, po të shprehemi me një figurë letrare, ato janë si lëngjet në „enët komunikuese“. Ajo çka vjen nga anët dhe rrethinat (periferitë), qoftë edhe e turbullt apo e pakulluar, herë do të zbrapset nga vrulli më i fuqishëm i ujërave të gjuhës letrare të njësuar, herë (përkundrazi) do të shkrihet, përzihet e, me kohë, do të kthjellohet në përbërjen e gjuhës letrare të përbashkët.
Së dyti, dua të theksoj se sot, ndryshe nga 51 vjet më parë, kur u u botuan Rregullat e Drejtshkrimti të Shqipes (1973),shqipja standarde zbatohet e përdoret në një kohë kur, për gëzimin e harenë e shqiptarëve, shpatullat e shqiptarisë e të rrezatimit të gjuhës shqipe nuk kanë qenë kurrë kaq të gjera e me mëtime përbashkuese gjithëkombëtare. E kemi për detyrë parësore që këtë rast fatlum të kombit shqiptar: mundësinë e shkëmbimeve dhe të komunikimeve të lira e të shumëllojshme njerëzore, ekonomike, shkencore, letrare e kulturore të bashkësive të ndryshme shoqërore ku janë sot shqiptarët në Ballkan, po edhe kudot gjetkë në Evropë e në SHBA etj.të mos e lëmë pa shfrytëzuar edhe për ndonjë rivështrim e përmirësim të normës drejtshkrimore e përgjithësisht për t’u hapur më shumë shtigje prurjeve të vlefshme e të domosdoshme në gjuhën letrare kombëtare të përbashkët edhe nga gegërishtja. Në mënyrë të veçantë duhet t’u qasemi pasurisë, larmisë dhe forcës shprehëse të leksikut e të frazeologjisë së krahinave të Veriut, të cilat, qoftë në masën që na janë fiksuar në letërsinë e autorëve që kanë shkruar në variantin letrar të gegërishtes, qoftë edhe nga gurra e gjallë e gegërishtes së folur apo nga folklori i Veriut, duhen vlerësuar e vështruar kurdoherë si burime të freskisë dhe prurjeve të domosdoshme për gjuhën letrare të përbashkët. Në ditët tona, plot 52 vjet mbas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, mbas gjithë asaj pune të frytshme që kemi bërë e që na nderon faqe breznive të gjalla e atyre që do të vijnë, puna më e mirë është që, pa asnjë ngurrim e paragjykim krahinor, ta shpiem edhe më tej njohjen e thesarit leksikor të shqipes truallësore, t’i ndjekim edhe më ngultas përfaqësuesit e vjetër e të rinj të gjeografisë letrare shqiptare, duke marrë parasysh më shumë e më mirë lëndën që ndejnë botimet dhe ligjërimi publik në krejt hapësirat etnike e kombëtare shqiptare dhe, në përputhje me prirjet e kahet e zhvillimit të sotëm arsimor e kulturor të të gjitha trevave shqiptare në trojet kompakte ballkanike e, madje, deri në diasporën arbëreshe, t’u çelim shtigjet e nevojshme prurjeve më të vlefshme qoftë edhe kur na vijnë nga krahinat veriore. Mendoj se sikundër e shpreha qyhs në fillesë të këtij shkrimi, Fjalori i përditësuar i Shqipes do të sjellë një pasuri shumë të madhe e të vyer për njohjen, pasurimin dhe vlerësimin e rivlerësimin e tërësisë fjalësore e frazeologjike të gjuhës shqipe të sotme.
Në mënyrë të veçantë, u duhet bërë vend fjalëve nga gegërishtja që mund t‘i vlejnë saktësimit dhe diferencimit kuptimor, pa të cilat shpesh shqipja do të varfërohej e shëmtohej padrejtësisht. P.sh. në shqipen, ndryshe nga gjuhë të tjera, kemi fjalë të veçanta për të shënuar procesin e vdekjes tek njerëzit: vdes / des-vdiqa / diqa, vdekur / de:k a dekun dhe tek kafshët: ngordh-ngordha-ngordhur, cof-cofa-cof a cofun. Po ashtu, çmendem -u çmenda –çmendur për njerëzit, kurse për kafshët përdoret ndërkrehet-ndërkrye-ndërkryer, prandaj nuk duhet thënë lopa e çmendur (përkthim i panevojshëm nga it. mucca pazza), sepse ne kemi në shqipen popullore pikërisht një fjalë të posaçme për procesin e ndërkyerejs së kafshëve. Këtë fjalë shqipe e ndeshim edhe në veprat e Kadaresë: ”…me studimin e trurit të ndërkryer të njeriut ballkanas” (Ra ky mort e u pamë, f.44). Fshatarët qeshin e shkrihen gazit kur dëgjojnë të thuhet në mediat tona lopa e çmendur, si një përkthim shatra-patra nga it. mucca pazza; apo kafshë të vdekura, shpend të vdekur (?!) kur kemi fjalët shqipe përkatëse: kafshë të ngordhura, shpendë të ngordhur.
Shkrimtarët shqiptarë më të lexueshëm e më në zë, si dhe përkthyesit më seriozë dhe hartuesit e fjalorëve dygjuhësh (shqip-gjuhë e huaj apo gjuhë e huaj-shqip) përditë e më shumë e kanë ndjerë të domosdoshme të qëmtojnë fjalë e mënyra të thëni të gegërishtes, që jo vetëm e pasurojnë dhe e begatojnë shqipen, po edhe i vlejnë përpikmërisë së të thënit dhe larmisë e shprehësisë stilistike të saj. Po japim vetëm ndonjë shembull më të thekur: Libri i I. Kadaresë ”Ra ky mort e u pamë”, si edhe gati të gjithë librat e tij të këtyre tridhjetë vjetve të fundit, mund të shohim se gjithnjë e më shumë ka marrë fjalë e mënyra të thëni të gegërishtes dhe këto, jo vetëm për ngjyresë vendi e karakterizim mjedisi, po edhe thjesht si fjalë shqipe që shkrimtarit i duken më të përshtatshme për shprehjen e ideve e që përfshihen natyrshëm në indin gjuhësor të prozës së tij mjeshtërore. Po përmendim, ndër të tjera, fjalë të gegërishtes veriore e verilindore. Ato prurje pa dyshim janë pjesë e përditësimeve kuptimore e leksiko-frazeologjike që do të vihen në shërbim të shkruesve të shqipes, shkrimtarëve, gazetarëve dhe masve të gjera të dashanirëve të gjuhës shqipe.
Dialektet në çdo vend të botës, edhe kur nuk janë vënë në bazën kryesore të letrarishtes, kanë shërbyer e vlejnë kurdoherë si gurra të pasurimit e të larmisë shprehëse të gjuhëve të njësuara. Vënia e njërit nga dialektet në bazën a themelin e gjuhës së njësuar zyrtare pikërisht për arsye njësuese ka të bëjë në radhë të parë me zgjedhjen e trajtave fonetike e morfologjike, porse kjo nuk ua pret udhën aspak prurjeve të fjalëve, shprehjeve dhe mënyrave të të thënit nga krahinat e dialektit tjetër. P.sh.: në gjuhën e njësuar shqipe normë është fjala zjarr-i (ndez –in, ra-, i zjarrtë etj.), porse, ndërkaq, ndërsa nuk pranohen si normative format fonetike dialektore (përkat. ndez zjarmin, ra -, i zjarmtë), duhet t’u bëjmë vend me kënaqësi fjalëformimeve që kanë në bazë rrënjën zjarm, si zjarmi-a ”temperaturë e lartë”, zjarmëtar-i ”ai që ndez zjarrin”, zjarmishtë-a ”dhomë ku ndizet zjarri për ngrohje e gatim”.Të njëjtën gjë kemi vëne re e pohuar me kohë për dysorin errësirë-a / terr-i. Që të dy kanë një rrënjë të përbashkët (err), prandaj edhe normativistët kishin paraparë që terr-i të mbetej jashtë normës leksikore. Deri nja dhjetë vjet më parë, fjala terr-i në gjuhën e shkruar përdorej vetëm nga Ismail Kadareja dhe ndonjë poet tjetër kryesisht në stilin poetik, mirëpo viteve të fundit kjo fjalë doli nga ”zinxhirët” krahinorë të gegërishtes dhe u lëshua mjaft dendur në gjuhën e shkrimit, duke u shpeshtuar në ligjërimin e artistik të shumë shkrimtarëve, që nga I. Kadareja e deri tek brezi i krijuesve më të rinj, të cilët i qasen fjalës terr për arsye të shkurtisë po edhe për arsye të vlerave të tjera, sidomos për nevoja ritmi, rime në vjershëri, ndërsa në stilin politiko-shoqëror fjala terr po pëlqehet edhe për një diferencim të karakterit terminologjik. (Kujtoni togfjalëshin terri informativ që aq dendur e me aq dobi u përdor nga opozita e dikurshme në betejën për barazinë e shprehjes e të pasqyrimit në televizionin publik).
Nevoja për fjalë, sidomos folje dhe mbiemra prejfoljorë të gegërishtes, ndihet më shumë në hartimin e fjalorëve dygjuhësh. Kështu, nga një shqyrtim përqasës i fjalësit shqip të ”Fjalorit italisht-shqip dhe shqip-italisht” të F. Lekës e Zef Simonit, mund të nxjerrim një sasi të madhe foljesh nga gegërishtja, të cilat janë më se të domosdoshme në shqipen e sotme letrare sepse u përgjigjen fjalëve të italishtes për të cilat nuk ka ndonjë sinonim a dysor tjetër të përshtatshëm.Kam bërë disa vjet më parë një shqyrtim të holësishëm të fjalëve dialektore nga gegërishtja që autorët i kanë përdorur për shpjegimin e shumë fjalëve të italishtes, si asnjanësoj ‚ neutralizare’, baltoj ‘infangare’, (krahas e në konkurrencë me baltos ‘infangare’), barohet ‘coprirsi d’erba’, befasoj ‘sorprendere’, befasohem ‘sorprendere’, bëzaj ‘dire, chiamare’, bigëzoj ‘biforcare’, bigoj ‘biforcare’, biroj ‘forare, bucchellare’ dhe shumë e shumë të tjera.
Dikur, madje, qysh në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, kur ishte problem edhe buka e përditshme, slogani ishte “Sa më shumë bukë dhe kulturë për popullin” dhe, në fakt, krahas përpjekjeve për të siguruar bukën, gjithandej bëhej edhe një punë e madhe kundër analfabetizmit dhe synohej për të pasur një shkollim sa më të mirë të brezit të ri. Sot bukë e gjellë kemi më shumë, pra problemin e bukës e kemi zgjidhur, kurse pjesa e kulturës, sidomos e kulturës së gjuhës dhe e etnografisë së ligjërimit zyrtar e publik nuk është zgjidhur ashtu si duhet. Kemi dhënë shenja të pafalshme të një kulture të ndërprerë, sikundër e ka cilësuar me të drejtë një studiuese e përkthyese e njohur. (Shih:Donika Omari, Kulturë e ndërprerë, Tiranë, 2009)
Shteti dhe institucionet shtetërore e përgjithësisht publike kanë mbajtur qëndrim të mefshtë e, ndonjëherë, edhe dukshëm mospërfillës ndaj të shkruarit e të folurit të shqipes në zyrat dhe institucionet botuese, në gazetat, revistat dhe në fjalën publike. E kam thënë e shkruar edhe herë të tjera se, për fat të keq, ka më se njëzet e pesë vjet që, kujdesi i shtetit dhe i institucioneve shtetërore ndaj botimeve e kumtimeve zyrtare ka rënë në mënyrë të pafalshme. Ka pasur shthurje e mungesë të disiplinës gjuhësore të shtetit, prej nga ka ardhur edhe kjo gjendje pakujdesie gati masive ndaj gjuhës së shkruar e të folur në zyra, në botime, në gazeta, në radio e në televizione. Shkruhet e flitet dosido, me gabime e thyerje të rënda të normave drejtshkrimore, me fjalor të varfër dhe shpesh edhe të pakrehur nga fjalët e rënda e të papërshtatshme për burokracinë zyrtare, qoftë shtetërore, qoftë private. Ka ardhur koha të zgjohemi nga përgjumja dhe ta mërgojmë këtë situatë pakujdesie e shthurjeje të qëndrimit ndaj shqipes.
Fjala publike, që nga mjediset e thjeshta, në zyrat e shtetit e deri në Kuvendin e Shqipërisë ka dhënë shenja të qëndrimeve krejtësisht të papranueshme për kulturën e një vendi që mëton të jetë demokratik e të hyjë në Evropë. Fjalët e huaja të panevojshme, terminologjia e pasaktë dhe deri fjalët e pista e ligjërimet krejt të pagdhendura kanë pasur vend aq shpesh, sa ua kanë neveritur shqiptarëve edhe politikën, edhe funksionet zyrtare të shtetit. Gabimet janë të rënda e ndonjëherë trashanike, të cilat tregojnë se niveli i formimit gjuhësor të punonjësve dhe zyrtarëve të shtetit shqiptar lë për të dëshiruar dhe nuk mund të vazhdohet më kështu.
Të folurit dhe, sidomos, të shkruarit në gjuhën letrare kombëtare është shenjë e tregues kulture. Kudo e kurdoherë, ka qenë dhe mbetet me vlerë kërkesa e rreptë e shtetit për zbatimin gjuhës zyrtare.
Gjuha e njësuar, zotërimi i mirë i gjuhës së përbashkët për të gjithë anëtarët e një bashkësie kombëtare, është kërkesa e parë e formimit arsimor të shtetasve. Edhe në vende e kombet të mëdha të Evropës, po përmendim, vetëm ndonjë rast, nga shumë të tjerë: qëndrimin pohues, mbrojtës e qartësisht të shpallur që mban Franca për gjuhën e vet. Si shembull mund të sjellim një prej raporteve të fundit të “Défense de la langue française” (2017) për Parlamentin Francez, ku jepet vlerësimi zyrtar i gjuhës frënge si “pilier de notre culture, est un ciment de notre société” dhe e detyrimeve dhe masave që Ministria e Kulturës i drejton Parlamentit Francez. Në Britaninë e Madhe, qysh nga shek. XV është zhvilluar një gjuhë standarde me mbështetje në dialektin e Londrës. Faktorë ndikimi për këtë lloj përzgjedhjeje kanë qenë përparësitë ekonomike, politike dhe kulturore të Londrës, ndikimi i Oborrit Mbretëror, i universiteteve të afërta të Oksfordit e të Kembrixhit etj. Kështu në shekullin XX në Angli dhe në Uells është përgjithësuar shqiptimi i ashtuquajtur “Received Pronuntiation” (RP). Përdoruesit e RP-së nuk dallohen sipas krahinave, por përdorimi i këtij varieteti sinjalizon në njëfarë dore përkatësinë në shtresat e larta të shoqërisë dhe në shtresat me shkollim më të lartë, pra paraqet një “indicator” kulturor e shoqëror.
Gjuha e shkruar dhe e folur që vjen “nga lart” (d.m.th. nga ata që përfaqësojnë shkollimin, shtetin, mediat, qendrat shkencore dhe universitare etj.) mbetet kurdoherë model në ecjen përpara dhe i prin zotërimit të shqipes standarde. Prandaj, në artikujt për kulturën e gjuhës kemi pohuar dhe ngulmuar se shtetarët, që nga më i ulëti e deri tek kreu i shtetit, të gjithë sa janë: deputetë, ministra, drejtorë drejtorish, diplomatë etj. nuk duhet të flasin dosido. Ata përfaqësojnë shtetin, përfaqësojnë elitën e një vendi, prandaj, kurdoherë, para se të flasin (a të shkruajnë) duhet të maten e të vlerësojnë jo vetëm çfarë do të thonë, po edhe se si do ta thonë. Latinët e kanë lënë fjalë: “Non licet Jovi quod licet bovi”. (Nuk i lejohet Zeusit ajo që i lejohet buallit).Gjithmonë e gjithkund të mëdhenjtë, prijësit a mbretërit, qysh nga lashtësia e deri te udhëheqësit e kohëve të reja, kanë pasur edhe ithtarë e imitues. Kjo edhe nga mënyra e të folurit.
Njerëzve të thjeshtë mund t’u falet nëse ndonjëherë mund të flasin edhe “larë e pa larë”, kurse atyre që përfaqësojnë shtetin dhe institucioinet publike, qofshin zyrtare, qofshin private, u takon të kenë gjuhë të zgjedhur, të peshuar e zyrtare. Mania e sotme e disa prej politikanëve shqiptarë për të folur me fjalë të huaja (të panevojshme e të pakuptueshme),si dhe për të folur në gjuhë të huaja në zyrat e shtetit shqiptar e në veprimtari zyrtare shtetërore është tregues i cektësisë dhe i përfryrjes së pamirë mendore dhe kulturore. Rendja pas anglicizmave e italianizmave e ka shëmtuar keqas gjuhën e politikës shqiptare. Po kështu edhe të gazetarisë sonë. Pritet një këndellje e ndërgjegjes kombëtare, pritet që shoqëria dhe shteti ta marrin në dorë me përparësi punën e gjuhës, ta shpëtojnë atë nga “bdarrja e bastardimi”.
Nuk kemi mënuar t’i kritikojmë me shkrime “të hidhura” shtetarët që nuk tregojnë kujdesin e duhur ndaj gjuhës shqipe dhe, duke parafrazuar Konicën e madh, jemi shprehur kundër “analfabetëve me diplomë”. Më se një herë gjuhëtarët shqiptarë kanë ngritur zërin me shqetësim për “disiplinën gjuhësore të shtetit” dhe kanë theksuar se është koha për të lëshuar kushtrimin për mbrojtjen e gjuhës. Sigurisht, është fjala për të mbrojtur atë që mund të mbrohet e jo për teprime a “purizëm”. Sot Shqipëria është një vend i hapur, ka një shtet që mban marrëdhënie me të gjithë botën; populli ynë është tashmë në lidhje e takime të drejtpërdrejta e që shkon e vjen me njerëzit e vet e me miq të shumtë në botë. Me fjalë të tjera, jemi bërë një shoqëri e hapur. Edhe gjuha shqipe është e do të jetë edhe më tej “gjuhë e hapur”, ka marrë dhe do të marrë edhe më tej hua nga gjuhët e mëdha të Evropës, po edhe do të përtëritet nga gurrat vetjake. Kemi parasysh sidomos prurjet e mirëpritshme të elementit verior e verilindor gjatë dhe pas shndërrimeve në Kosovë e në viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi (Mal i Zi, Maqedonia e Veriut), si dhe nga diaspora shqiptare.
Edhe në Shqipëri po ndjehet ndikimi i globalizimit dhe kjo, në radhë të parë, shprehet me animin e fortë nga anglishtja, anim që të kujton pemët e larta që epohen e shkojnë andej nga fryn era; por procesi i globalizmit duhet kuptuar jo vetëm si arë e mbjellë që e zë breshri dhe bën kërdinë mbi të, por edhe si përpjekje për ta ruajtur gjuhën nga asimilimi dhe për ta rreshtuar shqipen me dinjitet krahas gjuhëve të tjera evropiane. Ne, si popull, sikundër është theksuar edhe nga korifenjtë më të mëdhenj të albanologjisë, si Aleks Buda, Eqrem Çabej, Idriz Ajeti etj. jemi pjesë e familjes evropiane, por të jesh pjesë e kësaj familjeje të madhe evropiane nuk do të thotë harrim i vetvetes, nuk do të thotë nënshtrim ndaj ndonjë gjuhe tjetër, qoftë ajo edhe anglishtja, që shumëkush e quan sot “gjuha e botës”. Në këtë bashkësi qytetërimesh ne duhet të futemi, në radhë të parë, me identitetin tonë kulturor e kombëtar. Gjuha është pjesë themelore dhe shprehësja më e dukshme e këtij identiteti, tipari dallues më kryesor i mbijetesës sonë si komb.
Së mbrami, edhe pse ka pasur e ka mendime të ndryshme, do të tritheksoj se ruajtja dhe mbrojtja e gjuhës shqipe letrare nuk është censurë, por detyrim zyrtar për secilin institucion që shkruan e boton. Kam shkruar e folur disa herë për këtë dhe për detyrimin që duhet të kenë shteti dhe krejt institucionet zyrtare për ta mbrojtur shqipen nga papërgjegjshmëria e shkruesve dhe botuesve të pabindur e që i shkelin haptas e me qëllim rregullat e drejtshkrimit e normat e shqipes standard. Kjo duhet bërë sidomos në titujt e gazetave e revistave, në përkthimet me shkrim të filmave, në reklamat e faqet zyrtare dhe popullarizuese etj. Të ndjekim shembullin e Francës dhe të vendeve të tjera të Evropës së qytetëruar, të cilat punojnë shumë për mbrojtjen e gjuhës amtare si tipar i përbashkësisë dhe i njëjtësisë së kombit. Në Francë revista “Defence organizèe de la langue française” (Mbrojtja e organizuar e gjuhës frënge) vazhdimisht boton artikuj e studime “contre le franglais”(= kundër fjalëve të huaja nga anglishtja). Edhe në Itali, cdo të shtunë e të diel, në RAI-1 mbahet rubrika “Prontosocorso linguistico” (Ndihma e shpejtë gjuhësore), si dhe punohet me kujdes për cilësinë e të gjitha llojeve të botimeve zyrtare. Shqiptarët e Maqedonisë, ndonëse janë pakicë gjuhësore e etnike, po kërkojnë e po punojnë me ngulm për mbrojtjen e shqipes zyrtarisht. Ka disa vjet që atje është krijuar edhe institucioni i “inspektoriatit gjuhësor”. Ne duhet patjetër të krijojmë, së paku në Akademi, një komision a grup pune pikërisht për mbrojtjen e gjuhës, duke mos lejuar gjendjen e pakujdesisë dhe gabimeve trashanike që po bëhen në faqet zyrtare të institucioneve shtetërore, në botimin e librave dhe në gazetarinë e shkruar e të folur. Me përgjegjësinë e duhur kërkohet të pastrohen e të rishikohen nga ana gjuhësore reklamat e televizioneve dhe titujt e titullimet e rubrikave, shumica e të cilave janë (padrejtësisht e pa asnjë motivim bindës) vetëm në gjuhë të huaja.Hap televizorin dhe përballesh me një shqipe që nga dita në ditë po mbushet me fjalë të huaja e gjithnjë e më pak fjalë shqipe.Të duket se janë venë në garë kush e kush të zëvendësojë fjalë të bukura shqipe me fjalë të huaja madje, të vështira në shqiptim ( aq sa shpesh herë edhe shqiptohen gabim ).Në fakt, që nga viti 1967 kur qe botuar projekti i “Rregullave të drejtshkrimit” dhe sidomos mbas Konsultës së Prishtinës (1968) e Kongresit të Drejtshkrimit (1972) është bërë një punë shumë e madhe dhe e frytshme për zbatimin në ballë të gjerë të rregullave të drejtshkrimit dhe të kulturës së gjuhës. Në Institutin e Gjuhësisë e të Letërisë, kur ishte në përbërje të Akademisë së Shkencave, ishte një sektor i kulturës së gjuhës, i cili mbante edhe “shërbimin e këshillimeve gjuhësore” me nr.telefoni 25-09.Tek ne, për dëm e turp të madh, shqipja po dëmtohet nga mungesa e kujdesit prej atyre që shkruajnë e botojnë, nga programet shkollore të pamira e ku, gjuha shqipe ka pësuar dëmtim të madh nga heqja e pamotivuar e të nxënit të saj si lëndë më vete në shkollat e mesme. Po ashtu rendja pas së huajës ka prurë (dhe vazhdon të sjellë) në gjuhën e shkruar e të folur edhe shumë fjalë e shprehje të huaja nga ato që janë krejtësisht të panevojshme.Nuk flasim për huazime, sepse huazime shqipja ka pasur e do të ketë edhe në të ardhshmen, por për barbarizma, shkurtesa e sajesa të huaja, të shëmtuara e të papranueshme.Disa politikanë, si dhe jo pak gazetarë, njerëz të zyrave dhe të mjeshtërive të tjera, kujtojnë se pa fjalë të huaja (të pakuptueshme e të panevojshme) nuk mund të quhen të mençur e të përgatitur. Shihni se si është mbushur ligjërimi reklamave dhe i rubrikave të radiotelevizioneve shqiptare me tituj të huaj, kryesisht nga anglishtja, si “Love story”, “Top-Story”, “Big-Brother”, “Dancig with me”, “Got talent”, “Why not”, “Fan -Club” etj. Kjo është me të vërtetë një sëmundje ngjitëse që mund të marrë përmasat e një epidemie gjuhëvrasëse.Por, unë e ndiej si detyrë e si peng ta them se për situatën e pamirë të zbatimit të shqipes në gazetarinë e shkruar e të folur, po edhe më gjerë, ka pasur edhe qëndrime jodashamirëse e të papranueshme, ka njerëz që e përgojojnë Kongresin e Drejtshkrimit dhe shfryjnë e shajnë kundër vendimeve të tij.Kundër këtyre përgojimeve të padrejta dhe dëmprurëse nuk kemi qëndruar dhe nuk duhet të qëndrojmë në heshtje. Kërkohet edhe një qëndrim zyrtar. Dhe, do të përmend këtu se nga shtetarët shqiptarë, është shprehur qartë e me rreptësi ish-Presidenti A.Moisiu, i cili ka shkruar: “Patjetër që gjuha duhet ruajtur, sepse sot, te ne, ka një trend të çuditshëm, sidomos nga politikanët që përdorin vend e pa vend e me shumicë fjalë të të huaja, të cilat i kanë sinonimet e tyre në gjuhën tonë dhe këtë gjë e bëjnë më tepër për të treguar diturinë e tyre.Jo vetëm kaq, por kohët e fundit po vihen re disa tendenca për të ndërhyrë në mënyrë brutale në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe”. Kjo bëhet, gjoja për të shmanguar vendimet e marra në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe, duke i quajtur ato vendime si komuniste. Në përfundime të tilla arrihet vetëm nga presioni që mund të bëjnë politikanë jonormalë në gjykimin se”gjithçka që vjen nga e kaluara duhet ndryshuar”. Zoti e ruajt këtë vend nga budallallëqe të tilla, të cilave u duhet kundërvënë fuqishëm. (Alfred S. Moisiu, Kujtime, 2, Botimet Toena, f.77).
Po e mbyllim duke sjellë një vlerësim të hershëm që vjen nga urtësia latine: gjuha për popujt e etnitë në rrjedhë të shekujve ka qenë si zjarri që duhej ruajtur e mbuluar që të mos fiket e të jetë gjithmonë gati për të marrë flakë. I mbahem edhe sot e gjithë ditën atij vlerësimi, se gjuha, ashtu si zjarri, edhe kur është i mbuluar me hi, gacat i ka të ndezura e që të djegin e të shuajnë. Për fat të keq, gjuha shqipe, për shekuj me radhë ka qenë e detyruar të rrojë si “thëngjilli i mbuluar”, e palejuar të shkruhet dhe “e mallkuar” dhe e martirizuar.Vetëm një shekull e pak ka kaluar qysh nga koha kur, Fillareti, dhespoti i Kosturit (Kisha ortodokse greke), më 20 shtator 1892, shqiptoi mallkimin ndaj Rilindasit Petro Nini Luarasi, duke iu kundërvënë e penguar nismën e tij për të hapur shkolla shqipe dhe për ta zëvendësuar gjuhën greke në liturgji me atë shqipe.Për gëzimin e fatin e bardhë të shqiptarëve e të shqiptarisë, sot gjuha shqipe është gjuhë e shkruar dhe e folur e me mundësi të mëdha për t’u zhvilluar e lëvruar si të gjitha gjuhët e popujve e kombeve të tjera, prandaj duhet ruajtur me dashuri e kujdes të përhershëm. Në fakt, gjuha shqipe është pasuria më e madhe e përbashkët që kemi.
Tiranë, 27 nëntor 2024
I theu me dashurinë e jetës sime pas një lufte të madhe. Ai tha se ishte e gjatë midis nesh dhe se ai kurrë nuk do të më kthejë mbrapa pasi i përfundoja gjërat me të disa herë.
Vetëm kuptova se ai ishte dashuria e jetës sime pasi e humba.
Unë e dua atë, por unë gjithashtu nuk dua ta lëndoj përsëri. Nuk jam i sigurt se si mund të kthehem prapa, duket sikur po ecën me jetën e tij.
Unë kam ardhur përmes një komente online, një lexuar një post nga një grua nga Suedia quajtur Katie Mburgs, ajo dha një dëshmi se si ish e saj kthehen përsëri pas saj 2years e ndarjes, ajo la pas një adresë e-mail {[email protected] } ajo dëshmoi se Një Shëruese Shpirtërore e quajtur Oduduwa gjeti një magji në emër të saj.
i dërgoj një mesazh postë në të njëjtën adresë e-mail dhe i shpjegoj çdo problem të martesës, Oduduwa premtoj të kthej burrin tim brenda 2 ditëve, i dha në një përpjekje dhe për befasinë time më të madhe ajo ndodh pikërisht siç ka premtuar. burri më thirri në telefon me numër të padiskutueshëm, ai kërkoi falje dhe rregullonte një datë për t’u takuar.
ne e bëmë dhe sot po jetojmë me lumturi së bashku si një familje. Unë jam i uritur. falë këtij njeriu të madh.
Unë kam qenë në fillim duke pasur frikë nga dyshimi, por i jap atë një provoni dhe ajo punon për të mirën time. Unë jam i sigurt se kjo do të punojë edhe për ju, 100% i sigurt.
Tel: +13019658857