Administrata e Presidentit amerikan Joe Biden, përmes ligjeve të reja, po përdor fuqinë e qeverisë federale për të ndihmuar me subvencione bizneset amerikane të konkurrojnë në një ekonomi globale. Dy fabrika në Ohajo janë shembull i rezultatit të kësaj politike të re që paraqet mundësi për ripërtëritjen e sektorëve tradicionalë që po përshtaten për realitetin e ri. Megjithatë ato ende përballen me sfida.
Një fabrikë 77-vjeçare në një qytet të Ohajos rigjallëroi aktivitetin e vet, duke prodhuar një linjë të re kamionësh elektrikë plehrash. Vetëm pak kilometra larg, filloi ndërtimi i një fabrike prej 20 miliardë dollarësh që do të shndërrojë materiale silikoni që përdoren për gjysmëpërcjellës për të prodhuar çipa kompjuterikë për çdo gjë, nga qendrat e të dhënave tek makinat.
Prodhuesi i kamionëve Battle Motors dhe gjiganti global Intel Corp – janë shembuj të gatishmërisë së re të qeverisë federale për të ndihmuar në ripërtëritjen e sektorëve të prodhimit.
Megjithëse stimujt për politikën industriale kanë krijuar mundësi për të dyja fabrikat, ende mbeten pengesa të konsiderueshme.
Sfidat përfshijnë mungesa të mundshme të fuqisë punëtore dhe një reagim në rritje nga qeveritë e huaja që po nxitojnë të fuqizojnë kompani konkurrente.
Dikur e kritikuar nga konservatorët pasi sipas tyre “paracakton fituesit dhe humbësit” dhe nga progresistët si dhënie e ndihmës sociale për korporatat, kjo politikë industriale e Shteteve të Bashkuara po gëzon një konsensus të rrallë dypartiak, madje edhe në shtetet republikane si Ohio.
“Kur lejuam industrinë e gjysmëpërçuesve dhe pjesë të tjera jetike që përbëjnë themelin e ekonomisë sonë, të mbështetej në vendet të tjera, ishte gabim. Pjesa qendrore dhe verilindore paguan një çmim të shtrenjë për këtë gabim. Por tani kemi një mundësi për ta korrigjuar, duke kuptuar se çfarë është në interesat tona strategjike, kombëtare, ekonomike dhe mbrojtjes”, tha Jon Husted, zëvendës guvernator republikan i Ohajos.
Tetë nga 12 përfaqësues republikanë të Ohajos në Kongres, votuan në favor të subvencioneve federale për prodhimin e gjysmëpërçuesve, përfshirë fondet që do të shkojnë për kompaninë Intel.
Ligji për Mikroprocesorët dhe Shkencën i vitit 2022 vë në dispozicion 52.7 miliardë dollarë subvencione federale për prodhimin e gjysmëpërçuesve.
Është e paqartë se çfarë shume merr kompania Intel. Bruce Andrews, Shefi i Intel-it për Marrëdhëniet me Qeverinë, tha në një intervistë se kompania shpresonte që paratë të mos shpërndaheshin në shumë projekte, pasi kjo do të zvogëlonte ndikimin e tyre.
“Ligji synon të ndihmojë në mbushjen e hendekut të kostos ose diferencën e kostos mes ndërtimit dhe funksionimit të një fabrike në Shtetet e Bashkuara kundrejt kostos që do të kishte nëse prodhimi bëhej në një vend aziatik, për shembull, në Tajvan ose Korenë e Jugut”, thotë ai.
Për kompaninë e kamionëve Battle, stimujt nga administrata e presidentit Biden nënkuptojnë deri në 40,000 dollarë subvencione federale për blerjen e kamionëve të mëdhenj elektrikë sipas Ligjit për Reduktimin e Inflacionit të miratuar vitin e kaluar, përveç një kredie tatimore prej 2.5 milionë dollarësh nga shteti i Ohajos.
“Sa më shumë makina të tilla elektrike të prodhojmë, aq më mirë për mjedisin. Kjo është arsyeja që ne po e bëjmë këtë. Por përveç kësaj po bëhet edhe diçka me përfitim financiar”, thotë Shefi Ekzekutiv i kompanisë Battle Motors.
Shqetësimi në rritje për forcimin e Kinës dhe pandemia nxorrën në pah rrezikun e varësisë tek importet për mallrat bas. Gjatë dy viteve të fundit, prodhuesit amerikanë patën vështirësi për të prodhuar gjithçka, nga makinat tek lavatriçet për shkak të mungesës së gjysmëpërçuesve dhe mungesave të tjera, ndërkohë që shumë lloje të pajisjeve të sigurisë dhe shëndetit, të nevojshëm për të luftuar COVID-in ishin të pakta.
Agresioni rus ndaj Ukrainës e shtoi ankthin, me mbylljen e gazsjellësve evropianë dhe reduktimin e eksporteve globale të drithërave nga Ukraina.
Për kompaninë Battle, stimujt federalë dhe shtetërorë ishin një faktor i rëndësishëm për ta vendosur fabrikën në Ohajo.
Më pas zoti Patterson pa një avantazh të madh në blerjen e një fabrike që prodhonte kamionë plehrash dhe përshtatjen e tyre për të punuar me bateri.
Fabrika, e cila u trefishua në madhësi pasi u ble në 2021 nga kompania me bazë në Kaliforni e zotit Patterson, vazhdon të fokusohet tek kamionët me djegie të brendshme dhe gaz natyror, por ka krijuar një linjë të veçantë montimi për makina elektrike.
“Kur u krijua Battle Motors, pati një farë mosbesimi (mes banorëve vendas), sepse ishte një kompani që prodhonte automjete elektrike dhe kjo është diçka krejt e re në këtë pjesë të Ohajos,” thotë Joel Day, kryebashkiak i qytetit të vogël Nju Filadelfia, ku ndodhet kompania Battle.
Por shumë banorë e kanë përqafuar teknologjinë e gjelbër sepse është pjesë e një fluksi prodhimi të avancuar që jep shpresë për një ringjallje më të gjerë industriale, tha zoti Day.
Por nxjerrja në treg e kamionëve të rinj elektrikë të plehrave ka hasur pengesa nga mungesa e pjesëve dhe defektet në zhvillimin e infrastrukturës së karikimit për bateritë masive të kamionëve.
Ron Cole, menaxheri në departamentin e kanalizimeve në Los Anxhelos, i cili do të fillojë testimin e pesë kamionëve elektrikë nga kompania Battle, thotë se qytetet në disa raste mund të kenë nevojë të ndërtojnë linja të reja energjie thjesht për të sjellë energji të mjaftueshme elektrike .
“Në disa nga depot tona do të kemi mbi 120 automjete, që do të thotë se duhen 50 deri në 60 megavatë në ato depo makinash për të karikuar automjetet gjatë natës dhe kjo është diçka e vështirë”, thotë zoti Cole.
Fabrika Intel po ngrihet në një park industrial pranë kompanive të tjera të mëdha të teknologjisë, përfshirë Facebook, Amazon dhe Google.
Krijimi i një qendre për prodhimin e gjysmëpërçuesve larg qendrave të çipave si Arizona dhe Oregon do të kërkojë zhvillimin e një rrjeti furnizimi dhe programesh aftësimi për punonjës të specializuar.
Elizabeth Reynolds, profesore në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, thotë se përpjekja aktuale synon të nxisë sektorë, jo kompani individuale. Deri në tetor, prof Reynolds ishte ndihmëse e posaçme e presidentit Biden për prodhimin dhe zhvillimin ekonomik.
“Nuk po përcaktohen fitues, apo teknologji të caktuara. Mesazhi është që ne si vend po investojmë në teknologji të pastër, që është kritike për të ardhmen e vendit dhe gjithë transformimin që duhet bërë”, thotë ajo.
Në rastin e automjeteve me emetim zero, çdo teknologji mund të ketë qasje në kreditë tatimore, kështu që po i lihet tregut të vendosë, thotë ajo.
Por mbështetja tek subvencionet qeveritare, mbart edhe rreziqe. Një administratë e ardhshme mund të tërhiqet nga projektet që duan vite për t’u ndërtuar.
Dhe fluksi i ndërtimit të fabrikave të reja, mund të sjellë mbiprodhim në të ardhmen. Por drejtuesit thonë se është diçka që të gjithë do ta menaxhojnë kur të vijë koha.