Në dhjetor 2017, Presidenti Trump nënshkroi Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (SSK) të SHBA-ve. Në parim, çdo President, brenda vitit të parë të mandatit presidencial, përgatit dhe nënshkruan SSK të SHBA, në terma të tjera merr emrin e tij. Ky është dokumenti më i lartë strategjik, që shpreh vizionin, ambiciet, objektivat, qasjet dhe që alokon burimet e Uashingtonit zyrtar ndaj kërcënimeve dhe sfidave të sigurisë së SHBA-ve dhe atyre globale. Në SHBA, në shumicën e vendeve të NATO-s dhe jo vetëm, SSK është autoritet i Kryetarit të Shtetit, që është dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura (FA).
Strategjia Trump 2017 është më e gjata në historinë 30-vjeçare të këtij dokumenti, ka 70 faqe, krahasuar me 40 faqe të strategjisë së parë Reagan 1987, si dhe 30 faqe të Strategjisë pararendëse Obama 2015. Autorët shprehen se ata kanë dashur që ky dokument të bëhej sa më shpjegues dhe i kuptueshëm për amerikanët e thjeshtë, për ata që janë “burimi i forcës së Amerikës së Madhe”.
Sloganet orientuese të Strategjisë.
Strategjia Trump është shkruar me patriotizëm dhe dashuri për vendin dhe njerëzit. Kjo strategji vendoset midis dy sloganeve të mëdha; midis sloganit “Amerika e Para” dhe atij, “Për një Rikthim të fuqisë së Amerikës së Madhe”, që nënkupton se Amerika dhe amerikanët janë të parët, por edhe që promovon rritjen e rolit të SHBA-së në botë. Këshilltarët e njohur, gjenerali McMaster dhe zonja Gary Cohn, qartësojnë se “Amerika e Para, nuk do të thotë Amerika e vetme” duke shpallur se “Aleancat e forta dhe partnerët me ekonomi të zhvilluar” janë një “interes jetësor i Amerikës”.
Të përbashkëtat me Strategjinë Obama.
Sipas ekspertëve, Strategjia Trump ka sa gjëra të përbashkëta, aq edhe veçori specifike nga strategjia pararendëse e administratës Obama 2015. Të dyja identifikojnë si prioritet sigurinë e SHBA-ve, veçanërisht kundër kërcënimeve terroriste dhe armëve të shkatërrimit në masë; të dyja pranojnë se promovimi i prosperitetit ekonomik është thelbësor për udhëheqjen globale të qëndrueshme të SHBA-së; të dyja theksojnë vlerën e ruajtjes së një rendi ndërkombëtar të hapur dhe liberal; si dhe të dyja nënvizojnë rëndësinë e ruajtjes së parimeve dhe vlerave themelore amerikane në mbarë botën.
Veçoritë specifike të Strategjisë Trump.
Në një fjalim të kohëve të fundit, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, gjenerali i mirënjohur H.R. McMaster, e quajti këtë strategji, “një rishikim dramatik të politikës së jashtme amerikane nga dekadat e mëparshme”. Shumë e kanë mbështetur, po aq sa kanë shprehur rezerva kritike për këtë strategji, pasi mesazhet e të cilave janë disi jo të zakonshme për qytetarët amerikanë dhe aktorët globalë.
Procesi i zhvillimit të Strategjisë.
Strategjia Trump rezulton si produkt i një pune pothuaj 1-vjeçare të të gjithë agjencive të sigurisë kombëtare të SHBA, nën drejtimin e stafit të ngushtë të Presidentit. Ekipi i SSK u drejtua nga Gjenerali McMaster, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare, ushtarak dhe mendimtar strategjik i respektuar; Dina Powell, zv. këshilltare për Sigurinë Kombëtare; Nadia Schadloë, drejtore e lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare; Gary Cohn, këshilltar Ekonomik; Peter Navarro dhe Robert Lighthizer, këshilltarë të Tregtisë, si dhe këshilltari i lartë, Stephen Miller.
Idetë themelore të dokumentit fillestar janë diskutuar paraprakisht në institucionet më të larta qeveritare dhe joqeveritare amerikane, sidomos ato konservatore, si dhe në institute kërkimore prestigjioze ‘think tank’, me anëtarë të Kongresit apo CEO të industrisë.
Qasja gjithëpërfshirëse e Strategjisë Trump.
Qasja e Strategjisë Trump vijon të jetë qasja më gjithëpërfshirëse për përmbushjen e objektivave strategjikë të SHBA. Ndërsa, gjatë luftës së ftohtë strategjia e SHBA bazohej kryesisht në dy elementë: ushtria dhe ekonomia, kjo strategji angazhon të gjithë elementët e sigurisë kombëtare, si ato të fuqisë së fortë dhe të fuqisë së butë (hard poëer dhe soft poëer), pra, përveç ushtrisë dhe ekonomisë, shtohet diplomacia, shërbimet inteligjente, siguria kibernetike, dominimi në hapësirë, kërkimet shkencore, etj.
Mbështetja e Strategjisë Trump.
Kjo strategji përben jo vetëm një risi të fuqishme transformuese, por edhe një ndryshim thelbësor nga qasja historike tradicionale e SHBA-ve. Brenda një viti, konceptet e Strategjisë Trump kanë shërbyer për të shkundur dhe reformuar gjithë sistemin e sigurisë së SHBA-ve, që përfshijnë ridimensionimin e qëndrimeve ndaj sfidave dhe kërcënimeve globale, konkurrencën e fuqive të tjera, qëndrimin ndaj armëve nukleare, përballjen me radikalizmin ekstrem dhe terrorizmin, emigracionin nga vendet me ekstremizëm radikal, qortimin e ashpër ndaj vendeve aleate në NATO mbi ndarjen e padrejtë të barrës së shpenzimeve të mbrojtjes dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te qeverisja, etj.
Objektivat dhe interesat kombëtare të Strategjisë Trump.
Kjo strategji përcakton 4 objektiva dhe interesa jetikë të SHBA-ve për vitet e ardhshme, duke i përshkruar dhe ndërlidhur ato në trinomin: ‘objektivat, mënyrat dhe mjetet’ për përmbushjen e tyre. Ato janë:
1). Mbrojtja e jetës, tërësisë territoriale dhe mënyrës së jetesës së popullit amerikan,
2).Rritja e prosperitetit ekonomik të Amerikës,
3).Ruajtja e paqes nëpërmjet fuqisë, dhe
4).Avancimi e influencës amerikane në botë.
– Mbrojtja e jetës, tërësisë territoriale dhe mënyrës së jetesës së popullit amerikan: përfshin mbrojtjen nga armët e shkatërrimit në masë, kontrollin e kufijve nga emigracioni i paligjshëm, luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar ndërkombëtar, rreziqet kibernetike dhe promovimin e besimit te vlerat e demokracisë së SHBA.
Ndërsa, sipas Strategjisë Obama, u përqendrua në strategjinë “4 plus 1”, e cila nënkuptonte kërcënimet nga Kina, Rusia, Koreja e Veriut dhe Irani, plus kërcënimin asimetrik të terrorizmit.
– Promovimi i prosperitetit të SHBA: përfshin rivitalizimin dhe promovimin e ekonomisë së lirë, reciprocitetit dhe bashkëpunimit ekonomik, dominimin absolut në fushën e kërkimeve shkencore dhe zbulimeve teknologjike, mbrojtjen e bazave të inovacionit dhe “rivendosjen e hegjemonisë” në fushën e energjisë.
Siguria ekonomike përcaktohet si një shtyllë e fuqishme e sigurisë kombëtare, ndërsa nga kritikët, kjo qasje etiketohet si një ‘qasje neo-merkantiliste’ për shkak të rregullave të reja (më të forta), që imponon në marrëveshjet tregtare me vendet e tjera. P.sh., termi “lehtësira”, që përdorej më parë në Strategjinë Obama për marrëdhëniet ekonomike-tregtare me shtete të ndryshme, zëvendësohet nga termi “konkurrencë”, term i cili përdoret mbi 70 herë në këtë strategji.
– Sigurimi i paqes nëpërmjet forcës: përfshin mbajtjen e rolit dominant të kapaciteteve ushtarake të SHBA-ve në fushën ushtarake, industrisë ushtarake, fuqisë nukleare, në hapësirë, në fushën e kibernetikës dhe inteligjencës si dhe në diplomaci, në mjetet e diplomacisë ekonomike dhe të menaxhimit të informacionit. Objektivat ushtarake adresohen me burimet përkatëse, çka i jep kësaj strategjike dimension aplikativ më shumë se asnjëherë tjetër. Mjafton të përmendim shpenzimet e mbrojtjes në rreth 700 miliardë USD (nga rreth 620 miliardë USD ose 15% më shumë se Strategjia Obama) ose 2 herë më shumë se të gjitha vendet e NATO-s së bashku, përfshi edhe Rusinë.
– Avancimi i influencës së SHBA: nëpërmjet inkurajimit të frymës së partneritetit, diplomacisë, zhvillimit ekonomik si dhe arritjeve nga angazhimet ushtarake. Ky ndryshim madhor ka lidhje me sloganin “Amerika e Para”, në mënyrë që nga shkëmbimet ekonomike dhe tregtare, të fitojnë së pari qytetarët amerikanë dhe jo vendet apo regjimet parazitare, shtetet e dështuara apo të korruptuara, që nuk e justifikojnë asistencën, bashkëpunimin dhe mbështetjen e SHBA-ve.
Strategji bazuar në ‘Realpolitikë’ ose Realizëm Parimor.
Strategjia Trump ofron perspektivën e strategjisë së “realizmit parimor” duke kërkuar të vetëvendoset në një pozicion ‘realpolitik’, duke shprehur se politika ndërkombëtare është në thelb një ndërmarrje konkurruese. Konkurrentët kryesorë të sigurisë së Shteteve të Bashkuara, thuhet në dokument, janë një ‘Rusi dhe Kinë revizioniste’ (jo në kuptimin ideologjik, por në kuptimin që ato kërkojnë një ndryshim dramatik të status quo-së së pozicionit të tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare), që synojnë me veprime konkrete, një pozicion dominant rajonal dhe global.
Rusia dhe Kina.
Një vend i veçantë në Strategji i kushtohet Rusisë dhe Kinës, si konkurrente që kanë dalë për të “sfiduar fuqinë, ndikimin dhe interesat amerikane”. Kina përmendet 23 herë në dokument, ndërsa Rusia 6 herë, gjë që tregon edhe vëmendjen specifike që u kushtohet atyre. Kina përmendet dy herë më shumë se në Strategjinë Obama. Strategjia Obama u përqendrua në angazhimin dhe bashkëpunimin me Kinën, Strategjia Trump përqendrohet në identifikimin e kërcënimeve në rritje nga Kina dhe angazhohet për kundërvënien e SHBA-ve ndaj tyre.
Rusia.
Pozicionet e Rusisë, që e konsideron NATO-n një armik të saj, qëndrimi i saj ekspansionist ndaj Ukrainës, shantazhi i vendeve në kufijtë lindorë të NATO-s me stërvitjet ushtarake me përdorimin e armëve bërthamore, tentativat për ekspansion ekonomik aty ku krijohen boshllëqe sigurie, politikat e saj të dyshimta ndaj Lindjes së Mesme, Iranit, në Ballkan etj., lexohen si kërcënime nga Strategjia Trump.
Kina:
Strategjia Trump përcakton një qëndrim të ri të SHBA-së ndaj Kinës dhe reflekton një prirje më të ashpër të administratës së tij. SSK paralajmëron për një “zgjerim të influencës kineze në Europë, Hemisferën Perëndimore, Afrikë dhe Azinë Jugore”. SSK vëren përpjekjet e Kinës për t’u rritur si një fuqi rajonale duke sfiduar SHBA, sidomos në detin e Kinës Lindore, duke ngritur ishuj të militarizuar dhe shantazhuar vendet e rajonit. Po ashtu, tregtia e pabarabartë, lufta e paprincipe kibernetike dhe përfitimi (“vjedhja”) nga Kina të qindra miliardë dollarësh nga pronësia intelektuale e SHBA-së, shihen jo vetëm si një problem ekonomik, por edhe si një kërcënim për sigurinë. Strategjia kritikon ashpër planin e Kinës për të krijuar një “rend social” për të gjithë qytetarët kinezë, ku ata vlerësohen mbi bazën e pikëzimit të besnikërisë së tyre ndaj regjimit.
Koreja e Veriut dhe Irani.
Vlerësohen si dy regjime mashtruese dhe të paprincipta në arenën ndërkombëtare. Koreja e Veriut disponon kapacitete të armëve të shkatërrimit në masë dhe po zhvillon raketa balistike ndërkontinentale, duke kërcënuar për të vrarë miliona amerikanë, ndërsa Irani mbështet grupe terroriste tejet radikale.
Radikalizmi ekstrem.
ISIS dhe Al-Quaida, edhe në grahmat e fundit, duan të godasin SHBA dhe radikalizojnë Amerikën dhe Europën me ideologjinë e vrasjes dhe urrejtjes. Nga ana tjetër, aktorë të ndryshëm joshtetërorë kërkojnë të shkatërrojnë rendin shoqëror nëpërmjet rrjeteve të trafikut njerëzor, të drogës dhe të krimit duke shkaktuar mijëra jetë njerëzish.
Qasja rajonale e SHBA-së.
Një pjesë e fuqishme e Strategjisë është qasja rajonale dhe sjellja globale e Amerikës, e cila demonstron ambiciet gjeopolitike të saj. Vlerësohet një zhvendosje e vëmendjes së SHBA në plan të parë në rajonet e Indo-Paqësorit dhe në Azinë Qendrore dhe Jugore, si dhe në plan të dytë në Europë, në Lindjen e Mesme, Hemisferën Perëndimore dhe në Afrikë. Ajo sinjalizon se kjo administratë e konsideron rajonin Indo-Paqësor si një zonë gjeografike strategjike për SHBA. Afirmimi i rolit të udhëheqjes së SHBA-së në ‘Grupin 4’ të Shteteve të Bashkuara, Australisë, Japonisë dhe Indisë (Japonia dhe India marrin një vëmendje më të madhe në rajon), përbën një prioritet ndaj Europës apo Lindjes së Mesme.
Hapësira dhe kibernetika.
SSK njeh rëndësinë strategjike të hapësirës dhe të kibernetikës, si fusha të reja të sigurisë, si dhe trajton përpjekjet e kundërshtarëve të SHBA-ve, në veçanti të Kinës dhe Rusisë dhe aktorëve asimetrikë, për të ulur besimin në politikat e institucioneve demokratike. Kjo vërtetohet nga masat aktive kibernetike të Moskës për të shkatërruar integritetin e zgjedhjeve demokratike në Rusi dhe në të gjithë Europën, në SHBA dhe tentativat e fundit në Meksikë dhe vende të tjera, përmes devijimit të votave ndaj forcave politike që mbështesin Rusinë, “në një përpjekje për të minuar legjitimitetin e demokracive”.
Ndryshimet klimatike.
Strategjia Trump e ka hequr çështjen e ndryshimeve klimatike nga lista e kërcënimeve globale. Ky qëndrim përfaqëson një ndryshim të mprehtë nga SSK Obama, e cila e vendosi ndryshimin e klimës, si një nga rreziqet kryesore me të cilat ballafaqohet kombi dhe globi, duke lobuar për ndërtimin e konsensusit ndërkombëtar për të mbajtur ngrohjen globale një prioritet të sigurisë kombëtare.
Konkluzion.
Gjatë 1 viti nga ardhja në detyrë e Presidentit Trump, jemi duke parë rezultatet e para të Strategjisë Trump, e cila po konfigurohet si një “strategji e veprave dhe jo e fjalëve”, pavarësisht disa korrektimeve të qëndrimeve elektorale. Një pjesë e objektivave të saj po i shohim të marrin formën e realizimit fillestar, të ndërmjetëm apo të plotë – siç janë tërheqja nga Marrëveshja Tregtare e Partneritetit Trans-Paqë- sor, largimi nga Marrëveshja e klimës së Parisit, shkuarja drejt shkatërrimit të Shtetit Islamik të ISIS, hedhja poshtë e marrëveshjes bërthamore të Iranit, angazhimet për përmirësim e buxhetit të vendeve të NATOs (përfshi edhe vendin tonë) për 2018, njohja e Jerusalemit si kryeqytetin e Izraelit, fillimi i ngritjes së murit me Meksikën apo shtrëngimi i hyrjes në SHBA, të qytetarëve të disa vendeve të etiketuars si shtete mbështetëse të radikalizmit ekstrem, reformat ekonomike, financiare, shëndetësore në SHBA, etj. Është e rëndësishme që, për rajonin tonë, kemi një konfirmim të vazhdimit të angazhimit të SHBA në Ballkan dhe Kosovë, që në ditët e para të administratës Trump, kur Sekretari i Mbrojtjes Mattis konfirmoi se: “Kosova, model i ndërhyrjes së SHBA, … ne do qëndrojmë atje derisa Forcat e Sigurisë të zhvillojnë kapacitete dhe legjitimitet për të ushtruar përgjegjësitë e sovranitetit territorial dhe ato të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare të Kosovës.”
Shënim: Referencat në këtë analizë janë marrë nga “Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (SSK) të SHBA”. Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Institucionit të Presidentit.
*Këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës, Ish-Zv/SHSHPFA dhe Përfaqësues Ushtarak në NATO
Për të marrë në kohë reale lajmet e Panorama Online shkarko aplikacionin
Komentet