Studentët e lëvizjes “Për Universitetin” paraditen e djeshme në mënyrë krejt spontane kanë qëlluar me vezë kryeministrin e vendit, Edi Rama, përpara fakultetit të Shkencave Sociale. Liri Kuçi, Klodiana Hoxha, apo Klodi si e njohin të gjithë, Anita Lushi, Bora Mema, Vitori Cipi si dhe tre studentë pjesë e “Klubit Politik të Studentëve” në Kosovë, pasi qëlluan me vezë kryeministrin, janë shoqëruar në polici, ku dhe i mbajtën për gati 9 orë. Lëvizja e studentëve prej më shumë se një viti ka zhvilluar disa herë protesta, për të ndalur miratimin e ligjit të ri të arsimit të lartë. Por, edhe pse ligji u miratua nga Parlamenti, ata janë shprehur se rezistenca e tyre do të vijojë, në mënyrë që ligji të mos implementohet, sepse është një ligj klientelist dhe antikushtetues, si e cilësojnë ata. Tetë studentët e ndaluar nga policia, në orën 19:30 kanë dalë nga ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Katër nga vajzat e ndaluara ndjekin studimet për Shkenca Politike dhe janë rreth moshës 21 vjeç, ndërsa një prej tyre studion për Histori.
Protesta & Intervista
Procedohen në gjendje të lirë 8 studentët e ndaluar nga policia pasi qëlluan me vezë kryeministrin. Fillimisht ata u shoqëruan në ambientet e Komisariatit nr. 2 dhe më pas u shoqëruan në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Afër studentëve kanë qenë edhe dy avokatë nga zyra e Komitetit shqiptar të Helsinkit. Pranë studentëve kanë shkuar edhe përfaqësues të Avokatit të Popullit, të cilët nuk u lejuan të kenë kontakt me studentët e ndaluar. Për çështjen, në dijeni është vënë edhe Prokuroria e Tiranës.
Pas rreth 9 orësh ‘ngujim’ në komisariat, studentët dolën, por në asnjë moment nuk janë tërhequr nga veprimi i tyre. 21-vjeçarja Liri Kuçi, në një intervistë për “GSH” ka deklaruar se me këtë veprim ata treguan se i mbajnë premtimet, pasi kishin deklaruar në protestat e mëparshme se do arrinin deri në mosbindje politike. Po ashtu, studentët e lëvizjes “Për Universitetin” kanë thënë se kryeministri Rama dhe ministrja Nikolla, të cilët më herët janë shpallur persona ‘non grata’ prej tyre, por edhe çdo burokrat tjetër, nuk do lejohen t’u afrohen ambienteve universitare.
Liri, si u bë organizimi për këtë protestë?
Organizimi ishte spontan. E morëm vesh në orën 10:30 se do të vinte kryeministri në fakultet dhe u mblodhëm. E vendosëm aty për aty se çfarë do të bënim. Lajmëruam studentët që janë pjesë e lëvizjes “Për Universitetin” dhe u mblodhëm. Vezët i blemë në dyqanet para fakultetit.
Po tre çunat nga Kosova, ishin me ju?
Ata janë pjesë e “Klubit Politik të Studentëve” në Kosovë, dhe në protestat e mëparshme na kanë mbështetur. Ndodheshin me ne dhe u bashkuan në kauzën tonë.
Nga dora e kujt u hodh veza që preku kryeministrin në shpatull?
Nuk duam t’ia atribuojmë një personi këtë gjë, pasi kjo është meritë e gjithë studentëve dhe e lëvizjes “Për Universitetin”. Por sot Ramën, nuk e goditën vetëm studentët me vezë, por mbarë shoqëria shqiptare e goditi me mjete të rënda.
Si ishte trajtimi që ju bënë forcat e policisë?
Komplet vandal. Dhuna, forca që përdornin dhe na shtynin për të na hequr nga rruga, nisi që në momentin e parë që ne filluam të bërtisnim kundër reformës në arsimin e lartë. Më pas, kur qëlluam me vezë, na u sulën, na shtrinë në shesh dhe disa nga aktivistët i tërhoqën zvarrë. Më pas na shoqëruan në furgonë.
Po më pas, kur po ju shoqëronin në komisariat, çfarë ndodhi, si ju trajtuan?
Gjatë shoqërimit në furgon dhe derisa shkuam në komisariat nuk na dhunuan fizikisht, por kishte dhunë psikologjike. Na thoshin shpeshherë ‘silluni mirë’, ngrinin zërin. ‘Kujdes se jemi në Komisariat këtu’, na thoshin. Dhe, nuk patëm më mundësi të komunikonim me asnjë person, sepse telefonat na i morën, na i fikën.
U ndjetë të frikësuar gjatë orëve të gjata që ndenjët në komisariat?
I kemi matur mirë gjërat. Unë e kam për herë të dytë që më mbajnë në komisariat, për shkak të protestave që lëvizja “Për Universitetin” ka zhvilluar. Ne kemi thënë edhe më herët: do arrijmë deri në mosbindje civile. Me këtë gjë që bëmë, ne treguam që e mbajmë fjalën.
Cili është hapi juaj si lëvizje studentore?
Do vijojmë me bojkote apo dhe me zaptime të fakulteteve, sa t’i çlirojmë këto hapësira të dijes që po i zënë klientelistët. Nuk do lejojmë që në këto ambiente të vijnë burokratë, dhe aq më pak kryeministri dhe ministrja, që ne i kemi shpallur persona ‘non grata’ në ambientet universitare.
Opozita ka folur në mbështetjen tuaj. A keni ju, si lëvizje, lidhje me ndonjë parti politike?
Artikulimi politik i opozitës, apo i çdo lloj force tjetër, u takon forcave politike, por nuk ka të bëjë fare me organizimin tonë, sepse ne jemi jopartiakë.
Çfarë ishte gjëja e parë që bëre sapo dole?
Gjëja e parë që bëra, u përfshiva nga euforia. Por, nuk duhet të harrojmë që jemi studentë të ndjekur në gjendje të lirë./GSH
Komentet