Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 17 gusht do të mbajë takime të ndara në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Këto takime do të mbahen vetëm një ditë para rundit të ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Sipas njoftimit për media nga aleanca ushtarake e NATO-s, Stoltenberg fillimisht do të takohet me Vuçiqin dhe më pas me Kurtin.
Pas çdo takimi të ndarë janë paraparë të mbahen edhe konferenca për media.
Takimi në Bruksel me Stoltenbergun do të mbahet tri javë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.
Serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht bllokuan rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, për të shprehur kundërshtimin e tyre lidhur me vendimet e Prishtinës për targat dhe dokumentet serbe.
Më 31 korrik, NATO tha se misioni i saj në Kosovë, KFOR, ishte i përgatitur të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti në vend.
Të njëjtën deklaratë e bëri edhe shefi i aleancës, Stoltenberg gjatë një bisede që ka zhvilluar me Vuçiqin më 3 gusht.
Por, pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, Qeveria e Kosovës tha se do të shtynte zbatimin e vendimeve për 30 ditë, kur të hiqen barrikadat e vendosura dhe barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit.
Ndërkaq, më 18 gusht, sipas ftesës së dërguar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në rundin e dialogut do të bisedohet për “të gjitha çështjet e hapura” midis Kosovës dhe Serbisë. Por, nga BE-ja ende nuk kanë dhënë detaje për agjendën e takimit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për REL-in, tha se në rundin e ri të bisedimeve nuk do të diskutojë për dy vendimet që u kundërshtuan nga serbët lokalë.
Vendimi për dokumente ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Këtë praktikë, Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.
Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e targave të makinave me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia. Targat sikurse KM, PZ, UR e të ngjashme përdoren në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe nga Prishtina konsiderohen ilegale.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në dialogun e Brukselit korrikun e vitit të kaluar. Ditë më parë, presidenti serb deklaroi se është skeptik se mund të arrihet ndonjë rezultat në takimin e 18 gushtit.
Komentet