Personat kryesorë të strukturës komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë dy komandantët e Përgjithshëm, anëtarët e shtabit e komandantët e zonave operative, janë ftuar e intervistuar nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë, që nga janari i këtij vit. Organizatat e Veteranëve kanë paralajmëruar se arrestimet e para mund të ndodhin së shpejti.
Gjykata Speciale me seli në Hagë, e cila pati nisu me ftesat për intervistim që nga fundi i vitit të kaluar, të hënën e ka thirrur edhe Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla.
Syla është në mesin e mbi 100 personave që janë ftuar nga Specialja, shumica prej të cilëve si të dyshuar e një numër i vogël i tyre në cilësi të dëshmitarëve.
Ftesat nga Specialja, janë intensifikuar dhjetë ditët e fundit, sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës, kanë ardhur rreth 50 ftesa.
“Numri i përgjithshëm i të ftuarve ka arritur 110, pa llogaritur ata që nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, apo që nuk kanë dashur të publikojnë ftesën e tyre me qëllim të ruajtjes së privatësisë”, ka thënë Hysni Gucati.
Ende nuk dihet data se kur do të intervistohet Azem Syla, i cili ndodhet në paraburgim për aktakuzën në rastin e njohur “Toka”, shkruan Insajderi.
Në cilësinë e të dyshuarit, me 6 shkurt është intervistuar edhe Sylejman Selimi, i cili po ashtu kishte qenë Komandant i Përgjithshëm, pas Azem Sylës. Selimi është intervistuar në Prishtinë, pak ditë pasi ishte liruar nga burgu, ku mbahej pas dënimit për krime lufte.
Të intervistuar nga Haga janë edhe katër ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, Sokol Bashota, Jakup Krasniqi, Bislim Zyrapi e Lahi Brahimaj.
Sokol Bashota, ish-zëvendëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm, është intervistuar në muajin shtator në Hagë. Pas dy ditësh intervistim, ai u kthye në Kosovë dhe me të arritur në aeroport deklaroi se Gjykata Speciale i ka ofruar një marrëveshje e cila potencialisht, sipas tij, do të ishte e favorshme për të në këtë proces, por e dëmshme për procesin në të cilin ka kaluar UÇK-ja.
“Për dy ditë jam intervistuar si i dyshuar. Jam përgjigjur në pyetjet që kanë qenë të favorshme për mua, dhe i kam kundërshtuar tjerat. Ajo që më ka shqetësuar është dje mua më është ofruar një marrëveshje që do të ishte e favorshme për mua, por do të dëmtonte UÇK-në. Një marrëveshje që do të më ndihmonte gjatë procesit në të ardhmen, por e dëmshme për procesin në të cilin ka kaluar UÇK-ja”, u shpreh Sokol Bashota.
Deklaratat e tij nuk janë komentuar nga Gjykata Speciale.
Në muajin korrik ish-zëdhënësi dhe anëtari i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi është intervistuar nga Specialja.
Pas intervistimit Krasniqi nuk pati folur për media, as nuk pati treguar se në çfarë cilësie ishte intervistuar.
Bislim Zyrapi, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, është intervistuar nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara, me 4 gusht.
“Jam i ftuar si i dyshuar dhe normalisht do t’i përgjigjem dhe do të shkojë në Hagë. Ftesa me ka ardhur për 4 gusht”, pati thënë Zyrapi me të pranuar ftesën.
Gjatë këtij viti është intervistuar edhe Lahi Brahimaj, i cili anëtari i Shtabit të Përgjithshëm. Menjëherë pas ftesës ai pati thënë se do të bashkëpunoj me Specialen për të dëshmuar luftën e pastër të UÇK-së.
“Pak rëndësi ka nëse do të jem i akuzuar apo dëshmitar. Edhe unë edhe zoti Haradinaj dhe krejt pjesa e UÇK-së ka bashkëpunuar me Tribunalin. Në kohën kur kam qenë deputet unë kam votuar kundër këtij Tribunali, sepse e kam konsideruar si të padrejtë ndaj Kosovës, pasi kjo është një gjykatë vetëm për shqiptarët”, tha ai.
Ndonëse nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) konfirmohet se 110 persona janë ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale, rreth 70 prej tyre janë bërë publike.
Përveç strukturës komanduese, numri më i madh i të ftuarve përbëhet nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë qenë pjesë e brigadave dhe batalioneve të katër Zonave Operative të UÇK-së.
Figura të larta të UÇK-së që morën ftesë për intervistim nga Haga, janë edhe ish-shefi i Policisë Ushtarake në Zonën Operative të Llapit, Nazif Mehmeti. I njohur me nofkën Komandant “Dini”, ai ishte intervistuar në Hagë në fillim të vitit, konkretisht në muajin janar.
Edhe Remzi Shala, i njohur si “Molla e kuqe”, u ftua nga Specialja në dhjetor të vitit 2018 në cilësinë e të dyshuarit. Por ai fillimisht kishte refuzuar t’i përgjigjej ftesës nga Haga, për të pranuar intervistimin nga gjykata në muajin qershor të 2019-s.
Shala është dënuar me 14 vjet burgim për krime lufte nga një gjykatë vendore.
Rreth katër muaj më parë, Gjykata Themelore në Prizren mori vendim për ta dënuar “Mollën e Kuqe” lidhur me rrëmbimin e Haxhi Perteshit nga Duhla e Suharekës në qershor të vitit 1998.
E, ftesë nga Gjykata Speciale morën edhe ish pjesëtarët e tjerë të UÇK-së: Agim Kuçi, Sabahudin Cena, Bashkim Ndrecaj, Isuf Gashi i njohur me nofkën “Baca”, Komandanti Ramiz Qeriqi – Luani, Safet Syla, Naser Krasniqi, Ahmet Rrahmanaj, Imer Imeri e Flamur Hoti si dhe Rilind Berisha.
Një tjetër figurë e njohur ushtarake që mori ftesë nga Gjykata Speciale është edhe ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati.
Në një njoftim publik javën e kaluar, ai tha se ky intervistim do të bëhet në javën e parë të muajit nëntor të vitit 2019.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e Shenjët dhe do mbetet e tillë. Edhe në ketë rast do të dalim faqebardhë. Zoti e bekoftë Kosovën”, u shpreh Kastrati, i cili është oficer i karrierës dhe ka punuar në detyra të ndryshme.
Kastrati, në vitet 1998–1999, gjatë luftës, ka qenë zëvendëskomandant në Zonën Operative të Llapit.
Gjatë muajit tetor, ftesa për intervistim nga Gjykata Speciale morën edhe ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, si dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Ministri në detyrë i Qeverisë Haradinaj, në një paraqitje televizive tha se ftesën nga Specialja e mori para dy javësh, në cilësinë e dëshmitarit. Ai tha se ftesa nuk ka qenë befasi për të, pasi e ka pritur një gjë të tillë për shkak të disa paqartësive që i kanë përcjellë gjatë komunikimit.
Tahiri deklaroi se është ftuar pikërisht për shkak të komunikimeve që kanë pasur me Specialen dhe përgjigjeve që u kanë dhënë atyre.
Emra të tjerë të ftuar nga Gjykata Speciale janë edhe: Mendim Daka, Avdi Ibrahimi, Ibrahim Gashi, Jetullah Krasniqi, Isni Kilaj, Fazli Behrami, Gani Krasniqi, Milaim Latifi, Shaban Syla, Naim Miftarin, Sali Mustafa – Cali, Fatmir Sopit e Sejdi Veselit, Besim Bajrami, Mehmet Sulaj, Avdi Ibrahimin, si dhe tash kapiteni i Shtabit të Përgjithshëm në FSK, Petrit Bojaxhiu.
Gjykata Speciale është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, me arsyetimin për t’i hetuar krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës në Kosovë. Deputetët e Kuvendit me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, patën votuar për ndryshimet e nevojshme kushtetuese, për t`I hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate, pas kërkesës nga bashkësia ndërkombëtare.
Komentet