Studentët e Mjekësisë që kundërshtojnë ligjin për shërbimin 5-vjeçar me detyrim në Shqipëri në përfundim të studimeve kanë zhvilluar sot takimin e kërkuar me kreun e shtetit, presidentin Bajram Begaj për ta bindur që të mos e dekretojë ligjin që miratoi Kuvendi pak ditë më parë.
Përfaqësuesit e studentëve protestues të Mjekësisë deklaruan se nuk e dinë se çfarë vendimi do të marrë presidenti Begaj, por një gjë është e sigurtë që ata nuk do të ndalen aty, por do të vazhdojnë takimet me zyrtarë dhe nëpër institucioneve për ta rrëzuar këtë ligj që ua mban atyre peng diplomën për 5 vjet në Shqipëri. Po ashtu, më 2 tetor, ata do të bojkotojnëfvitin e ri akademik.
Përfaqësuesja Dea Guri tha: “Presidenti na dëgjoi së bashku me këshilltarët e tij në një tryezë diskutimi, më shumë një dëgjesë, për problematikat tona. Shprehu dhe ai qëndrimin e tij, ku do të konsultohet dhe shqyrtojë këtë projektligj, tanimë ligj të miratuar nga parlamenti i Shqipërisë dhe sigurisht, do të pritet në ditët në vazhdim se si do të jetë reagimi.
Ne shkuam në takim si një përfaqësi e studentëve të Mjekësisë, siç kemi bërë deri tani duke kërkuar takime me instanca apo me zyrtarë të ndryshëm. Takimi i sotëm ishte më se serioz dhe paraqitëm çdo problematikë tonën në një tryezë, por se çfarë qëndrimi do të mbahet, nuk mund të japim deklarata mbi atë pjesë. Të shohim se si do të procedojnë.
Gazetarët: Çfarë tha presidenti, a është i gatshëm të mos e dekretojë ligjin?
Dea Guri: E thamë edhe njëherë, nuk mund të japim deklarata mbi qëndrimin e presidentit, sepse është detyrë e tij dhe e këshilltarëve se si do ta shqyrtojnë ligjin.
Gazetarët: Po qasja, a ishte pro jush?
Përfaqësuesi: Ideja është që, që nga kërkesa që ne kemi bërë për presidentin, ka pasur direkt një përgjigje pozitive dhe mikpritjen që na ka bërë e vlerësojmë, na ka munguar në të gjithë institucionet e tjera pararendëse të ligjit, siç janë komisionet apo dhe në parlament ku nuk jemi pranuar. Kështu që qasja ishte pozitive, presidenti na dëgjoi bashkë me këshilltarët e tij, gjithë problematikat të gjitha argumentet që janë dhënë lig më ligj e nen më nen e që janë lexuar këtu ashtu si dhe disa rekomandime që ne kemi dhënë për zgjidhjen e mëtejshme të situatës që deklarohet që është një situatë “emergjente” por që nuk kemi asgjë konkrete.
Kemi dhënë zgjidhjet tona argumentet dhe tani presim një përgjigje nga presidenti për mosdekretim, por ai tha që çdo gjë do të bëhet bazuar në ushtetutë dhe bazuar në sugjerimet që ne kemi dhënë. Por se çfarë do të merret më pas ne nuk e dimë dhe jemi në pritje. Ne do të vazhdojmë takimet zyrtare, do të vazhdojmë të argumentojmë gjithmonë atë që ne e quajmë një shkelje.
Dea Guri: Çfarë nuk duhet harruar është që ne sigurisht që bëmë të njëjtat rekomandime që kemi bërë në takimet e tjera dhe do të vazhdojmë të bëjmë takime të tjera, jo me vetëm me presidentin e Shqipërisë, por dhe me instanca të tjera dhe zyrtarë.
Ne rekomandojmë që të rishqyrtohet jo ky ligj, por të shqyrtohet dhe të shikohet një ligj tjetër ku të përfshihet një konsultë me grupet e interesit sidomos me studentët e Mjekësisë që nesër-pasnesër do të dalin në profesion dhe do të duhet të shërbejnë në Shqipëri, me vullnetin tonë të lirë dhe jo të kushtëzuar. Pra, të kemi politika ftuese karshi nesh dhe jo politika të tilla detyruese.
Gazetari: Nëse presidenti e dekreton ligjin, çfarë do të ndodhë me ju, a do t’i vazhdoni protestat?
Përfaqësuesja Dea Guri: Ne do t’i qëndrojmë vendimit që kemi dhënë. E kemi thënë nga fillimi dhe tani. Viti i ri akademik, po e them dhe tani për mediat, viti i ri akademik do të bojkotohet dhe sigurisht 2 tetori (po e përsërisim) do të jetë një kaos për mjekësinë shqiptare sepse studentët nuk duan të vazhdojnë në të tilla kushte studimet e tyre.
Gazetarët: Do ta vazhdoni procedurën për në Gjykatën Kushtetuese?
Dea Guri: Patjetër. Do të përpunohen nenet e nevojshme juridike dhe do të çohen në Gjykatën Kushtetuese.syri.net